Nga Andrew Whitehead, BBC, 23 Dhjetor 2011
Historiani i njohur Eric Hobsbawm, i ka ndjekur revolucionet e vitit 2011 me shumë gëzim- dhe thekson se tani është klasa e mesme, jo klasa punëtore, që po shkakton valë.
“Është një gëzim i pamasë që të zbuloj sërish se është e mundur që njerëzit të zbresin në rrugë, të demonstrojnë, të rrëzojnë qeveri,” tha EJ Hobsbawm në mbyllje të një viti me trazira revolucionare në botën arabe.
Ai e ka jetuar jetën e tij në hijen dhe shkëlqimin e revolucioneve.
I lindur pak muaj përpara revolucionit rus në vitin 1917, ai ishte komunist gjatë pjesës më të madhe të jetës së tij- po gjithashtu edhe një publicist e mendimtar inovativ e me shumë ndikim.
Ai ka qenë një historian i revolucioneve dhe në atë kohë edhe avokat i ndryshimeve përmes revolucionit.
Tani, në mesin e të nëntëdhjetave, pasioni i tij për politikën reflektohet në titullin e librit më të fundit “Si të ndryshojmë botën”- dhe në interesin e vazhdueshëm për Pranverën Arabe.
“Natyrisht ndjeva kënaqësi dhe çlirim,” thotë ai, duke biseduar me mua në shtëpinë e tij në veri të Londrës.
Librat për jazz-in- ai dikur ka qenë një kritik jazz-i- përzihen në rafte me librat e historisë në disa gjuhë.
“Nëse do ketë një revolucion, ai duhet të jetë pak a shumë kështu. Të paktën në ditët e para. Njerëzit dalin në rrugë, demonstrojnë për gjërat e duhura”.
Por, ai shton: “E dimë se nuk do të zgjasë”.
Historiani brenda tij heq paralele mes Pranverës Arabe të vitit 2011 me vitet e revolucionit në Europë thuajse dy shekuj më parë, kur trazirat në Francë u pasuan nga të tjera në Itali e Gjermani e më përtej.
Demokracitë arabe?
“Më kujton vitin 1848- një tjetër revolucion që u ndez vetë dhe që nisi në një vend e u përhap në mbarë kontinentin në një kohë të shkurtër”.
Për ata që dikur dolën në Sheshin Tahrir dhe tani kanë frikë se çfarë do ndodhë me fatet e revolucionit, ai ka një fjalë për t’i qetësuar.
“Dy vite pas vitit 1848, dukej sikur gjithçka kishte dështuar. Por në një kohë më të gjatë, nuk kishte dështuar. Një marrëveshje e mirë për përparim liberal u arrit. Kështu, ishte një dështim imediat, por një sukses afatgjatë- edhe pse jo më në formën e një revolucioni”.
Megjithatë, me përjashtim të Tunizisë, ai sheh pak perspektivë për demokraci liberale ose për qeveri përfaqësuese të stilit evropian në botën arabe.
“Ne jemi në mes të revolucionit, por nuk është i njëjti revolucion,” thotë ai.
“Ajo që i bashkon është pakënaqësia e përbashkët dhe mobilizimi i forcave- një klasë e mesme moderne, veçanërisht të rinj, studentë dhe natyrisht teknologjia që sot e bën më të lehtë të mobilizosh protestat”.
Rëndësia e medias sociale shtrihet mbi të tjera lëvizje të këtij viti, protestat Occupy në SHBA dhe në Europë. Edhe kjo gjë ka kapur vëmendjen e Eric Hobsbawm dhe në një farë mase edhe admirimin e tij.
Ai argumenton se lëvizjet datojnë që në fushatën për zgjedhjen e Obamës, e cila me shumë sukses mobilizoi të rinjtë inaktivë përmes internetit. Hobsbawm pranon se protestat Occupy nuk kanë qenë masive, por ka një këshillë për të majtën, për të cilën ka punuar dhe ka qenë pjesë e saj.
“Mobilizimet më efektive sot janë ato që nisin nga një klasë e mesme e re dhe moderne, dhe veçanërisht nga trupa e studentëve e tejfryrë. Këto mobilizime janë veçanërisht efektive në vende që demografikisht kanë më shumë të rinj dhe gra në popullsinë e tyre, ndryshe nga Europa”.
Një përhapje më e gjerë
Eric Hobsbawm nuk pret që revolucionet arabe të përhapen më tej në botë, të paktën jo si paralajmëruese të një revolucioni më të gjerë.
Më shumë, beson ai, do jetë një nxitje për reforma të tipit të viteve ’80, siç ishte lëvizja e të rinjve dhe klasës së mesme në Korenë e Jugut për të marrë pushtetin nga ushtria.
Nga dramat politike që po luhen në botën arabe, ai dëshiron të theksojë pikërisht krahasimet me revolucionin e Iranit në vitin 1979, i pari revolucion që foli me gjuhën e Islamit.
Një aspekt i tillë ka gjetur jehonë së fundmi në botën arabe.
“Njerëzit që kanë bërë lëshime për Islamin, por që nuk janë vetë islamikë, janë marxhinalizuar. Dhe kjo përfshin reformatorët, liberalët, komunistët. Çfarë del nga kjo ideologji masive nuk është ideologjia e atyre që nisën demonstratat”.
Ndërsa Pranvera Arabe i ka sjellë atij gëzim, ky është një aspekt për të cilin ndjen keqardhje dhe e sheh si një zhvillim të papritur dhe jo të mirëpritur.