EUROPA i tha AUTORITARIZMIT: JO!

0
62


Andrea Stefani

Përgjigjja negative që mori kërkesa e qeverisë shqiptare për statusin e kandidatit ka vetëm një shpjegim thelbësor: Europa i tha “jo” autoritarizmit berishist. Sepse Europa nuk mund të integrojë në gjirin e saj një vend ku shteti ligjor është vetëm në letër, ku ligjet europiane janë katandisur në letra pa vlerë, ku fjala drejtësi është veçse një maskë e padrejtësisë dhe pushtetet e pavarura, të shpikura nga Perëndimi për të kontrolluar qeveritë, po kthehen në vegla mjerane të qeverisë. Europa nuk mund të integrojë një shtet në të cilin demokracia është prej letre, është vetëm një llaf goje, madje akoma më keq, një gënjeshtër apo një tallje me publikun. “Jo”-ja fatale që erdhi nga Europa është një “jo” për Kryeministrin Berisha që nxitoi muaj më parë t’i dorëzonte me pompozitet Brukselit një libër super të trashë me gënjeshtra për “reformat” e hatashme “demokratike” që kish realizuar. Veç e keqja nuk mbaron këtu. Sepse përgjigjja negative që sapo erdhi nga Europa nuk është rrjedhojë e disa gabimeve që mund të korrigjohen. Ajo është fryt i hidhur i një strategjie autoritariste të ndjekur me këmbëngulje nga Berisha tash e 20 vjet. Dhe duke qenë mishërim i autoritarizmit post-komunist, Berisha nuk do të heqë dorë kurrë nga kjo strategji që, siç sapo u dëshmua, është pengesa që Shqipëria të bëhet si gjithë Europa. Objektivi i vërtetë dhe i fshehtë i Berishës nuk është Europa, por një shtet piramidë në majë të së cilës do të fronëzohet ai. Jo rastësisht turret të shkatërrojë një piramidë mermeri që të maskojë me “antikomunizëm” piramidën e gjallë të shtetit neokomunist që ëndërron të shtrijë nën këmbët e tij. Ndaj për sa kohë që Berisha të jetë në pushtet, Shqipëria do të mbetet jashtë Europës. Shqiptarët tashmë duhet të zgjedhin: ose Berishën, ose Europën!

* * *

U bënë më shumë se dy dekada që politikani Sali Berisha është shquar dhe kritikuar pafundësisht për strategjitë dhe taktikat e kapjes dhe nënshtrimit të institucioneve të pavarura. Në radhë të parë të institucioneve të drejtësisë, prokurorisë dhe gjykatave. Qysh në krye të herës së karrierës së tij politike ai kapi dhe keqpërdori prokurorë dhe gjykatës për të persekutuar gazetarë dhe politikanë, ndër të cilët edhe liderin e opozitës së asaj kohe, Fatos Nanon. Edhe në qeverisjen e tij të dytë, tashmë i “ndryshuar”, ai ka bërë dhe po bën të njëjtën gjë. Ka shkarkuar një kryeprokuror që s’i bindej e më pas ka lajkatuar Kryeprokuroren e re, duke shpresuar ta përdorte. Por kur Ina Rama hetoi megakorrupsionin e rrugës Durrës-Kukës dhe beniaminin e tij Lulzim Basha, e akuzoi “Silvia Kontin” si të kapur nga opozita. Rrjedhojë e këtij obstruksioni të drejtësisë, si dhe i shtrirjes së metastazave të influencës së pushtetit berishist në gjykata, është pezullimi i gjykimit të korrupsionit të rrugës Durrës-Kukës, si dhe thuajse dështimi i gjykimit të tragjedisë së Gërdecit. Dhe sa të jetë Berisha në pushtet, këto skandale korruptive nuk do të ndëshkohen, sepse do të thotë të ndëshkohet pushteti i Berishës dhe njerëzit e tij. Prandaj dhe “JO”-ja e Europës na thotë se “ka mungesa thelbësore lidhur me pavarësinë, transparencën dhe përgjegjshmërinë e sistemit gjyqësor dhe se gjurmë të luftës efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mungojnë”. Por Berisha nuk do t’ia dijë. Ai pëllet lart e poshtë për “Shqipërinë europiane” që të gënjejë të gjithë ata që janë me të, por që mjerisht nuk po e kuptojnë se Berisha vetë nuk është me ta. Berisha është me veten e tij dhe me një klan që po pasurohet korruptivisht rreth tij. E ndërsa Europa e shpjegon “Jo”-në e saj me mungesën e pavarësisë së gjyqësorit, Berisha vazhdon në strategjinë e tij antieuropiane, duke hedhur poshtë edhe inkuizitivisht kandidaturat e Presidentit të Republikës për Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese. Berisha betohet publikisht dhe me servilizëm para zyrtarëve europianë, se raporti i progresit dhe vërejtjet që vijnë nga Europa do të jenë një program pune për të. Një mashtrim që po përsëritet për vite me radhë. Europa thotë se korrupsioni është “gjerësisht prezent”, Berisha ulëret tribunave për luftë plot sukses dhe me tolerancë “0” kundër korrupsionit! Europa thotë se “aktiviteti i krimit të organizuar, me ndikim edhe jashtë vendit, mbetet çështje e një shqetësimi serioz, Berisha vazhdon me gënjeshtrën e zhdukjes së 300 bandave të krimit të organizuar”! Por pavarësisht demagogjisë berishiste, “Jo”-ja që erdhi nga Europa është pohimi i së vërtetës së hidhur: shteti shqiptar ka dështuar në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Dhe kjo kryesisht për shkak të korruptimit të qeverisë shqiptare që nuk ka vullnet për të luftuar krimin dhe korrupsionin.

* * *

Ndërsa saboton me vepra projektin europian të Shqipërisë, Berisha ngjiret tribunave për Shqipërinë europiane. Ai po përpiqet që edhe aktin fisnik të Europës për të lejuar shqiptarët të lëvizin pa viza, ta përdorë për të maskuar nëpërkëmbjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri. Ky dhunues i palodhur i lirive dhe të drejtave të njeriut, mburret me lirinë e lëvizjes që Europa nuk mund t’ua vononte më shqiptarëve pikërisht për faj të politikanëve si Berisha që e keqqeverisin vendin prej 20 vjetësh. Sepse si në asnjë vend tjetër në Europë, Shqipëria mbetet shteti ku njerëzit vazhdojnë të flaken nga postet publike për shkaqe politike, flaken se nuk janë simpatizantë apo militantë të pushtetit berishist. Administrata publike, ndryshe nga përvoja europiane, është shndërruar në një minierë për të darovitur militantët e pushtetit. Ndonëse ka ligje të mira që mbrojnë administratën publike dhe nëpunësit e saj publikë, këto ligje nuk zbatohen, por dhunohen nga vullneti politik i një pushteti autoritarist që e ka shndërruar atë nga publike, në një administratë të partisë në pushtet. Prandaj dhe Europa na thotë e shqetësuar se “shërbimi publik është shumë i politizuar, ka mungesë transparence në emërime dhe shquhet nga ndërrime të shpeshta të stafeve”. Përse ky degradim i administratës? Përgjigjja gjendet te korrupsioni dhe autoritarizmi i pushtetit që po i gërryejnë themelet e shtetit.

Diktatura komuniste u themelua mbi dhunimin e pronës private, mbi dhunimi e së drejtës së pronës. Sot, pas 20 vjetësh, prona private e grabitur nuk u është kthyer ende të zotërve, ndërkohë që pushtetarë si Berisha dhe të afërm të tij politikë e familjarë janë bërë me prona të mëdha. Prandaj një nga arsyet që Europa i tha “Jo” Shqipërisë është mungesa e respektimit të së drejtës së pronës, dhunimi i të drejtave të njeriut edhe në këtë rrafsh, që në fakt duhet të ishte themeli i shtetit të së drejtës. Por në “Jo”-në e Europës ka edhe një të keqe tjetër alarmante. Më në fund Europa ka pohuar troç se Parlamenti shqiptar nuk funksionon si një institucion i pavarur. Dhe atje ku ndodh një gjë e tillë, nuk ka parlamentarizëm real, por e pakta, tirani të shumicës. Me këtë deklarim, Europa jep alarmin se kapja e shtetit nga qeveria, nga Berisha, ka arritur kufijtë kritikë. Tej këtyre kufijve gjendet diktatura. “Jo”-ja e madhe e Europës duhet t’i bëjë shqiptarët të kuptojnë më në fund se shanset e Shqipërisë si gjithë Europa janë në një rrezik serioz nga pushteti dhe kulti i një lideri autoritarist që ka për objektiv jo lirinë, por sundimin e shqiptarëve. Edhe pse kërkon ta fshehë këtë skenar të zi pas fishekzjarrëve të lëvizjes së lirë.