Marrë me shkurtime nga “Top Story”, 29.10.2010
Raportuesja për Shqipërinë dhe Bosnjën për çështjen e liberalizimit të vizave në Bashkimin Evropian, Tanja Fajon, ka shpjeguar dje procedurën e ndjekur për liberalizimin, si dhe ka ndarë përgjegjësitë konkrete, si të mazhorancës, ashtu edhe të opozitës për këtë proces.
Në emisionin “Top Story” të gazetarit Sokol Balla, Tanja Fajon është shprehur se vendimi i liberalizimit të vizave është meritë e qytetarëve dhe është dhënë për qytetarët, jo për politikanët. Sipas saj, pas mesit të dhjetorit, shqiptarët do të kenë mundësinë të lëvizin pa viza.
Zonja Fajon, ju përfaqësoni të majtën në vendin tuaj dhe gjithashtu në Parlamentin Evropian, a ishte e vështirë në rastin tuaj për të lobuar për një qeveri të qendrës së djathtë?
Unë nuk po loboja për një qeveri të qendrës së djathtë dhe as për opozitën, unë po e bëja për njerëzit dhe, të them të drejtën, njerëzit në Shqipëri më kanë nxitur të luftoj për ta dhe jo vetëm për njerëzit në Shqipëri, por edhe ata në vende të tjera të Ballkanit Perëndimor.
Për mua ishte e rëndësishme të flisja me njerëzit dhe nëse jam e sinqertë kam marrë për rreth një vit një numër shumë të madh letrash dhe mesazhesh mbështetjeje dhe kjo që nga njerëz të rinj, gjë e cila qe shumë e rëndësishme për mua.
Shpesh thosha se vij nga Sllovenia, e cila është vetëm disa qindra km larg Shqipërisë dhe për gjeneratën time po dhe më të rinj e sidomos për ata që janë më të rinj është e vështirë të kuptojnë, se ekzistojnë akoma të rinj ose edhe njerëz në përgjithësi, të cilët nuk mund të udhëtojnë jashtë shtetit. Këto rregulla që kanë të bëjnë me vizat, po na ndajnë nga miqtë e familjet tona, apo të njohurit.
Ishte e vështirë, Tanja Fajon, të kalonit rezolutën në Parlamentin Evropian?
Ishte e vështirë, dhe nganjëherë nuk është e lehtë të kuptosh se sa e vështirë është, sepse në të janë të përfshirë interesa të ndryshëm dhe shtete të ndryshme, ti nuk je vetëm duke bërë negociata me kolegët e t’u të Parlamentit Evropian, të cilët vijnë natyrisht nga 28 vendet anëtare dhe kanë interesa të ndryshme, duhet për më tepër të negociosh me Komisionin dhe më pas me vendet anëtare. Tanimë me Traktatin e Lisbonë, Parlamenti Evropian u bë më i fuqishëm, dhe ne jemi në të njëjtin procedurë legjislative si vendet anëtare.
Kështu që çfarë ne themi në Parlament duhet të aprovohet nga vendet anëtare, është një proces paralel. Tani nga fundi, ishte e rëndësishme të tregoheshim shumë të kujdesshëm, sepse çështja ishte shumë sensitive.
Çfarë ne vendosnim në Parlament për Shqipërinë dhe Bosnjën, vendet anëtare duhet të aprovonin, sepse, nëse ne merrnim vendime të kundërta dhe mbanim pozicione të ndryshme, kjo mund të çonte në falimentimin e të gjithë procesit. Ishte dhe vazhdon të jetë goxha e vështirë, sepse çdo ditë del ndonjë gjë e re.
Por, unë besoj se ne kemi arritur larg dhe nuk ka më kthim mbrapa. Shqipëria i ka plotësuar të gjitha kushtet teknike, këtë duhet të kemi parasysh.
Zonja Fajon, do të doja tani në këtë pjesë t’ju bëja disa pyetje, të themi pak më politike dhe që lidhen me situatën brenda vendit. Këtu qeveria dhe kryeministri Berisha kanë akuzuar opozitën dhe qeveritarët e saj se kanë lobuar në Bruksel dhe Strasburg kundër liberalizimit të vizave, ose, së paku, të themi, duke kërkuar shtyrjen e afatit të heqjes së vizave, pas zgjedhjeve lokale të 8 majit të ardhshëm.
A jeni kontaktuar ju, ndonjë nga parlamentarët e tjerë, apo ndonjë zyrtar i Brukselit, direkt apo indirekt nga ndonjë lobist, në emër të opozitës shqiptare për ta bërë një gjë të tillë pra; për të stopuar liberalizimin e vizave apo për ta shtyre atë për pas 8 majit?
Nuk jam kontaktuar në mënyrë direkte apo vënë nën presion. Unë kam qenë duke bërë punën time si reportere për sa i përket liberalizimit të vizave. Nuk mund të them se nuk kam pasur kontakt, kam pasur kontakt me të gjitha palët e përfshira. Kisha kontakt me socialistët shqiptarë, kisha kontakt me palën qeverisëse të Shqipërisë, kisha takime të shumta me ministrin e Brendshëm, sepse ai ishte partneri me të cilin unë diskutoja.
Sigurisht përgjatë situatës që ju e dini, delikate dhe sensitive, të para disa muajve, ne kishim kontakte… Për ne ishte e rëndësishme të shihnim se ekzistonte dialogu, që të dyja palët diskutojnë dhe se institucionet funksionojnë.
E rëndësishme është që vendi të jetë në një gjendje të stabilizuar, se çdo gjë tjetër mund të kanosë procesin. Kështu që unë kisha shumë kontakte me shumë përfaqësues të qeverisë dhe opozitës, por që të kisha një presion direkt? Jo, nuk e kisha. Unë po punoja në interes të njerëzve, dhe nëse do të kisha pasur presion nuk do ta kisha pasur problem. Nuk do ta merrja seriozisht, sepse unë po punoja me faktet, me shkresat, me ato që pashë kur kam vizituar Shqipërinë, dhe për të mirën e njerëzve siç e thashë.
Pra, që ta kuptojmë mirë, ju nuk keni pasur asnjë lloj kërkese, nga përfaqësues të opozitës shqiptare për ta shtyrë procesin e liberalizimit apo për ta penguar atë? Dhe, nëse kjo është përgjigja për ju, a keni dijeni që kjo mund të ketë ngjarë me anëtarë të tjerë të Parlamentit?
Për të qenë tepër e qartë: Si anëtare e Parlamentit Evropian, unë do të isha vërtet e zhgënjyer, nëse do të kisha pasur një presion të tillë direkt. Besoj se nuk është diçka, të cilën ne do ta duronim në Parlamentin Evropian, do të ishte tepër kundër-produktive. Unë nuk kam pasur asnjë lloj presioni apo lobingu çfarëdo, nuk ka arritur tek unë.
Unë nuk jam anëtare e komitetit të Punëve të Jashtme, kështu që nuk isha e përfshirë në ndonjë shantazh direkt me ndonjë politikan nga Shqipëria, unë jam anëtare e Punëve të Brendshme dhe Drejtësisë, kjo është një fushë e ndryshme. Unë po konsideroja faktet dhe kriteret, dhe nëse Shqipëria i përmbushte ato.
Duke qenë se jam pjesë e grupit Socialist në Parlamentin Evropian, është normale që kam pasur kontakte me socialistët shqiptarë, sepse ata janë pjesë e familjes sonë Evropiane dhe kemi folur edhe për shumë çështje të tjera, por unë sinqerisht kam pasur më shumë kontakt me pjesën qeverisëse, sepse ata më çonin mua informacionet dhe nëse do të flisja për kolegët e mi, siç me pyetët, nuk e di se çfarë kontaktesh ata kanë pasur!
E bëj këtë pyetje, sepse pak ditë më parë – dhe këtu po citoj kryeministrin, ai tha se “deputetët socialistë iu kanë shkruar eurodeputetëve, që, së paku, ta shtyjnë procesin e liberalizimit të vizave, deri pas 8 majit”, prandaj po jua bëj këtë pyetje…
Siç e shihni, vendimi është këtu, kështu që çfarë mund të thuhet?
Ne nuk e shtymë, ishte vota, për të cilën unë u përpoqa shumë, dhe çdo gjë tjetër do të ishte thjesht lojë fjalësh, vota erdhi këtu dhe unë jam shumë e kënaqur që ne e arritëm këtë.
Siç e thashë dhe më parë, unë po mendoja vetëm në interes të njerëzve, nuk dua të përfshihem me njërën apo tjetrën palë apo politikën në Shqipëri, kjo është një çështje e brendshme, unë jam një politikane Evropiane, dhe si e tillë sillem.
Për fat të keq, nuk po ndodh kështu, së paku në këtë rast. Pasi ka një përplasje edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për fat të keq, qeveria këtu po pretendon se ka meritën dhe kreditin e plotë për këtë arritje të jashtëzakonshme në jetën e përditshme të shqiptarëve. Ndërkohë që opozita gjithashtu kërkon pjesën e saj të kreditit, duke atakuar për këtë qeverinë.
Mendoj se nuk është e drejtë që të marrësh përsipër arritjet, t’i marrësh përsipër në kuptimin se e bërë ti, apo ana tjetër ishte ajo që e arriti, mendoj se ishte një arritje e përbashkët, dhe nuk është mirë të përdoret për të arritur diçka nga pikëpamja politike apo si një “biletë” për të marrë më shumë fuqi politike apo pikë për atë arsye.
Ishte një vendim shumë i rëndësishëm për njerëzit e Shqipërisë, dhe çdo njeri, i cili ishte i përfshirë, se sa i përfshirë secili e di vetë, duhet të ndihet krenar dhe i kënaqur që u arrit. Unë do të ndjehesha shumë e zhgënjyer të shihja se njëra apo tjetra palë kërkon të jetë ajo, të cilën njerëzit duhet të falënderojnë.
Kjo nuk është e drejtë, unë do të sugjeroja dhe do të bëja një apel që ky është një proces, nga i cili politikanët s’duhet të marrin pikë apo të kritikojnë njëri-tjetrin, por duhet të nxjerrin një mësim nga kjo gjë. Nuk ishte një vendim për njerëzit e pasur apo biznesmenët, por për njerëzit e thjeshtë, qytetarët.
Një pyetje, jo më, nëse, por, me kur… Kur mund të presim që ne të udhëtojmë pra, me pasaportat biometrike, këtë duhet ta theksojmë, pa viza drejt Komunitetit Evropian.
Bëtë mirë që përmendët pasaportat biometrike, sepse ky është një detaj i rëndësishëm dhe unë mendoj se njerëzit e dinë këtë.
Unë mendoj që mesi i dhjetorit do të jetë ajo ditë, sepse, nëse do të merret një vendim në 8 nëntor në Këshill dhe do të duhen rreth 4-5 javë dhe publikimi në ditarin zyrtar, kur kjo të ndodhë, ditën tjetër liberalizimi i vizave do të jetë këtu, unë mendoj…