Fatkeqë edhe në fatkeqësi

0
50

Arben Rrozhani

Në rrugët e Shqipërisë u shënua dje pasdite tragjedia e radhës. Të paktën 14 viktima dhe shumë të tjerë të plagosur. Një dhimbje për shumë familje shqiptare që humbën të dashurit e tyre. Sot është ditë zie dhe qeveria e ka shpallur atë dhe me kaq do të mbyllë edhe një kapitull tjetër tragjik të humbjes së jetëve në Shqipëri. Aksidentet ndodhin kudo, madje më përmasa edhe më tragjike. Në rrugët shqiptare kanë qenë të shumta dhe janë të përditshme dhe këtu, ka pjesën edhe shteti, që nuk i ka dhënë shoferit rrugën dhe sigurinë në të.

Ndodhin edhe në vendet e pasura, siç ishte aksidenti i dy muajve më parë, në një tunnel të Zvicrës, ku humbën jetën të paktën 22 fëmijë belgë, ndërsa ktheheshin në atdhe. Por ne jemi të varfër dhe fatkeqë edhe në fatkeqësi. Një familje nga Progradeci kërkonte mbrëmë dëshpërimisht vajzën. Ajo nuk është as në listën e të vdekurve, as të plagosurve dhe as të paidentifikuarve. Vetë Ministria e Brendëshme, vetëm gjashtë orë pas aksidentit, postoi në redaksitë e mediave një listë paraprake, ku mungonin disa prej studentëve.

Të paktën tre ishin pa identitet, ndërsa ende publiku dhe mediat nuk kanë një listë të plotë të atyre fatkeqëve që ndërruan jetë në greminë apo në spitalin ushtarak. Është e njëjta paaftësi shtetërore, që nuk ka lidhje me kushtet atmosferike, por me çorganizimin e organizuar të strukturave shtetërore nga ato të specializura për fatkeqësitë natyrore apo aksidentet. Një sjellje të tillë joprofesionale u dëshmua rreth 5 muaj më parë, kur vendi u bllokua nga dëbora dhe ngricat. Qeveria nga qendra deri në bazë nuk kishte një hartë të saktë zonave të izoluara, banorëve që kërcënoheshin nga uria dhe mungesa e kujdesit shëndetësor. Ajo u mjaftua me këshilla për pastrimin e rrugëve dhe të çative nga dëbora, çoi edhe disa dhjetra ekspedita ajrore dhe me kaq e kaloi gjendjen e jashtëzakonshme, që vetëm e tillë nuk kalohet, pa kosto të jetëve njerëzore dhe dëmeve materiale.

Ishte tragjike që të shikoje dje se si kufomat e të rinjve të vdekur ishin hedhur në karroceritë e kamionçinave të hapura, sepse mungojnë autoambulancat, se si në Himarën e bukur që pret me mijëra turistë në verë nuk ka një spital, por vetëm një qendër shëndetësore, apo ku të vdekurit lihen në dysheme sepse nuk ka një morg. Në shumë vende, një reagim kaq poshtërues për jetët dhe të vdekurit do të quhej sakrilegj dhe përgjegjësit do të merrnin ndëshkimin