FAJI VETËM I SALIUT?

0
82

Andrea Stefani, 06.06.2011

Opozita zhvilloi një fushatë nën sloganin “I gjithë faji është i Saliut”. Tani, në epilog të fushatës, kur deformimi i rezultatit për Tiranën nga KQZ-ja dhe Kolegji Zgjedhor rikonfirmon kapjen dhe rrënimin nga qeveria të sistemit të institucioneve që duhet të kontrollojnë dhe kundërbalancojnë qeverinë, a duhet të themi përsëri se faji është vetëm i Saliut? Që Berisha mbetet strumbullari, kryekoka e projektit autokratik që po zbatohet në Shqipëri, është një fakt që tashmë nuk lyp argument.

Në këtë kuptim po, faji është i Saliut. Por në një optikë më të gjerë, na bëhet e qartë se Berisha nuk mund ta kish avancuar dot projektin e tij oriental të sundimit, nëse nuk do të kish pasur mbështetjen jo vetëm të një mase të gjerë fanatikësh kokëmbyllur, por mbi të gjitha, edhe të një elite servile që shëtit dhe kullot në oborret e pushteteve që shkojnë dhe vijnë. Dhe në këtë armatë puthadorësh, më të rrezikshmit për lirinë dhe demokracinë në Shqipëri, kanë qenë dhe mbeten gjykatësit e vënë në shërbim të berishizmit. Sot është koha të pyesim: përse pas 20 vjet tranzicion në vend të shtetit ligjor, në Shqipëri është instaluar pandëshkueshmëria e krimit dhe e korrupsionit? Vetëm për faj të Saliut?

Jo, por edhe për faj të gjykatësve që duke braktisur drejtësinë kanë përqafuar tashmë si mision, mbrojtjen “me ligj” të korrupsionit të pushtetit. Vendimet e turpshme të KQZ-së dhe Kolegjit Zgjedhor, janë vetëm ca fakte më shumë për korruptimin e thellë të sistemit të drejtësisë që jo vetëm nuk ndëshkon korrupsionin e pushtetit, por bëhet avokat i tij në manipulimin e zgjedhjeve. Dhe nga se dallohet demokracia liberale dhe kushtetuese si sistem prej sistemeve diktatoriale? Mos vallë ngaqë në diktaturë kemi një lider katil dhe në demokraci kemi një apo disa liderë engjëj? Aspak!

Demokracinë liberale më shumë se cilësia e liderëve e dallon nga çdo diktaturë fakti që drejtësia është pushtet më vete dhe vendimet e saj nuk varen nga vullneti apo epshet e pushtetit politik. Nëse nuk ekziston një ndarje e tillë e qartë, mund të bësh sa herë të duash zgjedhje, mund të flasësh për “demokraci” e “shtet ligjor”, por sistemi i instaluar, në thelb, do të jetë despotik. Mjerisht, kjo ka ndodhur në Shqipëri.

* * *

Nëse demokracisë i heq drejtësinë ajo shndërrohet shumë shpejt në kaos nga i cili, jo shumë vonë, nuk mund të mos lindë një formë tiranie. Berisha duhet ta ketë mësuar me kohë këtë aksiomë. Ndërkaq ai nuk ka pasur kurrë një projekt europianizimi dhe eurointegrues për Shqipërinë. Në të kundërt, Berisha ka synuar shndërrimin e tij në një sundimtar absolut të Shqipërisë dhe shqiptarëve duke ruajtur një fasadë demokratike dhe euroatlantike. Nuk është rastësi që një nga investimet më të hershme të Berishës, që kur hyri në politikë, ka qenë kapja e pushtetit gjyqësor. Me këtë ambicie autokratike, të maskuar me gjoja spastrimin e pushtetit të tretë nga gjykatësit komunistë, ai organizoi famëkeqin kurs të plepave.

Gjykatësit komunistë u zëvendësuan nga gjykatësit berishistë. Investime të këtij tipi dhe presionet e pafund mbi gjyqësorin për rreth dy dekada, po japin sot fryte shumë të hidhura për demokracinë liberale dhe shtetin ligjor, por shumë të ëmbla për pushtetin autokratik të Berishës. Dhe një nga këto fryte është edhe deformimi e rezultatit të zgjedhjeve të 8 majit nëpërmjet një alkimie juridike që ka habitur jo pak diplomatë dhe vëzhgues ndërkombëtarë. Një alkimi që do të ishte e pamundur pa ristanizimin e KQZ-së. Në rastin e këtij institucioni kemi shpalosjen më arrogante, pra edhe më të paturpshme, të skllavërimit nga pushteti të një institucioni që është krijuar për të qenë pjesë e një mekanizmi që balancon pushtetin.

Një metamorfozë që nuk mund të ndodhte nëse juristët e shumicës në KQZ, do të tregonin sadopak integritet profesional. Ky i fundit, integriteti, është një lloj etike e personit që nuk e lejon atë të tradhtojë bindjet e veta, edhe pse për këtë duhet të paguajë disa kosto apo të vuajë disa sakrifica. Ne kemi pasur raste kur mungesa e integritetit profesional e ka bërë një inxhiniere që, në vartësi të urdhrave nga pushtetet politike, një herë ta firmosë projektin e ndërtimit të një mbikalimi në hyrje të Tiranës dhe pak muaj më vonë, të firmosë për shkatërrimin e tij si projekt i rrezikshëm. Por në rastin e juristëve dhe gjykatësve, mungesa e integritetit profesional është me kosto shumë të mëdha për publikun.

Nëse në projektin e “Zogut të Zi” u humbën 2 milionë USD, në rastin e gjykatësve që vihen në shërbim të pushtetit, ajo që publiku humb është drejtësia. Dhe çfarë “drejtësie” është kjo që sapo zbatuan sot gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor kur argumentet kundër saj i kanë ofruar qysh në vitin 2009 vetë anëtarët e shumicës së sotme në KQZ? I kanë ofruar vetë Ristani apo Zguri, kur atëherë argumentonin se fletët në kuti të gabuara duhet të quheshin të pavlefshme. Sot Ristani, Zguri dhe K° pretendojnë të kundërtën. Dhe Kolegji e shpalli të drejtë vendimin e tyre. Por cili është i drejtë, ai i vitit 2009 apo i vitit 2011? Duket se Kolegjit i intereson pak drejtësia.

Për të, “drejtësia” është ajo që i shkon për shtat Berishës dhe pushtetit. Këta gjykatës sillen njësoj si ata të kohës së komunizmit për të cilët ligji ishte vullneti dhe fjala e PPSH-së dhe e Enverit. Por vullneti i pushtetit apo pushtetarit nga njëra anë dhe drejtësia në anën tjetër, janë, më së shumti, gjëra krejt të ndryshme. Jo më kot demokracia perëndimore kuptoi se nuk do ta kishte të gjatë, nëse nuk ndante drejtësinë nga pushteti. Dhe ç’bëjnë në thelb gjykatësit e ristanizuar? Ata fusin realisht pushtetin gjyqësor në të njëjtën dorë që mban atë ekzekutiv dhe legjislativ duke ruajtur fasadën e ndarjes së pushteteve.

Dhe aty ku është pushteti politik ai që dikton vendimet e pushtetit gjyqësor, atje ka diktaturë dhe jo liri. Pavarësisht se mund të vazhdojë të flitet për një proces integrimi me Europën, me botën e shtetit ligjor. Juristët dhe gjykatësit bëhen kështu maja e thikës me të cilën një pushtet autokratik e ther lirinë. Dhe kjo po ndodh në Shqipëri pas 8 majit. Gjykatësit janë bërë hanxharë në duart e kasapit të lirisë.

* * *

Në verën e vitit 2009, kur në Shqipëri po plazmoheshin procese më radikale pro një formule autoritariste qeverisjeje, shkrimtari i njohur italian, Umberto Eko, botoi në gazetën “L’espresso” një artikull të shkurtër si reagim kundër ekseseve të Kryeministrit italian, Silvio Berluskoni, ndaj medias dhe moralit publik. Në atë kohë, në Itali, po ndihej gjithnjë e më e fortë censura mediatike e instaluar nga ky manjat i industrisë së fjalës dhe imazhit, ndërkohë që ishte ngritur edhe një breshër kritikash, jo vetëm në Gadishullin Apenin, mbi dëfrimet e tij me velina e zonjusha të natës. Veç për Ekon, problemi italian nuk ishte individi, milioneri Berluskoni, por vetë cilësia e italianëve si masë.

Përse duhet bërë fajtor Berluskoni kur shumica e italianëve qenë të gatshëm të pranonin kontrollin e tij mbi mediat, gjë që do të kish ndodhur me kohë, nëse nuk do të kish pasur reagim nga Presidenti i Republikës Italiane? – pyeste Eko. Përse duhet fajësuar Berluskoni kur vetë shumica e italianëve shkonin me zonjusha të natës, edhe pse prifti u thoshte të mos e bënin një gjë të tillë? Në fund të fundit, Berluskoni po zhvillonte natyrën, karakterin e tij, prandaj a mund të fajësohet ai se përse është ai që është kur vetë italianët e pranojnë dhe e votojnë si të tillë? A nuk është vota një miratim? Pak a shumë ky ishte pozicionimi i Umberto Ekos. Dhe rikujtonte se Musolini nuk erdhi në pushtet vetëm në sajë të energjive të Musolinit, por sepse u mbështet nga njerëz (madje edhe liberalë) dhe shtresa të tëra, që besonin se ai do të vinte pak rend në Italinë e drobitur nga konfliktualiteti politik.

Tani erdhi momenti të shtrojmë pyetjen: A nuk pati po kështu jo pak shqiptarë që në 2005-n votuan rikthimin e Berishës në pushtet, duke arsyetuar se ai ishte e vetmja “dorë e fortë” që do të mund të bënte zap korrupsionin? Dhe për të ardhur në situatën ku gjendemi: përse qenka fajtor vetëm Sala kur kemi një batalion me juristë e gjykatës pa integritet profesional dhe të gatshëm të veshin me ligj skemat e paligjshme të Berishës për manipulimin e rezultatit të zgjedhjeve? Dhe Shqipëria nuk do të mund t’i ikë kurthit historik ku ka ngecur, duke mbetur pafundësisht jashtë dyerve të Europës, nëse nuk çliron gjykatat nga dara politike e një pushteti të korruptuar që refuzon drejtësinë.