Fati i panjohur i së djathtës

0
50

– Nga Afrim Krasniqi, botuar ne Shqiptarja.Com, 18.05.2013

Për vendin me të shkuarën më negative në regjimin komunist dhe më pas, edhe më të varfër në Evropë është e pritshme që shumica qytetare të jetë e prirur drejt nevojave sociale, pra për një rol më të madh të shtetit, kujdes ndaj individit, shpërndarje të burimeve natyrore e financiare, sistem të brishtë drejtësie, mungesë të elitave politike dhe shtresave fisnike, etj. Kjo prirje e shprehur edhe me votë politike i rezervon politikave të majta pothuajse 70% të votave. Në Shqipërinë e 23 viteve të fundit e djathta ka ardhur në pushtet kryesisht jo si e djathtë tradicionale, por si një e djathtë e të majtës, pra një zgjatim i saj.

Kjo bëri që masa 70% të mos anojë asnjëherë tek një parti politike, por të shpërndahet në disa parti politike apo që PD të fitonte pushtet më 1992 duke pasur në krah Partinë Socialdemokrate, më 2005 duke pasur në krah Partinë Agrare, më 2009 duke pasur në krah Lëvizjen Socialiste për Integrim dhe më 2011 duke pasur në krah Partinë Komuniste. Kjo shpjegon faktin se asnjë parti nacionaliste dhe e djathtë historike (ballistë, legalistë, ish të përndjekur, pronarët, etj) të mos bëhen asnjëherë forcë përcaktuese e pushtetit, madje të mos kalojnë asnjëherë numrin 4-5 të deputetëve në parlamentin prej 140-155 vendesh.

Gjithsesi një ditë tranzicioni do të mbyllet dhe atë ditë, politika do rikthehet në shinat e saj normale si në çdo demokraci të re, – e majta tek e majta dhe e djathta tek e djathta. Në këtë kontekst kalimi i LSI tek PS bie ndesh me parimet morale, pritshmërinë publike dhe nevojat e vendit për ndryshim të sistemit aktual korruptiv, por jo me tendencat ideologjike që ato përfaqësojnë. Por ndërsa e majta grindet, zihet, ndahet dhe ribashkohet, – sistemi politik shqiptar nuk ka ende një të djathtë solide, përfaqësuese dhe të qëndrueshme. Disa forca politike, përfshirë grupet e reja, janë identitete të djathta, por ende të kërcënuara pikërisht për këtë shkak, nga e djathta zyrtare në qeveri.

Partia Demokratike prej vitesh e ka humbur identitetin ideologjik dhe sot, ka vetëm emrin që e lidh me forcën politike demokratike të dhjetorit ’90. Ajo ka kundër elitat qytetare, biznesin e madh, studentët reformatorë, ish të përndjekurit dhe pronarët, familjet historike dhe komunitetin ndërkombëtar – pra të gjithë elementët që më 1992 i kishte në anën e saj. Në mungesë të tyre, ajo e ka mbushur boshllëkun me një kastë politike pa identitet, të ndarë në tre familje dhe klane të mëdha, – e kryetarit, e nënkryetarit dhe e sekretarit të përgjithshëm.

Në listat e saj elektorale nuk ka emra të elitës, nuk ka të përndjekur dhe as pronarë, nuk ka përfaqësues të lëvizjeve politike të vitit ’90, nuk ka disidentë dhe as biznesmenë me sukses në konkurrimin e lirë, nuk ka figura me mbështetje perëndimore dhe as politikanë të njohur për qytetari e moderacion. Vendin e tyre e kanë zënë një turmë militante që lexon në media çfarë i jepet, që nuk njeh historinë e PD dhe as nuk e ka idenë pse janë të djathtë, që bën pjesë në kordonin korruptiv të qeverisjes (tatime, dogana, polici, hipoteka) dhe që preokupim kryesor kanë rivalitetin për të qenë më afër liderit në podiumet elektorale. Në listat e sigurta të PD-së gjendet kryetari i fundit i parlamentit i zgjedhur nga PPSH, dy deputetë të së majtës historike, disa figura politike me karrierë të gjatë parlamentare me PPSH apo PS, individë të njohur për skandale dhe akte korruptive apo antikombëtare më 1997 apo më tej, dhe sidomos, biznesmenë të lidhur pa shpëtim nga fatet politike.

Në këto rrethana, e djathta zyrtare në qeveri ka humbur identitetin politik, ka humbur vlerat për të cilat u promovua më 1990-1991, ka humbur bazën solide sociale, ka humbur partnerët perëndimorë, dhe mbi të gjitha, vizionin programor dhe organizativ të së djathtës. Asnjë strukturë e saj nuk funksionon, asnjë vendim nuk merret me votë, asnjë figurë drejtuese nuk është produkt i garës së brendshme dhe askush nuk promovohet për shkak të aftësive të spikatura politike. Meritokracia është zëvendësuar nga klientokracia, – një pikë ku e djathta zyrtare dhe e majta në opozitë bashkohen dhe imitojnë njëra tjetrën. Retorika antikomuniste nuk ka më vlerë, kur dy aktet më ekstreme kundër të përndjekurve në 23 vjet janë bërë pikërisht nga kjo e djathtë e pushtetit (greva 1994 dhe vetëvrasja e 3 personave më 2012), kur në PD aktuale gjenden vetëm 7 nga 367 themeluesit e saj, kur të vetmit kryetarë partish të përndjekur politikë janë bashkuar me opozitën e majtë, dhe kur më shumë gjen zyrtarë komunistë tek PD më 2013 sesa tek PS më 1992.

Fati i të djathtës nuk matet me numrat elektoralë, pasi siç u gjetën kryeministrat socialist Nano e Meta për të mbajtur PD-në katër vjet në pushtet, apo siç u gjetën tre deputetë të PS për të mbajtur në këmbë qeverinë, gjithnjë një regjim korruptiv mund të korruptojë edhe vota të tjera parlamentare. Ndaj fati i saj nuk lidhet me 23 qershorin, por me ditën pas saj. Çfarë do të ndodhë kur të djathtët në pushtet dhe ata të vërtetë të kalojnë në opozitë? A do të kenë ata forcë për të themeluar të djathtën e re, parimet esaj politike, për të krijuar shtresimet dhe identitetin politik? A do t’i duhen asaj 4 apo 8 vjet për të kuptuar çmimin e lartë absurd dhe personal me të cilin PD qëndroi katër vitet e fundit në pushtet?

A do të rikthehet ajo në pushtet për shkak të dështimit të pritshëm të së majtës apo meritave të saj frymëzuese? A do të ketë figura të afta për të marrë përsipër reformimin, për të identifikuar vlerat dhe për të kryer procesin e ripërtëritjes tërësore të një force politike që lindi si parti e 360 studentëve/pedagogëve dhe përfundoi në parti e tri familjeve? A do të gjejë ajo forcë të bëjë diferencën e bilancit 22vjeçar, të distancohet nga modeli negativ aktual dhe kulti i individit që ka zëvendësuar të djathtën?

Këto janë disa nga dhjetëra pyetjet, të cilat sot mund të duken të parakohshme, por me të cilat do të duhet të merremi në katër vitet e ardhshme. Atëherë kur “udhëheqësi” do jetë në pension dhe në izolim, kur milionerët e pushtetit do tu fshihen gjykatësve, medias dhe publikut kritik; kur rrëzimi elektoral i banesës do ta ndajë atë në disa pjesë, secila duke pretenduar të marrë apriori trashëgiminë e pamerituar. Nuk është larg, ndaj kushdo që e ndjek politikën duhet të shohë përtej pamjeve populiste dhe pa vlera të së tashmes. Riformativ, rithemelim apo federatë vlerash? Ka shumë opsione, por gjithnjë, jashtë skenarëve të gatshëm të përgjegjësve kryesorë të kësaj gjendjeje, dhe duke respektuar 100% vlerat morale, identitare dhe tradicionale të së djathtës evropiane, në emër të të cilave u frymëzua lëvizja rinore e viteve ’90 dhe u mblodhën 1.2 mblodhën vota më 1992!