Europa për ne është Parlamenti Europian…

0
50

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 15.06.2010

Politika e Tiranës po përpiqet të luajë me faktorin ndërkombëtar si në një sallë pasqyrash, duke u përpjekur të krijojë konfuzion në lidhje me qëndrimin euroamerikan ndaj krizës shqiptare.

Ditët e fundit, menjëherë pas afatit të dytë që kanë venë ndërmjetësuesit e Parlamentit dhe Këshillit Europian, u prononcua për krizën edhe kryetari i Asamblesë së KiE-së, zoti Çaushogllu.

Meqenëse deklaratat e tij drejtoheshin kundër opozitës, qeveria dhe shtypi pranë saj u kujdesen që jehona e tyre të ishte sa më e madhe, gjë që nuk e kishin bërë në të njëjtën masë me deklaratat e krerëve të dy grupeve më të mëdha të Parlamentit Europian, Daul e Shulz.

Me këtë rast, u pa qartë se qeveria qëndronte në krahun e Çaushogllusë, natyrisht pa e thënë shkoqur se ishte kundër Daul e Shulz. Por kjo nuk kishte nevojë të thuhej.

Si qëndron çështja? Mos vallë ndryshoi qëndrimi i Europës për krizën me këto që tha Çaushogllu? Kë duhet të konsiderojë Shqipëria qëndrim të Europës dhe Amerikës? Kjo është shumë e rëndësishme për të mos humbur akoma me shumë kohë me kodra pas bregut e ku rafsha mos u vrafsha.

Fillimisht duhet të vëmë në dukje faktin se për një pjesë të qytetarëve shqiptarë siglat KiE, PE, KE e tjerë tregojnë pak a shumë të njëjtën gjë: tregojnë Europën. Në një kuptim kanë të drejtë.

Këto sigla Europën tregojnë, por kanë secila një kuptim të vetin specifik. Përndryshe do të përdorej vetëm një sigël. Këshilli i Europës është një institucion me i gjerë se Europa e Bashkuar.

Në Këshillin e Europës bëjnë pjesë shumë vende që nuk janë anëtare të Bashkimit Europian. Shqipëria, për shembull, është anëtare e KiE-së që prej vitit 1995, por nuk është anëtare e BE-së.

Asambleja e Këshillit të Europës, apo thënë ndryshe, Parlamenti i Këshillit të Europës nuk krijohet me zgjedhje, por me delegim dhe kuota deputetësh nga secili vend anëtar. Krerët e kësaj Asambleje shpeshherë janë nga vendet që nuk kanë aderuar ende në BE. Vetë Çaushogllu, për shembull është nga Turqia.

Me këto që themi nuk duam të zvogëlojmë as edhe një gram rëndësinë e Këshillit të Europës. Rëndësia e këtij trusti të madh të demokracisë është e padiskutueshme. Por t’i japim Çezarit çfarë i takon Çezarit.

Bashkimi Europian është një stekë më e lartë. Aq e vërtetë është kjo sa mjafton të kujtojmë faktin se ndërsa jemi bërë anëtarë të KiE-së para pesëmbëdhjetë vjetësh, do na duhet të presim edhe disa vite të tjera për tu bërë anëtarë të BE-së.

Në këtë kuptim dhe duke pasur parasysh se sfida jonë aktuale si vend është anëtarësimi në BE, fjala, qëndrimet dhe roli i BE-së në lidhje me zhvillimet në Shqipëri kanë peshë shumë më të madhe.

Kjo nuk i heq të drejtën KiE-së të merret me Shqipërinë sa herë ta shohë të arsyeshme. Përkundrazi, KiE e ka për detyrë të ndihmojnë vendet anëtare për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Në parim, Shqipëria vetëm nderohet dhe vetëm përfiton nga interesim i KiE-së. Rezoluta e Asamblesë së këtij Këshilli për Shqipërinë në janar të këtij viti ka qenë dokumenti i parë i ndërkombëtarizimit të krizës shqiptare dhe i përpjekjeve për zgjidhjen e saj.

Për fat të keq, këto përpjekje nuk dhanë rezultat, megjithëse në Tiranë erdhi në delegacion i gjerë i Këshillit të Europës. Pas kësaj, stafetën ndërkombëtare për të ndihmuar zgjidhjen e krizës sonë e mori Këshilli Europian dhe Parlamenti Europian. Këto janë institucionet më të larta të Europës së bashkuar ku duam të hyjmë.

Komisioneri për Zgjerimin, zoti Fule, ka avancuar në përpjekjet e tij për të afruar palët shqiptare drejt një kompromisi. Kryetarët Daul e Shulz janë bashkuar në një përpjekje unike për Shqipërinë.

Kriza nuk është zgjidhur, por qasja ndaj saj ka evoluar. Partia Socialiste është në Kuvend, në Komisione dhe ka lajmëruar gatishmërinë për të firmosur një marrëveshje kompromisi të ofruar nga europianët. Ja, pra, zhvillimet janë ku e ku larg asaj ditë kur presidenti Topi dhe kryetari i Asamblesë, Çaushogllu, asistonin në një shfaqje të rrallë pozicionet e ngrira të qeverisë dhe opozitës shqiptare.

Nuk ka shumë interes të dimë nëse zoti Çaushogllu është informuar apo jo për rrugën që ka ndjekur kriza shqiptare pas dështimin të KiE-së në zgjidhjen e saj. Ai mund të mos ketë nevojë të informohet. Ai mund të ruajë qëndrimin e tij.

Por Shqipëria është në krizë dhe nëse qeveria dëshiron të zgjidhë krizën duhet të respektojë nivelin e ri të ndërmjetësimit ndërkombëtar, që nuk është as personal, as privat, por institucional. Qëndrimi i kryetarëve të grupeve parlamentare të Parlamentit Europian është një qëndrim institucional i të majtëve dhe të djathtëve të këtij parlamenti.

Qëndrimi i zotit Fule është qëndrimi institucional i ministrisë europiane që na mbulon si vend, që është ministria e zgjerimit apo komisioni për zgjerimin, siç quhet. Jo vetëm për shkak të veshjes së institucionale, këto qëndrime janë shumë më thelbësore për krizën dhe perspektivën e saj, se sa deklaratat e individëve që referojnë një pikëpamje, e cila nuk është pjesë e ndonjë dokumenti të shkruar apo rezolute të miratuar.

Kapja me kaq dëshirë dhe jehona e madhe që u bëhet nga qeveria deklaratave të Çaushogllouse, ndërsa kërkon të mbajë në konfuzion opinionin e brendshëm në lidhje me qëndrimin e Europës, ka vetvetiu tingëllimin e karshillëkut ndaj qëndrimeve që ka pjekur e po pjek Parlamenti Europian për krizën shqiptare. Kjo është shumë e gabuar dhe pa asnjë perspektivë.

Në këtë fazë ku ndodhet kriza jonë, Europa është Parlamenti Europian, Këshilli Europian dhe Komisioni për Zgjerimin. Askush tjetër.