Ëndrra të realizuara dhe vetëmashtrime në Ballkan

0
31

Nga Enver Robelli, 16 Dhjetor 2011

Në marshin drejt Brukselit shumica e vendeve të Ballkanit ia kanë zënë rrugën vetvetes. Me gjithë krizën financiare, Bashkimi Evropian nuk do duhej t’ia mbyllte derën rajonit. Por, njëkohësisht Brukseli dhe kryeqytetet me ndikim nuk duhet të shkelin parimet e tyre

1. Vjedhës të deshve?

Më 28 qershor 2014 do të mbushen 100 vjet nga atentati i Sarajevës. Vrasja e pretendentit të fronit austriak çoi në Luftën e Parë Botërore, në humbje të miliona jetëve dhe në shkatërrime masive. Ballkani, jo për herë të parë në histori, u shndërrua në arenë të ballafaqimit të interesave të Fuqive të Mëdha. Serbia, Mali i Zi, Rumania dhe Greqia mbështetën Fuqitë e Ententës (Francën dhe Britaninë e Madhe), ndërsa në anën e Fuqive të Boshtit (Austro-Hungaria, Gjermania) u vendosën Perandoria Osmane në shkatërrim e sipër dhe Bullgaria.

Shqipëria ishte neutrale, mbase edhe për shkak se nuk ishte shtet i konsoliduar dhe drejtohej nga tarafet politike që ndiqnin interesa të ngushta. Mes viteve 1915-1918 Shqipëria u sulmua dhe pjesërisht u pushtua nga Serbia, Mali i Zi, Austro-Hungaria, Italia, Greqia, Franca dhe Bullgaria. Vizatimi i kufijve të rinj në Ballkan, krijimi i shteteve të reja, aplikimi parcial i së drejtës së popujve për vetëvendosje përballë ndërlikimeve etnike, fetare dhe gjuhësore ishte, sipas historianit gjerman Edgar Hösch, “një ankth i rëndë i diplomacisë evropiane”.

Në këto rrethana Ballkani u shndërrua në lodër të Fuqive të Mëdha. Edhe ashtu respekt të madh për popujt e Ballkanit nuk kishte. Disa vjet para luftërave ballkanike dhe Luftës së Parë Botërore kancelari gjerman Otto von Bismarck i kishte quajtur popujt e rajonit me përbuzje “vjedhës të deshve”. Pothuaj e vetëkuptueshme që të tillët, pra vjedhësit, sipas kësaj logjike, nuk meritojnë as shtet, as përkrahje për t’u zhvilluar.

Nocionet “rrethana ballkanike” ose “ballkanizim”, të etabluara në fillim të shekullit XX, u bënë sinonim për një botë arkaike, të prapambetur, të kurthuar në hakmarrje e gjakmarrje fisesh dhe atentatesh politike. Kjo botë dallohej me paternalizëm, klientelizëm, korrupsion, mungesë të rendit publik, keqpërdorim të pushtetit. Mbi të gjitha mungonte një elitë modernizuese, e cila do të kultivonte, me shembullin personal, kulturën e punës, sinqeritetin në angazhimin publik, vetëmohimin për interesat shoqërore. Kështu ishte perceptimi mbizotërues për Ballkanin që nga Kongresi i Berlinit e tëhu.

E si është sot? Udhëheqësit politikë në Ballkan mund t’ia bëjnë qejfin vetes dhe të bërbëlitin për integrime evropiane, për hapa historikë, për ardhmërinë e sigurt në Bashkimin Evropian, por realisht pjesa më e madhe e (para)gjykimeve të lartpërmendura vazhdojnë të jenë të ngulitura në koka diplomatësh dhe politikanësh në Perëndim.

Kjo arrogancë e kishte zemëruar aq shumë gazetarin gjerman Egon Erwin Kisch para një shekulli, saqë në ditarin e tij, gjatë një udhëtimi në Mal të Zi, kishte shkruar: “Ballkani shikohet me përbuzje prej një Ballkani edhe më të tmerrshëm, i cili quhet Evropë”. Klishetë tejet negative edhe sot kultivohen në Perëndim, sidomos në qarqe ksenofobe. Kështu me gjasë synohet të ritheksohet epërsia e civilizimit vetjak. Nga ana tjetër: a nuk ju ngjajnë disa politikanë të Ballkanit të sotëm vjedhësve të deshve?

2. Në Selanik, me sebep

Të gjitha këto fenomene, megjithatë, nuk duhet të mjegullojnë pamjen ndaj së kaluarës së afërt dhe – çfarë është më e rëndësishme – shikimin në të ardhmen. Në fillim të shpërbërjes së Jugosllavisë, Bashkimi Evropian nuk ka luajtur ndonjë rol vendimtar për shkak të mungesës së një politike të përbashkët të jashtme dhe interesave të ndryshme të shteteve të mëdha, siç janë Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania.

Në fakt diplomatët evropianë e kanë nënçmuar potencialin shpërthyes të krizës jugosllave. Duke qenë projekt për sigurimin e paqes dhe zhvillimin e mirëqenies, BE-ja nuk ka qenë një kohë të gjatë në gjendje të ballafaqohet me kriza. Shpesh ndalja e luftës në Maqedoni në vitin 2001 përmendet nga diplomatët entuziastë në Bruksel si sukses i BE-së. E vërteta është se BE-ja s’do të kishte arritur përparim pa përkrahjen e amerikanëve në sfond; të mos flasim këtu për luftërat në Bosnjë (1992-1995) dhe Kosovë (1998-1999).

Por, roli i BE-së në periudhën e pasluftës në Ballkan ka qenë i madh. Pa këtë angazhim Ballkani do të ishte në gjendje edhe më të keqe se ç’është sot. BE-ja në rajon nuk ndërton vetëm shkolla e ura, nuk financon vetëm ndërtime rrugësh, por i vë bazat edhe për një zhvillim afatgjatë paqësor. “Oborri me bërllok i Evropës”, siç quhet ende me përbuzje Ballkani, është pjesë e Evropës, sidomos gjeografikisht dhe pjesërisht kulturalisht. Që ky rajon mes Grazit austriak dhe Selanikut grek do të bëhet edhe politikisht pjesë e Evropës së bashkuar, këtë premtim e kishin dhënë kryeministrat dhe kryetarët e vendeve anëtare të BE-së në samitin e Selanikut në vitin 2003.

Ky premtim kishte shtuar shndritjen dhe fuqinë tërheqëse të BE-së, e cila ende, me gjithë krizën, mbetet atraktive. Pas shumë vjetëve të humbura në luftëra janë pjesët dërmuese të shoqërive përkatëse dhe jo elitat në Ballkan që e duan Evropën e bashkuar. Elitat veprojnë vetëm nën presionin e shoqërive. Këto shoqëri duan një ardhmëri më të mirë, së paku për gjeneratën e re, për fëmijët, të cilët Evropën e njohin vetëm nga televizionet.

3. Nuk ka alternativë!

A kanë vendet e Ballkanit një alternativë karshi Bashkimit Evropian? Aktualisht jo. Dhe në një të ardhme afatmesme jo. Me vite të tëra në Serbi jo vetëm nacionalistët kanë propaganduar një aleancë pansllave me Rusinë. Tani jo vetëm serbët, por gjithë opinioni demokratik botëror është dëshmitar i surratit të urryer të demokraturës votëplaçkitëse të Vladimir Putinit.

Myslimanët e Bosnjës dhe ndonjë politikan shqiptar viteve të fundit kanë shfaqur disa simpati për fuqinë e re rajonale, Turqinë. Përparimi ekonomik dhe ndikimi politik i Turqisë nuk mund të injorohen, por si model ky vend nuk duket i përshtatshëm. Nuk mund të quhet demokratik një vend që arreston gazetarë për shkak të shkrimeve kritike. Nuk mund të quhet demokratik një vend, ku vriten e shtypen pakica për shkak se kërkojnë të drejta themelore njerëzore. Nuk mund të quhet demokratik një vend, i cili refuzon të pranojë si fakt historik gjenocidin ndaj armenëve. E kështu me radhë!

Mbetet, pra, Evropa si alternativë për vendet e Ballkanit. Sllovenia është anëtare që nga viti 2004, Kroacia e nënshkroi javën e kaluar marrëveshjen për anëtarësim. Ky hap historik u bë i mundshëm pas reformave, të cilat duken të pakthyeshme. Pa agjendën e anëtarësimit në BE Kroacia sot do të ishte një vend në dorë të përfituesve të luftës. Serbia, ndërkaq, javën e kaluar u refuzua butësisht: ky vend nuk e mori statusin e kandidatit.

Sidomos pokeri i Beogradit në përpjekjet për kontroll të veriut kosovar të banuar kryesisht me serbë ka irrituar BE-në. Befas presidenti Boris Tadiq, aq shumë i lavdëruar si properëndimor, kërkoi ndarjen e Kosovës, kërkoi madje edhe biseda me Shqipërinë për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, me të cilën, siç ka deklaruar Tadiq, Serbia do të mund të pajtohej.

Qëllimi i Tadiqit ishte t’i fusë edhe shqiptarët në lojën e tij të pokerit për “projekte të mëdha” në Ballkan, ku do të përfshihej edhe copëtimi i Bosnjës. Retorika e Tadiqit krijoi një klimë të egër, në të cilën politikanë të nivelit të lartë si ministri i Brendshëm, Ivica Daçiq, e panë të udhës të kërcënohen me luftëra të reja për “Kosovë e Metohi”. Ngrefosje të tilla si gjeli maje plehu nuk janë të përshtatshme për të fituar simpati në Bruksel. Megjithatë, BE-ja e ka lënë derën hapur për Serbinë: nëse deri në mars Beogradi arrin të krijojë përshtypjen se “është arritur progres” në raport me Kosovën, atëherë ka gjasa që të shpërblehet me kandidaturë.

4. Agjenda 2020

Në rrugëtimin drejt BE-së vendet e Ballkanit, jo vetëm Serbia, i qëndrojnë vetes në rrugë. Serbia me politikën e saj irracionale ndaj Kosovës. Kjo e fundit me papërgjegjësinë, paaftësinë dhe grykësinë kolosale të klasës politike sunduese prapa vitheve të kalit të përmendores së Skënderbeut në Prishtinë, e cila nuk ka asnjë skrupull për të vjedhur votat dhe të mirat e vendit.

Këtu edhe qëndron ngjashmëria e sistemit politik kosovar me atë rus: nuk është diktaturë në kuptimin historik të fjalës, por është larg demokracisë, pra është një lloj demokrature. Fataliteti i Kosovës buron edhe nga mungesa e një alternative serioze politike. Opozita e sotme, me ndonjë përjashtim individual, është më shumë e fokusuar në ruajtjen e privilegjeve të arritura gjatë viteve të fundit se sa në angazhimin për modernizimin dhe demokratizimin e shoqërisë.

Shqipëria vazhdon të jetë peng i kampeve politike, të cilat përlahen si lukuni dhe nuk mund të pajtohen për gjërat elementare që do ta orientonin vendin drejt BE-së. Maqedonia sillet vërdallë jo vetëm për shkak të bllokadës skandaloze greke si pasojë e konfliktit për emër. Nën qeverisjen e nacionalistëve të vegjël dhe të kompleksuar të partisë kinse konservative VMRO ky vend me identitet labil prej vitesh përpiqet t’ia suvatojë vetes një të kaluar antike. Dëshmi për këtë janë gjithë ato emërime dhe përmendore të figurave antike. Bosnja mbetet peng i konfliktit të pazgjidhshëm mes tre popujve – boshnjakëve (myslimanët), serbëve dhe kroatëve.

Marrëveshja e Daytonit ka ndalur luftën, por ajo është e papërshtatshme për ta bërë Bosnjën shtet funksional, sepse çdonjërës etni i ka dhënë në dorë instrumente bllokimi. Këto zakonisht përdoren për inat të tjetrit dhe jo në interes të përgjithshëm. Duket se në rajon më së miri sa u përket integrimeve evropiane qëndron Mali i Zi. Përparësia e tij është gjeografia dhe numri i popullsisë: edhe në këtë gjendje të krizës, BE-ja nuk e ka problem t’i hapë rrugën Malit të Zi, një vendi të madh sa landi i Schleswig-Holsteinit (Gjermani) apo sa Tiroli (Austri). Po ashtu imazhi i Malit të Zi ka ndryshuar pozitivisht pas tërheqjes formale nga pushteti të Milo Gjukanovqit. E kaluara e tij nuk ishte assesi favorizuese për ambiciet evropiane të Malit të Zi.

Shumë dështime e zhgënjime, aty-këtu ndonjë përparim: kështu prezantohet Ballkani në dimrin e vitit 2011. Është me rëndësi që BE-ja përkundër lodhjes duke u zgjeruar të mos heq dorë nga rajoni. Kontinenti do të jetë stabil vetëm atëherë kur popujt e Evropës Juglindore në periudhën afatmesme do të pranohen në BE. Para krizës së euros diplomatët skiconin plane për anëtarësimin e të gjitha vendeve të Ballkanit në BE tamam në 100-vjetorin e atentatit në Sarajevë.

Ky plan kohor u dëshmua si i largët me realitetin, mes tjerash edhe për shkak se shumë politikanë ballkanikë e kanë mashtruar veten dhe popujt e tyre me premtimin se BE-ja do të mbyllë njërin sy dhe të gjitha vendet do t’i pranojë, madje duke ua shtruar qilimin e kuq – përkundër tri problemeve madhore të rajonit, të cilat fillojnë me shkronjën “K”: korrupsion, kriminalitet dhe klientelizëm. Megjithatë, nuk është e ndaluar të ëndërrohet. Numri magjik tani është 2020. Mendohet në vitin 2020! Atë vit në Ballkan do të shënohet një përvjetor aspak spektakular: 100-vjetori i lindjes së Milan Sërdoqit, njërit prej aktorëve dhe komikëve më të njohur jugosllavë. Në Perëndim ai u bë i njohur me figurën Old Wabble, të cilën e luante në filmat me Winnetoun.