FAMILJA SHQIPTARE NË SHEKUJ

0
92

Asnjë peshë nuk është më e madhe se ajo e kujtimeve: dhe ndoshta për këtë arsye të moshuarit, ashtu si ata që kanë shumë të tillë, ecin me një hap të ngadaltë dhe pothuajse të gjithë kanë shpinën e kërrusur.” — Alfredo Panzini (1863–1939) shkrimtar italian

Eugjen Merlika

Të shkruash kujtimet do të thotë të nxjerrësh nga mjegulla e harresës një përvojë të gjatë të një jete të kaluar me të gjithë të mirat e të këqijat e saj, me çastet e zymta të humbjeve e ngjyrën gri, që mbulon pjesën më të madhe të ditëve, por edhe me momentet e pakta, por të ndritura të gëzimeve e kënaqësive familjare, të sendërtimit të ndonjë projekti, të mposhtjes të ndonjë tundimi, të pohimit e të mbrojtjes së atyre vlerave njerëzore, që i japin kuptimin qënies së species njerëzore e shëmbëllimit të saj me Krijuesin.

Kujtimet e një familjeje janë shuma e atyre të individëve, janë si rrathët, të cilëve u shtohet diametri e përmbledhin në hapësirën e tyre të gjithë ata më të vegjël, ashtu sikurse kujtesa e një populli është shumatoria e stërmadhe e kujtesave të individëve, të familjeve, të fiseve që përbëjnë bashkësinë e atyre njerëzve që flasin të njëjtën gjuhë e banojnë në të njëjtin truall. Megjithë rëndësinë e madhe që marrin kujtimet në tërësinë jo lëndore të pasurisë së një kombi, duke shqyrtuar këto lloj rrëfimesh të përvojës sonë të shkuar, besoj se nuk duhet të kemi motive të veçanta kënaqësie, mbasi kujtimet, edhe të njerëzve të shquar, janë të pakta e të pamjaftueshme, për të ndihmuar shkruesit e historisë, ndërsa ato të tipit të këtij libri janë tepër të rralla.

Autori i kësaj vepre, shkrimtari e publiçisti i njohur në mjediset intelektuale shqiptare mbarëkombëtare, z. Tomë Mrijaj, nëpërmjet faqeve të këtij libri, merr përsipër të lerë një histori të shkruar të familjes së tij të gjërë, jo vetëm për interesin e brezit të ri të saj, jo vetëm për të vënë në pjedistalin e meritur të kujtesës fisnore e familiare personazhe të spikatur të tyre, por edhe për t’a inkuadruar atë në kontekstin e epokës së cilës i përket, duke u bërë dëshmitare e ecjes së një shoqërie në shtigjet e vështira të dy shekujve të fundit.

Vepra, është një rrëfim i gjatë, që thuret në kujtesat e disa brezave e përcillet nga njëri tek tjetri, nëpërmjet gojëve të të vjetërve, nëpër bisedat e “odave të burrave”, që ishin logjet e kuvendeve, një formë ligjërimi e institucioneve të familjeve e të shoqërisë patriarkale shqiptare, shprehja më e lartë e sipranisë së urtësisë malësore, që udhëhiqte jetën normale të një Vendi, në të cilin institucionet shtetërore ishin shumë të mangëta e shpesh të paqëna.

Rrëfimi fillon me një citim nga vepra e Frang Bardhit e vitit 1637 mbi katundin Këçirë, ku janë rrënjët e zanafillës së familjes dhe mbaron me përshkrimin e një dasme shqiptare në New York, në vitin 2006, ku dhëndërri është një nga më të rinjtë pinjoj të familjes e fisit të lashtë të autorit. Këta dy skaje kohore, mbrenda të cilëve përfshihen pak më pak se katër shekuj, janë dëshmi e një rruge të gjatë, të përshkuar nga njerëz të thjeshtë, pa tituj e ofiqe, njerëz, që në kodin e tyre deontologjik kishin vlerat më të çmuara njerëzore si ndershmëria, besa, dashuria për njëri tjetrin, respekti për mikun, për t’afërmin, për autoritetin moral, besimi në Zotin e besnikëria ndaj fesë së tyre.

Në këtë drejtim, fisi Mrijaj, është një pasqyrë e Shqipërisë historike dhe tradicionale, asaj të vlerave kombëtare e qytetare, duke u bërë shembëlltyrë përgjithësuese e familjes shqiptare gjatë shekujve. Në këto familje përbërësja shoqërore e jetës familjare ka një peshë të madhe. Jeta familjare e shqiptarëve në shekuj ka qenë e lidhur me ngjarjet historike, me rrjedhën e rrëmbyeshme të tyre, me dallgët e rrebeshet e saj.

Autori, priret të nxjerrë në pah e të verë në dukje bëmat e parardhësve të tij në fushën kombëtare. Episodet e ndryshme të kësaj natyre përshkruhen me shumë ngrohtësi dhe krenari. Ata përbëjnë pasurinë morale, që shërben si udhërrëfyese për brezat e rinj, si shembuj frymëzimi, si modele për t’u imituar. Historia e familjes fillon nga viti 1800, është histori pa dokumenta të shkruara, i ngjan eposeve të lashta, që trasmetoheshin nëpërmjet aedëve dhe tingujve të lahutës e të çiftelisë. Para kësaj periudhe njihen vetëm emrat e vllaznive e të barqeve, të brezave të inkuadruar me përfaqësuesit e tyre deri në shekullin e 16-të, në kufijtë e legjendave.

Historia e familjes fillon me shpërnguljen e dy vëllezërve, Çunit dhe Zefit në Shkodër, nga fshati Këçirë i Pukës. Në kryeqendrën e Veriut, ata zhvillojnë një veprimtari të frytëshme prodhuese të barutit e tregtimit të tij. Shfaqja e parë e veprës atdhetare të vëllezërvet, lidhet me furnizimin me barut falas të malsorëve miq, që sjell si pasojë arrestimin e martirizimin e Çunit, që prehet prej gati dy shekujsh në varrezat katolike shkodrane të Rrmajit. Këtij gjesti heroik të të parit të familjes i shtohen, në rrjedhë të viteve, të tjerë episode trimërie si ai i Nikollë Mrijës në kullën e pashës së bashku me Fazlli Metën, vrasja në pabesi e Nikollës, qëndrimet e përfaqësive të Lugut të Drinit, të kryesuara nga burra të kësaj familjeje, në padi të masakrave serbe në Kosovë, pranë konsullatave evropiane në Shkodër, apo të bisedave të tyre me ministrat nacionalistë Ernest Koliqi e Kol Bib Mirakaj, në Tiranën e bashkimit me Kosovën e të tjera troje shqiptare.

Në këtë rrjedhë ndodhish e parakalime personazhesh të familjes Mrijaj që, në traditën më të mirë të mendësisë shqiptare, për të mbushur vatrën me fëmijë, shtohet e përhapet në trojet shqiptare, por edhe në botën e huaj, hyjnë edhe të tjera figura. Këto janë të lidhura me historinë shqiptare, në ngjarjet e së cilës familja Mrijaj është pothuajse gjithmonë e pranishme, por edhe me marredhëniet familjare, të krushqive apo shoqërore. Kështu, në këtë libër, në galerinë e ngjeshur të personazheve, hasim figura politike, si: Markagjoni, kapidani i Mirditës, Zef Ndoci, Ernest Koliqi, Kol Bib Mirakaj, Rexhep Krasniqi, Zef Nekaj, klerikë si mons. Zef Oroshi, Atë Tomë Xhaja, Atë Marian Prela, por edhe luftëtareja antikomuniste, martireja Marie Shllaku, apo mësuesi komunist Ndrec Ndue Gjoka etj.

Autori, nuk ka paragjykime politike, në përshkrimin e personazheve, ruan bindjet e tij atdhetare, i mbron ato në ballafaqimet me serbët, pushtues të Kosovës, por njësia matëse e vlerësimit mbetet gjithmonë përmasa njerëzore e dashuria ndaj atdheut.

Personazhet, që kanë shënuar historinë e familjes Mrijaj zënë një vend të posaçëm në vepër. Nikolla i parë, Mëhilli, Preni, Ndreca, Nikollë Preni, Ndue Jaku, Pren Nikolla, Tushi, Shtyti, Gjon Zef Marku, janë të gjithë burra trima e të zgjuar, njerëz të besës e të virtutit. Secili prej tyre përbën një stacion, ku ndalet mendimi i autorit në përshkrimin e rrugës së gjatë dy-shekullore të familjes së tij. Secili prej tyre është i rrethuar nga aureola e përgjithshme e respektit që e rrethon, por personaliteti më i shquar i familjes, për vlerat njerëzore, intelektuale dhe atdhetare, për njohjet e rolin e rëndësishëm, që luan në truallin e tij, si funksionar e si qytetar edhe falë jetës së tij të gjatë, është Nikollë Prend Mrijaj, babai i autorit.

Vepra “Kujtime” e Tomë Mrijës është një krijim bashkëkohor, përsa i përket mesazheve që përciell dhe vlerave që pohon. Edhe se përshkruan tabllonë e Shqipërisë patriarkale, të një shoqërie të mbyllur në mendësi e ligje të pashkruara, që trashëgohen prej qindvjeçarësh në krahinat veriore e veri-lindore të Arbërit, në të spikat një qëndrim, do të thosha ultra modern, përsa i përket koncepteve të familjes për gruan dhe të rinjtë. Gruaja, tek fisi Mrijaj, është një krijesë e respektuar, është engjëlli i vatrës që lind, rrit dhe edukon fëmijtë, që pret e përciell miqtë, që lartëson nderin e familjes, që vlerësohet nga pjestarët meshkuj të shtëpisë, që nga vjehrri e deri te fëmijët. Një kurorëzim i tillë, i figurës femërore nuk është i zakonshëm në mendësinë shqiptare, prandaj, për mendimin tim, përbën një risi konceptuale, që i rrit vlerën veprës dhe mesazhit të saj.

Familja Mrijaj, nis rrugën e saj me një ndodhi të dhimbëshme, por të një rëndësie morale t’admirueshme. Përballë vdekjes së parakohëshme të burrit, nusja e Markut, djalit të Çunit, nënë e tre djemvet, nga 12 deri në 16 vjeç, nuk pranon të braktisë fëmijët e të kthehet tek shtëpia prindore, siç e kërkonte zakoni e siç e urdhëronte xhaxhai i burrit. Mirditorja e bukur, Mrija, vendos të përballojë jetën e vetme e të rrisë djemtë. Kuptohen sakrificat e panumurta të burrneshës, për të sendërtuar projektin e saj, që shpërblehet me vendimin e djemve, për të adoptuar emrin e nënës si mbiemër të familjes.

Nëse nuk është e vetme kjo histori, besoj se është tepër e rrallë në malsitë tona. Ai mbiemër mbeti e u njoh në shumë breza, në shenjë respekti e mirënjohje, për fisnikërinë vetmohuese të një gruaje, e cila mbi të gjitha, në jetën e saj, i dha përparësi ndjenjës së nënës. Ajo ndjenjë fitoi mbi ligjet e maleve, mbi paragjykimet e shoqërisë, mbi moralin e saj. Ajo grua i dha shoqërisë një mësim të madh, atë të respektimit të ligjeve të zemrës, të parimeve universale të detyrës së nënës, që nuk mund e nuk duhet të jetë në kundërshtim me pjesëmarrjen në një familje, në një fis, në një bashkësi njerëzish, mbasi detyra e nënës është më e bukura, më fisnikja më e bekuara nga Zoti, sepse është sendërtimi i mësimit të tij themelor. Si e tillë ajo bëhet themeli mbi të cilin ngrihet një familje me një histori dyqind vjetëshe.

Në galerinë femërore të veprës së Tomë Mrijajt, gratë zonja stolisin kullat malësore, po ashtu si kuvendin e motrave murgesha në Kosovë, por ato i gjejmë edhe në aulat e universiteteve e në përgjegjësitë, edhe të mëdha, në shoqëritë më të përparuara të botës së sotme. Në këtë tablo të larmishme, mendoj se shquhen veçanërisht dy gra, përkatësisht nëna dhe bashkëshortja e autorit.
Nëna, përbën kapitullin më prekës të librit e njëkohësisht brengën e pasosur të shkrimtarit, sepse nëna u nda përgjithmonë nga kjo jetë kur ai ishte vetëm dy vjeç e populli ynë thotë: “Fëmija pa nanë si nata pa hanë”. Dila fisnike shkoi në qiell, duke marrë me vete dhimbjen e pasosur për vogëlushët e saj, edhe se të tjera gra si gjyshja Lizë apo gruaja e xhaxhait, Tone, do të plotësonin me dashurinë e kujdesin e tyre, në zemrat e fëmijëve, zbrazësirën, që linte largimi i nënës.

N’atë ditë të zezë për familjen, baba Ndue, në një çast dëshpërimi të thellë, i drejtohet nipit të tij: “Nikollë! Sot duel ora nga konaku ynë”. Ky ishte vlerësimi i të zotit të shtëpisë, tregues i ngrohtësisë, që shënonte raportet në familje, që mbetej e bashkuar dhe e fortë edhe para provave më të vështira e më të dhimbëshme. “Bota e madhe e nënës, ka për të gjithë ne, një rrënqethje loti të kristaltë, ajo ka bukuri, sepse mbart mbi vete një univers ndjenjash të pafundme…” Sa e ndjerë aq edhe filozofike kjo frazë, që autori e ve në gojën e vëllait të madh, por që shpreh dhimbjen e të gjithë fëmijëve, për mungesën e nënës.

Liza Mrijaj, bashkëshorte e autorit, është një nga personazhet më përfaqësuese të gruas në familjet shqiptare, në një kontekst tjetër nga ai i zakonshmi, i mjedisit të njohur para dhe pas Pavarësisë. Gjysma e dytë e shekullit të shkuar, krahas kllapisë fiziologjike të shoqërisë shqiptare, si pasojë e ushtrimit të diktaturës më t’egër të provuar në gjithë historinë e saj, i përballoi shqiptarët, në një pjesë relativisht të vogël të tyre, me dukurinë e mërgimit, për arsye politike dhe ekonomike. Mërgimi i vuri ato familje shqiptare, që patën fatin t’a provojnë, në situata të tjera, larg atyre të vendeve të lindjes, me jetën e thjeshtë në mjediset familjare e fisnore, që prirej fuqishëm në pohimin e vlerave të të qenurit në bashkësi, gjë e cila ndihmonte uniformimin e përvojave, por edhe të personaliteteve njerëzorë mbi bazën e skemave dhe rregullave të njohura e të pranuara prej shekujsh.

Mërgimi, kishte të tjera kërkesa, të tjera kritere bashkëjetese shoqërore, për pasojë duhej përshtatja e plotë me rregullat dhe ligjet e shoqërive të përparuara, me respektin e përpiktë të tyre, me përpjekjen më të vullnetëshme, për t’u integruar sa më cilësisht n’ato shoqëri.
Liza Mrijaj, është një shëmbull tipik i kësaj gjëndjeje të re. Familja e saj, origjinare nga një fshat i Pukës, largohet nga Shqipëria e shkon në Kosovë, për t’i shpëtuar përndjekjes komuniste. Liza lind në Podujevë të Kosovës, për të filluar prej andej endjet nëpër botë. Ishte tre vjeçe, kur familja largohet nga Jugosllavija e merr strehim politik në Belgjikë. Ishte 11-vjeçe, kur familja shpërngulet për në SHBA-ës. Këtu fillon sfida e vështirë e vajzës malësore, me qytetërimin e mbifuqisë botërore. Kjo kryhet nëpërmjet të vetmit mjet, që ajo mund të kishte në dorën e saj: vullnetit për të studjuar e zgjuarsisë, që e lehtësonte atë proçes. Kështu vajza e vogël, në sajë të tyre, mundi t’i kalojë të gjitha etapat e shkollës deri në diplomimin në ekonomi.

Që nga ai çast jeta e saj njeh suksese, në punë e në karjerë. Por vajza kishte formuar një horizont të gjërë, që i siguronte drejtpeshimet e nevojshme në sfidat e jetës. Këtë të fundit e koncepton jo vetëm si qëllim realizimi profesional, por edhe vetiak në plotësimin e misionit njerëzor të krijimit të familjes, nëpërmjet dashurisë së çiltër në një Vend të lirë. Kariera dhe jeta familjare për Lizën shkojnë në hulli paralele, nuk e pengojnë njëra tjetrën, sigurisht edhe për meritë të bashkëshortit, që i sheh problemet me të njëjtin kënd vështrimi.

Sot Liza Mrijaj, punon në qytetin Yonkers, është një grua e realizuar në jetën e saj shoqërore, me një karierë për t’u patur zili edhe nga vetë amerikanët, një bashkëshorte e nënë shëmbullore, për të cilën familja është çerdhja e prehjes, e dashurisë, e sodisfaksionit më të madh. Por ajo është edhe një shqiptare atdhetare shumë e mirë, që jeton prej së largu intensivisht dertet e hallet e Shqipërisë e të Kosovës e që nuk mungon të gjejë rastin, për t’i vizituar e për t’i prekur me dorë ato. Ajo ka rritur fëmijë të lindur në Amerikë, duke kultivuar tek ta vetëdijen e origjinës, gjuhën e të parëve, traditën e tyre, në një simbiozë të bukur me Tomën, duke arritur ata rezultate.

Shëmbulli i kësaj gruaje intelektuale shqiptare, frymëzon optimizëm tek lexuesi i intervistës së saj, por njëkohësisht e detyron të kthehet mbrapa me mendim në diktaturën komuniste shqiptare, e cila gra me shtatin moral e intelektual të saj, i ekzekutoi, i burgosi, i internoi për gjysëm shekulli, duke i kthyer në skllave, duke bërë të pamundur ndihmesat e tyre, për përparimin e Shqipërisë. Intervista e saj, plotëson librin e kujtimeve të familjes, duke qënë një dëshmi e bukur e personalitetit të kësaj zonje që, në traditën më të mirë të gruas fisnike shqiptare, e ka fituar më së miri sfidën e saj komplekse me qytetërimin.

Një tjetër aspekt interesant i kësaj vepre është edhe roli i të rinjve në historinë e familjes Mrijaj. Ata gjejnë gjithmonë vendin e tyre, në përshtatje me aftësitë, shkollimin e vullnetin për të punuar. Njëzet vjeçarë në drejtim të komunës apo të familjes, janë dëshmi e faktit se mendësia tradicionale fisnore dhe mjedisi rrethues asnjëherë nuk bëhen pengesë për të shpalosur aftësitë e prirjet e të rinjve. Kjo shpalosje e parimit të meritokracisë, mungesën e të cilit kemi një shekull që e paguajmë shumë shtrenjtë në funksionimin e Shtetit dhe institucioneve të tij, është një vlerë e shtuar, jo vetëm për familjen Mrijaj, por edhe për mjediset malësore, ku jeton ajo. Ajo mbetet një dukuri shumë pozitive që, së bashku me respektin ndaj gruas dhe figurës së saj, në jetën familjare e shoqërore, dëshmojnë një koncept tepër të përparuar e bashkëkohor, për t’u patur zili edhe në mjediset intelektuale të bashkësisë shqiptare.

Libri “Kujtime”, që i jepet lexuesit shqiptar sot, është një vepër me vlerë e shkrimtarit Tomë Mrijaj. Ai hedh dritë jo vetëm mbi historinë e shkuar e të sotme të familjes e fisit të tij, por edhe se merr forcë përgjithësuese nga përvoja të ngjajshme në hapësirën gjeografike së cilës i referohet, ruan të veçantën e saj. E përgjithëshmja dhe e përveçmja, vetiakja dhe historikja ujdisen bukur në lidhmëni e mirëkuptim me njëra tjetrën, duke na përcjellë një mesazh njerëzor të rëndësishëm, që shprehet shkurt në fjalët e një shkrimtari e dramaturgu francez, Jean Louis Auguste Commerson (1802 – 1879): “Të jetosh, do të thotë të kujtosh”.
(Mars 2015)