TemA, 21 Nëntor 2012
Ka dy ditë që shkodranët gdhihen me frikë në zemër. Edhe sot është shënuar një atentat, por pa viktima. Policia e qytetit verior sqaron se Prel Vata është qëlluar sot rreth orës 07:30 teksa udhëtonte me mjetin e tij.
Mësohet se një mjet tjetër, kamionçinë në ngjyrë jeshile i është afruar mjetit të Vatës, duke e qëlluar me armë. Gjatë devijimit të mjetit Vata ka përfunduar në kanal, ndërsa policia ka nisur hetimet për identifikimin e personave që kryen atentatin.
Vata nuk është prekur nga plumbat, por ka marrë disa gërvishtje pas rënies në kanal.
Megjithatë ajo që ka ndodhur dje ka shokuar shumëkënd.
Mu përpara universitetit të Shkodrës, një person ka hapur zjarr me automatik, duke qëlluar në gjendje amoke.
Një person gjeti vdekjen dhe policia tha se ai është Aleksandër Qarri, 24 vjeç. Të plagosur mbetën dy persona, Lekë Marku, 37 vjeç dhe Augustin Begeja, 24 vjeç, të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.
Por sot policia ka ndryshuar versionin e saj, duke thënë se shënjestër e sulmit nuk ka qenë Aleksandër Qarri, por Lekë Marku.
Një student ka treguar tmerrin e përjetuar, kur iknin nga plumbat dhe preknin trupin nëse ishin qëlluar.
M. Kruja tha për Shqip: “Isha duke fotokopjuar disa materiale. Krejt papritur, shumë pranë u dëgjuan krisma që zgjatën rreth një minutë. Kam parë një njeri që ra në tokë pa bërë zë, ndërsa një tjetër ra në tokë dhe lëshoi një klithmë dhimbje. Njerëzit vraponin pa adresë, duke bërtitur nga frika dhe plumbat që shkonin sa në një krah në tjetrin. Ishte një situatë e frikshme. Kam vrapuar e jam futur në një lokal, pasi nuk e dija se çfarë po bëhej. Ishte gjithçka jashtë kontrollit. Shikoja veten në trup mos jam plagosur. Kështu bënin edhe njerëzit e tjerë që ishin në vendin e ngjarjes. U habitëm dhe ende nuk e di sesi shpëtuam mes gjithë atyre plumbave. Nuk isha në gjendje të shkoja në mësim sepse ngjarja më traumatizoi. Ishte një veprim tepër i dhunshëm, i parë vetëm në skenë filmash me mafien siciliane ku qëllohej pa mëshirë kundër gjithkujt”.







