Është koha për të folur ministri Bode

0
35

Preç Zogaj

Preç Zogaj, 10.01.2010

Kushdo që ka parë në televizorë skenën, kur kryeministri Berisha premton në mbledhjen e qeverisë dëmshpërblimin deri në qindarkën e fundit të dëmeve nga përmbytjet në Shkodër, mund të ketë venë re se njëri prej ministrave kishte kapur kokën me duar. Ndoshta ishte një gjest instiktiv i tij në një ditë fatkeqësie për Shkodrën dhe mbarë vendin. Ndoshta kishte hall tjetër dhe nuk kujtohej se në një mbledhje qeverie, në minutazhin që filmohet nga mediat dhe sidomos në momentin e kumtimeve solemne të kryeministrit, nuk është e bukur të bësh sikur po fle, ca më shumë të marrësh kokën në duar si në një gjemë. Mos ishte ai një gjest i llogaritur për të shprehur disaprovimin me kryeministrin? Nuk besoj. Një i huaj edhe mund ta mendojë kështu, por jo një shqiptar.

Gjeste të tilla ministrat dhe zyrtarët tanë zakonisht i bëjnë vetvetiu, pa dashje, me atë përshtypjen apo bindjen e ngulitur se nuk bien në sy dhe nuk shihen kur është kryeministri me ta; ku është Berisha kamerat shohin vetëm atë dhe njerëzit llogarisin vetëm atë. Kjo nuk është një punë kamerash dhe as një magjepsje “primitive” e njerëzve në këtë vend. Është vetë modeli qeverisës që kemi, me një kryeministër-kryetar partie të plotfuqishëm që vendos për gjithçka. Berisha e ka shërbyer kaq shumë pushtetin e njëshit, sa çdo gjë tjetër në kabinetin e tij merret si një lojë.

Megjithatë, kësaj radhe, ministri që kishte lidhur duart në kokë në mbledhjen e parë të qeverisë për përmbytjen, është venë re. Dhe është venë re për një arsye të thjeshtë: shumë sy dhe veshë po kthehen drejt tij, po e kërkojnë, duan ta dëgjojnë, duan të dinë mendimin e tij, jo vetëm për koston reale të përmbytjeve dhe mundësinë reale të dëmshpërblimit e kompensimit, por për shumë çështje të tjera të ngërçit ekonomik-financiar që po pllakos dita-ditës individët, familjet, sipërmarrjen, investimet publike. Ky është ministri i Financave, Ridvan Bode.

Përgjatë mandatit 2005-2009-të, Bode krijoi një përformancë të veçantë si ministër, politikan dhe specialist njëkohësisht. Ai ishte ndër të rrallët, për të cilin të gjithë, edhe kundërshtarët politikë, thoshin pa u menduar dy herë: është në vendin e duhur. Suksesi më real i qeverisë “Berisha” në mandatin e parë, i pasqyruar dukshëm në të gjitha raportet ndërkombëtare për Shqipërinë, ka qenë i lidhur me mbledhjen korrekte të taksave, me uljen e evazionit fiskal dhe informalitetit, gjë që rriti ndjeshëm të ardhurat në arkën e shtetit. Në polifoton e bashkautorëve të shumtë të këtij suksesi, ka spikatur ministri i linjës, Ridvan Bode. Ia kemi njohur të gjithë, me gëzim madje, meritën e korrektesës. Por, ai ka kënduar gjithnjë më pak se të tjerët në lidhje me atë që për tre-katër vjet është cilësuar “mrekullia fiskale” e Shqipërisë. Ka kënduar më pak për shkak të natyrës së tij flegmatike? Për shkak të fatkeqësisë që ka përjetuar në familje? Apo e ka ditur më mirë se sa disa të tjerë se nuk është e gjitha ar ajo që shkëlqen?
Nuk mund ta di cila është arsyeja e vërtetë dhe nuk ka rëndësi ta di.

Ajo që sot e konstatojnë dhe e pohojnë të gjithë, institucionet e specializuara nëpërmjet analizave dhe qytetarët nëpërmjet xhepit, është ngadalësimi dhe rënia e treguesve kryesorë të zhvillimit ekonomik. Nuk është fjala për një rënie graduale që shpreh kalamendje në një turbulencë kalimtare, por për rënie gati në pikiatë të disa treguesve. Si një shembull domethënës mund të përmendim treguesit e rënies ekonomike sipas INSTAT-it, nga 6 për qind në pjesën e parë të vitit, në 1,7 për qind në pjesën e dytë të vitit. Pra, kur objektivisht, zgjerimi i koalicionit qeveritar me një forcë të majtë si LSI-ja pas zgjedhjeve të 28 Qershorit, pritej të jepte impulse të reja, kemi një mekje të madhe të impulsive të mëparshme, a thua se kjo ekonomi, ekonomia jonë, kishte ngecur si kau në brinjë përpara zgjedhjeve, por kjo, ose nuk perceptohej, ose mbahej sekret, si vdekja e një perandori mongol. Në të vërtetë kriza nuk është pranuar asnjëherë si krizë, por vetëm si postkrizë. Kryeministri ka folur për “cunam” të lënë pas, pa pranuar cunamin kur ka ardhur, a thua se kemi qenë në jerm të gjithë.

Që kemi një qeveri dhe një kryeministër që nuk durojnë më lajmin e keq, kjo është kuptuar me kohë. Që asnjë krizë nuk përballohet pa e njohur në thellësi, me dhëmbë e dhëmballë, edhe kjo është si një e një bëjnë dy. Një kryeministër, siç është ai Maqedonisë, Gruevki, për shembull, dëshmon përgjegjësi dhe seriozitet në sytë e bashkëqytetarëve të vet, kur vlerëson se viti 2009-të ka qenë i keq për atë vend. Dhe të mendosh se Maqedonia, jo vetëm me arritjen e liberalizimit të vizave, por në të gjithë treguesit e zbatimit të ligjit dhe… punimit të tokës shkëlqen e ndriçon më shumë se Shqipëria. E vërteta bën keq në dashuri, por jo në ekonomi.

Në të vërtetë, INSTAT-i mund të këtë fiktive pikërisht shifrën e rritjes 6 për qind në pjesën e parë të vitit. Komentet që ndjekin logjikën e shifrave të këtij institucioni me kredibilete të ulëta, të çojnë në rrugë të gabuar. Por, ajo që dallohet qartë është kjo: gjendja pothuajse stacionare e ekonomisë në këtë periudhë, venit shkëlqimin e saj të deridjeshëm dhe ngre pikëpyetje të mëdha për të ardhmen e saj nesër. Është tamam koha për të folur ministri i Financave, Bode, që de fakto është edhe ministri i Ekonomisë, sa kohë që Ministria e Ekonomisë merret kryesisht me menaxhim asetesh. Ministri Bode nuk mund të mjaftohet me gjestin e vënies së duarve në kokë, kur kryeministri premton shlyerjen e faturës së përmbytjeve. E dimë se ministrit i zien koka që ku t’i gjejë ato para, kujt t’ia marrë, nëse ka mbetur ndokush për t’ia marrë.

Edhe më parë, ai ka bërë gjeste që kanë dashur të frenojnë fluksin e financimeve të papeshuara, financimet në forma beneficesh, financimet me natyrë politike, financimet e paparashikuara apo spontane e të tjera. Në një mbledhje qeverie, ai ka kundërshtuar financimin e rrugës Rrëshen-Kalimash pa projekt tërësor dhe pa fond limit. Ka bërë gjeste të tjera më të vogla të këtij tipi, i ka rënë lehtë në kurrizin e dorës kryeministrit si për t’i thënë: “po mjaft tani, mjaft, s’kemi ku t’i gjejmë gjithë këto lekë”. Por, si përfundim, në dyzimin e tij prej teknicieni dhe politikani, ka fituar politikani, dëshira për t’i zbardhur faqen Berishës. Dhe ka miratuar marrjen e kredive me interesa tregtare, sikurse ka refuzuar koncesione me financim të siguruar.

Deri në njëfarë pike, kjo ka qenë një sjellje e drejtë. Ministri nuk është në detyrë për të lënë në baltë shefin e tij. Le që nuk e lë dot edhe po të dojë. Do të fluturonte qysh të nesërmen. Kjo ka vlerë për periudha normale kur tymi shkon drejt. Por, kur treguesit tronditen, ministri i linjës implikohet. Nuk mund të fshihet as prapa flegmatizmit, as prapa autoritarizmit të kryeministrit. Tani është koha që Ministri i Financave të nxjerrë një hap para anën e tij prej teknicieni dhe të marrë një rol më aktiv në realiconet publike në lidhje me zhvillimet ekonomike-financiare. Ai duhet të japë indikime të qarta për trendin e ekonomisë dhe financave tona gjatë vitit 2010-të. Ai, me stafin e specialistëve më të mirë të vendit, përfshirë edhe ato që njihen si ekspertë të opozitës, duhet t’u thotë shqiptarëve se si do të ndalohet rënia, si do të realizohet ringritja dhe kur. Ai duhet të heqë duart nga koka dhe të shprehet edhe për dëmin e shkaktuar nga përmbytjet. Të dëmtuarit, por edhe qytetarët e tjerë të interesuar, duan të dëgjojnë ministrin e Financave. Heshtja e tij është boshllëku, që nuk mund ta mbushë askush tjetër në qeverinë “Berisha”, rrjedhimisht është një golle ideale për të gjitha mesazhet që përhapin panik në një vend që ka rënë në rrethimin e emergjencave.

Në fakt, qeveria në vendet demokratike është gjithnjë një binom i kryeministrit dhe ministrit të Financave. Kryeministri vjen kryesisht si tribun i shumicës, ministri i Financave vjen për t’i mbajtur llogaritë dhe dorën. I pari ka kryefjalë politikën. I dyti financat. I pari ka prirjen të hapë kantiere shumë e për lumë, i dyti ka parimin pak e sak. I pari premton të hapë qesen si babaxhan kudo ku i shkel këmba, i dyti ka për detyrë të shtrëngojë rripat, sepse tamahu i madh vret të zonë. E kështu pa fund… Nga kjo marrëdhënie ndërbllokuese dalin zgjidhjet e ekuilibruara. Por, kur ekonomia bie në modelin “merr e mor vër”, siç thotë populli, duhen fuqi të reja për ta kthyer në brazdë.

Në këtë kontekst, qeveria jonë, duke e menduar unike në kompozimin e saj si qeveri koalicioni, realisht duhet të jetë Berisha-Bode. Ajo duhet të spikasë si e tillë, veçanërisht tani, duke i dhënë shumë me tepër dukshmëri gjymtyrës “Bode”, si sinonim i ministrit të Financave. Në politikë veprojnë ligjësi kundërthënëse. Vjen një çast kur sa më shumë je mbyllur, aq më shumë je ekspozuar.