Alba Malltezi
Vendosja e Lulzim Bashës si kandidat për kryetarin e bashkisë së Tiranës ishte një eksperiment ekstrem i kryeministrit dhe liderit të PD-së Sali Berisha. Përgjithësisht opinionin publik ndante një mendim të përhapur se Basha ishte Berisha. Dhe se Bashkia e Tiranës do të ishte e Berishës. Prandaj, të djathtët dolën të bindur në votim dhe votuan kandidatin e ofruar nga lideri i tyre.
Eshtë i gabuar mendimi që hidhet në opinion se Berisha donte ta digjte Bashën, pasi urrehej nga një pjesë e madhe e lidershipit të PD-së. Berisha, sic beri me Mediun pas Gërdecit, të cilin nuk e flaku, madje u kënaq ndërsa mori dhe provën e besnikërisë së gërdecarëve përmes votës, tentoi të bënte të njëjtën gjë me Tiranën. Shqipëria tregoi se nuk është Gërdeci; edhe Tirana po tregon se nuk është Gërdeci, por këtu ka shumë vend për të reflektuar.
I pari që duhet të reflektojë është lideri i Partisë socialiste Edi Rama, në këto zgjedhje kryebashkiak për herë të katërt. Rezultati i ngushtë me rivalin e tij Basha, tregon se përballë një ndoshta-vrasësi të 21 janarit, u vu një kandidat i konsumuar për kryeqytetin. Votimi në këto zgjedhje vendore ishte një votë e madhe kundër administrimit të Berishës dhe një votë e brishtë pro atij të Ramës. Pas kësaj fitoreje spektakolare socialistët u kanë borxh zemergjerësinë gjithë shqiptarëve.
(BalkanWeb)