ERMIRA R. JUSUFI, ME LIBRIN POETIK “SONTE ZEMRA IME FRYMON”…

0
57

Nga: Prof. Murat Gecaj, publicist e studiues-Tiranë

Përmes një mesazhi në FB, mikja poete Ermira R.Jusufi, këto ditë, bënte këtë njoftim të bukur: “Në përkujdesje të “Botimet Muza”, doli nga shtypi Përmbledhja poetike “Sonte zemra ime frymon”. Ky libër është i organizuar në pesë cikle. Ka një “Parathënje” dhe një “Pasthënje”, që i kanë bërë, me shumë përkushtim: Prof. Murat Gecaj dhe Xheladin Mjeku.
Falënderoj nga zemra të gjithë ata, që ndihmuan në përgatitjen dhe përkrahjen morale e materiale, në daljen e këtij libri.
Duke përmbushur synimet, që lexuesit t’ia dhuroj krijimtarinë time, të përzgjedhur në një libër poetik, ju uroj lexim të këndshëm!”

1.
Takimin e parë me poeten e re, Ermira R.Jusufi, banuese në Vushtrri të Kosovës, e pata në kryeqytetin tonë, në muajin prill 2014. Ishim bashkë me krijuesin e studiuesin nga Prishtina, Xheladin Mjeku dhe kolegun e mikun tim, shkrimtarin e mirënjohur Viron Kona. Bëmë biseda të këndshme, kryesisht për librat, që kemi botuar dhe planet për të ardhmen. Sepse kjo është ajo “ura e çeliktë”, që na ka afruar e miqësuar. Ndonëse pak me ndrojtje, në atë “tubim” të vogël, nisi të flasë edhe vajza, që përmenda më lart. Ajo na tregoi, me kënaqësi dhe emocion, se vjershat e shkruara i ka mbledhur në vëllimin me titull “Sonte, zemra ime frymon”, që e kishte të gatshëm për botim. Sigurisht, lexuesi dëshiron të dijë diçka më shumë për tematikën e poezive të saj, si dhe ndonjë veçori, që ato kanë.
Ja, përpara i kam këto poezi, tanimë në librin e ri, që sapo ka dalë nga shtypi, me mbështetjen e Drejtorisë për Kulturën, KK-Vushtrri.

Që nga titujt e poezive të saj, nuk është e vështirë të krijosh një përfytyrim e mendim, se çfarë ka dashur të thotë kjo autore. Së pari, vërehet se shpërthimet e dufit rinor i gjejmë në vargjet e tyre, shkruar me zemrën “zjarr”. Ndjeshmërinë dhe ëndrrën për djaloshin, që ia ka rrëmbyer zemrën, ajo e jep bukur, kur ai i shfaqet papritmas: “Befas më preke në zemër,/as vetë s’e besoja,/ ngacmove rrahjet e saj,/ me ty shpejt u lumturova” (Poezia “Befas, më erdhe në jetë”). Si i thonë shprehjes, “shkaqet ose sebepet” janë të shumta, po Ermira e zbulon këtë gjë në poezinë “Shikimi magjik”: “Sa shumë doja t’i puthja sytë,/por nuk kisha guxim atë natë;/ gjatë më shikoje në bebëza,/unë perëndoja në atë shikim të zjarrtë”. Të vërtetën jetësore për dashurinë, ndaj djaloshit të saj, ajo e shprehë edhe në poezinë me titullin “Frymëzimi intim”: “Te ti gjeta shumë lumturi,/ fuqishëm më preke në jetën intime./Vetëm ti ke mbetur aty,/ përfundimisht, mbylla zemrën time”. Kështu, së bashku, ata ecin të sigurtë në udhët e gjata të jetës: “Të lumtur ecim në hap me jetën/ dhe drejt në sy e shikojmë të vërtetën./ Pra, vërtet, kush është fajtor,/ për këtë dashuri: unë apo ti?” (Poezia “Enigmë dhe faj”).
Por jeta i ka të gjitha, pra nuk shkon çdo gjë si në “vaj”. Prandaj edhe kur është në pesimizëm e shqetësim, poetja e thërret në ndihmë besnikërinë e njeriut të zemrës së vet: “Sonte, zemra ime frymon/ në krahërorin tënd të dashurisë,/ dua që shpirti im të dëshmojë/ natën shekullore të lumturisë”. E, me sytë hapur, por edhe në ëndërr, ajo dëshiron që çdo gjë të jetë e vërtetë dhe realitet i prekshëm: “Të ëndërroj shumë shpesh,/ nga ëndrra e tillë të mos zgjohem kurrë!/ Gjithmonë pranë, si në ëndërr, të dua./ Vallë, a është e mundur, të ndodhë kështu?” (Poezia “Ti je jeta ime”).

2.
Por nuk është vetëm kjo tematika e poezive të Ermirës. E lindur pikërisht në datën, kur të gjithë shprehim ndjenjat e pastra dhe të çiltëra të dashurisë ndaj nënave e motrave tona, vërtet ajo gëzon për këtë përputhshmëri, por dhe është mjaft e pikëlluar. Sepse, ka vite që asaj i mungon kjo dashuri, nga humbja përgjithnjë e nënës së paharruar. Plagën e hapur në zemrën e saj, ajo është përpjekur ta “shërojë” sadopak, duke i thurur vargje shpirti dhe me mirënjohje të pakufishme. Këto ndjenja i ka shprehur bukur edhe në gjashtë strofat e poezisë “Mesazh, për jetë e lumturi-Triptik për Nënën, në kujtimin e saj të përjetshëm”. Ndër të tjerat, ajo shprehet: “Çdo ditë e nisi me lotë në sy,/ çdo ditë i njomi faqet me lotë,/ çdo ditë e ndiej mungesën tënde,/ çdo ditë lutem vetëm për ty”. Më tej vijon: “Rrotull botës do t’i bie, që të shoh me sy,/ e shoh si na rritet dashuria për ty”. E, në mëndje përherë i rrinë fjalët-mesash të fundit, nga nëna e saj, kurrë e harruar: “Jetën e lumtur, me zemër ta uroj!” Është domethënëse, që poetja Ermira Jusufi ia kushton tërë këtë libër. Pikërisht nënës së saj, me këto fjalë: “Në kujtim të përhershëm nënës Ajshe, që është frymëzim për jetë dhe krijimtari. Autorja”.
Po, ndjenja të tilla përjeton Ermira edhe për njerëz të shquar të Kombit tonë. Në organe të ndryshme shtypi, në Kosovë, Shqipëri e në Internet, por dhe në një përmbledhje me poezi të autorëve të ndryshëm, është krijimi i saj i bukur, kushtuar kujtimit të këngëtares së madhe, Vaçe Zela. Në pesë strofa të poezisë “Zëri, që jehon në shekuj” dhe “që Atdheut ia shton krenarinë”, sikur e bashkon mendimin e të gjithëve, për përjetësinë e saj: “Këngën ngriti në majë të vlerave,/ se vlera ishte vëtë,/ zëri i saj shpërthen qiellin,/ legjendë mbetet përjetë!” Sigurisht, kanë patur të drejtë, kur disa lexues janë shprehur për këtë poezi të frymëzuar, ndër të cilët janë: Xheladin Mjeku, Remzi Bajraktari, Delo Isufi Seraj, etj.

3.
Ermira R. Julsufi ka lindur në një datë simbolike, për nënat dhe femrat, në përgjithësi, pra më 8 mars 1983, në Vushtrri të Kosovës. Pas mbarimit aty të Gjimnazit “Eqrem Çabej”, vazhdoi studimet për histori, në Universitetin e Prishtinës. Gjatë tërë atyre viteve ishte aktive në jetën letrare, duke shkruar e paraqitur krijimet e veta në klube të tillë dhe në emisione të ndryshme kulturore të radiove lokale. Sidomos në kohët e fundit, krahas punëve dhe detyrave tjera, është kthyer me përkushtim ndaj veprimtarisë krijuese. Këtë gjë e shohim me poezitë e publikuara në gazeta e revista të ndryshme dhe në rrjete sociale, që merren me veprimtarinë krijuese letrare. Të tillë mund të përmendim: “Nacional”, “Bota Press” e “Dituria”(Suedi), “Metafora” (Prishtinë), “Ora shqiptare”, “Klubi i shkrimtarëve shqiptarë në botë”, por dhe në “Drita”, “Poezia ime”, “Zemra shqiptare” (Oxford) etj. Sigurisht, një vëllim poetik, për të cilin folëm më lart, nuk është shumë.Por, kur ai na “paralajmëron” për një udhë të gjatë në krijimtarinë e një autoreje, siç është edhe Ermira R.Jusufi, na bën optimist. Prandaj kemi detyrimin miqësor t’i urojmë asaj që të mos ndalet asnjëherë dhe, gjithnjë e më mirë, ta shtojë sasinë e botimeve dhe ta përsosë më tej mjeshtërinë e vargut poetik. Populli e shprehë bukur këtë gjë: “Dita e mirë, duket që në mëngjes”. Urojmë që të jetë kështu edhe për këtë krijuese të re!…

…Në ato ditë të prillit 2014, pashë se Ermira, përveç mesazheve të mëparshme, drejtuar ne një grupi miqësh, na kishte bërë në Facebook një “përshëndetje” tjetër, të bukur dhe të sinqertë, nga vendlindja e saj. Ajo publikonte aty poezinë e frymëzuar, kushtuar vizitës së parë në kryeqytetin tonë, me titullin kuptimplotë, “Ishte ëndërr, Tirana…”. Duke e falënderuar përzemërsisht atë, po shënoj këtu vetëm vargjet e një strofe: “Kur shkela në dheun tënd,/ bota më erdhi në pëllëmbë dore./ Takova shumë miq e njerëz të mirë,/ jetës sime iu shtua edhe një fitore…”.

Tiranë, 19 tetor 2015