Fati shqiptar i Marin Memës

0
51

Nga Mero Baze, 20 Gusht 2012

Marin Mema, një nga gazetarët e rinj të talentuar të vendit, qenka shpallur zyrtarisht “armik” i Greqisë. Nuk ka vrarë asnjë grek, nuk ka fyer asnjë grek, por është dënuar në mungesë, pse ka mbrojtur shqiptarë të vrarë dhe shqiptarë të fyer në Greqi dhe nga Greqia.

Përtej standardit skandaloz që është aplikuar nga një vend anëtar i Bashkimit Evropian, dhe përtej një arrogance provinciale që shpesh ndeshet ndaj njerëzve publik në pikat e kalimit kufitar për në Greqi, problemi i Marinit është dhe një problem që ka të bëjë me fatin e tij si shtetas i kësaj Republike.

Nëse Greqia do të klasifikonte me seriozitet krimet që rrezikonin sigurinë e saj kombëtare, natyrisht në krye të listës do të ishin vet grekët. Grekët që kanë katandisur Greqinë në lypsare të Evropës, grekët që kanë vjedhur Greqinë, grekët që kanë poshtëruar vlerat dhe krenarinë e tyre kombëtare, dhe së fundmi, grekët që po tentojnë të dalin nga depresioni duke u bërë ose fashistë,ose komunistë. Këta grekë janë kryesisht ish- pushtetarë të Greqisë, ata që kanë bërë ato ligje që dënojnë Marinin dhe pas tyre një arradhë intelektualësh mendjembyllur dhe nëpunësish provincialë.

Pas tyre në listë mund të vijnë të huajt dhe në fund gazetarët. Nga gazetarët në krye të listës, natyrisht duhet të jenë gjermanët, ata gazetarët gojëlëshuar që shpesh i quajnë grekët “derra të pangopur, dembel, hajdut, të pafytyrë” etj. Ka pastaj gazetarë italianë apo anglezë, që ekspozojnë të shkuarën dhe të sotmen greke, që tallen me historinë dhe mitet e tyre, tallen me mitomanin e tyre si pasardhës të helenëve, dhe katandisjen e tyre të sotme.

Në këto klasfikime, Marin Mema, dhe jo vetëm ai, por dhe gazetari më ekstremist shqiptar antigrek, nuk gjen dot vend për të qenë i krahasueshëm me armiqtë real të Greqisë. Por, ai është aty për një arsye më fatkeqe. Është shtetas i një republike jo dinjitoze, e cila e urren institucionin e gazetarit dhe medien ku ai punon, shumë më tepër se sa një mendje e ndryshkur zyrtari grek primitiv. Marini është qytetar i një vendi, qeveria e të cilit bisedon natën se si të jap kufij detarë e si të blejë kredite ndërkombëtare për pushtet nga Greqia, është qytetar i një vendi, ku kryeministri është gati të japë çfarëdo të dojë Greqia, mjafton që grekët e Shqipërisë të votojnë ose atë, ose të çojnë votat dëm, është kryeministër i një vendi që çështjen çame e përdor si kapital politik për t’i treguar Greqisë se është në një mendje me ta…Por mbi të gjitha, Marin Mema është qytetar i një vendi, qeveria e të cilit ka qëndrime më të politizuar ndaj medies së vet, duke e ndarë atë në medie mercenare dhe në medie armike. Për fatin e tij të mirë, Marini punon në një medie armike me qeverinë e tij.

Duke na e njohur këtë standard dhe këto antivlera tonat, duke na njohur sa mizorë jemi ndaj njëri-tjetrit dhe sa parimorë duam të tregohemi me të tjerët, grekët na kanë provokuar në një pikë, e cila njësoj si ata, na turpëron dhe ne, pasi na kujton se grekët na gjykojnë dhe dënojnë jo me standardin evropian, jo me standardin grek, por me standardin me të cilën na ndëshkon dhe dënon qeveria jonë, duke na shpallur armiq, puçist, “çakall” etj.

Shteti grek nuk do të kishte guxuar kurrë ta bënte këtë që bëri ndaj Marinit, ndaj një gazetari gjerman, italian, francez apo anglez, edhe pse ata nuk kanë lënë gjë pa shkruar e u tallur me Greqinë. Greqia nuk e bën atë gabim, pasi ato vende e kanë traditë lirinë e tyre dhe të shenjtë lirinë e gazetarit.

Greqia e bën këtë gjest të shëmtuar ndaj një gazetari, i cili ka fatin e keq të jetë pjesë e një vendi ku dhe një xhandar psikopat në Përmet, kur shikon që një gazetar kritikon qeverinë, del e ulërin rrugëve dhe në televizionet lokale, duke sharë e dhunuar gazetarin, me shpresë se do t’i hyjë në zemër qeverisë në Tiranë. Greqia e fyen Marinin dhe e ndalon të shkojë në Greqi, se e di ku jeton, e di si sillet shoqëria ku ai jeton, ndaj gazetarëve guximtarë, dhe e di sa pak respekt kemi ne për të vërtetën.

E bën, jo se vërtet beson që Marin Mema do të hedhë në erë sigurinë kombëtare të Greqisë, por se Marini dhe kolegët e tij vijnë nga një vend ku për shkak të profesionit, dënohen dhe poshtërohen po njëlloj. Marini vjen nga një vend, ku korrupsioni, varfëria dhe mungesa e dinjitetit kombëtar, është kthyer në një armik të madh të lirisë qytetare dhe asaj të shprehjes. Në një vend ku qeveria ka stimuluar shitjen e lirisë së medies dhe besimit tek drejtësia. Marini vjen nga një vend, kryeministri i të cilit nuk guxon dot të marrë Samarasin në telefon dhe t’i thotë anuloje atë marrëzi që ke bërë, pasi nuk ka asnjë lidhje me standardet e lirisë së shtypit dhe drejtësisë, në vend të vet.

Dhe, atë që nuk e ke në vendin tënd, e ke të vështirë t’ia kërkosh fqinjit, i cili në këtë rast është treguar dy herë i lig.

E para, se e di që ne na mungon liria në shtëpinë tonë dhe e dyta, përpiqet të na e mohojë lirinë dhe përtej kufirit tonë, në një territor që gabimisht quhet ende Bashkimi Evropian. Janë dy herë të ligj, pasi po e dënojnë Marinin edhe si shqiptar, edhe si gazetar.