Është fjala për frikën!

0
34

Mero Baze

Mero Baze, 09.11.2009

Debati që ka pasuar një ngjarje të shëmtuar, viktimë e së cilës isha unë dhe dy kolegë të mi, po përdoret përditë e më me guxim, për të ruajtur një fitore, që pushteti politik dhe bizneset e kriminalizuar që kanë kapur atë, mendojnë se e kanë arritur.

Është fjala për pushtetin e frikës që po përpiqen të kthejnë në këtë vend, ndaj atyre që provojnë të ngrenë zërin, qofshin këta në media, në gjyqësor, në politikë apo institucione shtetërore.

Unë pashë policë shembullorë nga ata që të dhimbsen në përkushtimin e tyre të sinqertë ndaj detyrës, që turfullonin pse Ministri Lulëzim Basha nuk i lejonte as ti çonin flet-thirrjen e jo më ta ndalonin të kërkuarin .

Unë pashë një zyrtar të lartë të Tatimeve të Shqipërisë, një nga raca e zyrtarëve korrekt në këtë vend, i cili megjithëse pranon publikisht se ARMO ka një vit jashtë kontrollit dhe pa magazinë tatimore, detyrohet të dalë syulur dhe i zverdhur nga frika dhe të bëj autokritikë pse ia rrethoi Uzinën me shirita. Unë kam parë biznesmenë të naftës nga ata që po ngelen rrugëve pa bukë, që të mos hapin gojën për gjëmën që i ka bërë lirisë së tyre ekonomike, privilegji që ka pasur në treg biznesmeni i Familjes Berisha.

Kam parë një Kryetar të Dhomës së Tregtisë të sapo dal nga burgu, që i del në mbrojtje biznesmenit të Familjes Berisha me shpresë se ky i fundit do t’i njoh kredencialet e dyshimta të zgjedhjes në krye të Dhomës së Tregtisë.

Kam parë avokatë mediokër, që besojnë se duke përmendur broçkullat e klientit të tyre për lidhje me Berluskonin do ta shpëtojnë klientin e tyre, ndërkohë që turpërojnë Kryeministrin e një vendi fqinjë perëndimor, i cili po të kishte kriteret e klientit të tyre në raport me shtypin, duhet të kishte vrarë 90 për qind të medias italiane.

Kam parë emeile poshtëruese të dala nga zyrat e tyre që diktojnë kryeredaktorë mediash çfarë titrash të fusin kundër kolegëve të tyre dhe pro të pandehurit. Kam parë koleg të mi gazetarë, të cilët përpiqen të shikojnë dy palë, dy të vërteta dhe dy arsye të ndryshme për ngjarjen e shëmtuar dhe më dhimbsen. Kam parë dhe më kanë telefonuar dhjetra reporterë lokalë, nga ata që jetojnë dhe punojnë në provincë, ku “gojët” e medias praktikisht janë mbyllur dhe askush nuk guxon të prek të ngjashmit lokal.

Më kanë telefonuar dhjetra reporterë të sportit shqiptarë, të cilët praktikisht punojnë, jo më nën urdhrat e botuesve, por nën urdhrat dhe diktatin shpesh të dhunshëm të bosëve të ekipeve, të cilët nën shembullin e biznesmenit të Familjes Berisha diktojnë çfarë do të shkruhet dhe çfarë nuk do shkruhet për sportin në Shqipëri.

Kjo panoramë e zymtë e njerëzve të përulur që i hapin rrugë kultit të frikës në Shqipëri në vitin 2009, është një ogur i keq, por kjo s’duhet të na bëj të ndjehemi të frikësuar.

Mua dhe medias shqiptare po ashtu, nuk na ka ndodhur asgjë për tu frikësuar, po të mendojmë që pas aktit të shëmtuar ne rezistuam dhe e ngritëm më shumë zërin. Mua dhe as medias shqiptare nuk na ka ndodhur asgjë për tu frikësuar, përderisa Presidenti i Republikës u vu në krye të një fushatë inkurajuese për të vrarë frikën dhe për ti dhënë drejtësisë mbështetje që të ndëshkojë aktin e rëndë.

Mua dhe medias shqiptare nuk na ka ndodhur asgjë për t’u frikësuar përderisa vendet perëndimore, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ambasada e Republikës Italiane dhe përfaqësitë e vendet anëtare të OSBE ishin në anën tonë duke na inkurajuar të vazhdojmë të rezistojmë dhe të vendosim standarde të reja për lirinë e medias në Shqipëri.

Mua dhe medias shqiptare nuk na ka ndodhur asgjë për t’u frikësuar përderisa gjithë media Botërore, që nga gazetat lokale deri tek ato më prestigjioze, kanë qenë në anën tonë dhe na kanë inkurajuar të vazhdojmë betejën.

Nëse sot është fjala për “Frikën” që po përpiqen të kthejnë në këtë vend, ne duhet tua bëjmë të qartë se të vetmit njerëz që duhen të kenë frikë janë ato segmente të politikës të lidhura me biznese që po kriminalizojnë sistemin dhe po ngushtojnë të gjitha liritë në këtë vend, që nga liria për të zgjedhur të lirë dhe deri tek liria për të bërë biznes të lirë dhe media të lira.

Por ka një Shqipëri tjetër që nuk trembet prej tyre. Në një vend ku shumë liri po rrezikohen, në një vend ku me arrogancë po mbahen pezull krizat politike, në një vend ku median po përpiqen ta mbajnë si një tigër në kafaz në Kopsht zoologjik, ata duhet të kenë frikë për të ardhmen e tyre.

Në një vend ku një njeri, erret emigrant dhe gdhihet miliarder, në një vend ku në bregdet, nga Saranda në Velipojë, të shfaqen emrat e fëmijëve dhe shokëve të fëmijëve të Kryeministrit frikë duhet të kenë ata për të ardhmen e pronave të tyre të paligjshme.

Debati që pasoi këtë ngjarje të shëmtuar po vazhdon ti ngjaj një betejë midis njerëzve që duan të na thonë se, këtu duhet të sundoj frika dhe njerëzve që thonë se këtu duhet të sundoj ligji. Zoti Berisha lodhet kot me provokimin e këtij debati. Unë thjesht i kujtoj se ka ardhur kohë të ketë frikë nga ligji dhe e ardhmja e pasigurt që po i rezervon vetes dhe të vetëve me këtë sistem që kërkon të na lërë trashëgimi.