Ëndrra e Berishës për “gazetarinë” argëtuese

0
25

Nga Mero Baze, 13 Janar 2012

“Shoh këtu, midis nesh, Ardit Gjebrenë dhe menjëherë fjala në mendje më ndryshon. Fjala e lirë mund të krahasohet vetëm me një gjë, me dashurinë. Më frymëzoi Arditi për këtë, çka do të thotë përkujdesje, përkushtim i madh dhe luajalitet ndaj saj, sepse, ndër të gjitha vlerat e lirisë, asgjë më të rëndësishme nuk ka, kjo është e para”.

E ka thënë Sali Berisha në takimin vjetor me gazetarët. E ka thënë për të treguar se si e kupton ai lirinë e shtypit. Për tu treguar të gjithë gazetarëve se çfarë pret ai prej tyre, i është referuar një prej prezantuesve më të mirë të spektakleve televizive në Shqipëri, të cilat meqë transmetohen në televizione quhet se kanë lidhje me medien. Është fjala për Ardit Gjebrenë. Fjalimi i tij nga fillimi në fund ishte një thirrje që ne ta kthejmë gazetarinë në një spektakël argëtues për të, ashtu siç nuk e bëjmë dot vetëm për mungesë të talentit që kemi për të imituar Gjebrenë, por dhe për shkak të zanatit të ndryshëm që ka një gaztor nga një gazetar.

Është brilante si ironi dhe fyerje për ata që kishte përpara dhe që i buzëqeshnin pa folur ende. Është cinike për ata që presin që kryeministri të ketë një raport të vërtetë me lirinë e medies. Ky raport përgjithësisht përcaktohet jo vetëm nga raportet e kryeministrit apo qeverisë së tij me gazetarinë luajale dhe servile me të, por mbi të gjitha nga raportet që ai krijon me gazetarinë kritike. Këtë kapitull Berisha e ka të mbyllur.

Filip Çakuli, drejtor i ‘Fiks Fare’, Mustafa Nano, Skënder Minxhozi, unë dhe disa kolegë të tjerë kritikë me të, natyrisht që nuk ishim ftuar thjesht për frikën e pakuptimtë që ai ka se mos i shkojmë dhe i rrimë përballë. Gazetaria kritike e ka plakur dhe rrëgjuar më shumë se kushdo këto tri- katër vitet e fundit, qyshkur emri i Familjes së tij u shfaq pas biznesit kriminal të Gërdecit, e më pas gjithë aferat korruptive në këtë vend.

Egërsia e tij ndaj gazetarisë kritike ka rekorde të pashlyeshme. Historia e gazetës Tema dhe sulmet e egra financiare, fizike dhe ligjore mbi të, i ka udhëhequr vetë, duke vënë në siklet dhe ministrat e tij. Sulmet ndaj Filip Çakulit vazhdon t’i udhëheqë vetë, jo më larg se dy ditë më parë në një televizion të vetin. Kaseta që ai ka publikuar një vit më parë e detyroi jo më larg se dje në mbrëmje të mbyllej tri orë duke bërë plane si të shpëtojë nga burgu një hajdut që e ka partner në qeveri dhe të fusë në burg një gazetar që guxoi ta fotografonte.

Një vit më parë ishte Sali Berisha që hapi zjarr mbi tavolinën ku rrinin gazetarët dhe vrau Hekuran Dedën, një qytetar që kish hipur në tavolinën e gazetarëve për të qenë i sigurt nga plumbat dhe plagosi rrezikshëm Fatos Mahmutajn, të cilit meqë punonte në një stacion të qeverisë, guxoi t’i mbyllte dhe gojën duke u tallur se ishte vetëplagosur. Egërsinë ndaj gazetarëve që nuk i ka nën kontroll e rrezaton në çdo segment të qeverisjes, që nga zyra e tij deri tek ushtari më i fundit në çdo skaj të administratës. Për këtë jemi të qartë të gjithë.

Të gjithë mendojmë se ky njeri, që është i vetmi politikan i historisë së Shqipërisë që është futur në listën botërore të Armiqve të Shtypit, ëndërron vetëm gazetarinë servile dhe luajale me të. Por dje ai shkoi më tej. U kërkoi gazetarëve të vet, atyre me të cilën bën luajalin, me plot vetëdije dhe cinizëm të kishin shembull në punën e tyre “gazetarinë” argëtuese, nëse mund të quajmë kështu, produktet e medies që synojnë zbavitjen e publikut siç janë spektaklet.

Fjalimi i Berishës ishte shumë i menduar për të qenë fyes për lirinë e shprehjes. Ai nuk është se e niste fjalimin rastësisht me modelin Gjebrea, por përfundonte sërish me të. “Ardit jam i sigurt se kishte të tjerë përreth teje që do donin t’u referohesha, por nuk e bëra atë”, tha Berisha. Në krah të Ardit Gjebresë ishin kolegët e tij të TV Klanit, gazetarët që tejkalojnë Berishën në zellin për të mbuluar të vërtetën me gënjeshtra. Ishte biles dhe Blendi Fevziu, modeli i konformizmit dhe luajalitetit me pushtetet në Shqipëri. Sali Berisha u tall dhe me atë. As si ai nuk na dashka.

As luajal më të nuk na dashka. As gënjeshtarë dhe mediokër nuk na dashka. As servilë dhe të pacipë nuk na dashka. Ka bezdi të dëgjojë fjalën gazetarë tani e tutje. Ka vetëm një ëndërr. Ta zbavitim. Do disa gaztorë në oborr, që herë ta bëjnë për të qeshur, herë t’i sigurojnë ftesa për mbesat dhe nipat, herë t’i ftojnë gruan në ndonjë spektakël dhe kaq. Askush s’ka guxuar të tallet kaq shumë me lirinë e shtypit. Duket që është një armik i denjë për gazetarët.