Nga Mustafa Nano, 26 Shkurt 2014
Një deputet i PDK-së (Kosovë), Ramis Lladrovci, ka shkruar një letër publike në Dita, në të cilën shpreh shqetësimin e vet lidhur me ‘Xhihadin shqiptar’ që në këto kohë është zhvendsour në Siri, ku disa dhjetra bashkatdhetarë janë duke luftuar. Një pjesë kanë dhënë dhe jetën, duke luftuar në krah të grupeve rebele opozitare, ndonëse ka zëra (dhe Lladrovci vetë e lë të kuptohet këtë gjë) që disa syresh janë rreshtuar në krah të forcave qeveritare. Në Shqipëri nuk është bërë ndonjë debat lidhur me këtë çështje, por në Kosovë flitet gati çdo ditë, e kjo vjen së pari prej faktit që prania e fesë në jetën publike kosovare është më e qartë e më e madhe se këtu, dhe së dyti prej faktit që ata që kanë shkuar të luftojnë në Siri janë më së shumti kosovarë.
Lladrovci e ka shkruar letrën në formën e një denoncimi. Në një shkrim timin në ‘Zululandin’ e Ditës të publikuar para tri ditësh, unë mbroja tezën se ‘shqiptarët e Sirisë’, në kundërshtim me atë që thuhet andej-këtej, nuk janë mercenarë; përkundrazi, janë besimtarë, dmth njerëz të frymëzuar prej ideologjisë fetare. Nuk është se kam dokumenta për ta provuar këtë, por nuk është se ata që mbrojnë tezën e kundërt japin dokumenta.
Përveç kësaj, dihet – kjo është e provuar – që shqiptarët që kanë shkuar në Siri janë myslimanë, e besimtarët myslimanë, ashtu si besimtarët në përgjithësi, nuk janë të prirur të pranojnë shpërblime në pará për gjeste e sakrifica që ata i bëjnë në emër të besimit (mercenari nuk bën asgjë për ide e ideal; e bën për pará; e prandaj është bash e kundërta e besimtarit). Lladrovci ecte kësaj ane në letrën e vet (“kjo është një pjesë e vogël e së vërtetës dhe … problemi është më i thellë se sa kaq”, thotë ai), por vjen një moment kur, si shqiptar që është, ia ka qejfi ta kërkojë burimin e shqetësimeve të veta jashtë, në qarqet jo e anti shqiptare.
“Është shërbimi i fshehtë serb që financon radikalizimin e myslimanëve shqiptarë, e për pasojë edhe këtë ‘xhihad shqiptar’ në Siri”, thotë ai në thelb. Ai ofron dhe të dhëna në favor të kësaj teze, jep emra që financojnë njerëz e website fetare në Kosovë, dhe duket se me këto arsyetime rreket të thotë se radikalizimi i Islamit në Kosovë është punë serbësh, apo arabësh, apo të huajsh të tjerë. Nuk është kështu. Nuk ka se si të jetë kështu, edhe sikur ato që thotë Lladrovci të ishin të provueshme.
Nëse në Kosovë ka një radikalizim, kjo vjen ngaqë shoqëria kosovare, më së pari elita e saj politico-kulturore, nuk bën asgjë për t’u përballur me këtë problem (unë besoj se radikalizimi i qëndrimeve fetare, sidomos në një shoqëri me strukturë shumëfetare, siç është kjo e jona, është një problem bajagi i madh); në mos, i inkurajon radikalët, siç bën Rexhep Qosja kur takohet e bisedon me pompë me një relike të mesjetës së hershme si Shefqet Krasniqi, e kur s’e ka për gjë “të vlerësojë lart kontributin e tij të çmueshëm për ngritjen e vlerave kombëtare … të popullit tonë”.
[…] http://www.fjala.info/fajtore-per-radikalizimin-fetar-te-shoqerise-sone-nuk-jane-serbet/ […]
Nji shkrim ma se i domosdoshem per me ua bá t’ kjarte xhihadistave qe shkojne me luftue per fene e sjellun me force ne trojet e Dardanise katolike e konvertueme ne islam, nji gja krejte normale, por te mbrosh jashte kufijve shqiptarë kete, asht injorance, ne mos budallallek. E, se i nxit serbi, kjo s’ asht e vertete, se asht nji “smundje” atavike e nji pjese te shqiptareve, sidomos e kosovarëve e shqiptarëve maqedonas. Kete e ve yre neper shkrimet e komentet e tyne ne fb qe çohen n’ “bisht” me ba me u permend Gjergj Kastiotin a Nana Terezen si shqiptarë te vertete qe i dhane emen Shqipnis, se mos t’ishte Gjergj Kastrioti çallmat e gjuha turke do te mbizptnonte ne Shqipni. Duhet t’ua dime per nder edhe austrohungarezeve qe punuen per nji Shqipni te Pavarun tuj perhap shkrime shqipe permes shkollave shqipe, me Kongresin e Manastirit etj. qe te ruhej shqipja e folun dhe e shkrueme, pa harrue punen e palodhshme te Rilindasve tuj fillue te Naum Veqil harxhi, Papa Kristo Negovani, Vllaznit Frasheri e deri te kleriket katolike qe predikuen shqip neper kisha. Nuk asht nji qendrim fetar ky, po nji realitet qe, te verteten duhet me e pa ne sy.
Comments are closed.