Etër e bij

0
41

Nga: Kiço BLUSHI

Po të bësh një anketë me të rinjtë e sotëm: Është më mirë ta kesh babain të vogël apo të madh (d.m.th, me pushtet)? Fakirfukara apo pasunar? Në katund apo në kryeqytet? Biznesmen apo bujk? Të famshëm e të fortë apo anonim? Me siguri shumica do të zgjidhnin e do të kërkonin një me pushtet, një biznesmen, një famëmadh me para, qoftë ky edhe trafikant…Një baba i ndershëm, i pazoti të sigurojë mirëqenie nuk mund të krahasohet në parapëlqim me një baba që rrëmben prona, që ka pushtet, që nuk do t’ia dijë as për norma morale e as për broçkulla drejtësie…

Shoqëria shqiptare e për pasojë edhe institucioni i familjes janë vënë tashmë nën thundrën e kësaj dileme, më sak, të kësaj theqafje së cilës askush nuk i jep dot dum, shpjegim e përgjigje; le më pastaj të kërkohet ndonjë zgjidhje për paqe e harmoni sociale, ndonëse prej së këndejmi, pra prej modeleve të baballarëve burojnë përditë konfliktet, sherret, grindjet, pabarazia, tensioni, padrejtësitë, madje edhe krimet e pashembullta kur babai vret në gjumë të birin e kur nëna flak tre fëmijë në rrugë, që të shkojë në Kosovë për të prostituuar…

Nëse faza e parë e njohjes për adoleshentët fillon me imitimin, cili është modeli që i ofrohet rinisë nga shkolla, nga rruga, nga familja, nga ekranet, nga sherr-politika, kur të gjithë janë bërë pis e kur ai që tregohet më bir kurve paraqitet nga të gjithë si më i suksesshmi e më i mençuri?

Nëse në Suedi i biri i kryeministrit u gjet të punonte në një fastfud si punëtor, le të bëjmë një pyetje naive: A është i barabartë tek ne para ligjit, para drejtësisë, po edhe në mundësitë që të ofron kjo shoqëri, fëmija i një minatori të Bulqizës krahasuar me fëmijët e kryeministrit? Pas kësaj vjen pyetja tjetër, edhe më e kolokrepsur: A ka faj babai që mbeti minator e nuk erdhi në Tiranë dhe fëmijët e tij që fati i keq i hodhi në Bulqizë? A ka të drejtë i pari të adhurojë babain, që u bë kryeministër fuqiplotë, ndërsa i dyti ta urrejë e ta mallkojë që as polic trafiku nuk mundi të bëhej në Tiranë, po mbeti në zgafellat e grevës së urisë?

Nëse Zoti na lind të gjithë të barabartë, qeverisja e sotme po bën të pamundurën të na ndajë në klasa, të na bëjë të pabarabartë, të na vërë kundër, jo vetëm nëpër partira e në ndarje të pasurisë kombëtare, po edhe para dilemës vetjake: sot, më mirë është të jesh hajdut apo të derdhësh djersë në tokën tënde? të jesh mercenar, badigard, mis, shoëgërl, apo të shkosh në shkollë? të bashkëjetosh me një të fortë apo të jetosh në kasolle ku as ujë nuk ke? të jesh i fortë e i paturp, të mbjellësh, të shesësh e të shijosh kanabis, apo të dëgjosh babanë që të thotë: shko e kullot lopën?! E pas këtyre mëdyshjeve të thikta nuk i shmangesh dot dyshimit: a duhet respektuar një babë që nuk të siguron mbijetesën, që nuk të blen dot një makinë, po të grind përnatë? Ç’mendon vallë një vajzë në Tropojë a Tepelenë kur sheh në televizor pabet e Tiranës dhe shfaqjet me pullë të kuqe?

Këto pyetje të rrezikshme edhe në një shoqëri normale demokratike, që nuk pat provuar shtetëzimin total bashkë me eksperimentin e barazitizmit ekstrem të diktaturës, do të dukeshin absurde…Edhe në Angli do të ngjanin të tilla, paçka se aty klasat e dallimet klasore e pasurore nuk u rrafshuan me revolucion, aty ku jo vetëm nga veshja, po edhe nga gjuha mund të kuptohet kush i përket shtresës së lartë e kush të ultës.

E megjithatë, në shoqëritë perëndimore, shanset dhe të drejtat janë të barabarta si për baballarët me e pa pushtet, ashtu edhe për fëmijët e tyre. Pavarësisht se janë ruajtur këto shtresëzime në shekuj, nuk mund të përfytyrohet që djali apo nipi i mbretëreshës të guxojë të urdhërojë e madje edhe të kërcënojë shefin e shtabit të përgjithshëm të ushtrisë britanike e ky të shkojë e të ankohet te ambasadori amerikan!…

Në SHBA nuk mund të përfytyrohet që vajzat e Obamës të bëhen më të pasurat e Amerikës, të emërojnë e shkarkojnë, të privatizojnë e të komandojnë ministra, gjykatës e ushtarakë për shkak se babain e kanë presidentin më të fuqishëm të botës! Ndërsa tek ne për njëzet vjet u krijuan jo vetëm dallime të papajtueshme shoqërore, pasurore, por dhe pushtetërore, deri aty sa jo vetëm baballarët, po edhe fëmijët ndjehen të gjithëpushtetshëm pa asnjë meritë, pa derdhur asnjë pikë djerse; ata janë zotër të pabarabartë, të padiskutueshëm e agresivë ndaj shumicës së popullit.

Në asnjë vend tjetër të Lindjes nuk u ndanë pasuritë kombëtare kaq padrejtësisht! Pas njëzet vjetësh ata që nuk patën asnjë trashëgimi, sot janë bërë aq të pasur sa edhe Vërlacët, Vrionët e Toptanët, të marrë së bashku, do të dukeshin mjeranë para tyre! Nëse baballarët e sotëm të kombit nuk ishin trashëgimtarë të ligjshëm, fëmijët e këtyre afendikonjve sillen si trashëgimtarët më “të ligjshëm” e më të pasur të Shqipërisë! Nuk besoj të ketë në qeverinë e sotme ndonjë ministër, me sadopak dinjitet, që të guxojë të kundërshtojë një nga fëmijët e kryeministrit! Zbatimi i thënies së vjetër: bëmë baba të të ngjaj e lë shoqërinë pa të ardhme të sigurt.

Të rinjtë e thirrur në politikë e administratë fatkeqësisht shpesh janë më pa moral e më pa parime se etërit e tyre. Në një shoqëri ku e vetmja meritë që funksionon është: Të jesh bir biologjik apo edhe virtual i një babai me pushtet, zjarret që po shkrumbojnë vendin e që nuk i shuan dot kush, janë hiçmosgjë! Në një vend ku lulëzon dhe imponohet nga Dumbaba “modeli i suksesit Basha” e ku në saje të një sistemi arsimor e kulturor tërësisht të degraduar është mbjellë bindja e përgjithshme dhe e palëkundur se nuk ka asnjë vlerë talenti, përkushtimi, puna, aftësia, pasioni, gara e ndershme, kultura, meritat vetjake, nuk mund të presësh tjetër, veç rrënim, degradim e krim pa ndëshkim si lart edhe poshtë, si dje edhe nesër…Kësisoj nuk ka tjetër rrugëdalje: në të dy anët e hendekut, ndërsa fëmijët e të varfërve detyrohen të sulmojnë me maska e kobure bankat, fëmijët e pushtetarëve pushtojnë bankat…

Ku qëndron dallimi e ndryshimi? Të parët ose ikin për emigrim, ose kapen e mbushin burgjet, ndërsa të dytët nuk ikin në drejtim të paditur, por mbushin pabet e diskotekat…Prandaj nuk duhet besuar ajo që u tha kur u përmbys monizmi: se “Blloku u ça” para njëzet vjetësh, sepse, dreqi e mori, Blloku në të vërtetë është privatizuar! Se qeveria është bërë familje e familja quhet qeveri…demokratike, ku i vetmi ligj-Maliq që zbatohet me rigorizet është pabarazia!

Në fakt, të dy llojet e baballarëve sot për sot janë të detyruar të prodhojnë e dhurojnë, për fëmijët e tyre, vetëm drama të pashmangshme. Shkolla e sotme është pasqyrë e këtij realiteti. Baballarët me pushtet i “vrasin “ fëmijët e tyre duke u deleguar fuqinë e pushtetit, duke u dhuruar të drejtën ta trafikojnë influencën e pushtetit të tyre, ashtu si vepronin baballarët e Bllokut komunist, që për shkak të trafikut të influencës që nisën të ushtronin edhe fëmijët e tyre, zunë të vrasin e të eliminojnë edhe njëri-tjetrin…

Ndërsa sot baballarët me pushtet, bashkë me trafikun e influencës u japin fëmijëve edhe pasuri të tundshme e të patundshme, gjë që e bën “konkurrencën” edhe më të egër e më absurde, pasi, në mos nga droga, fëmijët e tyre asimilohen nga vaniteti, vetëkënaqësia, paaftësia dhe infantilizmi. Të pushtetshmit e sotëm janë të bindur se vetëm paraja dhe pasuria mund të çojë ujët përpjetë, por nuk e dinë se pushteti i pakufizuar të heq mundësinë të paguash për gabimet e tua, sepse edhe gabimet mund t’i blesh; por ama kësisoj nuk ke asnjë mundësi të vetëkorrigjohesh, gjë që do të thotë të jesh i pambrojtur, përherë i kërcënuar e dyshimtar!…

E pra, a e di Berisha që përveç pasurisë, ç’trashëgimi tjetër e ç’borxhe nga vetja po u lë fëmijëve të vet? Po fëmijët e tij, të rritur më së shumti në demokraci, a janë të vetëdijshëm për këtë përgjegjësi e sidomos për trashëgimitë e tyre pa origjinë, po vetëm me trafik influence? Sa, si dhe deri në ç’shkallë mund të lajë e të shpëlajë trashëgimia pasurore trashëgiminë e emrit të zi, të bëmave e borxheve që nuk lahen as me gjak? Kur etër-e-bij janë në të njëjtën mendje e kur përdorin të njëjtat mjete ndaj pushtetit, a nuk do të jenë ata po aq përgjegjës para historisë sa ç’janë edhe fëmijët e Gadafit?!

Në se babai është aq kryemafioz sa kapërcen pa u lagur “gardhin”, kjo nuk do të thotë që të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe bijtë! Në se baballarët e pasur kanë mundësi t’u japin fëmijëve të tyre përveç makinave të shtrenjta, edhe të drejtën për të ushtruar trafik influence, (si në të gjithë Lindjen krerët e lartë vetëdeklarohen thuajse të varfër, sepse pasuritë i kanë në emër ose të gruas, ose të fëmijëve!), ata janë aq mediokër sa “delegimin” “e fuqisë e të pasurisë e çojnë te bij të rritur me vanitet, në kotani, me tapira e diploma universitare të blera, etj, ndërsa baballarët fukarenj i “vrasin” fëmijët e tyre me “burgun” e varfërisë, me ëndrrën për t’u bërë mis ose badigard, sepse nuk ka tjetër rrugë brenda mureve të ngujimit dhe trysnisë së tundimeve që mbeten të parealizuara para reklamave, spoteve, ekraneve me mise e spektakle rrezëllitëse…

E gjithë kjo tablo e zymtë e kontraverse që po përshfaqet me një konfliktualitet të paimagjinueshëm e të papërballueshëm, gjithnjë në rritje, kalon lehtësisht nga drama në tragjedi, së pari brenda familjes e më pas në shoqëri….Sepse politika, e cila nuk e ka kuptuar se thellimi skajor i hendekut mes një babai të pasur e të varfër, i një babai me pushtet të pakufizuar dhe një babai të papunë nuk mund të bëjë të lumtur, bashkëjetues e të sigurt as fëmijët e tyre, d.m.th, as të ardhmen e krerëve, le më pastaj të shoqërisë.

* * *

Që në shekullin e kaluar, për shumë breza, kur thuhej “babai” nuk kihej parasysh vetëm ai që “të ka bërë kokën”, por edhe ai që të udhëheq, idhulli, modeli, ai që na drejton me idetë, modën, mënyrën e jetesës e me politikat e tij, ai që në shqip quhet Dumbabë. Para gati 50 vjetësh rinia e Francës e pastaj ajo e mbarë Evropës dhe e SHBA-ve bëri një revolucion që përmbysi shumëçka në mendësinë dhe marrëdhëniet e brezave. Revolucioni synonte e kërkonte që brezat e rinj të kërkonin shkëputje totale nga baballarët, nga pushteti e dominimi i tyre, jo vetëm politik e material, por edhe moral, estetik, filozofik e etik….Në diktaturë as që mund të përfytyrohej një lëvizje e tillë revolucionare, por ja që edhe tani, në demokraci, mjerisht, ka jo pak të rinj, madje edhe breza, me baballarë të pasur e të varfër, me pushtet e pa pushtet, ruralë e urbanë, të cilët, edhe pa i shtyrë kush, thërresin: Rroftë Dumbaba!

Pa ndjekur verbërisht një Dumbabë, nuk mund të bësh e të kesh as pasuri, as karrierë, as emër, as siguri! Vetëm ata “qëndrestarë” që nuk e tradhtojnë Dumbabën janë bërë të pasur, deputetë, ministra, akademikë, të shquar, të mençur, të paprekshëm…!
Ky është dëmi më i madh që i është shkaktuar shoqërisë shqiptare nga baballarët e djeshëm e të sotëm: qëllimisht ata kanë depersonalizuar e demotivuar brezat e rinj, sepse kështu besojnë që hija e tyre do të bëhet më e gjatë e më e sigurt! Ja përse “baballarët e kombit” si në monarki, si në diktaturë, si në këtë gjasme demokraci, dëmi më i madh është sterilizimi, dhe vrasja e shpresës dhe e besimit te brezat e rinj! Prandaj, tek ne nuk ka luftë brezash, tek ne ka vetëm luftë klanesh e tarafesh!