Nga Mero Baze, 2 Nëntor 2012
Liraku iku. Flakët e shuara me nxitim dhe panik nga shokët e tij, e dogjën pak nga pak për tri javë, dhe ai nuk është më. Pamja e tij si një pishtar i ndezur zemërimi ndaj heshtjes së qeverisë dhe fyerjes që i bëri Presidenti, do të na shoqërojë gjatë jo vetëm për dhimbjen njerëzore për ikjen e një njeriu, por dhe ngërçin për pafuqinë tonë për ta ndalur vetëflijimin e tij.
Lirak Bejko i vuri flakën vetes disa orë pasi Bujar Nishani i fyeu ata barbarisht, pa qenë nevoja, pa ia kërkuar njeri as më të voglin mendim. Mori patericat, bodigardët, makinat, dhe mllefin e njeriut të vogël aparatçik, që kërkon t’i shërbejë me çdo kusht shefit të tij dhe u ngjit këmbadoras në një studio për t’i fyer. Pasi kishte heshtur për kërkesat e tyre, pasi vetë si Ministër Drejtësie kishte vonuar dëmshpërblimin e tyre, pasi vetë si Ministër i Brendshëm i kishte torturuar për copa letrash të verifikonin burgun e tyre, në fund për t’i bërë qejfin shefit të tij, i fyeu dhe i detyroi të shkonin drejt vetëflijimit. Lirak Bejko, grevisti që hyri në grevë kundër qeverisë dhe vendosmërisë së saj për të mos i dëgjuar, u bë kurban i nevojës së Bujar Nishanit për të qenë ende një kapter i Sali Berishës në presidencë.
Tani Liraku iku. Sali Berisha u tregua i vendosur deri në fund jo vetëm të mos i paguajë paratë e burgut, por as mos ta dëgjojë. Nëna e tij, e cila ka parë me sy vdekjen e djalit të saj mes flakëve, thotë se i mjaftonte dhe një gënjeshtër që i biri të jetonte akoma. Por Sali Berisha nuk ka asgjë në dispozicion për të gjallët. As gënjeshtrat. Edhe ato i përdor për të mbuluar krime, jo për të shmangur krime.
Tani Liraku iku. Bujar Nishani nuk ka më nevojë të marrë patericat, bodigardët, rojet, dhe të ngjitet prapë zvarrë këmbadoras në ndonjë studio tjetër televizive ta fyejë. Nuk i kërkon njeri as të kërkojë ndjesë. Nuk e llogarit njeri për të gjallë, veç Lirakut që kishte mirësinë ta quante të tillë.
Tani Liraku iku. Diplomatët e huaj, që u përpoqën aq shumë ta shpëtonin dhe ta pajtonin me qeverinë, kanë rastin të shikojnë se demagogjia e Sali Berishës po vret njerëz. Vendosmëria e tij për t’i trajtuar ish- të persekutuarit njësoj si regjimi komunist, bëri që ata të shkojnë drejt vdekjes. Ambasadori Arvizu, i cili u mbështet nga Sekretarja Klinton në mesazhin e tij, që nëse qeveria nuk është në gjendje të përballohet me problemet, duhet të iki, tani duhet të mbajë shënim se ky nuk është një vend demokrat ku në këto raste ikën qeveria. Në këto raste këtu ikën populli, ikin qytetarët. Lirak Bejko vdiq, siç tha nëna e tij, se nuk u gjend asnjë njeri, qoftë dhe ta gënjente.
Lirak Bejko iku duke lënë të qetë dhe shoqërinë civile mercenare të këtij vendi, që soditi djegien dhe vdekjen e tij me qetësi. Të vënë në rresht në kazanin e pushtetit dhe të kompleksuar nga halucinacionet e Sali Berishës, ata braktisën indinjatën e atyre që kërkonin thjesht të zbatohej ligji i miratuar për ta. Kërkonin të bisedonin me qeverinë dhe të vendosnin afate realiste për dëmshpërblimet e burgut. Tani janë të qetë nga sikleti në të cilin i vuri Liraku me shokët e vet për të protestuar. Tani le të shkojnë të marrin honorarët tek Sali Berisha dhe të dalin me Jozefina Topallin të protestojnë kundër opozitës, siç bëjnë gjithmonë.
Lirak Bejko iku duke i dhënë fund dhe sikletit në të cilin ishin vendosur shumë ish- të përndjekur politikë, nga ata që po fyhen në liri njësoj si në komunizëm, pasi kanë frikë të ngrenë zërin kundër Sali Berishës. Të indoktrinuar nga dokrrat e një ish- sekretari partie, një pjesë e tyre sot kanë zëvendësuar komunistët e djeshëm, që shikojnë shoqërinë të ndarë në klasa dhe armiq, duke humbur dinjitetin e tyre. Vetëflijimi i Gjergj Ndrecës dhe Lirak Bejkos i vuri në siklet dhe mezi prisnin të mbaronte greva e tyre dinjitoze. Tani mbaroi dhe Liraku. Të rrinë të qetë në sportelet e Sali Berishës dhe të presin lëmoshat e tij për burgun e tyre të djeshëm, që e kishin po peshqesh nga partia e këtij njeriu.
Lirak Bejko sot nuk i bie më qafë askujt. Ka pushuar së jetuari në Itali dhe miqtë e familjarët e vet me siguri që nuk kanë as lekët e varrimit dhe të kthimit të tij në Shqipëri. Lirakut nuk i intereson shumë kjo, pasi e mbylli jetën e vet me dinjitet. Ne, të mbeturit gjallë, por të pakallur, duhet t’i ruajmë atij dinjitetin pas vdekjes. Atë nuk e dogjën flakët e benzinës, por zemërimi ndaj pushtetit që nuk e dëgjonte. E vranë fyerjet e tua Sali Berisha, që i the rrugaç dhe trafikant, e vrau fjala e presidentit tënd gjysmak, e vrau heshtja e shoqërisë dhe pafuqia jonë për t’iu bashkuar zemërimit të tij.
Mbaji lekët e Lirakut Sali Berisha. Përdori për ndonjë biznes të pistë për fëmijët e tu, të shtojnë pasurinë. Mbaji të blesh ndonjë votë a ndonjë opozitar për ta pasur më të lehtë sundimin. Mbaji dhe jepja gruas tënde, që bën sikur ndihmon fëmijë jetimë, por të mos guxojë tu afrohet fëmijëve të Lirakut! Mbaji për t’u hakmarrë ndaj atij që të poshtëroi dhe me vdekjen e vet. Për të marrë hak ndaj vdekjes së tij nuk na nevojitët lek, sidomos aq pak lek sa ti nuk ia dhe pa ia marrë shpirtin. Për t’i vënë në vend dinjitetin atij, ne duhet të të shporrim ty nga aty.







