Nga Mero Baze
Shtëpia e prindërve të Liri Berishës, një vilë katërkatëshe në zemër të ish-Bllokut komunist në Tiranë, e ndërtuar në mandatin e parë të qeverisjes Berisha në vitin 1996, tani është marrë me qira nga Komisioni Evropian në Tiranë dhe është kthyer në Zyrë të Informimit të Bashkimit Evropian. Ndërtesa është e bollshme dhe qiraja natyrisht edhe më e bollshme duke kaluar shifrat disa qindra mijë euro në vit. Nuk ka asgjë të keqe që Bashkimi Evropian ka gjetur kunatin e kryeministrit tonë për t’i trokitur në derë për t’i dhënë zyra me qira.
Komisioni Evropian në Shqipëri ka pasur histori problematike me godinën e tij, ndërtuar disa vite më parë në dalje të Tiranës për në Laprakë, pasi në një hetim Brukseli konstatoi abuzime të rënda dhe u burgos një prej ndërmjetësve italianë të kësaj historie të pastër korrupsioni. Zyrtarët e Komisionit në Tiranë në të vërtetë, jo vetëm që s’janë të përzierë në këtë çështje, por kanë vuajtur pasojat e këtij korrupsioni, duke u degdisur nga qendra e Tiranës në periferi të saj dhe me një kosto shumë të lartë. Tani duket se i kanë dhënë fund asaj kontrate, dhe një pjesë janë zhvendosur te vëllai i Liri Berishës, kurse pjesa tjetër te një biznesmen i afërt i saj, me origjinë nga Vuthaj, që jeton në Tiranë. As këtu nuk ka asgjë të keqe. Urojmë që pas kësaj zhvendosjeje, Komisioni të punojë i qetë dhe të mos përsëriten më hijet e skandaleve që shoqëruan lëvizjen e parë të tyre.
Duke e marrë pozitivisht këtë fakt, dhe pa asnjë paragjykim, ajo që mund të konstatohet lehtësisht është se Familja Berisha, në kuptimin e fuqisë së saj financiare dhe në pasuri të patundshme, është ofertuesja më e mirë për klientët më të shtrenjtë të Shqipërisë. Po e përsëris që unë jam i prirur të besoj se asnjë euro më tepër nuk është abuzuar me paratë e taksapaguesve evropianë, dhe as që dua ta mendoj fare këtë histori. Ajo që më bën përshtypje si qytetar shqiptar, është se, dhe nëse në një moment vendosim rregulla tregu, edhe sikur në një moment të mendojmë se Berisha ka hequr dorë nga hakmarrjet mbi bizneset e kundërshtarëve, edhe sikur të mendojmë për një moment që Berisha është i drejtë, kemi një lajm të frikshëm: familja e tij ka ofertat më të mira për biznes në Shqipëri, dhe kur nga kontrata të tilla fitohen deri në miliona euro në vit.
Ky është një fakt domethënës për një vend të varfër, të zhytur në korrupsion dhe reduktim të plotë lirish ekonomike, njerëzore, politike dhe publike.
Nëse ky fakt do të kishte ndodhur në Itali apo Londër, media do ishte ngritur e gjitha në këmbë të verifikonte dhe qimen e kontratës mes familjes kryeministrore dhe Bashkimit Evropian në rastin konkret. Por ne jemi vend i kompleksuar nga Bashkimi Evropian, pasi ai është destinacioni ynë final dhe nuk duam të krijojmë asnjë iluzion të gabuar se dhe aty mund të zgjasë dikush duart në tortë.
Por frika ime më e madhe nuk është nëse vërtetohet se as Bashkimi Evropian nuk ka bërë asnjë procedurë të gabuar dhe as qiradhënësit e familjes Berisha nuk kanë thyer asnjë rregull. Nëse do të vërtetohet kjo, atëherë ne mund të jemi para një dileme dhe më të rëndë për arsyet që e kanë vlerësuar të dobishme këtë kontratë. Përfytyroni për shembull që Bashkimi Evropian të krahasonte dy oferta, ofertën për te një qendër biznesi në bulevard, para Kryeministrisë, dhe ofertën për te qendra pas Kryeministrisë, ku ka shkuar. Biznesmenët që kanë qendrën e biznesit para Kryeministrisë janë më të lidhur me Edi Ramën, madje një prej tyre është dhe deputet i tij.
Përfytyroni në një moment se sa të qetë janë ndjerë dje dhe sot zyrtarët e BE që kanë zgjedhur vëllanë e Liri Berishës dhe mikun e familjes së saj për qiraxhinj, dhe jo miqtë e Edi Ramës. Po të kishin bërë këtë gabimin e dytë, sot para zyrave të Bashkimit Evropian në bulevard (nëse do ishin atje), do kishte buldozerë dhe ekranet do transmetonin një njeri histerik, gati në skizofreni që ulërin duke premtuar që do t’i shkulë dhëmbët dhe dhëmballët opozitarëve. Përfytyroni sa të qetë janë ndjerë zyrtarët e BE sot, kur kanë parë një kryeministër të shfytyruar që ulërinte në mbledhje: “Do t’i marr tokën! Do t’i marr tokën!” sikur kishte zbuluar Amerikën e shekullit 15.
Përfytyroni sa të qetë janë ndjerë për zgjedhjen e tyre zyrtarët e BE, që nuk kanë investuar te njerëzit e “gabuar” në Shqipëri, por te njerëz të sigurt që kanë pas pushtetin. Dilema është: nëse kanë menduar kështu, që është normale të mendojnë, a e kanë mbajtur vallë shënim këtë se çfarë heq një biznesmen, një gazetar apo një kundërshtar i Sali Berishës, në një vend që kërkon të shkojë në Bashkimin Evropian?