TemA, 29 Prill 2013
Nesër në Vjenë do të përkujtohen të shtatat e ditës kur i gjati i shkuli veshin veshgjatit, ose, siç u quajt ndryshe, në mënyrë më diplomatike, “incidenti i Vjenës”, i krahasueshëm vetëm me incidentin e Kanalit të Korfuzit, por me një ndryshim: nëse në rastin e parë, komunistët shqiptarë minuan Kanalin e Korfuzit, në të dytin një “komunist“ shqiptar, në mes të Vjenës i plasi minën në kanalin e veshit, mbarë kombit.
Por, ajo që unë dua të analizoj në këtë shkrim, një reflektim i imi mbi “ngjarjen”, nuk është skuqja e veshit të kombit dhe dëgjimi i tij i cunguar, por skuqja e veshit të brendshëm të tij, ose më saktë otosklerosa e kombit, si sëmundja më e rrezikshme që kombi ka përjetuar e po përjeton.
Ajo që më bëri përshtypje në këtë javë të gjatë e të mbushur me analiza, pyetje, telefonata, etj, nuk ishte përmbajtja, pra, si e qysh, ku e sa ja tërhoqi Rama veshin Cekës. Jo! Këto ishin dytësore për mua. Ajo që më bëri përshtypje e që më hidhëroi, por edhe gëzoi pa masë, ishte ajo që nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë: që unë të telefonohesha nga mediat shqiptare aq shumë sa ç’u telefonova këto ditë. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë më parë që të më dërgoheshin aq shumë pyetje përmes e-mailit sa ç’mu dërguan këto ditë. Nuk më kishte ndodhur asnjëherë që brenda natës të më bëheshin aq shumë kërkesa për miqësi në Facebook sa ç’mu bënë atë natë. Ishin telefonata urimi për aktivitetet në Vjenë; e-maile plot respekt për suksesin, por edhe të mbushura me shqetësimin që përcillnin mediat në Tiranë. Ishin miq që më merrnin në telefon duke më pyetur se mos jemi në hall a rrezik mbas kësaj që kishte ndodhur e ku unë ju përgjigjesha: “Ne të mëdhenjtë mirë jemi. Fëmijët, për siguri, i kemi nisur për tek nënëdaja, në fshat”.
Çudi e madhe! Do të duhej dora e gjatë e të gjatit që t’i “shkulte“ veshin veshgjatit që unë, brenda natës, të bëhesha më i famshëm se George Clooney e Jon Bon Jovi. Kisha pasur ngjarje shumë e shumë më të mëdha në jetën time se sa ajo e asaj të mërkure të skuqur në Vjenë. Shumë e shumë suksese në Bruksel, Berlin, Trieste, Bukuresht, Kajro, Birmingem, Athinë, Shkup, Prishtinë, Uells… apo dhe Tiranë, Vlorë, Pogradec e Fier.
Asnjëherë nuk përjetova këtë ngazëllim e interesim të mediave shqiptare karshi meje.
Bile as atë ditë në Parlamentin Europian në Bruksel, ku unë në vitin 2001 hapa ekspon time personale “Vlora, Vjena dhe Brukseli”, duke paraqitur një Shqipëri tjetër, larg trafiqeve të njerëzve dhe drogës. As atëherë në 2003 kur mua në Kryeministrinë e Austrisë mu dha medalja “Nder i Republikës së Austrisë”, as atëherë në 2006 kur mua qeveria e Austrisë më dha të drejtën e dyshtetësisë, as atëherë në 2011 kur mua Parlamenti Europian më dha çmimin “European Citizen”… as atëherë nuk u shkrua gjë tjetër, por vetëm “…në aktivitetin e Fate Velajt, Edi Rama i dha dorën Jozefina Topallit”.
As atëherë në 2009 kur unë në Pogradecin jashtë kufijve të Europës së Bashkuar ndërtova bulevardin “Europa Boulevard – 100 hapa drejt Europës”, për të cilin shkruajtën faqe të tëra plot ngazëllim e respekt Barroso, Havel, ministra e kryeministra europianë, deputetë e eurodeputetë, mendimtarë e poetë e deri te çmimi Nobel në letërsi, Imre Kertzes. Përveç politikës shqiptare që ju ishte mbaruar boja në kallamarë dhe thyer maja e penës. E gjetën rrugën për në Pogradecin e largët miqtë e mi Doris Pack e Hannes Swoboda, Hermann Nitsch e Robert Kabas dhe erdhën. Përveç politikanëve shqiptarë që ishin diku më tutje duke vallëzuar rreth mishit të pjekur. As Presidenti i Republikës nuk erdhi sado që premtoi se do vinte e stafi i tij më “hëngri” 10 karta Vodafone duke ju sqaruar se sa minuta do fliste Presidenti në mitingun popullor, se si do pritej, etj.
Por, do të vinte një ditë kur unë do të bëhesha i “famshëm”. Do të vinte dita kur një vesh, i varur diku në një cep të Akademisë Diplomatike në Vjenë do të tërhiqej me forcë e do të “shkulej miqësisht” nga vendi, nga një, më i gjatë se unë dhe vetë veshshkuluri, do të më bënte “të famshëm”.
Por, tashmë është dita që edhe unë t’u kthej përgjigje disa prej atyre që kanë dhënë intervista e deklarata në media, sado që nuk kanë qenë fare të pranishëm e sado që nuk kanë dhënë asnjë shërbim, sado të vogël, qoftë edhe diplomatik.
Egini: Pa dashur të hyj në detaje të jetës së tij akademike e diplomatike, më duhet t’i them se si mashkull jam ndjere i tronditur se si një burrë mund të marrë babanë në telefon e t’i thotë: “O ba, ai Edi më shkuli veeeeeshin!“ Çdo gjë të kishe thënë, edhe që Edi më shtyu, por veshin jo o Egin! Veshi ju tërhiqet fëmijëve dhe – djali im nuk e ka treguar kurrë – kur në kopsht a në shkollë bëjnë ndonjë prapësi u tërhiqet veshi nga edukatorja. E bëre veten me turp, o Egin! Nuk do të të ndahet me ky llagap. Diplomacia jote do të mbarojë një ditë, qeveria jote s’do të jetë më një ditë, por veshi yt i skuqur dhe i tërhequr do ngelet në mendjen e kujtesën popullore, aq sa unë jam i bindur se edhe pas 10 apo 20 vjetësh do të të thonë: Ore, çfarë të ka ky veshi ty? Apo qysh atëherë që ta shkuli i gjati s’të është shëruar? Paska pasur dorë të rëndë ai….
Neritani: Neritan të hëngshin mizat! Pse ia shtove këtë turp familjes? Ti e njihje fare mirë sistemin, të cilin ti e ndërtove me aq dashuri? Kujt i plasi në Tiranë për veshin tënd, të djalit tënd 37 vjeçar, që ti e trajtove sikur të ishte 3 vjeç e 7 muaj apo 7 vjeç e 3 muaj e që e bëre më të vjetër se Berati 2400 vjeçar? Ti Nero e dije që kjo që bëre nuk ishte shpërblimi dhe larja e të mirës që të kishin bërë, mbasi nuk mund të vije nderin e familjes nga vjen në një kandar me një vesh të skuqur, diku në një cep të Akademisë Diplomatike në Vjenë.
Vili: Vili, miku im, lexova intervistën tënde në Panorama dhe u hidhërova. Është e vërtetë që unë kam miqësi me të majtën austriake e atë europiane. Është e vërtetë që unë të organizova, një javë mbasi ti kishe ardhur ambasador në Vjenë, një takim me Hannes Swobodën e ku ti të nesërmen në një intervistë me një gazetë shqiptare s’ma kishe zënë emrin në gojë. Bile dhe në foton që bëmë mbas takimit unë nuk isha më. Por, ti Vili e di fare mirë që unë kam një miqësi të madhe edhe me të djathtën austriake, e atë europiane. Dhe nuk është rastësi që mua medaljen “Nderi i Republikës së Austrisë“ ma dha qeveria e djathtë e Wolfgang Schussel e ministrja e Jashtme Benita Ferrero Waldner. Nuk është rastësi që për “European Citizen“ më propozoi një eurodeputet i majtë dhe e firmosi Presidenti i Parlamentit Europian, një i djathtë. Nuk është rastësi që unë jam anëtar i disa organizatave më të rëndësishme europiane që drejtohen nga të djathtë dhe nuk është rastësi që unë jam dhe miku yt që je i djathtë.
Ti e trajtoje axhendën e Ramës në Vjenë sipas mënyrës që dikush në Parlament u mundua ta trajtojë, domethënë si një miqësi artistësh, piktorësh e jo diplomaci europiane.
Unë erdha në zyrën tënde dhe të ftova edhe personalisht. Më the se nuk mund të vije pasi do ishe në Tiranë në një sebep familjar se kishe të 40 e vjehrrës. Edhe vitin e kaluar kur unë kisha ftuar Edi Ramën në Vjenë, ishe te djali në Kanada. Unë nuk të paragjykoj pasi është e drejta jote t’u japësh përparësi atyre gjërave që janë të rëndësishme për ty, por u hidhërova shumë kur lexova se “të paskam thënë që po pres një konfirmim nga Presidenti i Austrisë”, mbasi unë të vetmen gjë që të thashë ishte se Rama do ketë edhe takime, por nuk të zura emra. Unë të thashë që do ishte mirë që në vendin tënd të vinte dikush nga ambasada dhe ti më the se po të duan të vinë privatisht e jo zyrtarisht. Edi Rama, qoftë kushdo të jetë, është përfaqësues i një përqindje të madhe të popullit tim dhe ambasada është përfaqësuese e 100% të popullit tim. Është ambasada e Republikës së Shqipërisë, jo e partisë në pushtet.
Mero: Lexova shkrimin tënd “Incidenti i Vërtetë i Vjenës”, për të cilin të uroj për këndvështrimin e gjetur, por më duhet të të kundërshtoj në një pikë: Presidenti i Austrisë takon kë të dojë e kur të dojë. Është i pavarur në përzgjedhjen e tij. Fushata në Shqipëri nuk ka filluar akoma që të mund të thuhet se bëri fushatë. Edi Rama nuk është vetëm kryetar i një partie opozitare, por është dhe Zëvendës President i Internacionales Socialiste, pra i një pjese të madhe të popullatës botërore që është e angazhuar në politikë.
Harxhi: Deklarata juaj, direkt pas “ngjarjes“ tregoi se nuk ke lidhje me politikën e diplomacinë. Çdo diplomat, apo funksionar i rëndësishëm i institucionit diplomatik do të pyeste homologët e tij në vendin e ngjarjes, do priste përgjigjen nga ambasada e Austrisë se si kishte ndodhur e mbasi të merrte një përgjigje të saktë do të dilte në deklarata, por jo si ju që dolët buzagaz duke zbritur shkallët e duke deklaruar se ishte goditur e shkulur veshi misionit diplomatik e nëpërmjet atij veshi i gjithë Shqipërisë. Ju e nderuara zonjë duhet të kërkoni falje publike që ambasada e Shqipërisë në Vjenë, misioni i Shqipërisë në Vjenë pranë UNO e OSBE nuk prezantohen në mënyrë zyrtare në një prezantim me temë “Europa – Mes meje dhe teje“ – vitin e kaluar në House of the European Union në Vjenë – apo si kjo e fundit me temë “Shqipëria – Ndërtojmë të ardhmen” në Akademinë Diplomatike.
Ky është ofendimi që ministria i ka bërë Shqipërisë e jo veshi që ju ka plasur juve. Ju mundoheni ta paraqisni Egin Cekën dhe veshin e tij si veshin e ndërgjegjes kombëtare, ta bëni atë më të rëndësishëm se veshi i Henry Kissinger apo Richard Holbrooke e Marti Ahtisaari duke e bërë Eginin një diplomat karriere, më të angazhuarin, më dinjitozin, më të ndërgjegjshmin diplomat, gati, gati sikur të jetë Egini që realizoi paqen në Lindjen e Mesme apo që arriti Marrëveshjen e Ohrit dhe atë në Rambouillet.
Ju e dini fare mirë që i keni lënë ambasadat pa një dyshkë e që nuk kanë mundësi të organizojnë një aktivitet ku të paraqitet Shqipëria. E pra znj. Harxhi, kam qenë unë që kam bërë me dhjetëra aktivitete në Vjenë e kudo, ku kam paraqitur Shqipërinë dhe nga dëshira ime kam vënë emrin e ambasadave shqiptare si bashkëpunëtore.
Qeveria: Do të ishte mirë ta mbyllë këtë histori mbasi incidentin e vërtetë po e krijon ajo vetë duke oshtirë telefonat e Vjenës, duke bërë “rezil“ një shqiptar si Edi Rama e duke ju mbyllur shqiptarëve derën e madhe të Vjenës, portës së diplomacisë së juglindjes së Europës për në Bashkimin Europian.
Nuk e meriton Shqipëria këtë gjë, nuk e meritojmë ne, që jetojmë këtu e qe kemi ndërtuar jetën e të ardhmen tonë e të fëmijëve tanë, që kemi sakrifikuar net pa gjumë, ditë me punë e angazhime për t’i dhënë Shqipërisë një emër të mirë e që ju sot po na e nxini e po na paraqisni si njerëz që s’dinë të ruajnë qetësinë, edukatën, mirësjelljen dhe bujarinë karshi atyre që na hapin dyert e na presin si të barabartë.
Unë kam paraqitur në shumë aktivitete ndërkombëtare edhe ministrat tuaj, personalitetet tuaja më të larta por, asnjëherë e majta nuk ka krijuar situata të tilla. Unë di shumë gjëra, kam përjetuar shumë gjera, por ato kanë ngelur të mbyllura në kujtesën time mbasi nuk ia kanë vlejtur të bëhen objekt mediatik e aq më keq të prishim imazhin tonë te miqtë tanë europianë.
Ka ardhur koha që ne të paraqitemi si të denjë nëpër kancelaritë europiane. Të paraqitemi me djemtë e vajzat më të mira, të cilët nuk i mungojnë Shqipërisë. Por, kur unë pyetem se si ka mundësi që kudo që vete unë me aktivitetet e mia do shoqërohem nga personalitetet më të larta të Europës e kam thënë shpesh herë përgjigjen time se “Europa është kulturë dhe politikanët e saj vijnë nga hapësira kulturore” e jo si shumë nga ata shqiptarë që bëhen politikanë e hyjnë në politikë mbas një bisede intime diku në një tavolinë të errët e plot tym e ku në fund bien dakord dhe ju thonë: Shko andej nga tregu e bli një kravatë se të hënën fillon punë aty e atje apo do jesh kandidat për deputet.
Këto janë incidente e jo një vesh lepuri i skuqur apo një vesh veshgjati.
Z.Fatmir Velaj e dëshmoi me ne fund aktin “shkulja e veshit”, botëkuptimin e tij mbi tolerancën dhe atdhedashurinë me ngjyrime partiake. Na propozoi edhe “ditën kombëtare të shkuljes së veshit” e cila perjetësisht do të kujtojë talentin e mikut “kryerilindasit modern” dhe batutën:”Hesht, o Fate, hesht!/ Se ti shkula vesht e lesht!”
Sa “krenar” eshte Fatja që gjithe perkushtimi partiak i shkoi per “skandal plehre”, ne vend qe te nderonte veten e partine, perbalti Shqiperine!
Nga anet tona ka dale kenga:
“Namin, o Fate sojlliu / T’erdhi sojsëzi e ta nxiu “
Comments are closed.