Erdogan kapet ‘mat’ me miliona

0
44

Express, 25.02.2014

Kryeministri turk është në vështirësi pas publikimit të një telefonate të regjistruar mes tij dhe të birit Bilal, ku i kërkon fshehjen e miliona eurove që i ndodheshin në shtëpi. Fill pas zbulimit të saj, opozita turke kërkoi dorëheqjen e Rexhep Taip Erdoganit.
“Kryeministri turk i njollosur nga vjedhjet dhe ryshfeti duhet të japë menjëherë dorëheqjen. Turqia nuk mund të përparojë duke mbajtur këtë peshë mbi kurriz”, deklaroi Haluk Koç, zëdhënës i Partisë Republikane të Popullit.

Në materialin e regjistruar dëgjohet një zë që tregon mënyrën se si mund të reduktohen fondet, duke i shpërndarë ato tek disa biznesmenë. Zëri tjetër, më pas dëgjohet të thotë se 30 milionë eurot duhet të sistemohen.
Reagimi i kryeministrit turk ishte i menjëhershëm. Ai e quajti materialin e regjistruar si fals dhe “një sulm të pabesë”. Përmes një deklarate të hënën në mbrëmje ai tha se “ata që kërkojnë të krijojnë këtë komplot të ndyrë, duke vënë në shënjestër kryeministrin e Republikës së Turqisë do të japin llogari përpara ligjit”.

Shefi i ekzekutivit turk zhvilloi mbrëmjen e së hënës një takim me kreun e Shërbimeve Sekrete dhe të martën u tha deputetëve të partisë së tij se “regjistrimi ishte një montazh i shëmtuar dhe një sulm personal kundër tij”.

Biseda telefonike e cila nuk mund të verifikohet në mënyrë të pavarur, është regjistruar në muajin dhjetor, kur disa aleatë të kryeministrit u burgosën pas hetimit për korrupsion. Analistët dhe vëzhguesit thanë se hetimet paraqitën sfidën më të madhe për Rexhep Taip Erdognin, gjate 11 viteve në pushtet, në prag të zgjedhjeve lokale të Marsit.

Kryeministri turk akuzoi ish-aleatin, akademiku mysliman Fetullah Gylen, që sipas tij synon të formojë një shtet paralel në Turqi”.
Mëngjesin e së martës në Youtube, “telefonata” kishte marrë 1.5 milionë klikime në më pak se 24 orë.