Epsh dhe neps

0
82


Nga Enver Robelli

Po lëkundet, por ende s’po rrëzohet. Derisa protestat në Egjipt vazhdojnë, presidenti Hosni Mubarak po përpiqet të qëndrojë në pushtet – së paku deri në shtator, kur pritet të mbahen zgjedhjet presidenciale, në të cilat 82-vjeçari Mubarak nuk do të kandidojë. Kështu së paku ka premtuar kryetari autokrat, i cili tashmë tri decenie ka sunduar Egjiptin me dorë të hekurt, ka shtypur çdo lëvizje demokratike dhe ka përndjekur çdo kritik të regjimit të tij. Perëndimi e ka toleruar regjimin e Mubarakut për shkak se ai ka qenë garant i stabilitetit rajonal dhe i marrëveshjes për paqe me Izraelin.

Nga prizmi perëndimor më i rëndësishëm ka qenë stabiliteti se sa të drejtat e njeriut, ndonëse publikisht politikanët në Washington dhe Bruksel e kanë gojën plot retorikë humaniste. Aleanca me Amerikën ishte tepër e vlefshme për regjimin e Mubarakut: që nga viti 1979 qeveria e SHBA-ve pagoi 60 miliardë dollarë në arkat e shtetit të Egjiptit. Ndonëse Mubarak nuk është parë publikisht duke eksponuar luksin e krijuar nga pushteti, sipas disa burimeve të përmendura në shtypin gjerman pasuria e klanit të tij sillet mes 40 dhe 50 miliardë dollarë, përfshirë shumë patundshmëri në Egjipt dhe mjete financiare në banka të ndryshme në Amerikë dhe në Zvicër.

Mubarak jo vetëm që garantoi paqen me Izraelin, por luftoi edhe mjekroshët islamistë, shpesh, madje, duke e tepruar rrezikun që vinte prej tyre. Në historinë gjashtëmijë vjeçare të Egjiptit vetëm dy sundimtarë kanë pasur pushtetin më gjatë se Hosni Mubarak. Njëri ka qenë Faraoni Pipi i II-të, i cili qëndroi në fron 94 vjet; tjetri ishte Mehmet Ali Pasha (në literaturën gjermane i njohur edhe si Mohammed Ali Pascha), i cili si themelues i Egjiptit modern drejtoi fatet e vendit për 43 vjet. Mehmet Ali Pasha u lind më 1769 në Kavallë të Greqisë së sotme, por familja e tij ishte me origjinë nga Zëmblaku i Korçës. Si sundimtar i Egjiptit ai ka merita të mëdha në formimin e një shtrese udhëheqëse, e cila duke marrë si model Evropën filloi ndërtimin e administratës moderne dhe themelimin e industrisë së orientuar nga eksporti.

Ndryshimet që i nisi Mehmet Ali Pasha në historinë arabe quhen “Nahda”, që domethënë “Rilindje”. I njohur u bë, Mehmet Ali Pasha, jo vetëm me ndërtimin e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik të Egjiptit, por edhe për shkak të luftës së tij shfarosëse ndaj vahabinjve (ekstremistëve islamikë). Udhëheqës i trupave kryesisht shqiptare kundër vahabinjve ishte Ibrahim Pasha, i biri i adoptuar i Mehmet Ali Pashës, i cili kishte edhe katër djem të tij. Në shtator të vitit 1816 Ibrahim Pasha zbarkoi në Janbu, në portin e qytetit të Medinës.

Dy vite më vonë, pas luftimeve të ashpra, ai pushtoi dhe e shkatërroi qytetin Dirija, që ishte bërthama e kryengritjes së vahabinjve. Sot Dirija është një paralagje e Riadit, kryeqytetit të Arabisë Saudite. Trupat e Ibrahim Pashës atëbotë zunë rob shumë prijës fetarë, mes tyre edhe Abdallah ibn Saudin, imamin e vahabinjve. Ai u ekzekutua më 17 dhjetor 1918 në Stamboll pasi ishte dënuar nga një gjykatë për shkak të “korrupsionit mbi tokë”, “përçarjes së myslimanëve” dhe “kryengritjes kundër kalifit”.

Një mbret, pesë mijë femra

Derisa themeluesit me origjinë shqiptare të Egjiptit mbahen në mend si luftëtarë të ashpër, si modernizues të ekonomisë dhe ndërtues të infrastrukturës pasardhësit e tyre tërhoqën vëmendjen e opinionit kryesisht me intriga dhe jetë mondane. Mbreti Fuad I, i cili ishte stërnipi i Mehmet Ali Pashës, sundoi mes viteve 1922-1936. Fuadi u martua dy herë dhe pati shatë fëmijë. Gjatë një grindjeje me vëllaun e gruas së parë ai u plagos në fyt. Pasardhës u bë i biri i tij Faruku I, i cili në vitin 1936 ishte vetëm 16-vjeçar. Ndonëse në fillim monarku i ri ishte mjaft i popullarizuar, ai e humbi emrin e mirë për shkak të paaftësisë për të reformuar vendin, për të demokratizuar sistemin politik dhe për të kufizuar lakminë e tij plaçkitëse. Për shkak të korrupsionit Faruku u hoq nga froni me një grusht shteti i prirë nga oficerët Ali Muhamad Nagib dhe Xhamal Abdel Naser.

Pas shfronësimit Mbreti Faruk iku në Romë të Italisë. Në vitin 1963 publicisti amerikan Michael Stern botoi biografinë e Farukut, në të cilën e përshkruan monarkun si një person tejet dekadent, të pangopshëm, të tmerrshëm dhe të dhunshëm. Fillimi i karrierës në fron kishte qenë i mbarë. Egjiptianët e pëlqenin Mbretin e ri, ai dukej bukur, ishte arsimuar në Britaninë e Madhe dhe premtonte reforma sociale. Politikanë të tjerë nga bota arabe thoshin: “Ai nuk është vetëm Mbret i Egjiptit, por Mbret i të gjithë arabëve”.

Këto shpresa Faruku i zhgënjeu. Sipas biografit të tij Michael Stern ai vuante nga një neurozë, e cila e çorientoi si në jetën private ashtu dhe politikë. Atje ku burri, sipas Sheikut Nefzavi, babait të Kamasutrës arabe, duhej të ishte së paku “një pëllëmbë e gjysmë” i gjatë, Faruku kishte mbetur në nivel fëminor, gjysmë pëllëmbe. Kjo e metë iu shndërrua në kompleks dhe gjithnjë përpiqej që cilësinë ta kompensojë me shumësi. Kur i afrohej ndonjë qyteti a fshati, vetura e tij kuiste si një qen i shkelur; në mëngjes i hante nga 12 vezë përnjëherë; kur luante bixhoz, së pari i hidhte në tavolinë 25 mijë dollarë.

Por, mbi të gjitha, ai ishte i pangopshëm me ushqim dhe me femra. Sipas vlerësimit të biografit Michael Stern gjatë jetës së tij të shkurtër (jetoi vetëm 45 vjet) Faruku pati rreth pesë mijë femra. Pasi me vite ishte frikësuar se do të trajtohej si dështak në shtrat, Faruku njoftoi këngëtaren franceze të klubeve të natës Annie Berner. Ajo ishte vetëm 20-vjeçare kur Mbreti e takoi në klubin e natës “Scarabée” në Kajro dhe e mori me vete në veturën e tij “Cadillac”. Të dy bashkë, të dehur nga epshi, shkuan në një vendparkim veturash, që ishte i njohur si zonë e të dashuruarve.

Rastësi apo jo: po atë natë policia egjiptiane bëri një kontroll në atë rajon me qëllim të përzënies së çifteve. Bashkë me patrullën policore ishte edhe një fotoreporter i revistës “Al-Musavar”. Mbreti i zënë ngushtë ia prishi aparatin fotografit, nxori një pushkë automatike, shtiu disa herë në ajër dhe i përndoqi policët që po e pengonin. Michael Stern shkruan se Faruku kurrë s’e kishte harruar leksionin e parë që atë natë ia kishte dhënë Annie Berner në karrigen e pasme të “Cadillac-ut”: “S’është gjatësia me rëndësi, por mënyra se çfarë bën me të”.

“E dashur, je tepër e hollë”

Sidoqoftë, këtu e tutje, pas takimit me francezen Annie Berner, Mbretit me origjinë shqiptare nuk i interesoi më politika, por vetëm aventurat dhe ushqimi i begatshëm. Formalisht Faruku ishte sovran i popullit, por në realitet ai ishte vetëm sovran i ushkurit. Ai i detyronte shërbëtorët e tij të shkojnë në hotel, t’i zgjojnë nga gjumi stjuardesat e kompanive ajrore perëndimore dhe t’u thonë atyre se Mbreti po i priste në pallat.

Kur aktorja Nadja Gray kishte hyrë në një lokal me të dashurin e saj, Mbreti e kishte ftuar në tavolinën e tij me kushtin: “Madamë, kjo ftesë vlen vetëm për ju”. Kur Mbretëresha greke, Frederike, vizitoi Egjiptin, Faruku hyri në dhomë të saj, fiku dritat dhe iu afrua. Sundimtarja greke e frikësoi Mbreti egjiptian me këto fjalë: “A nuk e patë atë burrin e madh para derës? I veshur me uniformë admirali? Ai është burri im dhe unë e dua shumë”. Faruku u zbeh pak dhe u largua. Njëherë, derisa gjendej në shtrat me një angleze, burri i së cilës kishte shkuar në udhëtim zyrtar, Faruku dëgjoi disa rrapëllima në bodrum.

“O Zot, ky është burri im”, tha anglezja e trishtuar. Mbreti i zhveshur doli në ballkon dhe priti me orë të tëra në shi derisa u gjet një shtegdalje për të ikur. Faruku i trajtonte femrat si lodra. Njëherë kishte shkuar në Qipro, ku e kishte takuar aktoren hebraike Lillian Cohen. Të nesërmen ajo kishte gjetur mbi komodinë 50 funte, por Mbreti tashmë kishte ikur. Njëherë tjetër Faruku e kishte përzënë një franceze nga dhoma e fjetjes me këto fjalë: “E dashur, je tepër e hollë”. Thuhet se monarku kishte një dobësi për femrat e mbajtura mirë.

Lakmia e Farukut ishte e pafundme. Kishte blerë një jaht për 86 mijë dollarë dhe ia kishte shitur qeverisë së tij për 360 mijë; kishte hapur disa xhirollogari në Zvicër dhe bashkë me tregtarë të armëve furnizonte ushtrinë e tij me armë të vjetra, të papërdorshme (fitimet, kuptohet, i fuste në xhep); kur motra e tij Favzia, e cila një kohë ishte e martuar me Shahun e Persisë Muhamed Reza Pahlavi, kishte ardhur për vizitë në Kajro, Faruku ia kishte vjedhur nga valixhet gurët e çmuar të kurorës; në vitin 1944, kur në Johanesburg vdiq babai i Shahut të Persisë, Reza Shah Pahlavi, trupi i tij u soll njëherë në Egjipt, ku iu bënë nderime.

Derisa u përul para kufomës Faruku iu lut shërbëtorë të tij që ta lënë vetëm për pak çaste. Kur arkivoli arriti në Teheran, u zbulua se shpata e artë e Pahlavit mungonte. I zemëruar Shahu Muhamed Reza Pahlavi i tha ambasadorit egjiptian në Teheran: “Thoni Mbretit tuaj se është vjedhës”. Pas heqjes së Farukut nga froni shpata u gjet në bodrumet e tij, ndërsa në pallatin mbretëror në Aleksandri oficerët puçistë hasën në koleksionin më të madh botëror pornografik (fotografi, libra, filma). Me arritjen e Mbretit Faruk në Romë çmimet e prostitutave u shtrenjtuan nga 16 në 32 dollarë!

“Ai ishte një përbindësh”

Më 17 mars 1965 rreth orës 22:00 Mbreti ende sall 45-vjeçar, pasi kishte ngrënë gjashtë (6!) senduiçë dhe katër qese me çipsa, ndali televizorin, vendosi alltinë në brez (Beretta, 6,35 milimetra) dhe doli në qytet – për darkë! Në xhep kishte dy kartëmonedha nga një mijë dollarë dhe dy kuti të arta me tableta kundër shtypjes së gjakut dhe dhembjeve në veshkë. Me 130 kilogramë peshë Mbreti mezi u fut në veturën e tij Fiat 2300.

Pasi kaloi disa çaste te vajza e një taksisti, Faruku shkoi te e përzgjedhura e tij, Annamaria Gatti, 25-vjeçare, trupmbushur, deri-diku e hijshme. Pasi zunë vend në restorantin “Isle de France” në Romë Faruku iu vërsul 12 midhjeve me salcë Tabasco, një kofshe dashi me patate, një sallate dhe fasules. Meqë si mysliman s’pinte alkool, Faruku zbrazi disa shishe me Coca-Cola, pija e tij e pëlqyer. Pas desertit ndezi një puro dhe befas u dridh, sytë i mbetën hapur, trupi i tij ra përtokë si lis. Vdiq nga sulmi në zemër. Nëna e tij tha: “Ai ishte një përbindësh”.

Ai vdiq si thes me dhjamë për shkak të nepsit. Gjatë drekës në tryezën e tij zakonisht shtroheshin gaforre, pula, jahni, kotëletë qengji me patate, bizele, oriz dhe angjinare. Për çdo javë Mbreti Faruk porosiste nga 300 midhje të freskëta nga Kopenhaga në Kajro. Kështu, mes grumbujve të ushqimit, mori fund jeta e Mbretit Faruk, i cili ishte i martuar dy herë; me njërën grua pati tri vajza, me tjetrën një djalë.

Në gazetat perëndimore Mbreti Faruk për herë të fundit u përmend në vitin 2006, kur në Kajro ngordhi breshka e tij vigane. Sipas të dhënave nga kopshti zoologjik breshka kishte 270 vjet dhe ngordhi për shkak të moshës, jo pse kishte imituar padronin e saj gllabërues. Kur kishte shkuar në ekzil në Romë Mbreti Faruk ia kishte lënë breshkën kopshtit zoologjik. Lakmia dhe nepsi i Mbretit egjiptian me decenie u kanë shërbyer si model autokratëve të botës arabe për plaçkitjen e popullit dhe për luks të neveritshëm. Tani kundër tyre po protestojnë shtresat e shtypura – nga Tunizia dhe Egjipti deri në Jemen.