
Nga: ARBEN MALAJ
Nëse do të këtë një luftë tjetër në Europë, ajo do të vijë nga çmenduritë e ballkanasve” Otto von Bismarck, 1815-1898
Në fund të viteve 1800, ky ishte perceptimi për “kontributet” e Ballkanit në Europë. Fatkeqësisht, edhe realiteti ynë historik deri në fund të viteve ‘90 ka qenë po kaq i trishtueshëm. Gjithmonë është diskutuar rreth të ardhmes tonë europiane, por sfida e europianizimit të Ballkanit duket se nuk ka qenë dhe akoma nuk është as e lehtë dhe as e shpejtë.
Ballkani, për shkak të historisë dhe skepticizmit rreth të ardhmes së tij, jo rrallë është përdorur jo si një kontekst gjeografik, jo si një kontekst politik, por si një metaforë e kulturës politike, dominuar nga grindjet, konfliktet dhe luftërat.
Sikur të mos mjaftonte kjo thënie e Bismark, sërish një burrë shteti, pikërisht Churchilli, në 1941 do të theksonte se “Ballkani prodhon më shumë histori sesa ai konsumon”.
Shpesh, në momente konfliktesh dhe luftërash, europianizimi i Ballkanit është dukur i largët, deri edhe i pamundur. Aq e pashpresë është konsideruar në disa raste perspektiva europiane e rajonit tonë, sa politikanët ballkanas jo rrallë kanë keqpërdorur riskun e ballkanizimit të Europës për të fshehur dështimet e tyre.
Ndoshta këta politikanë i referohen faktit që Lufta e Parë Botërore nisi pikërisht në Ballkan dhe që kjo fuçi e ndezur “ballkanizoi” me shpejtësi gjithë botën.
Vetëm pas viteve 2000, Ballkani Perëndimor po e ndjen më afër Europën. Dëshpërimin e së kaluarës duket se po e tejkalon optimizmi i së ardhmes.
Një pjesë e lidershipit politik europian, iniciuar nga Papandreu, propozon që në vitin 2014, pikërisht në 100-vjetorin e Luftës së Parë Botërore, të mbyllet përfundimisht historia e Ballkanit me vetveten.
Propozohet që në vitin 2014 Ballkani Perëndimor të anëtarësohet në Europë. Edhe pse ky opsion mund të duket shumë optimist, është fakt që anëtarësimi në BE mbetet strategjia më e mirë për të mbyllur pëfundimisht historinë e vjetër të rajonit tonë.
Perspektiva e standardeve europiane do të ndihmojë Ballkanin të ndihet realisht pjesë e bashkimit të vlerave më të mira të lirisë, demokracisë dhe prosperitetit.
Samiti i Zagrebit në vitin 2000, Samiti i Selanikut në vitin 2003, përfundimi i negociatave për anëtarësim i Kroacisë, përfitimi i statusit të vendit kandidat nga Maqedonia dhe Mali i zi, liberalizimi i lëvizjes së lirë për të gjitha vendet e Ballkanit, sa më shpejt edhe për Kosovën, janë prova konkrete se Europa e Bashkuar është më afër se kurrë.
Tani nuk diskutohet më e ardhmja jonë në Bashkimin Europian, tani diskutohen dy momente të rëndësishme, koha dhe cilësia e këtij procesi.
Europianizimi i Ballkanit nuk do të përcaktohet nga aksesi në rritje drejt BE-së, por nga cilësia e zhvillimeve politike, ekonomike dhe sociale në vendin tonë.
Europianizimi ynë nuk do të përcaktohet vetëm nga plotësimi i disa kritereve teknike, por nga cilësia e zhvillimeve politike dhe ekonomike. Ai do të influencohet ndjeshëm nga kultura e re politike.
“Evropa nuk do të krijohet menjëherë ose sipas një plani të vetëm. Ajo do të ndërtohet me anë të arritjeve konkrete, të cilat në radhë të parë do të krijojnë një solidaritet ‘de facto’”. Kështu do të theksonte 60 vjet më parë Robert Shcuman, ministri i Jashtëm i Francës në 1950.
Ky është impakti real i çdo hapi konkret drejt Europës së Bashkuar. Ky projekt kërkon më shumë solidaritet dhe më shumë përkushtim. Çdo hap konkret në procesin e integrimit tonë, jo vetëm mban gjallë shpresën, por nëpërmjet arritjeve konkrete e nxit më shumë përgjegjshmërinë tonë.
Edhe liberalizmi i vizave është një arritje konkrete e vendeve të Ballkanit drejt Europës së Bashkuar. Edhe pse e vonuar, ajo duhet të sjellë një impakt pozitiv mbi të gjithë faktorët politikë të rajonit tonë.
Sa më shpejt dhe sa më shumë të jemi pjesë e vlerave dhe lirive themelore të Europës së Bashkuar, aq më shumë do të ndjehemi fajtorë pse jemi vonuar kaq gjatë, aq më shumë duhet të jemi të përgjegjshëm për gjithçka që humbasim po të vonohemi akoma edhe më.
*Deputet i PS, lektor i integrimit europian







