Ermonela Felaj: Berisha po dublon prokurorinë me policinë

0
36


Nga Luljeta Progni

Berisha po kërkon të dublojë prokurorinë me policinë e shtetit. Ky është mendimi i deputetes socialiste Ermonela Felaj e cila vlerëson se prokuria dhe gjykatat janë nën presionin e mazhorancës demokrate dhe kryeministrit Berisha. Si një prej protagonistëve të opozitës në betejën e akuzave për korrupsion drejtuar ministrave të qeverisë Berisha, Felaj thekson se ka besim se shumë shpejt do të vijë momenti që të zbardhen dosjet e korrupsionit të ministrave të qeverisë Berisha dhe penalizimin e tyre nga drejtësia.

Ajo beson se protestat do të rrëzojnë qeverinë Berisha, pavarësisht se ky aksion i përsëritur opozitës nuk ka sjellë rezultate konkrete deri më tani. Si pjesë e grupit të të rinjve të përfshirë në PS pas zgjedhjeve të vitit 2009, Felaj thekson se nuk ka një betejë në PS midis të rinjve dhe të vjetërve të kësaj partie. Felaj flet me optimizëm për zgjedhjet e ardhshme vendore dhe fitoren e PS, pavarësisht se kësaj here PS hyn në garë pa LSI.

Prej disa ditësh, politika është dominuar nga debatet për prishjen ose jo të godinës së piramidës dhe ndërtimin në vend të saj të godinës së parlamentit…?

Që në momentin që ky debat është çelur, kam menduar se ai është stisur me arsyen e vetme për të tërhequr vemendjen prej problemeve më të mprehta politike dhe ekonomike që ka vendi. Asgjë përveç kësaj që po ju them nuk shpjegon prezantimin e beftë në parlament të projekt-vendimit për ngritjen e kompleksit të ri parlamentar në një kohë kur ende nuk ishte fshirë entuziazmi i znj. Jozefinë për sallën e re të seancave plenare.

Po kështu nuk gjen as dhe një arsye të vlefshme se përse ky projekt nuk u diskutua më parë, e madje kaloi në votim vjedhurazi, aq sa pakkush e mori vesh se për çfarë votoi.

Gjithsesi nuk mund të mohoj se tashmë objekti i piramidës është bërë çështje debati te opinionit publik si për të na provuar dhe njëherë proverbin “hedh një i marrë një gur në ujë dhe turren njëqind të tjerë për ta nxjerrë”.

Këtu s’është thjesht çështja si të shpëtojmë piramidën, por si të shpëtojmë vendin nga i marri, që piramidë mund të shohë tek çdo gjë.

Personalisht jam e mendimit se ky objekt është një dëshmi e kohës, dëshmi e cila vlen të ruhet ashtu sikur bota e qytetëruar ruajti, madje ka kthyer në muze shume prej kampeve të përqëndrimit të Luftës së Dytë Botërore, ku në mënyrën më mizore humbën jetë të milionave njerëzve.

Përsa i përket pjesës së dytë të diskutimit, nëse ky objekt duhet të shndërrohet në Kuvendin e ardhshëm të Shqipërisë apo jo, besoj se u takon për diskutim specialisteve të fushës. E rëndësishme është të tërhiqet ideja apo projekti më i mirë që t’i shërbejë si ruajtjes së këtij objekti që tashmë është një simbol i kryeqytetit ashtu dhe përshtatjes së plotë të tij në funksion të organit ligjvënës të këtij vendi.

Jeni një prej deputetëve socialistë më aktivë në akuzat drejtuar ministrave të mazhorancës për korrupsion, besoni se kjo betejë do të finalizohet me ndëshkimin e abuzuesve, nëse akuzat tuaja qëndrojnë?

Në radhë të parë unë besoj se gjithë ata funksionarë publike që kanë abuzuar me detyrën apo funksionin e tyre, do të ndëshkohen me votë dhe koha për t’ua provuar këtë tanimë është shumë afër. Përsa i përket ndëshkimit ligjor, kjo nuk është më vetëm çështje provueshmërie e faktit të kundërligjshëm, por dhe integriteti, paanësie dhe mbi të gjitha pavarësie që duhet të japë sistemi i drejtësisë në Shqipëri.

Meqenëse ju vini nga radhët e institucioneve të drejtësisë, sa besoni se prokuroria do të zbardhë të vërtetën rreth akuzave tuaja dhe kolegëve të tjerë socialistë drejtuar ministrave dhe zyrtarëve të tjerë të mazhorancës?

Kjo nuk është çështje perceptimi individual. Nëse organet e drejtësise, prokuroria apo gjykata do të përpiqen të ngrihen në nivelin e organit që i bindet vetëm ligjit dhe asnjëherë politikës, patjetër që do të ketë ndëshkim të çdo rasti.

Nga përvoja e deritanishme ka rezultuar se Prokuroria e Përgjithshme nuk ka mundur të finalizojë proceset deri në penalizimin e zyrtarëve të lartë të shtetit shqiptar. A besoni ju te Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama dhe stafi i saj?

Bindja ime është se kjo nuk është çështja e një individi të vetëm apo disa individëve pranë tij. Askush i vetëm nuk mund të zhbëje sistemin.

Eshtë politika ajo që duhet t’i lërë hapësirën e tyre insitucioneve të pavarura kushtetuese si gjykata apo prokuroria. A po ndodh kjo gjë sot?

Absolutisht jo. Qeverisja e sotme po jep modelin më të keq që ka ekzistuar ndonjëherë përsa i përket nevojës për t’i pasur të pavarura këto institucione, për t’i ruajtur ato të tilla përtej çdo ndërhyrje politike.

Sali Berisha po kërkon me çdo kusht që hetimi, ky atribut i rëndësishëm i prokurorisë, t’i kalojë tërësisht policisë së shtetit apo në rastin më të fundit, po kërkon haptas të dublojë këtë organ.

Këto ditë në Komisionin e Ligjeve duhej të diskutoheshin disa ndryshime në ligjin “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, draft, i cili u hoq nga rendi i ditës për arsye që ende nuk na janë bërë të njohura.

Gjithsesi drafti në fjalë është provë e qartë sesi ekzekutivi po kërkon të shtjerë në dorë hetimin, këtë mjet kaq të rëndësishëm dhe të fuqishëm, që të jep mundësi të bësh drejtësi.

Sali Berisha kërkon të ngrejë një strukturë hetimi të integruar brenda Ministrisë së Financave, me qëllim “hetimin më të plotë dhe më profesional” të rasteve të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Kjo që ai kërkon të bëjë është antikushtetuese. Atributet e hetimit përcaktohen me ligj, emërimi në funksione të tilla kalon nëpërmjet Prokurorit të Përgjithshem minimalisht, po kurrsesi nuk mund të ekzistojë një strukturë hetimi që emërohet dhe urdhërohet nga Kryeministri i vendit.

Veç kësaj unë po ju them se kuadri ligjor dhe institucional për luftën ndaj pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit është thuajse i plotë. Që prej vitit 2007 në Shqipëri funksionojnë njësitë “Task Force”, të cilat u ngritën posaçërisht për këto qëllime me asistencë të Komisionit Evropian dhe Departamentit të Drejtësisë të ShBA. Prokurorët dhe hetuesit e këtyre strukturave të reja hetimore, janë trajnuar në ShBA, pikërisht për t’iu përshtatur adoptimit më të mirë të teknikave të reja të hetimit në luftën kundër këtij lloji të ri kriminaliteti. Si mundet që ato që emëron Kryeministri, cilido qoftë, të jenë më te aftë, le të themi se njerëzit e profesionit dhe për të cilët është investuar shumë intelektualisht? Kuptohet qartë, Sali Berishës nuk i mjafton vetëm të qeverisë, por i duhet dhe të bëjë “drejtësi”, kur dhe s’i t’i vijë.

Sa mendoni se Prokuroria e Përgjithshme është e ndikuar apo në presionin e politikës?

Unë gjykoj se prokuroria apo dhe gjykata, meqë puna e tyre është e ndërsjellë, janë nën presionin e politikës dhe sado qoftë ky presion, i madh apo i vogël, kjo do të thotë se ka drejtësi të mohuar, drejtësi të munguar.

Faji për këtë është i qeverisjes së sotme pa asnjë dyshim. Kjo qeveri që dha dhe mbron modelin e vjedhjes së votës, nuk e ka për gjë të të vjedhë edhe të drejtën duke shtypur dhe uzurpuar kompetencat e organeve të pavarura kushtetuese.

Sali Berisha për t’u mohuar drejtësinë 26 të vrarëve në Gërdec, shpiku ligjin e lustracionit, si e si të largonte nga hetimi një prej prokurorëve më të rëndësishëm dhe ia arriti qëllimit.

Sali Berisha kërkoi me çdo kusht të shpëtonte nga heqja e imunitetit Lulëzim Bashën si e si që ky i fundit të mos vihej përballë drejtësisë për vjedhjen më të padëgjuar në rrugën e Kombit.

Sali Berisha i dhuroi mandatin ministrit Mediu, si e si që ky i fundit nëpërmjet imunitetit t’i shmangej drejtësisë.

Sali Berisha ka bërë dhe po bën aq shumë që t’i ketë në dorë gjithë institucionet e pavarura në këtë vend, dhe sot ky është rreziku më i madh ndaj të cilit është ekspozuar demokracia shqiptare.

Kur bëhet fjalë për akuza për korrupsion, keni akuzuar mazhorancën, por edhe nga mazhoranca kanë ardhur akuza mjaft të rënda në drejtim të zyrtarëve të lartë të PS, madje të kryetarit të kësaj partie. Ju pretendoni se akuzat e mazhorancës nuk qëndrojnë në asnjë rast, ndërsa të opozitës ndaj mazhorancës qëndrojnë?

Ato janë akuza të stisura dhe çdo njeri me dy pare mend në kokë e kupton që të akuzosh në mënyrë të tillë është si të bësh të mbyturin të kapet pas një fije kashte.

Sa i përket aksionit politik të opozitës, kryetari Rama tha dy ditë më parë se opozita do t’i kthehet protestave për të rrëzuar qeverinë Berisha dhe për të kërkuar zgjedhje të parakohshme. Besoni se do të mund të arrini këtë objektiv, duke patur parasysh se versioni i protestave duket i ezauruar, madje edhe greva e urisë…?

Ajo që ju e quani version protestash apo dhe greva e urisë, janë ato që mbajnë gjallë prej më shumë se një viti dhe në qendër të debatit në Shqipëri çështjen e zgjedhjeve, çështjen e pasjes së një standardi të munguar, sikur është ai i transparencës së zgjedhjeve. Nëse këto mjete do të ishin të dështura, as ju nuk do të kujtoheshit të ma bënit këtë pyetje.

Tashmë gjithkush e ka kuptuar se zgjedhjet janë vjedhur, se hajduti është trembur dhe prandaj nuk e zhduk provën e vjedhjes.

Çfarë mbetet për t’u ndërmarrë si hap nëse ju dështoni edhe me protestat mbarëpopullore për të kërkuar zgjedhje të parakohshme. Cili do të jetë hapi i radhës?

Protestat popullore nuk kanë dështuar ndonjëherë, përkundrazi historia na tregon se ato gjithmonë kanë trimfuar ndaj padrejtësisë, arrogancës dhe kusarisë.

Të rinjtë e përfshirë në grupin parlamentar të PS po dominojnë prej muajsh daljet në publik të PS, kjo do të thotë se të rinjtë në PS e “mundën” kasën e vjetër të kësaj partie?

Kjo është një ndarje që e bëni ju, se luftën ne nuk e kemi me veten, por me Sali Berishën dhe atë që ai përfaqëson prej 20 vjetësh në politikën shqiptare. Partia Socialiste mbart vlera nga të cilat ne të rinjtë kemi se çfarë të mësojmë.

Ish-kryetari i PS-së Fatos Nano ka paralajmëruar në media se do të kthehet aktiv në politikë, si ju duket ky kthim i ish-kryetarit, apo për ju historia e PS fillon në 2005 dhe s’ju intereson më parë kush e drejtonte këtë parti…?

Historinë për fat nuk e bëjmë ne, as dhe atë të PS. Nëse dikush vendos të merret apo jo me politikë, kjo ka pak rëndësi, në raport me atë që kërkohet të kontribuohet për hir të interesave më të larta të vendit.

Brenda pak muajsh vijnë zgjedhjet lokale, ndërsa PS hyn në këto zgjedhje e ndarë nga LSI. Cilat mendoni se do të jenë pasojat në rezultatin e këtyre zgjedhjeve, duke patur parasysh se krerët e LSI pretenedojnë se të paktën në Tiranë i dhanë fitoren PS, dhe kandidatit të saj Edi Rama?

Më duket absurde sesi duke patur vetëm 4 apo 3 deputetë në Kuvend mund të mendosh se ke 140, gjithsesi zgjedhjet e fundit i treguan qartë PD dhe LSI se PS dhe koalicioni i saj janë më të votuarit dhe pikërisht se ishin më të votuarit prandaj dhe u vodhën zgjedhjet, përndryshe nuk do të ishte aspak nevoja që të numërohej keq dhe shumë keq në 22 nga 66 qendra numërimi, të nxirreshin të dënuar nga burgu, të mos pajiseshin shtetasit me kartë identiteti apo të falsifikohej 70 % e votuesve siç ndodhi në Ruzhdie. Imagjinoni në një bastion të PD, kësaj të fundit i duhet të falsifikojë dhe të vjedhë veten, çfarë ka ndodhur atëherë në gjithë Shqipërinë?!