EUROSTAT: Shqipëria, më e varfëra në Europë, PS-ja: Kriza nuk fshihet

0
77

Shekulli Online, 22.06.2010

UPDATE – Pas raportit më të fundit të EUROSTAT, qe e rendiste Shqiperine me te varferen ne Europe, Partia Socialiste ka kërkuar nga qeveria të njohë krizën aktuale, e cila nuk mund të fshihet, por duhet zgjidhur.

Treg i varfër

Përmes një deklarate për mediat, nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Mimi Kodheli ka theksuar se opozita shqiptare nuk është e interesuar të përkeqësojë krizën ekonomike siç thotë lart e poshtë kryeministri i vendit, por është shumë e interesuar për zgjidhjen e saj.

“Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, BERZH, Eurostat e shumë aktorë e faktorë të tjerë të rëndësishëm, kanë treguar në më shumë se një rast, shqetësimin e tyre në lidhje me krizën. Partia Socialiste i ka ngritur këto shqetësime në emër të të gjithë shqiptarëve, të majtë e të djathtë, që vuajnë sot këto pasoja të keqmenaxhimit e abuzimit me financat publike”- tha Kodheli.

Sipas saj nuk janë vetëm raportet e të hujave që flasin për krizën, por vetë veprimet e qeverisë. Ndryshimet e përsëritura në legjislacionin tatimor, debati në lidhje me skemën e pensioneve, borxhet e njëpasnjëshme që qeveria detyrohet të marrë për të shtyrë edhe disa muaj, mos plotësimi i të ardhurave tatimore dhe ndryshimet në buxhetin e shtetit, rritja e cmimeve dhe zhvlerësimi i monedhës vendase, sipas Kodhelit, flasin më qartë se cdo apologji e munguar nga qeveria, mbi vështirësitë në të cilat ndodhet sot ekonomia shqiptare e bashkë me të edhe ekonomitë e shumicës së familjeve të shqiptarëve.

“Partia Socialiste i bën edhe njëherë thirrje Sali Berishës për transparencë me shifrat e ekonomisë dhe politika të përgjegjshme në shërbim të ekonomisë, e jo ekonomi në shërbim të politikës”- tha ajo.

EUROSTAT: Shqipëria, më e varfëra në Europë

Shqipëria renditet si vendi më i varfër në Europë, ndërkohë që para saj renditet Bosnja, Serbia dhe Mali i Zi. Vlerësimi i varfërisë është bërë nga EUROSTAT, publikuar në faqen e vet zyrtare vetëm një ditë më parë dhe vjen si një vlerësim krahasimor i Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP) për frymë, shprehur sipas ‘Standardit të Fuqisë Blerëse’. Në një listë me 37 vende, ku mungon Kosova, Shqipëria ka kapur pozicionin e fundit.

Sipas tabelës së EUROSTAT, në një mesatare europiane rrumbullakosur me shifrën 100, vendi ynë kap vetëm 27%. Në listë para nesh janë Bosnja me 30%, Maqedonia me 35, Serbia 37 e Mali i Zi me 43 për qind të GDP për frymë, krahasuar me mesataren e 27 vendeve europiane.

Në krye të pozicionimit për nivelin e lartë të jetesës për banor e renditet Luksemburgu me 268%.

Në Finlandë, Francë, Spanjë, Itali, Qipro dhe Greqia, GDP-ja për banor është brenda 10% të mesatares së EU27.

Ndërkohë referuar renditjes, Irlanda, Holanda, Austria, Suedia, Danimarka, Britania e Madhe, Gjermania dhe Belgjika kanë qenë në mes 15% dhe 35% mbi mesataren. Më tej, Sllovenia, Republika Çeke, Maltë, Portugali dhe Sllovakia janë midis 10% dhe 30% më e ulët se mesatarja EU27.