Arben Malaj, 29.11.2009
Mbështetja e publikut në protestën e 20 nentorit, disa politikanëve u ka dhënë entuziazmin e fitores së madhe, ndërsa disave u ka krijuar alibinë e qëndrimeve radikale. Disa nxitojnë nëpër media dhe këtë mbështetje e konsiderojnë jo vetëm si fitore ndaj PD-së, por edhe si fitore ndaj çdo debati të brendshëm në PS. Edhe pse jo fitues dhe me rezultate zhgënjyese ndaj mbështetësve të tyre, ndaj financuesve të tyre, por sidomos ndaj ambicjes së tyre edhe personale, tashmë në podiumet e protestave dhe në dalje televizive, pas protestës së 20 nentorit, ata ndjehen dhe sillen si fitimtarë.
Kjo mund të jetë e vërtetë për ta personalisht, sepse nga mos fitues zgjedhjesh, janë bërë fitues podiumesh, ndjehen promotorë të fitores së ardhshme, qoftë kjo edhe nëpërmjet krizave zinxhirë. Ndoshta ata ndjehen fitues se për ta fitorja në politikë vjen më shpejt, jo nga përkushtimi dhe shërbimi publik në çdo moment dhe aspekt të angazhimit të tyre, por nga suksesi kryesisht mediatik, i shoqëruar me vetpërkëdhelje publike. Aq shumë ndjehen fitues, sa edhe oponencën brenda Partisë Socialiste, kundër bojkotit të saj, kundër radikalizimit të PS, kundër klientelizmit në Partinë Socialiste, kundër arrogancës dhe abuzivitetit, e konsiderojnë thjesht një debat për pak më shumë demokraci, apo pak më shumë kozmetikë. Natyrshëm që këtu ka një dallim të madh dhe cilësor.
Për ta ardhja në pushtet është shndërruar në padurim. Për ta qëllimi justifikon çdo mjet, pavarësisht nga kosto që sjell së pari dhe mbi të gjitha mbi vetë protestuesit, që nuk janë aty për asnjë prej nesh por janë aty për hallet e tyre të përditshme. Me disa nga kolegët e PS në heshtje apo publikisht kemi rënë dakord që ne nuk mund të jemi dakord për mënyrën se si po radikalizohet PS, nuk jemi dakord për depersonalizimin në PS, nuk jemi dakord për klientelizmin në PS, nuk jemi dakord për sistemit e drejtimit me pushtet absolut. Nuk do ta mirëkuptoja vet krenarinë deri në fodullëk të këtyre “udhëheqësve” pa votues, por fitimtarë podiumesh përballë protestues plot halle në jetën e tyre të përditshme. Nuk do ta mirëkuptoja lodhjen e tyre për solidaritet dhe unitet, qoftë edhe revolucionare brenda PS apo opozitës protestuese.
Nuk e mirëkuptoj dot strategjinë e tyre të fitores të bazuar tek premtimet për gjithçka dhe ndaj kujtdo, me vetëdijen se duhet mashtruar për të fituar. Nuk i mirëkuptoj dot sepse heshtën kur u shkel Kushtetuta e vendit të tyre, heshtën kur ndryshimi i saj u bë në errësirë të plotë dhe në marrëveshje të plotë të dy partive kryesore. Nuk i mirëkuptoj dot kur heshtën për deformimet e mëdha që po pësonte demokracia shqiptare me cenimin e parimeve të kontrollit dhe balancës së pushteteve, por që kishte mirëkuptimin “mbipartiake”. Nuk e mirëkuptoj dot këtë kategori udhëheqësish kur vetpërdoreshin për ta mbajtur të ngritur grindjen brenda forcave të majta politike, ndoshta si rruga më e mirë e mbijetës së ambicjes së tyre për karrierë personale politike sa më të shpejtë. Jam i zhgënjyer nga politikanët që fitoren e shpresojnë më shumë te krizat ekonomike dhe sociale sesa tek avantazhet reale të strategjisë, platformës dhe ekipeve.
Krizat ekonomike si ushqim për kriza politike janë përvoja më e dhimbshme e protestuesve të zhgënjyer. Kostot e rënda të krizës politike rëndojnë sot jo pak mbi taksapaguesit grek, rumunë, hungarez etj. Jo thjesht për të qartësuar këta politikanë të mbisunduar nga euforia e protestave, per për të respektuar më mirë protestuesit, sërish shprehem publikisht se bojkoti i parlamentit duhet të ishte ndërprerë, se opozita parlamentare duhet të jetë detyrim ndaj votuesve dhe mbështetësve tanë, se demokracia nëpërmjet institucioneve është shumë më e plotë dhe shumë më e qëndrueshme se fitoret që ushqehen nga krizat ekonomike dhe që riprodhojnë kriza politike. “Rruga e shkurtër të bie më gjatë” – këshillon mençuria popullore në këto raste.