Mustafa Nano

Dita kur regjimi po mbrohej me plumba
Emri Fatos Mahmutaj, ndoshta, nuk ju thotë gjë. Edhe unë e kisha harruar si emër. Por u desh një dëshmi e tij shock-uese, që të rikujtohesha për gazetarin e televizionit ABC, i cili u plagos më 21 janar të këtij viti para kryeministrisë, teksa ish duke bërë bërë punën e reporterit. Të gjitha televizionet folën për këtë ngjarje, por televizioni ABC dhe televizioni mëmë Klan nuk e panë të udhës të bënin të njëjtën gjë. Nuk kanë informuar në asnjë moment për plagosjen e gazetarit të tyre. Përsëris: në asnjë moment. E s’mbaron këtu.
Asnjë gazetar i asaj lagjeje nuk ngriti zërin të protestonte as kundër plagosjes së një kolegu në detyrë e sipër, as kundër fshehjes së këtij lajmi. Dhe nuk është se kolegët i ka mërzitur tërbimi opozitar i kolegut të tyre (a thua se kjo do të shërbente si alibi!!!!!). Jo, jo, nuk e kanë ngritur zërin as përpara se Fatos Mahmutaj të nxirrte në shesh “fytyrën e tij prej opozitari” e t’u rrëfente të gjithëve atë që i kishin zënë sytë. Ky është kulmi i përdhosjes së profesionit të gazetarit.
Fatos Mahmutaj nuk është më në Shqipëri. Është larguar. Në mos gaboj, më gjeti para disa javësh online. M’u prezantua si “gazetari i plagosur i bulevardit”, dhe kërkoi të pinte një kafe me mua. Tani që ai ka ikur nga ky vend, më vjen keq për përgjigjen e plogësht, në fakt të poshtër, që i dhashë: “shihemi, këtu jemi”. Dija atë që i kish ndodhur më 21 janar, por nuk dija ato që po i ndodhnin pas kësaj date. I mora vesh sot. Prej gojës së tij. Më saktë, prej penës së tij. Nga vendi ku është, ka shkruar mbi atë që i ka ndodhur pas 21 janarit.
Rrëfimi i tij të ngjeth mishin, dhe është provë e faktit që në Shqipëri është instaluar një regjim i frikshëm kriminal. Mund të mos tronditeni veç në rast se nuk e besoni rrëfimin e tij. E të mos e besosh, do të thotë të jesh nga ai soj njerëzish, që dhunën arbitrare e shquajnë veç kur iu bie mbi kokën e tyre; në mos, don të thotë të jesh pjesë integrale e këtij regjimi që, ashtu si çdo regjimi kriminal, i duhet të bëjë krim pas krimi për të mbuluar krimet e bëra. Ja një copë e dëshmisë së tij:
“Mbremjen e se enjtes se dates 27 isha ftuar ne emisionin “Top-Story” ne Top-Channel. Aty deklarova edhe njehere ate qe kisha pare te ndodhte ne protestat e opozites, duke argumentuar edhe me pamje filmike momentin kur pashe te masakroheshin prej “gardistit te cmendur” jetet e pafajshme te tre personave, ndersa ne 7 te tjeret sic duket nuk e kishim pasur te shkruar te vdisnim aty. Kjo per faktin se plumbat kaluan vetem pak centimetra nga kokat tona dhe na kursyen jetet…..
….. E premtja-homazh e 28 janarit ishte dite e qete per mua. Per t’i paraprire cdo aludimi politik pas asaj qe me kishte ndodhur, vendosa te futesha ne shtepi qe nga mesdita, ende pa nisur protesta, ku nepermjet televizorit ndoqa gjithcka. Paraditen e se shtunes, ndersa ecja pergjate bulevardit kryesor pashe qe ne vendin ku isha plagosur une e vrare tre te tjere, ndodhej grupi i hetimit. I pershendeta prokuroret dhe u tregova shkurtimisht ngjarjen duke ua riprodhuar skenat deridiku.
U ndame duke me premtuar se do kryenin nje eksperiment hetimor, kurse persa i perket sigurimit te deshmise time ne gjykate, funksionaret e organit te akuzes, te pranishem ne vendngjarje me pohuan shprehimisht se ishte e pamundur te realizohej juridikisht kjo gje, pasi prokuroria ishte e pafuqishme te ekzekutonte urdher-ndalimet per gjashte gardistet e akuzuar. Vetem pak dite me pare kisha qene ne prokurori ku m’u desh te denoncoja tentativen e Mjekesise Ligjore per te ndryshuar menyren sesi u plagosa une. Mjaftoi vetem fakti qe une u paraqita ne prokurori qe mjekesia te mos thellonte me tej mashtrimet mbi plagosjen time.
Pas kesaj u drejtova per ne QSUT per te mjekuar plagen, ndersa duke u kthyer me telefonoi nje person, punonjes i policise se Tiranes me te cilin me kishte qelluar qe dy-tri here te isha ulur ne kafe kohet e fundit. Me insistim me kerkoi t’i rezervoja kohen per nje kafe, madje menjehere, pasi ishte shume i zene dhe nuk mund te gjente kohe tjeter. Duke qendruar ne vendin ku e kishim lene te takoheshim, vura re qe ai zbriti nga makina me fytyre te vrazhde dhe pa e zgjatur… me vendosi pistoleten ne brinje. E mora si shaka ne fakt, dhe i thashe t’i linte lojerat, pasi aty mund te kalonte ndonje njeri qe do shihte skenen dhe do e merrte per seriozisht. “Seriozisht e kam”, me tha.
Instiktivisht e pyeta: “Pse?” dhe pergjigja erdhi menjehere: “Per ato qe flet lart e poshte. Ke filluar t’i japesh si shume gojes”. I gjendur papritur ne nje situate te tille, duke pare qe kercenuesi po trembej me shume sesa i kercenuari dhe tashme pistoleta ishte futur te rripi i pantallonave nga pas, e pyeta se cfare kisha folur dhe ku.”E di vete ti se je djale i zgjuar. Ja andej neper ekrane dhe me prokuroret ne rruge”, me tha.
Mesazhin e dha. Duke u larguar nga une skermiti neper dhembe: “Ki kujdes se nuk e ke te gjate keshtu sic e ke nisur”. Nuk po e merrja vesh cfare po ndodhte, por as nuk po gjeja dot se cila ishte arsyeja qe me kishin derguar per te kercenuar nje person qe ne fakt u tremb me shume se une! Nuk e di me cfare nderi do ja kene shperblyer atij veprimin prej kamikazi. Te vetmen rruge qe kisha ato momente ishte te denoncoja ne polici apo te ikja per shtepi. Zgjodha kete te fundit pasi e dija qe denoncimi ne polici do te ishte i kote.”







