Falma Fshazi: Të thuash se flet gjuhën e Migjenit, Fishtës apo Mjedës…

0
35

Shekulli, 17.10.2011

Flet nga-dal e shpirti im,
Dhe në zi pikoj si fleta,
Pa më qit as pipëlim
Tërë fili, tërë jeta.

Poradeci

Nëse çdokush që flet gegënisht do të kishte gjuhën e Mjedës, Mjeda do të ishte secili e jo Ai. Në çdokush në Shkodër do të kishte gjuhën e Fishtës, Fishta do ishte kushdo e jo Ai. Kështu me radhë, nga Migjeni tek Lasgush Poradeci apo Xhevahir Spahiu. Nëse secili do të kishte gjuhën e tyre, ato do të ishin secili nga ne e jo emrat e veçantë që lexojmë, studiojmë e mbi të gjitha ndjejmë. Të thuash se flet gjuhën e Migjenit, Fishtës apo Mjedës është sikur çdokush nga Malaga të thoshte kam dorën e Picasso’s.

Nëse të gjithë atje do të kishin dorën e tij, at’herë dhe Ai do të ishte secili dhe jo gjeniu që na mahnit e shokon përherë e përsëri të gjithëve e secilin nga ne. Natyrshëm, gjuha e poetit dhe dora e piktorit janë shpërthime universale të qënësisë njerëzore më komplekse, e padyshim nuk duhen të kuptohen si thjesht gjuha apo dora. Nga ky këndvështrim edhe më shumë, nuk ka se si të kesh gjuhën e Fishtës, apo thuaj dorën e Picasso’s, se kjo gjuhë e kjo dorë janë universe unike në të cilat politika është vetëm një ndër miliona pjesëza, një rrebesh ndër mijëra fortuna.

Të dëgjosh politikanë/e shqiptarë/e të barazojne gjuhën e tyre më këto universe është ndër gjërat më absurde që i kanë ndodhur planetit në kohët e fundit. Aq më tepër të rrëngjeth ky krahasim i dalë nga tastierat e parlamentit shqiptar, administra e vetme në Europë që çon në Bruksel fletërrufe për këdo që kritikon administrimin e drejtimin e tij. E ndërsa atje bëhen qesharakë duke vërtetuar se sa të pazotë janë të menaxhojnë e refleketojnë kritikën, në vend marrin përsipër të jenë Mjedë, Migjenë etj. Të shkretët poetë. Në vargjet e tyre do të na linin botëra me hapësira të pafundme, universe me milliona ndjenja, nga më të thjeshtat tek më të thellat.

Por sot, përdoren si shpata politike prej lecke të interesave materiale më meskine të administratorë/eve e politikanë/eve. Të marrësh përsipër gjuhën e disa poetëve e të jesh nga personat publikë që kanë ndrydhur në urrejtje dialektin e tyre, e kanë ngjyrosur veç me një ngjyrë qytetin e tyre është në më të mirin e rasteve hipokrizi siprore, e në më të keqin dhunim i universit njerëzor e letrar të secilit poet. Për më tepër të mburresh me gjuhën e njërit poet, pa treguar se kupton, galaksinë në të cilën botët e gjithë mjeshtrave të vargut shqip komunikojnë, është të fshish vlerat që kjo e tërë përçon.

E vështirë do të ishte t’a vuash Migjenin nëse thellë në vetvetë nuk ndjen mëndafshim me të cilin t’a rrok zemrën Lasgushi. Ato janë universe të ndërlidhura në kohë e hapsirë që vetëm bashkë na lënë trashigiminë e ndjenjave e artin e shkronjave që ngjyrosin pjesën e botës me të cilën identifikohemi sot. Kjo botë nuk do të marrë kurrë kuptim veç me njërin e veç me tjetrin, nëse nuk shohim se si puqen e shkrihen universet që shpërthejnë në gjuhët e tyre. Si mundësh të përmendësh e marrësh përsipër Mjedën, kur shqiptarët sot nuk shohin se mund të artikulosh duke e ke dashur çdo shkronjë e shqiptim të shqipes, çdo pranvere e dimër të këtij vendi. Kur nuk ke ditur të shprehësh këtë zemërgjerësi me vendosmëri publikisht, për të reflektuar të paktën një qelizë të detit të pafund të ëmbëlsisë e dashamirësisë që në vargje derdhte Mjeda.

Nuk është asnjëçik kënaqësi të merresh me fjalitë, në rastin më të mirë pa kuptim e në më te keqin përçarëse, që formulojnë disa nga administratorët e politikanët që janë në të njëjtën dallgë trunore e shpirtërore me kryepushtetarin e kryepatriarkun, i cili ka një kontribut të veçantë në shkëputjen e politikës shqiptare nga trashigimia tepër e pasur e botës shpirtërore të këtij vendi. E jo pa qëllim nuk kam vënë emrat e këtyre e as këtij në këtë shkrim ku janë emrat e poetëve. Për arësyen më të thjeshtë se botërat e tyre nuk i përkasin të njëjtit univers e as trashigimi shpirtërore.

Megjithatë nuk heshta dot para banalizimit të gjuhës poetike nga politika, para prekjes së vargut sikur të ishte pjesë normale e deklaratave pa asnjë përgjegjësi qytetare e pas asnjë peshë intellektuale të disa polikanë(e)ve e për të reflektuar revoltën kur këto përfaqësues të politikës së sharjes, marrin përsipër përfaqësimin e shpirtit që shpërthente shqip me mijëra ngjyra e ndjenja në vargje.

A çilë kafazi,
Bylbyl, flutro;
Ndër pyje e ograja,
Bylbyl, shpejto.”

Mjeda

Shekulli