Klasi dhe vlerat e artit të skulptorit Destan Gashi në kulturën austriake të skulpturës.
Nga Pjetër Logoreci
Eshtë hera e dytë që paraqitem përpara lexuesit shqiptar me personazhin Destan Gashi, artistin, gdhendësin e gurit i cili jeton dhe punon në Vjen të Austrisë. Shkrimi i parë ishte një informacion i mirëfilltë për jetën dhe fillimet e karriëres së tij, ndersa në këtë shkrim, dëshiroj ti paraqes lexuesit kulmimet e karrierës së tij të arritur deri më sot, të cilat do ti kishte zili cdo artist perëndimor e që bëjnë krenar cdo shqiptar kudo që jeton.
Një ndër perlat e bukurive e madhështive të Vjenës është edhe pallati Liechtenschtein ose në gjuhën e vendit PALAIS LIECHTENSTEIN, i cili për nga pozicioni i ndertesës, gjindet në qëndër të qytetit, në bashkinë e parë, në një rresht me kryeministrinë, pranë presidencës, ministrisë së jashtëme asaj të arësimit apo asaj të mbrendëshme dhe pranë rezidencës perandorake. Pallati në Bankgasse, është pronë e familjes aristokrate të princave të Liechtenstein-it e ndërtuar sipas stilit Baroque dhe ka filluar të ndërtohet rreth viteve 1691 me kërkesën e Kontit Kaunitz i cili për arsye ekonomike ja kaloi objektin mjeshtrit të ndertimit Enrico Zucallit, skicat e të cilit u zbatuen nga drejtuesi i punimeve Dominico Martinelli.
Pallatin e bleu të papërfunduar Princi Johann Adam I von Liechtenstein në vitin 1694 i cili vendosi ta kishte si residencë qëndrore. Punimet përfunduen në vitin 1705 nga ndërtuesit Gabrieli dhe Martinelli. Ky i fundit projektoi një portal madhështor, i cili ishte i pari objekt i stilit Baroque në Vjenë. Pallati ka në mbrendësi shume apartamente banimi, dhoma të medha ngreniet, zyra, ambiente pushimit, dhoma për të banuar personeli i sherbimit apo sallone takimesh në mes aristokratëve. Një pjesë e madhe e pallatit është llogaritur për të ekspozuar koleksionet me kryevepra artistike të ndryshme që zotëronte familja, të cilat u hapën për miqtë dhe vizitorët e familjes që në fillim të 1705-es.
Foto 1: Pallati Liechtenstein në Bankgasse të Vjenës
Rreth vitit 1807, familja që zotëronte edhe një galeri arti në Vjenë, shpërnguli atje koleksionet e artit duke e lënë pallatin e Bankgasse-s të pabanuar. Në vitin 1836 me ardhjen në qeveri të një pjestari të familjes Princit Alois II von Liechtenstein, pallatit ju bë një rinovim dhe një arredim i mbrendëshëm nga arkitekti anglez Peter Hubert Desvignes (1836 – 1847), i cili ndryshoj shumë pjesë të stilit Baroque nga dekorimet e mbrendëshme. Shumë punime të mbrendëshme si tavane, muret, parketi i dhomave jane punime dore nga mjeshtra shumë të njohur si Carl Leistler apo Michael Thonet.
Pallati u bë shumë i famshëm për elegancën e zbukurimeve të bëra me Kautschuk (atëkohe shume i shtrenjte), Mëndafsh, Fildish, pasqyra kristali, në të gjithë komponentet e tij. Mbas 10 vitesh punimesh restaurimi, pallati u hap me 16 shkurt 1848 duke u inauguru me një ballo shumë të famëshme për shoqërinë vjenese. Për uriozitet për lexuesin, vlera financiare e këtyre punimeve ishte afro 120 milion euro (në atë kohë 4 milion gulden). Që nga kjo rihapje, pallati u bë një ndër objektet më të bukura dhe të preferuara nga shoqeria e lartë në kryeqytet.
Foto 2: Portali hyrës i Pallatit Liechtenstein në Vjenë
Një restaurim rifreskimi e pastrimi të objekteve (më i madhi që është njohur në Vjenë) u bë së fundi nga viti 2008 deri 2013-ten. Pallati kishte nevojë për një aksion të tillë pasi gjatë luftës së dytë botërore ai pat dëmtime të mëdha (një avion lufte ishte rrëzuar në pjesët e shkallëve nga ana Löwelstrasse) dhe atë kohë reparimet ishin bërë sipërfaqësore. Por ajo që ja vlen të përmendet ishte restaurimi i elementeve artistik, si tapicerisë, figurave të ndryshme e skulpturave të vendosura në tavane, kolona apo cepa muresh, të dyshemese, tavaneve dhe të llampadareve, që u riparuan me materiale autentike dhe nga mjeshtrat më në zë të Austrisë.
Foto 3: Salla e ballove ne Pallatin Liechtenstein
Shqiptari Destan Gashi dhe skulptura e tij në Bouquetsaal të Palais Liechtenstein
Ashtu si objektet e tjera, edhe llampadarët e shumtë, kryevepra arti e elegance, të varur në të gjithë ambientet e Pallatit Liechtenstein, ishin shumë të dëmtuar nga lufta e dytë botërore. Disa prej tyre mund të riparoheshin, por disa të tjerë duheshin punuar si të rinj, nga fillimi. Për këtë, punën me llampadarët e mori përsipër firma vjeneze Lobmeyr e cila njihet në të gjithë Austrinë (e më gjërë) për traditen shumë vjecare në punimin e Llampadarëve, në të gjitha format e madhësitë. Duke shfrytëzuar fotot apo skicimet vjetra të objekteve, firma arriti të përshtasë po ato llampadarë që vareshin dikur në tavanet e pallatit të famëshëm.
Pjesë e shumë detajeve përbërëse të ndricuesve ishin edhe dy figura engjujsh në madhësinë e një fëmije të porsalindur, të cilët për fat egzistonin të fotografuar. Arkitekti kurator i familjes së Princit të Liechtenstein-it, pasi u njoh me punën e skulptorit shqiptar Destan Gashi, ngarkoi atë që të krijojë për llampadarët e pallatit princor figurën e ëngjëllit. Përsonalisht pata fatin që të asistoja në shumë faza të punës në atelie, ku ëngjëlli rritej cdo ditë. Meqënëse bidesat në mes mejet dhe skulptorit Gashi silleshin shpesh mbi Kosoven dhe historitë e vështira të popullit tonë, filluam ta thirrnim objektin-ëngjëll gjatë bisedave “Engjëlli i Kosovës”. Pra e “pagëzuam” veprën që më pas do të ishte pjesa më e dukëshme në ndricues si “Engjëlli i Kosovës së lirë”.
Foto 4: Skulptori Gashi dhe Engjëlli i Kosovës i modeluar në baltë
Skulptori Gashi, i cili ishte i ndergjegjëshëm për rëndësinë e kësaj vepre, për “kontratën e ëngjëllit” që lidhej me vlerësimin e artit dhe personalitetit të tij, i kushtoj shumë kujdes dhe i fali veprës të gjitha energjitë e tij shpirtërore dhe emocionale, për ta realizuar në parametrat artistike e kohor të kërkuar nga shtëpia e artit në Vjenë. Në një takim pune në atelienë e Destan Gashit në Himberg, ku një grup nga ekspertët e Palais Liechtenstein me në krye arkitektin kurator, kishin ardhur për të kundruar “objektin e porositur”, kënaqësia dhe mahnitja e ekspertëve nga bukuria e punimit ishte e papërshkrueshme.
Foto 5: Modeli i Engjëllit nga ndricuesit origjinal të damtuar nga lufta…
Foto 6: Engjëlli i përfunduar në baltë
Autori Gashi, me fantazinë e talentin e tij, kishte krijuar pothuajse nga hici një punim artistik që i befasoi të gjithë. Ai kishte arritur që nga një foto pothuajse e pa lexueshme, të kompozojë “Engjëllin e Kosovës së lirë”, që i përmbushte të gjitha kërkesat dhe që e kenaqi pa masë arkitektin porositës. Një moment tjetër i vecantë dhe emocional, për të gjithë ne që ishim të pranishëm, ishte dita e vendosjes të ëngjëllit, të derdhur në bronz, në ndricuesit e sapo montuar. Grupi i madh i specialistëve si nga firma Lobmeyr ashtu edhe nga Pallati Princor Liechtenstein, i silleshin rrotull shumë të kënaqur ndricuesit që varej në oborrin e firmës. U befasova pozitivisht dhe u ndjeva krenar si shqiptar por edhe si miku i artistit, kur pas lavdëve dhe përgëzimeve për bukurinë ëngjëllit e të ndricuesit, dëgjova skulptorin Gashi që po i shprehte një dëshirë arkitektit kurator (punëdhënësit): ….Ju lutem, a mund ta ma plotësoni një dëshirë?…
Foto 7: Engjëlli i derdhur në bronz
– Më thuaj – ju përgjegj arkitekti austriak i befasuar e kurioz në pritje të kërkesës…
– A mund ta vendosni të gdhendur fjalën KOSOVE pranë nënshkrimit tim në miniaturë që do vendoset në këmbën e ëngjëllit? Arkitekti premtoi që do ta shikojë teknikisht në se do mund të plotësohet kërkesa e skulptorit patriot, i cili është një duet i pandarë me flamurin kombëtar e atdheun.
Foto 8: Engjëlli ditën që u vendos në ndriçues
Me datën 13 nandor 2014, dy llampadarët e veshur në ar dhe të ndërtuar sipas origjinalit, zunë vend në sallën me bukuri të rradhë, Bouquet të pallatit Liechtenstein në Bankgasse. Në mes të luksit të sallonit, ku varen vepra të mjeshtrave të mëdhej botëror apo ka objekte zbukurimi nga më të njohurat në botë, varen edhe dy “ENGJUJT E KOSOVES SE LIRE” dalë nga dora e skulptorit shqiptar Destan Gashi. Më pas, gjatë vizitës sime në pallat, pasi i pashë dhe i fotografova ëngjujt (dy llampadarët) shumë të njohur për mue, kërkova të informohem për veprat e artit që përmban koleksioni i rëndësishëm i pallatit të cilat bashkëshoqërojnë veprën e shqiptarit Gashi ndër ambientet më mondane dhe artistike të Vjenës. Më informuan që në koleksionin privat (që gjindesh në pallat), familja princore zotëronte vepra të mjeshtravet Peter Paul Rubens, Rembrandt, Anthonis van Dyck, Lucas Cranach (i vjetri), Frans Hals, Raffael, Friedrich von Amerling, Ferdinand Georg Waldmüller si dhe objekte Badmindton Cabine, një mobilje nga më të cmueshmet në botë e krijuar në Firence në punishten Pietra Dura të familjes Medici.
Edhe pse kisha dëgjuar disa herë fjalët dhe vlerësimet me superlativa, për “krijimin – Engjëll”, drejtuar skulptorit Destan Gashi nga ekspertet e artit të pallatit, sjellja dhe pritja që përjetova ditën e vizitës time aty, më bëri të jem krenar për mikun tim shqiptar që ishte aq i vlerësuar dhe i mirëpritur ndër rrangjet më të larta të koleksionistëve e të eksperteve të artit të Austrisë, pa harruar që dyert e këtij suksesi të papërshkruar ja hapi talenti , dashuria e përkushtimi për artin, bukuria e veprave të dala nga duart e tija…
Foto 9: Salla e mrekullueshme Bouquet ku u vendosën dy ndricuesit me engjujt e Destan Gashit
Foto 10: Ndricuesi me Engjellin e Kosoves se Lire
Foto 11: Dy llampadarët me ëngjujt e Destan Gashit në Bouquetsaal
Foto 12: Pamje e ndricuesve ne Bouquetsaal
Foto 13: Foto e llampadarit
Objektet janë fotografue nga Pjeter Logoreci
Wien, 20.12.2014