Fajtori i Ohrit

0
48

Nga: Vjosa Osmani, 04.06.2013

Samiti i Ohrit dëshmoi edhe njëherë brishtësinë e raporteve mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Por, mbi të gjitha, dëshmoi se thënia “ujku qimen e ndërron, por zanatin s’e harron” vazhdon t’i përshtatet fqinjit tonë verior, Serbisë. Zonja Jahjaga fajtor për mospjesëmarrje në takimin e radhës të SEECP-së (Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore) nuk duhet ta bëjë vetëm palën maqedonase, por fajtorin kryesor duhet ta kërkojë në “shtëpinë e saj”, respektivisht në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Kosovës.

Kjo Ministri së bashku me ambasadën e Kosovës në Shkup – si gjithnjë – u zunë në gjumë të thellë dimëror (edhe pse dimri ka kohë që ka kaluar). Takimi i SEECP-së nuk është paralajmëruar të mbahet as dje e as pardje, por takime të tilla të rëndësishme kanë një agjendë të saktë përderisa koha e mbajtjes të këtij takimi është paralajmëruar muaj më parë. Pyetja logjike është: ku ishte MPJ dhe ambasada jonë në Shkup gjatë gjithë kësaj kohe? Mos të harrojmë se në bazë të një raporti të KASH-it (Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve) kosto mesatare mujore e secilës ambasadë sillet rreth 23.000,00 euro. Pra 23,000.00 euro të taksapaguesve dhe tatimpaguesve të Kosovës, në muaj.

Fajtorin tjetër Jahjaga duhet ta kërkojë në Qeverinë e Kosovës, respektivisht ata që negociuan marrëveshjet e ashtuquajtura teknike me Serbinë. Ishte Qeveria ajo e cila arriti Marrëveshjen për “Përfaqësim” Rajonal ose më korrekt të thuhet Marrëveshjes për Përjashtim Rajonal. Këto janë efekte të prekshme të kësaj marrëveshjeje e njohur ndryshe për publikun si ‘Marrëveshja e Fusnotës’ se “Fluska e Editës” e cila në thelb është një marrëveshje kundërkushtetuese të cilën e imponoi znj. Edita Tahiri dhe shefi i saj Hashim Thaçi. Republika e Kosovës në vend se të këmbëngulte që në të gjithë organizatat ndërkombëtare të merrte pjesë me emrin e saj kushtetues, ajo (përmes kësaj marrëveshjeje) vullnetarisht hoqi dorë dhe pranoi të merrte pjesë me Kosovo*.

Qeveria në kohën e arritjes së kësaj marrëveshjeje, gënjeu opinion publik kur deklaroi se kjo marrëveshje i hap rrugë Kosovës për pjesëmarrje në nismat rajonale. LDK mendoi dhe ende mendon ndryshe, dhe asaj kohe paralajmëroi se kjo marrëveshje nuk do të zgjidhë në asnjë mënyrë pjesëmarrjen e Kosovës në nisma rajonale, përkundrazi do të krijojë dëme të pariparueshme për të. Ashtu edhe doli. Në fakt, jo vetëm që Kosova nuk po merr pjesë në asnjë mekanizëm të rëndësishëm rajonal (përjashtuar RCC ku edhe ashtu është bërë një ‘modus-vivendi’ në dëm të pjesëmarrjes së Kosovës në këtë nismë), Kosova, as me flluskë/asterisk (*) nuk po ia del të marrë pjesë në asnjë nismë të rëndësishme rajonale. Për më shumë, në disa nisma ka pasur edhe kthim prapa. Fjala është për disa nisma teknike ku Kosova ishte e përfaqësuar me emrin e saj kushtetues si ‘Republikë e Kosovës’ dhe fill pas marrëveshjes së fusnotës këto organizata kërkuan dhe më pas vendosën që Kosova – pasi edhe vetë ka pranuar të thirret me asterisk – të marrë pjesë si e tillë (Kosovo*) edhe në këto forume.

Kjo është “largpamësia” e kësaj Qeverie dhe Ministrisë së saj të Punëve të Jashtme, e cila edhe ashtu nuk ka fare kohë të merret me nisma rajonale, por objektiv parësor ka punësimet jashtëligjore të atyre pak militantëve partiakë që u kanë mbetur të papunë, përmes “vlerave” si; nepotizmi dhe përkatësia primitive partiake, klanore e rajonale. Në vend se kjo ministri të punonte që t’ia mundësonte pjesëmarrjen zonjës Jahjaga dhe titullarëve tjerë në nisma të rëndësishme rajonale, ajo vazhdoi punën që më së miri di ta bëjë: punësimeve jashtë procedurave në njërën anë dhe shantazhet, kërcënimet e përjashtimet e diplomatëve apartiak të karrierës, në anën tjetër. (Autorja është deputete në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe anëtare e Kryesisë së LDK-së.)