FALEMINDERIT KOSOVË !

0
45

Eugjen Merlika

Po të na shtrëngonte fati me zgjedhë njânën dysh: a mâ mirë me humbun Kosovën apo lirìn, pëlqejmë mâ parë të humbasim lirìn, mbasi këtê, të bashkuem me Kosovën, jemi të sigurtë se dikur mund t’a fitojmë prap.”

Mustafa Merlika Kruja

Ka ditë në jetën e njeriut që mbeten të ngulitura thellë në kjtesë, me të gjitha imtësitë e tyre, duke filluar nga ngjyra e qiellit e duke përfunduar tek veçoritë e rrugëve mbi të cilat ecet e fizionomitë e njerëzve me të cilët bisedohet. Një udhëtim i thjeshtë, në sajë të një episodi, të një gjesti, të një fjale, të një buzëqeshjeje, të një takimi, merr formën e një ngjarjeje të rëndësishme, një nga ato që i kalojnë caqet e bëmave të përditëshme, që mbeten të veçanta, të shquara, të papërsëritëshme…

Një ditë e tillë, për disa pjesëmarrës të familjes Merlika, ndërmjet të cilëve biri i dytë i Mustafait, Fatosi 91-vjeçar, qe 10 shtatori 2011. Ishte vizita e parë e kësaj familjeje në Prishtinë, kryeqëndra e Kosovës së pavarur, një vizitë në kërkim të një rruge, të një pllake me një emër të dashur, të vendosur diku, në fillimin e saj. Ai emër ishte Mustafa Kruja, emri i atit, i gjyshit, i vjehrrit, i xhaxhait të secilit nga pjesëmarrësit e këtij grupi të vogël grash e burrash, që udhëtonin atë ditë nga Tirana në Prishtinë.

Nuk qe shumë e lehtë gjetja e asaj pllake me atë emër, mbasi në krye të rrugës, që është karshi ndërtesës së Kuvendit të Prishtinës, ishte hapur një kantjer pune e pllaka ishte çvendosur rreth 200 metra më sipër. Por njerëzit ishin të gatshëm për të ndihmuar, për të dhënë shpjegime, drejtime, aq më shumë kur merrnin vesh përkatësinë e personave e lidhjet familjare me “ ish Kryeministrin e Shqipërisë e të Kosovës”. Ato minuta të kaluara aty pranë asaj pllake duke bërë fotografitë, aq shumë t’ëndërruara në një jetë të tërë të dërmuar në kampet e internimit dhe në burgjet e diktaturës komuniste vetëm e vetëm pse ishin familjarë të Mustafa Krujës, pa marrë pjesë asnjëherë në politikën aktive, qenë tepër prekëse.

Kalimtarët ndaleshin, pyesnin, interesoheshin, shprehnin mirëkuptim. Për të gjithë ishte një emër i njohur që, të vjetërve u kujtonte vitet e para të “çlirimit” nga thundra serbe, vite iluzionesh të Atdheut të bashkuar, të mësimit në shkollat shqipe, të nëpunësve shqiptarë në zyrat e administratës, t’ardhur në trevat e tyre nga të gjitha viset e Shqipërisë, për të sendërtuar ëndrrën e Shqipërisë etnike, të prekëshme, të gjallë.

Ai emër u kujtonte vizitën e tij në qytetet e ndryshme të Kosovës n’ato ditë të fundit të qershorit 1942, i shoqëruar nga Ministri kosovar i Punëve botore, Iljaz Agushi, dhe ministri vlonjat i “Tokave të lirueme” Eqerem Vlora, një treshe personalitetesh që përfaqësonte Shqipërinë e Epërme, të Mesme e të Jugut, në një Qeveri “kolaboracioniste”, që kishte guximin të kthente mbrapsht kërkesat e Komandës gjermane të Beogradit për dorëzimin e hebrenjve e që kishte si synim të parë të saj bashkimin e të gjitha trojeve shqiptare në një shtet të vetëm.

N’ato vizita ai u foli kosovarëve me gjuhën e tyre, për betejat e hershme për me shpallë pavarësinë : “E kush kje atëherë pararoja e Revolucionit Shqyptar? Kush kjenë trimat qi e dërmuen ushtrinë anmike dhe banë me rà në guj e me lypun paqë? Kosovarët. Kah Kosova ishin drejtue sytë e tonë Kombit. Prej Kosove pritej shpëtimi, lirija e tij. Fati i Shqyptarís po dahej në Shkup…”

Ai nderoi kudo kujtimin e miqve e shokëve të vjetër të luftës për Shqipërinë e pavarur, të Hasan Prishtinës e të Bajram Currit, të Isa Boletinit e Dervish Mitrovicës, të Niman Ferizit, Hysni Currit, Sali Gjukës e sa e sa bijve të Kosovës, të rrjeshtuar pa asnjë kursim në shërbim të themelimit e të zhvillimit të Shtetit shqiptar. Për të ardhja në Kosovë ishte, “pikë së pari nji detyrë haxhillëku qi e ka borxh çdo shqiptar kur mundet me e krye.”

Familjarët e tij, edhe se me vonesë, mbas 70 vjetësh po e kryenin atë detyrë, duke ardhur mes nipave t’atyre kosovarëve që, n’atë kohë kishin shtruar qilimat për të pritur jo vetëm Kryeministrin, por edhe mikun, vëllanë, birin, deputetin e tyre. Imazhin e tij e kishin përcjellë nga brezi në brez, deri në ditën fatlume, kur Kosova do të fitonte përgjithmonë lirinë e saj. Atëherë ajo do të shihte vetveten në pasqyrë, do të bënte bilancin e historisë së saj, do të ndryshonte simbolet që kishin pushtuar, prej gati një shekulli, qënien e saj.

Ajo do të kthehej në rivlerësimin e figurave historike që ruante me dashuri e urtësi në kujtesën e saj, edhe se koha mizore, vrastare e vlerave të vërteta, ishte munduar t’i fshinte. Në listën e emrave që e nderonin kujtesën e saj historike ishte dhe ai i Mustafa Krujës, njeriut që ”deshi mâ fort Shqipninë se popullaritetin e vet”, që luftoi nga bangat e Mylqijes në Stamboll e deri në frymën e fundit në Niagara Falls të SHBA, me të gjitha fuqitë e tij për idealin e Kombit të bashkuar.

Nëse historishkruesit e diktaturës në Shqipëri vazhdojnë t’a quajnë “të pambrojtëshme” figurën e tij, këto emërtime të rrugëve të Prishtinës, Pejës e Gjakovës me emrin e tij, janë përgjigja më e mirë që ideali i kombit të bashkuar mund t’i japë përdhosësve të historisë së tij.

Gjithë këta mendime shtjelloheshin në trurin e vizitorëve të pazakonshëm t’asaj rruge të thjeshtë të Prishtinës n’atë ditë të nxehtë shtatori, që i shëmbëllente verës së tejzgjatur. Nga thellësitë e zemrave të tyre buroi një falënderim i sinqertë e i fuqishëm, një zë i brëndshëm që gëlonte nga vetëdija e familjes dhe fisit që mbante mbiemrin Merlika, nga shpirtërat e të vdekurve e nga ndjenjat mirënjohëse të të gjallëve, që nga biri 19-vjeçar Besimi, i vdekur në duart e babait në të largëtin nëntor 1944 në Vjenë, deri tek motra Xhire-Anxhela që shoqëroi frymën e fundit të vëllait të saj të madh në Niagara Falls, në po ashtu të largëtin dhjetor 1958.

Të gjithë me jë zë shprehemi : FALEMINDERIT KOSOVË ! për ato pllaka me emrin e Mustafa Krujës në rrugët e qyteteve të tua. Ato janë dëshmi e respektit dhe vlerësimi më i lartë që kujtesa e kombit i ka bërë veprës së tij, faleminderit. Së bashku me këtë falënderim rrjedh edhe urimi ynë po aq i sinqertë për t’ardhmen e Kosovës, për zhvillimin e begatinë e saj, në përputhje me ëndrrat më të bukura të bijve të saj trima e bujarë.

Shtator 2011