Nga Bedri Blloshmi, 27 Tetor 2012
“Nëse tregohesh indiferent
Ndaj vuajtjeve të të tjerëve
Nuk e meriton emrin njeri”
SADIU
E tanishmja na bën të vuajmë tmerrësisht, dhe ne, të dërrmuarit nga sistemi diktatorial dhe vazhdimi i tij me bijtë e baballarëve gjakatarë, na tremb shumë. Ne, nëpër burgjet e diktaturës ishim shumë të shpresuar dhe prisnim të vinte ajo ditë e lirisë, për të cilën u sakrifikuam. Lufta e Ftohtë zgjati shumë, por e arriti qëllimin e vet sepse e shkatërroi kështjellën prej letre të komunizmit. Më pas gjithë satelitët e saj, të mbërthyer me zinxhirë për hunde, e shkatërruan komunizmin gjakatar dhe e hodhën në greminë, përveç Shqipërisë.
Ne dolëm nga terri komunist pa asgjë mbas shpirtit veç me shpresën se do të gjenim veten e do na vlerësoheshin sakrificat për t’u integruar më pas në një sistem të ri shoqëror me drejtim nga perëndimi. Fillimisht u propagandua e u tha çdo gjë kundër komunizmit, aq shumë saqë ne besuam me të vërtetë se ata që thërrisnin e shanin komunizmin, nuk e duan dhe ndryshimi është i sigurt.
Ne nuk e kuptuam dhe nuk e mësuam se ata që thërrisnin më shumë ishin pjesë e komunizmit dhe pjesë e atyre krimeve gjakatare që derdhën gjak shqiptari me anën e luftës civile apo vëllavrasëse. Nuk e dimë çfarë u vendos në Katovicë me Gorbaçovin. Me këtë rast nuk u mashtruam vetëm ne, populli, por dhe përfaqësitë e huaja në vendin tonë dhe kryesisht përfaqësia e SHBA në Tiranë. Z. Rajerson shoqëronte, inkurajonte dhe besonte shumë tek një sekretar partie.
Në vitin 1991, ne të burgosurit politikë prej më shumë se 100 vetë u futëm në grevë urie ku kërkonim të drejtat tona, të ingranoheshin në shoqërinë. Atëherë lëvizi diçka, megjithëse në pushtet ishte gjysma tjetër e Partisë së Punës me kryeministër Ylli Bufin. Në vitin 1992, në 22 mars, sipas porosisë të zv/ diktatorit R. Alia, pushteti i kaloi gjysmës tjetër të Partisë së Punës, që e thërrisnin veten “demokratë”, të cilët na premtuan se do na ingranonin në shoqërinë e sistemin e ri dhe vlerësonin vuajtjet tona se ishin të pakrahasueshme me sistemet e tjera komuniste në Europën Lindore.
Në 1994 ne gjendemi prapë në një grevë urie me të njëjtat kërkesa. Këtë radhë kërciti druri dhe dhuna e njëllojtë si ajo e sistemit të mëparshëm, i vetmi ndryshim ishin aktorët, por me skenarë të vjetër. Shumë nga ne u gjakosën nga duar “demokrate”. Megjithatë u hartua një ligj ku na jepte ca të drejta për shtëpi falas, shkollimin, punësimin, na dhanë dhe ca karta me vrimë. Koha ecte dhe ne prisnim dhe patëm disa ndryshime të vogla. Erdhi revolucioni komunist i armatosur, i cili i bëri gjëmën Shqipërisë më 1997.
Në vitin 2005 portat u ndryshuan prapë, pushtetin e morën “demokratët” ndërsa neve na u ngjall shpresa se meqë i kemi votuar vazhdimisht do ishim pjesë e pushtetit, pjesë e përkrahjes si shtresë e vuajtur siç thoshin ata vetë. Pas 4 vjetëve këta e mbajtën prapë pushtetin, treguan shumë interes dhe i punësuan të gjithë bijtë e komunistëve, bijtë e sigurimit, bashkëpunëtoreve të sigurimit, informatorëve e spiunëve e vrasës janë të gjithë në pushtet siç është rasti i Librazhdit.
Këta bij kriminelësh e spiunësh janë pasuruar në mënyrë marramendëse, kanë marrë prona e ku di unë. Kjo bëhet nën kujdesin e veçantë të sekretarit të partisë. Ndërsa për ne ka ngelur në fuqi urrejtja dhe lufta e klasës. Ky që sundon sot nuk pranon të ulet të bisedojë me ne, që po këta komunistë na vranë e shkatërruan jetën, vazhdojnë e vazhdojnë luftën e klasave me ne. Tek grevistët e urisë erdhi përfaqësuesi i SHBA, vendi kampion i lirisë e demokracisë, vendi që mbjell kudo liri e barazi në gjithë botën z.Aleksandër Arvizu, erdhi z.Sekui, u prononcua Brukseli e plot përfaqësi të tjera.
Erdhën plot përfaqësi për të vizituar grevistët, mbasi grevisti Gjergj Ndreca dhe Lirak Bejko u dogjën në shenjë dëshpërimi dhe guximi. Sundimtarët e sotëm akoma këmbëngulin se nuk duan të ulen me ne, por tregojnë përralla me mbret duke lexuar shifra marramendëse që ne kemi përfituar. Ju them gjithë opinionit brenda dhe jashtë vendit se shifrat e paraqitura nga ministri i ministrisë, që është tek Stacioni i Trenit, janë fiktive, ata e kanë shkelur ligjin me të dyja këmbët.
Duke përfunduar, i drejtohem përfaqësisë të SHBA në Tiranë, z.Aleksandër Arvizu, se duhet të mos na lënë më ne nën eksperimentin 70 vjeçar të komunizmit, na i hiqni nga shpina neokomunistët.
Na e hiqni luftën e klasave, boll e patëm këtë tmerr që na vrau. Burgosi, internoi për 50 vjet me radhë dhe pse? Sepse deshëm lirinë, deshëm pronën, deshëm Perëndimin dhe kryesisht deshëm SHBA, që ne besonim. E duam kapitalizmin, por jo ta ndërtojnë komunistët, bijtë e atyre që derdhën gjak pa masë në këtë vend të coptuar e të lënguar nga plagët që zor se do të shërohen. Detyroji komunistët ta dënojnë diktatorin Enver Hoxha, t’ia heqin titujt dhe dekoratat po qe se nuk e duan. Detyroje parlamentin ta zbatojë rezolutën e KE për dënimin e krimeve të komunistëve. Detyroji të hapin dosjet e b.p. të sigurimit të shtetit. Detyroji që të largohen nga institucionet shtetërore sigurimsat, vrasësit gjakatarë që janë në çdo zyrë e institucion të shtetit.
Detyroji të largohen spiunët e sigurimit vrasësit. Në qoftë se nuk e bëni juve këtë spastrim, askush nuk do ta bëjë.
Megjithatë sensibilizimi si brenda dhe jashtë vendit u bë. U kuptua se si qëndron e vërteta dhe si është trajtuar shtresa e të burgosurve politik. U kuptua qartë se në Shqipëri shkelen ligjet dhe nuk zbatohet asnjëherë. Këtu tregohen të vullnetshëm neokomunistët të mbrojnë vijën e baballarëve të tyre gjakatarë.