Erdhi ora që populli të marrë në dorë fatin e tij!

0
23

Dua votën time

Qindra mijëra qytetarë ju përgjigjën më 20 nëntor ftesës së Partisë Socialiste dhe partive të tjera aleate, për të mbushur Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në një protestë maratonë për hapjen e kutive të zgjedhjeve të 28 qershorit. Protestuesit do qëndrojnë përpara Kryeministrisë për tre ditë dhe 2 net rresht, derisa të plotësohen kërkesat e vendosura prej më shumë se 100 ditësh nga ana e opozitës.

Më poshtë fjala e Kryetarit të opozitës Edi Rama, në protestë:

Sot jemi në këtë bulevard të “Dëshmorëve të Kombit”, më të shumtë se kurrë. Sepse sot më shumë se kurrë duam të tregojmë që e duam Shqipërinë si gjithë Europa.
Sot më shumë se kurrë duam të provojmë, se liria e votës dhe e drejta për numërimin e ndershëm të saj, janë për ne një liri dhe e drejtë që nuk blihet, nuk shitet, nuk negociohet.

Sot më shumë se kurrë duam të refuzojmë vazhdimin e historisë së zgjedhjeve pa standarde europiane në Shqipëri, që zgjasin historinë e qeverisjeve pa standarde europiane për Shqipërinë, që zvarrisin shqiptarët në rrugët e një jetë pa standarde europiane brenda Shqipërisë.

Kjo nuk është një luftë për pushtet, po një betejë për dinjitet.

Dua votën time

Një betejë për drejtësi.

Një betejë për liri e të drejta njerëzore, që nuk na i jep dhuratë dhe as na i merr dot peng pushteti i radhës. Një betejë për demokraci në jetën shqiptare që duhet të ketë në qendër qytetarin jo pushtetarin.

Sot më shumë se kurrë ne kundërshtojmë që shteti i të gjithëve të jetë mjet përfitimi në duart e disave.

Sali Berisha u ankua mbrëmë nga kutia e mbyllur e Parlamentit se unë po e shaj, duke shpifur për të e për njerëzit e familjes së tij.

E pavërtetë!

Kurrë s’më ka shkuar ndërmend të merrem me jetën personale e me njerëzit e familjes së kujtdoqoftë, as të kundërshtarit politik. Këtë Sali Berisha e ka bërë gjithë jetën e tij si një stalinist i pandreqshëm.
E ka bërë në kohën e diktaturës komuniste, kur ka arritur deri edhe të persekutojë personalisht e të internojë një familje të pafajshme.

E ka bërë edhe më vonë e deri në ditët tona, kur është marrë me gratë, vajzat, djemtë, motrat, nipërit, mbesat, kushërinjtë e çdo kundërshtari që i ka dalë përpara, i madh apo i vogël.

E ka bërë gjithmonë duke e kthyer politikën në një teatër të shpifur sharjesh e fyerjesh pambarim.

Unë vetëm kam thënë dhe e them e do ta them përsëri, me forcën më të madhe, që interesat ekonomike e financiare të familjes së Sali Berishës, po diktojnë qeverisjen e vendit më shumë se sa interesat publike e qytetare të njerëzve të këtij vendi.

Duke thënë këtë nuk po merrem me jetën personale të kundërshtarit, por me konfliktin e përbindshëm të interesit, ku e ka futur qeverisjen e vendit njeriu që e drejton qeverinë në rrugën e interesave të familjes së tij.

Këtë konflikt interesi shkatërrimtar për vendin e tregojnë përditë e më shumë faktet, provat e dëshmitë e kapjes së shtetit e të korrupsionit që po bëhen mal, jo falë fjalëve të mia, po falë bëmave të Sali Berishës.
Nuk janë fjalët e mia, po janë këto fakte, prova e dëshmi, që e ulën botërisht Shqipërinë këtë vit në rangjet e vendeve më të korruptuara të botës, nën Ruandën e Ugandën.

Sali Berisha nuk po qeveris në respekt të Kushtetutës, të ligjit dhe të barazisë së qytetarëve të këtij vendi përpara Kushtetutës e ligjit. Sali Berisha po sundon duke shkelur Kushtetutën, duke thyer ligjin dhe duke thelluar çdo ditë pabarazinë e padrejtësinë në vend për qëllime aspak të fshehura fitimi.

Të gjithë janë dëshmitarë të degradimit të përditshëm të kësaj qeverisjeje në një aktivitet fitimprurës për Familjen në Pushtet.

Konfliktet e rënda të pronësisë që janë zhvilluar në sytë e publikut kohët e fundit, janë vetëm pjesëza të shkëputura të batërdisë që është bërë e bëhet, larg syve të publikut, në llagëmet e pushtetit familjar të Sali Berishës…

Lexo më shumë