…Është kulturë shqiptare, po çka është kultura shqiptare?

0
75

Zef Ahmeti

Ose në kërkim të kulturës!

I lindur në një nga fshatrat në rrafshnaltat e Maleve të Karadakut në Kosovë, isha i edukuar në një frymë siç e lejonin rrethanat e kohës dhe vendit. I nxitur nga kureshtja dhe ambicionet për të parë jetën perëndimore, kisha vendosur të bëj të pamundurën për ta realizuar ëndrrën, për t`i bërë studimet jashtë vendit dhe jashtë sistemit paralel shqiptar, që vepronte në atë kohë.

Kur për të parën herë u konfrontova me literaturën gjermane, u nxita të lexoj autorë të ndryshëm që flisnin për historinë, kulturën e vendit dhe popullit nga vija unë. Në ato libra të shumtë hasa edhe në (për)shkrime të ndryshme, që i bëheshin «kulturës shqiptare». Kjo provokoi pyetjen që i shtrova vetvetes, për herë të parë në jetën time, se cila dhe çka është «kultura shqiptare», e cila më përfshinte edhe mua? Mbase fillova të shikoj vetën time me syrin kritikë dhe krahasues me botën e re që më rrethonte, asaj perëndimore.

Edhe bashkëkombësit në diasporë flisnin, e flasin edhe sot, për ruajtjen e «kulturës shqiptare» kudo që jetojnë ata. Një ditë, i provokuar nga shkrime të ndryshme që e përshkruanin kulturën e popullit tim, e që unë nuk e njihja, e aq më tepër kurë ajo apostrofohej si e «shqiptarëve», më nxitën edhe më shumë të dal nga vetvetja dhe nga pozicioni i shqiponjës nga lart ta shikoj e përgjoj këtë «kulturë». Mbase bashkëkombësit po vuajnë e harxhojnë shumë energji për ta ruajtur atë. Andaj i thash vetit: çka është kultura shqiptare? Cilën kulturë shqiptare duhet ruajtur? Çka e bën shqiptare «kulturën shqiptare»?

Kush e përcakton, kush e përkufizon këtë kulturë? Cilat janë vlerat që e (për)bëjnë kulturën e popullit tim dhe si sillem(i) unë (ne) me këto vlera dhe brenda këtyre vlerave? Çka provokojnë këto vlera në raport me vlerat e vendeve ku jetojmë? A kanë vlera popujt tek të cilët ne si diasporë veprojmë e jetojmë? Si i shikojmë dhe si i perceptojmë ne këto vlera? Kultura shqiptare a është statike, apo e ndryshueshme?

Për t`iu dhënë përgjigja këtyre pyetjeve, më të saktat e më të vërtetat përgjigje do të ishin ato që ne i japim në mënyrë individuale, pra ashtu si i perceptojmë secili veç e veç. E them kështu duke u mbështetur në faktin se, secili nga ne, para se të thirremi në «kulturën shqiptare», kemi një kulturë individuale, mandej një kulturë të ndikuar nga familja, rrethi, vendi e shoqëria. Mbase edhe vlerat i perceptojmë sipas kësaj rrjedhe. Kështu që emëruesi i përbashkët «kulturë shqiptare» nuk është saktë i definueshëm, meqenëse faktorët historikë, rrethanat e përbashkëta sociale kanë ndikuar e ndikojnë edhe sot.

Filozofë e dijetarë, mendimtarë e shkencëtarë janë munduar të definojnë konceptin e kulturës. Si rezultat kanë përfundimin se, kulturën nuk do mund ta definonin libra e libra të tërë. Dhe sikur do kishte një definicion për kulturën, atëherë edhe ne do kishim mundësi ta definojmë edhe «kulturën shqiptare».

Kështu që kjo fjalë në të vërtetë ka disa kuptime: Kultura e cila (nën)kupton një jetë të mirë, një shoqëri më të avancuar (me veshjet, kulturën e ushqimit/dhe ngrënies, gjuha, interesimi në zhvillimet aktuale të artit etj.), pastaj disa të tjerë e lidhin kulturën me artin, teatrin, muzikën, muzeun, bibliotekën, pra ato elemente që emërohen edhe si »kulturë e lartë«; kultura si koncept historik dhe filozofik për të emëruar një epokë historike (p.sh. »kultura greke«) – këtu kemi të bëjmë me një ansambël që përfshin politikën, ekonominë, të dhënat strukturore-sociale të shoqërisë; pastaj kemi fjalën kulturë për të (për)shkruar një koncept »Humanist-idealist« , e vërteta, e mira, e bukura.

Në bazë të kësaj që e thamë deri më tani, ka shumë të ngjarë që unë nuk mund të identifikohem me një bashkatdhetar timin, i cili për ta arsyetuar veprën a qëndrimin e tij, të thirret në kulturën shqiptare. Po aq nuk mund të pranohen pohimet e përgjithshme të disa (për)shkrimeve që vijnë nga librat e mediat e vendeve mikpritëse të diasporës shqiptare. Dhe kjo për arsyen se, unë, dhe secili nga ne, e perceptojmë e jetojmë, e ndiejmë ndryshe kulturën, jetën.

Zef Ahmeti, St. Gallen, 13.12.2009.