Nga Arian Galdini, 18.10.2011
As në Europë e as jashtë Europës, ky duket se është stacioni ku Shqipëria ka mbetur tashmë jo prej dy vitesh sikundër mëtohet të jehonëzohet nga të gjitha palët politike, por duke filluar që nga viti i mbrapshtë 1996. E kemi shkruar edhe më parë e po e ripërsërisim se Shqipëria në këto 21 vite ende nuk ia ka dalë mbanë që të organizojë zgjedhjet e para themeluese të lira e të ndershme, e për këtë janë fajtorë të gjithë drejtuesit politikë që kanë qeverisur dhe që kanë bërë opozitë në vendin tonë. Por zgjedhjet e 26 majit ishin shfaqja më primitive që e ndali keqazi, turpshëm, dhunshëm, shëmtueshëm, pacipësisht, rendjen e Shqipërisë drejt Europës dhe europianizimit. Nëse asokohe, skemat piramidale po vidhnin ekonominë dhe paratë e shqiptarëve, zgjedhjet e 26 majit u bënë gjëma më e madhe e cila u vodhi shpirtin, shpresat dhe aspiratat për ardhmëri dhe europianizim.
Zgjedhjet e 26 majit e ulën, në fakt e zhytën, shqiptarin postkomunist në honet më të thella të paturpësisë dhe pamundësisë për të ndryshuar. Zgjedhjet e 26 majit dënuan dhe ekzekutuan pa gjyq shpresën, kohezionin dhe mundësinë kombëtare për perëndimizim. Ndaj edhe shpesh herë për të gjithë ne ajo çka ndodhi 1 vit më pas, pra në vitin 1997, e ka të vështirë vijën ndarëse për të kuptuar e qëlluar drejt me argumenta e përsiatje nëse ishte rënia e skemave piramidale që e shkaktoi rrebelimin, apo zgjedhjet e 26 majit. Unë mendoj se humbja e parave ngacmoi instiktet bazale të cilat sollën kundër-reagimin e shqiptarëve, por vjedhja e shpirtit, vullnetit, mundësisë dhe shpresës kombëtare drejtoi mendjet e njerëzve për të kërkuar qartazi e prerë ndryshim politik me çdo mënyrë.
Shteti ra sepse ata që qeverisnin vodhën votën, ndërkohë që qytetari ra sepse humbi paratë dhe besimin tek shteti. Të gjithë e humbëm nga sytë Europën. E që nga ajo periudhë të gjitha hapat që kemi kryer kanë qenë proçeduriale, mekanike, zhivillim e përparim pa ripërtëritje, pa thelb, pa vision, pa qëllim. Kemi parë një Shqipëri që ka riparuar plagët e vitit 1997, në pak kohë e që ka rihyrë në binarët e zhvillimit të vijueshëm, por askush nga drejtuesit politikë në qeverisje apo opozitë, për asnjë çast, nuk iu drejtuan udhëve, sjelljeve e mendësive që inkurajojnë, rindërtojnë, përforcojnë shpirtin, kohezionin, mundësitë dhe shpresën kombëtare. Paudhësia ku mbetën shqiptarët pas viteve 1996-1997, u shndërrua në gjendjen e parapëlqyer të politikanëve, ngase kësisoj ata mund të vazhdonin të sundonin duke plaçkitur shtetin, privatin dhe votat, pa as më të voglin shqetësim.
Pas trandjes 50 vjeçare nga diktatura komuniste dhe zgërlaqjes së përdhunshme që iu bë nga klasa politike pluraliste 6-7 vjet pasi kishte menduar se gjërat kishin ndryshuar, shqiptari ishte shndërruar në steriotipin e qytetarit mbijetojs, të dorëzuar, të pafuqishëm, të pashpresë, të përshtatur, e mbi të gjitha plot frikë e mllef. Loja është tejet e thjeshtëzuar me këtë lloj shqiptari mbijetojs. Joshja, frikënimi, mashtrimi, blerja, c’dinjitetëzimi, poshtërimi, dhunimi, u bënë monedhat funksionuese me anë të të cilave politikanët shqiptarë, udhëheqësitë e majta e të djathta kryenin transaksione me shqiptarët mbijetojsa. Të gjitha zgjedhjet pas vitit 1996 kanë vazhduar të vidhen, manipulpohen, deformohen deri në ditët e sotme. Vetë Raportet e Ndërkombëtarëve por edhe vetë-mburracakëria skandaloze e udhëheqësve tanë politikë e dëshmojnë këtë të vërtetë.
Asnjëherë zgjedhjet në Shqipëri, qofshin zgjedhje politike parlamentare, qofshin zgjedhje për pushtetin vendor, nuk janë konsideruar si zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në çdo Raport të Ndërkombëtarëve, zgjedhje pas zgjedhjesh, vit pas viti, që është bërë kahhera, cuditërisht dhe paturpësisht burim ngrefosjeje për Kryeministrat e rradhës në detyrë, ripërsëriten fraza banale, asgjëkumtuese të tipit: ‘Zgjedhjet ishin më të mira se vitin e shkuar’, ose, ‘këto zgjedhje ishin më të mirat e bëra ndonjëherë’, apo, ‘këto zgjedhje ishin konkuruese dhe transparente’. Padëshira dhe mosvullneti i udhëheqësive tona politike por edhe pamundësia, pafuqia e vetë shoqërisë shqiptare, e sidomos e qytetarëve shqiptarë për të ndikuar për të prodhuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, na ka kandisur në një purgator politik, kohëgjatësinë e të cilit e përcaktojmë ne vetë ndërsa e vuajmë të dorëzuar.
Partitë politike janë shndërruar në detashmente gati-gati militare ku nuk ka më karrierë e demokraci, por ka Kryetarokraci. Udhëheqësitë politike shqiptare të majta e të djathta kanë bërë krejt dukshëm konsensusin e tyre negativ për të mbytur, asgjesuar konkurencën publike, porse ndërkohë të vazhdojnë që të kacafyten e konkurojnë midis vedit, ata dhe vetëm ata me njëri – tjetrin, ose vetëm të parapëlqyerit, paraporositurit, të lejuarit apo të pranuarit prej tyre. Rëndësi ka që lojërat e pushteteve të mbeten nën kontrollin e po këtyre udhëheqësive politike dhe parive intelektuale, mediatike dhe financiare të periudhës së tranzicionit postkomunist, ramizoshent, që paskëtaj gradualisht të trashëgohen tek të tjera udhëheqësi politike apo pari të paracaktuara e paraporositura, të cilat janë në breznajat e dyta, treta apo të katërta.
Këto udhëheqësi politike së bashku me paritë intelektuale, mediatike dhe financiare të këtyre 21 viteve ramizoshencë, janë shndërruar në udhëheqësi dhe pari tejet bllokuese e penguese për talentin dhe energjitë kombëtare. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë eleminuar përbuzshëm si të jenë një apendiks që na ka ardhur në të sotmen krejt bezdishëm nga një kohë e largët e ardhme. Demokracia në Shqipëri, me përcaktim nga jashtë dhe miratim nga brenda ka ndërruar emër e sigurisht përmbajtje, duke u quajtur që prej 21 janarit 2011, thjeshtë dhe vakët si demokraci funksionale. Më kujtohet filmi Hotel Ruanda që ka për protagonist kryesor manaxherin hutu të këtij hoteli me 5 yje, i cili strehoi aty për ti shpëtuar nga maskarimi i bashkëetniasve të tij disa qindra tuci.
I gjithë filmi bazohet në heroizmin e këtij manaxheri dhe në mrekullinë që ai bëri për të shpëtuar jetët e këtyre qindra njerëzve që i përkisnin etnisë kundërshtare, ndërsa jashtë hotelit bëhej kasaphana në çdo rrugë, kodër, a fushë të Ruandës. Brenda 3 muajve në Ruanda u masakruan barbarisht mbi 1 milion njerëz për shkak të etnisë së tyre. Por ndërkohë në Hotelin me 5 yje mbijetuan disa qindra falë veprave të mençura e fisnike të këtij manaxheri. Një nga gjërat që të bie në sy fortësisht gjatë filmit, është fakti se Hoteli ishte nën mbrojtjen e Ndërkombëtarëve, porse Ndërkombëtarët nuk kishin të drejtë të ndërhynin, madje kishte raste kur këta duronin edhe pështymat e paramilitarëve masakrues të cilët i aviteshin Hotelit për ti asgjesuar edhe ato qindra jetë që ishin strehuar aty.
Madje ndërsa në Ruanda gjaku ishte bërë det nga masakrimi i pashembullt i njerëzve vetëm e vetëm për shkak të etnisë së tyre, nëpër zyrat, sallonet dhe foltoret politike Perëndimore, kishte ende ngurrim për ta quajtur genocid apo jo atë që po ndodhte atje. Jo për të bërë të krahasueshme ngjarjet tragjike të Ruandës me ngjarjet në vendin tonë, por duhet të them se shpesh herë mua ky termi Demokraci Funksionale, i shpikur së fundmi enkas për Shqipërinë, që të gjithë po e pranojnë si normalitet, madje edhe vetë Opozita, më ngjason figurativisht me një adresë Hoteli të ngjashëm me Hotel Ruanda. Le ta përshkruajmë kështu: Në Hotel Demokracia Funksionale kemi strehuar të gjitha proçeset dhe institucionet që bazuar në dukje, statistika dhe në indikatorë na bëjnë të pranojmë se gjërat po punojnë, pak rëndësi ka se si po punojnë.
Hotel Demokracia Funksionale ka të strehuar në dhomën 305, Presidentin e Republikës, tek dhoma 203 janë zgjedhjet konkuruese dhe transparente, dhoma 402 strehon Kryeministrin, e kështu me rradhë Prokuroria e Përgjithshme, Partia Socialiste, Kushtetuta, Ligjet, Pluralizmi Politik, Parlamenti, Pushteti Lokal, të gjithë kanë dhomat e tyre. Të gjithë janë të sigurtë, të gjithë mbijetojnë. Por çfare ndodh në rrugët, fushat, kodrat, malet, pyjnajat, shtëpitë, oborret, e shqiptarëve të thjeshtë, të cilët janë lënë jashtë këtij Hoteli? A nuk mjafton ajo çka ndodhi në vitin 1997, në 12 – 14 shtator 1998, shkurt 2004, 15 mars 2008, apo 21 janar 2011 për ta kuptuar se rreziku është gjithmonë aty mes qytetarëve shqiptarë të lënë në mëshirë të fatit?
Cfarë duhet të pritet akoma për të bërë përcaktimet e qarta dhe për të marrë vendimet e drejta nga gjithkush, duke ia nisur nga secili prej nesh vetë me veten si qytetarë, për ta refuzuar këtë realitet ndrydhës dhe poshtërues? Hotel Demokracia Funksionale është i sigurtë, e gjithashtu ne qytetarët e kemi të sigurtë pasigurinë e të nesërmes. Eshtë e pamundur që Shqipëria tia dalë mbanë të Anëtarësohet në BE vetëm në sajë të Hotelit me 5 yje Demokracia Funksionale. Standartet e vërteta perëndimore janë ato që u japin strehë, shpresë e jetë më të mirë qytetarëve të thjeshtë, të cilët parimisht në një demokraci reale perëndimore nuk mund të jenë kurrësesi të dobët. Cdo lloj fasade e sajuar nëpërmjet indikatorëve, statistikave dhe propagandës bajate, nuk na çon asgjëkundi përveçse drejt modeleve ruse të demokracisë Potemkin, apo ndoshta edhe ala Putin.
Vini re sesi Kryeministri Berisha po na e mërzit jetën duke na e shpallur zulmëmadhësisht çdo sukses qeveritar, çdo investim publik, çdo hap përpara si një bakshish oriental për ne mjeranët e paditur që në shkëmbim duhet ti shërbejmë me bindjen, mirënjohjen, përshtatjen dhe dorëzimin e lirisë sonë. Vini re se si Lideri i Opozitës Edi Rama, po na shpartallon dëgjimin plot zallamahi bosharake me Kursi e tij të ri që e çon kinse drejt mëtimit të dialogut të kushtëzuar me Sali Berishën, por asesi nuk e zbret ndonjëherë drejt dialogut të pakushtëzuar me ne qytetarët. E pra, duke qenë se ne qytetarët shqiptarë e dorëzuam në dt 22 mars 1992, betejën tonë për liri, demokraci e perëndimizim, plot mirebesim në duart e klasës së re politike që na erdhi fill pas rënies së komunizmit, duhet ta pranojmë këtë si fajin tonë më të madh.
Harruam se beteja për liri, demokraci dhe perëndimizim është një betejë e pandalshme qytetare e cila kurrësesi nuk mund të dorëzohet në duar asnjë politikani, grupi politik apo udhëheqësie. Sepse, këto udhëheqësi politike që na erdhën pas vitit 1990, së bashku me paritë intelektuale, mediatike dhe financiare që ishin edhe më parë apo që u krijuan dalëngadalë para syve tanë, ashtu sikurse kanë bërë plot babëzi e papërgjegjshmëri kioskëzimin a betonizimin e Tiranës, ashtu bënë edhe gardhëzimin e demokracisë dhe lirisë së shqiptarëve. Madje shkuan më tej akoma. Ndërtuan vit pas viti Hotelin e tyre të Demokracisë Funksionale, ku janë strehuar që të gjithë e prej ngaku ndjekin të qetë harlisjen e bizneseve dhe pushteteve të tyre sikurse edhe dramat, tragjeditë, varfërimin dhe ç’dinjitetëzimin tonë si qytetarë të dobët e të thjeshtë.
Ndaj edhe Raportet e Progresit apo Opinionet negative që na dërgon BE jo vetëm këto dy vitet e fundit, nuk janë as më shumë e as më pak por Curriculumi ynë qytetar në versionin Europass. Me këtë CV qytetare ne nuk kualifikohemi për të hyrë në Europë. Faji nuk është vetëm i udhëheqësive, sepse ato e dinë shkëlqyeshëm se çfarë po bëjnë. Mbi të gjitha, fajin bëjmë mirë që të fillojmë ta qëmtojmë tek vetja jonë secili nga ne qytetarët shqiptarë. Askush nuk na e ka fajin pse pranojmë të jemi këta që jemi, këtu ku jemi. Askush, asnjë vullnet politik nuk mundet të na bëjë ata që s’jemi, e të na çojë aty ku s’duam të shkojmë. Ndaj edhe unë më së pari vetë, por do të dëshiroja e shpresoja që çdo qytetar shqiptar të fillonte të kqyrte në brendësi thellë vetveten dhe të bënte pyetjen: A jam unë ky që më thonë udhëheqësitë politike dhe paritë se jam?
Nëse përgjigja është po, atëherë le të fillojmë sfidojmë e provojmë të ndryshojmë vetveten për ta ndryshuar fatin tonë si individë por edhe fatin tonë kombëtar. Por nëse përgjigja është jo, atëherë nuk kemi ç’presim më. Ia vlen tia nisim sfidës për të ndryshuar fatet e vendit tonë. Po nuk e bëmë këtë sot, atëherë për një kohë të gjatë do të mbetemi kështu si jemi, këtu ku jemi në purgatorin e politikës shqiptare. Do të mbetemi në eurolimbo, as në Europë, e as jashtë saj.
Po nuk e kërkuam ndryshimin duke filluar nga kqyrja thellë e vetvetes, atëherë le ta kemi të qartë se udhëheqësitë nuk e duan Europën, sepse Europa ka rregulla loje, parime, vlera, qeverisje të pastër, të cilat ua prishin gardhet, zaptimet dhe Hotelin pa leje, udhëheqësive e parive tona. E sigurtë është se po nuk e kërkuam ndryshimin ne vetë, as Europa nuk mundet të na pranojë përderisa ne nuk jemi të aftë të ecim vetë me këmbët tona e vullnetin tonë të lirë, si qytetarë drejt saj. Europianizimi dhe perëndimizimi vijnë vetëm nga ngritja në këmbë dhe ecja e pandalshme e qytetarit.