TemA Online, 14 Qershor 2012
Deputeti socialist, Erion Braçe, ka akuzuar kryeministrin Berisha se është duke falur pasuri të vendit, për klientët e tij politikë dhe ekonomikë. Sipas deputetit socialist, Berisha ka falur 500 kilometra në det, që mendohet se kanë rezerva nafte.
“Sali Berisha po qeras me Shqipërinë, copa të pasurisë së saj, klientët e tij politikë dhe ekonomikë.
Ikin edhe 500 kilometra në det, zonë e menduar me rezerva në naftë.
Pasuria më e madhe e shqiptarëve, NAFTA, po jepet në përdorim të gjithkujt, pa garë-konkurrencë, por më shumë pa transparencë!
Përdoruesit-klientë politikë dhe ekonomikë të Sali Berishës.
Në fund të marsit, qeveria detyroi Kuvendin të vendosë privatizimin e Albpetrol. Qeveria i dha me “listë të bardhe” Albpetrolit dhe privatizuesit të tij, zona të tëra naftëmbajtëse në tokë e në det. Ia hoqi Agjencisë së Burimeve Natyrore- shtetërore kjo, për t’ia dhënë privatizuesit!
Në mes të prillit me një vendim qeveria e Sali Berishës plotësoi “LISTEN C” me zonat naftëmbajtëse kryesisht në det!
Në 8 maj vendimi u publikua në Fletoren Zyrtare, ju bashkëngjit dokumenteve të privatizimit të Albpetrol. Dokumentet i kanë tërhequr deri tani 7 kompani.
Por javën që shkoi, mes raundeve për zgjedhjen e Presidentit, mu në kulm të presionit mbi Sali Berishën, Ministria e Ekonomisë i kërkon qeverise dhe Sali Berishës të vendosë mbi një marrëveshje të re mes Albpetrol “në shitje” dhe një kompania të prezantuar izraelite, por e regjistruar në parajsën fiskale dhe okulte të Qipros.
Qeveria vendosi para raundit të katërt për heqjen nga “LISTA C” të Albpetrolit “në shitje” të një sipërfaqe prej mbi 5000 kilometra katror në det dhe dhënien kompanisë së regjistruar në Qipro!
Ky është skandal! Në shkelje të plotë të ligjit dhe në mes të procesit të privatizimit.
Sali Berisha dhe Ilir Meta duhet të bëjnë transparente këtë proces. Akuza bie mbi ta”, denoncoi deputeti socialist.







