Është shumë me pas dy Shqipëri

0
39

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 04.05.2010

1 maj 2010, ora 13:00. Një varg i gjatë njerëzish kishte lënë pas sheshin “Nënë Tereza” në fund të bulevardit “Dëshmorët e kombit” dhe po ngjiteshin ngadalë drejt qendrës së kryeqytetit.

Dalloheshin katër-pesë flamuj ngjyrë blu të Partisë Demokratike, që mbajtësit e tyre i kishin hedhur në sup si të ishin hunj. Ishte një detaj që fliste më mirë se çdo gjë tjetër për kotësinë e antimitingut të porsapërfunduar. Po ecnin pothuajse kokulur ata njerëz në trotuarin ndanë ndërtesës së Kuvendit të Shqipërisë.

Dukej se i kishte lodhur vapa, pritja në këmbë në sheshin “Nënë Tereza”, ndoshta edhe rruga e gjatë nga kishin ardhur. Ndoshta po mendonin për hallet e tyre në atë oaz të çuditshëm të kryeqytetit, ku forcat politike e kishin zakon prej vitesh të luanin me popull politikën e tyre të madhe! Pse, jo? Unë kisha takuar atë mëngjes disa të papunë nga Lezha, që kishin ardhur “në festë” për të mos ia prishur partisë, edhe pse hallet i kishin më të mëdha se një vit më parë.

Duke sfiduar pa qëllim panikun e forcave të policisë, vargu i njerëzve që po vinte nga festa vijoi në trotuarin para kullave binjake, tangent me çadrën e grevistëve dhe me grumbullin e protestuesve opozitarë në bulevard.

Kishte tension dhe ankth në përqendrimin e oficerëve të rendit. Disa politikanë kishin folur e vazhdonin të flisnin për ekzistencën e dy Shqipërive, njëra që protestonte, tjetra që festonte.

Tani këto “dy Shqipëri”, apo miniaturat e tyre, ishin tani një hap larg njëra-tjetrës. U panë. Me njëfarë keqardhjeje të papërshkrueshme. Pa asnjë mendim të keq. Nuk foli askush as nga bulevardi, as nga trotuari. Por nuk besoj se gaboj nëse shkruaj këtu dialogun e heshtjes mes “dy Shqipërive”:

“Tungjatjeta”! “Tungjatjeta”! “Vapë”! “Mos pyet”? “Ehhh”. “Ditën e mirë”. “Ditën e mirë”.
Ishin bërë shumë parashikime për zallamahinë e datës 1 maj në Tiranë. Vetëm kjo nuk ishte parashikuar. Që “dy Shqipëritë” do të salutoheshin në gjuhën e vjetër të brengës dhe fatit të njëjtë. Sepse nuk ka “dy Shqipëri” popullore. Historikisht “dy Shqipëritë” i kanë krijuar dhe imponuar regjimet politike.

Në diktaturë kishim luftën e klasave, Shqipërinë që shtypte dhe Shqipërinë që shtypej. Në demokraci “dy Shqipëritë” mund t’i krijojë, (por në këtë rast nuk mund t’i imponojë), korrupsioni i ngritur në sistem, që kulmon me manipulimin e zgjedhjeve. Përveçse një atentat ndaj demokracisë, cenimi i zgjedhjeve provokon ndarjen nga lart të shoqërisë.

Atë që në diktaturë e bën lufta e klasave, në demokraci tenton ta bëjë shteti politik, që vendos interesat e pushtetit mbi ligjin dhe liritë. Pikërisht këtu fillon e merr jetë, më saktë fillon të fabrikohet Shqipëria e pushtetarëve, që është gjithmonë, sipas tyre, Shqipëria e vërtetë, Shqipëria që ndriçon, Shqipëria europiane, ndërkohë që Shqipëria tjetër, ajo e opozitës, është një karikaturë, nxirje e realitetit, nxirje e arritjeve, sabotim i ëndrrave e të tjera e të tjera!

Është një paradoks me vete që pikërisht qeveria, që është e duhet të jetë e të gjithëve, flet e para dhe pa doganë për “Shqipërinë e saj” dhe “Shqipërinë e të tjerëve”.

Sigurisht, ka retorikë politike dhe propagandistike në këtë lloj të foluri kodra pas bregut, që e ndeshim edhe në fjalimet e disa opozitarëve. Por, djalli e mori, jo për çdo çështje lejohet të bëhet retorike. Spekulimit i ndalohet hyrja në disa tema delikate. Tema e “dy Shqipërive” është një prej tyre. Ajo kërkon argumentim, maturi dhe seriozitet të madh.

Mund të kishte njëfarë kuptimi të flitet për dy Shqipëri, nëse, fjala vjen, shoqëria dhe partitë politike përfaqësuese do të ishin të ndara, një pjesë me orientim perëndimor, një pjesë tjetër me orientim lindor. Por shoqëria shqiptare është ndër më të bashkuarat në orientimin e saj properëndimor.

Shqipëria është një në aspiratën euroatlantike, njëlloj si në gjuhën që flasin banorët e saj. Shqipëria, ndërkaq, është një në impulset e saj për të fituar kohën e humbu; është një larminë e bindjeve dhe në diferencimet e përligjura; është një kur niset dhe kur ndalet, kur ngrihet dhe kur bie.

Është një në prapambetjen e saj. “Dy Shqipëritë” e 1 majit, që u përshëndetën me shikime kuptimplote të shtunën në trotuarin e bulevardit “Dëshmorët e kombit”, ishin dhe janë padyshim një në krizën ekonomike që po shtrin çdo ditë kthetrat e saj në çdo qelizë të shoqërisë. “Tungjatjeta”! “Tungjatjeta”! “Vapë”! “Mos pyet”! “Ehhh”! “Ditën e mirë”! “Ditën e mirë”!

Nuk ka dy Shqipëri atje ku jeton populli i saj. Por ka dy Shqipëri atje ku prishen zgjedhjet e saj. Është shumë me manipulue zgjedhjet! Është shumë me pas dy Shqipëri, kur ketë që kemi nuk e kemi tamam.