Ëndrra 20 vjeçare e Sali Berishës!

0
41

Nga Mero Baze, 7 Mars 2013

Nëse Sali Berisha ka një ëndërr të parealizuar për dy dekada në krye të politikës shqiptare, është ëndrra për të kontrolluar opozitën. Ka 22 vite që nuk ka lënë gjë pa bërë për ta prekur këtë ëndërr. Arrestoi fillimisht liderin e saj dhe e mbajti në burg me shpresë se delfini i tij, Ilir Meta, do të merrte partinë. Investoi gjithçka mbi të, por në përpjekje për të shkatërruar opozitën, shkatërroi demokracinë dhe qeverisjen dhe futi vendin në kaosin e vitit 1997. Kjo i dha fund dhe projektit të tij anti-opozitar, i cili pas vitit 1997 iu kthye atij në kokë, po nga Ilir Meta.

Iu rikthye këtij projekti në zgjedhjet e vitit 2005 kur bashkëpunoi me Ilir Metën për të bashkërenduar forcat kundër Fatos Nanos dhe ia doli. Për dy mandate rresht, ai u rikthye në pushtet dhe mbeti në pushtet prej Ilir Metës. Ëndrra e tij për të kontrolluar opozitën ishte më afër se kurrë realitetit. Me akuza verbale, me dhunë, me gjoba financiare me blerje mandatesh, dhe deri me ndryshimin e sistemit elektoral, ai kishte vetëm një ëndërr, kontrollin mbi opozitën.

Përpjekja e tij më e fundit është të ndikojë në zhvillimet brenda opozitës përmes diversioneve banale siç janë listat e votuesve, lavdërimet për një deputet, sharjet për të tjerët. Shqetësimi i tij real janë lëvizjet e Edi Ramës në qarqe, emërimet e para të tij për deputetë, lavdërimi për ata që ikin dhe sulmet për ata që vijnë.

Nga ky vulgaritet janë infektuar dhe vartësit e tij. Kujtoni të qeshurat e Topallit pas çdo batute të Berishës, imitimin që ajo i bën Berishës kur përmend po ashtu listën e deputetëve të opozitës, dhe mënyra si u qajnë hallin “shumicës që Rama nuk do të kandidojë”.

Nuk do t’ia vlente të merreshim me këtë vulgaritet të Sali Berishës sikur të mos shikonim një lloj reaksioni nga figura të opozitës për këto diversione banale.

Së pari, debatet brenda opozitës për listat janë normale dhe do të ishte anormale që ato të hartoheshin në heshtje si lista të vdekurish. Janë normale reaksionet për prurjet e reja dhe po ashtu të dhimbshme dhe normale reaksionet për largimet nga listat. Por ajo që duhet të na gëzojë është shqetësimi i Berishës për këto ndryshime. Fakti që ai është i interesuari i parë t’i hedhë benzinë zjarrit në këtë debat, do të thotë që kemi një projekt shqetësues për të dhe ai duhet lënë të shprehë shqetësimin e tij qoftë dhe duke bërë si i gëzuar.

Së dyti, kam parë se disa deputetë, biles dhe nga ata më të mirët e opozitës, ndjehen të bezdisur pse Berisha merret me problemet e tyre dhe e shfaqin këtë publikisht. Mos ia jepni këtë shans Sali Berishës, pasi nëse i tregoni atij njeriu çfarë bezdie keni prej tij, nuk ka për t’iu ndarë sa të jeni gjallë duke ju bezdisur pikërisht për atë gjë. Po e kuptoi se ti e ke bezdi të të thonë se të kanë hequr nga lista dhe “ti” nuk e ditkërke, këtë ke për të dëgjuar dhe kur të jesh në listë, dhe kur të jesh në garë, bile dhe kur të ribëhesh prapë deputet. Është zakoni i njeriut që nëse kupton hallin tënd, ta kthen atë në problem, siç ua kthen në problem gjithë shqiptarëve padrejtësitë që iu bëhen.

Së treti, shikoj një varësi të debatit publik për listat e opozitës apo dhe të pozitës nga sondazhet online apo diversionet në medie. Është më shumë se jo serioze të ngatërrosh një garë preliminare me një votim online, jashtë çdo parametri profesional. Fjala vjen, nëse në gazetën Tema, që ka rreth 100 mijë vizitorë unikë në ditë, do të bënim një sondazh online se kush i fiton zgjedhjet, përqindja do të ishte e lartë pro opozitës, por kjo nuk tregon rezultatin real të zgjedhjeve, por përkatësinë politike të lexuesve të gazetës. Për këtë duhet të jemi seriozë. Dhe nëse bëjmë një klasifikim tek gazeta Tema se cilët janë deputetët më të mirë të opozitës, me siguri që në krye do të dalin deputetë më të afishuar publikisht të opozitës si kritikë me qeverinë, pasi ata përputhen me shijet e lexuesve të gazetës. Nëse opozita do të bëjë teste reale për popullaritetin e kandidatëve apo deputetëve të saj, le të ndryshojë statutin e partisë dhe të bëjë garë preliminare në qarqe, për të kuptuar kë duan e kë nuk duan.

Por kjo është një çështje që i takon së ardhmes. Në këto kushte nuk janë të besueshëm as ata që lodhin gishtat duke votuar online, as ata që pinë ndonjë gotë klubeve me opozitarë të strukturave dhe thonë kemi mbështetje të bazës. Serioziteti për të gjetur një formulë fituese përmes kandidatëve duhet të mbështetet mbi bashkimin e çdo faktori opozitar dhe elektoral në një qark dhe jo mbi dominancën apo sedrën e një deputeti ndaj tjetrit. Socialistët duhet të kuptojnë se kanë miratuar një sistem elektoral ku fiton koalicioni i parë dhe jo deputeti i parë i listës, dhe si të tillë duhet të përgatiten mes të tjerash të lëshojnë një përqindje të dhimbshme në lista edhe për faktorët opozitarë jo socialistë, që duhet të kontribuojnë në rotacionin politik. Vetëm një koalicion anti-regjim, i madh dhe i strukturuar mirë, e bën Sali Berishën të heshtë dhe të varroset. Çdo version tjetër është shpëtim i tij.

Nëse opozitarët zyrtarë duan të kënaqen me sondazhe online, ua plotësoj unë dëshirat apo ndonjë gazetë tjetër, por ato sondazhe na vlejnë më shumë ne, për të kuptuar kush na lexon, se opozitës për të kuptuar se kush e voton. Opozita duhet të mendojë si të jetë një koalicion fitues dhe jo si të shpalosë identitete deputetësh që janë gati të vrasin njëri- tjetrin pse njëri ka votuar tre herë më shumë se tjetri online. Kjo pastaj u jep lëndë të parë për Sali Berishën, që dhe në ditën e tij më të keqe, gjen kohë të bëjë humor duke bërë e ribërë biografi deputetësh opozitarë dhe duke shmangur debatin nga fakti i dhimbshëm se ai njeri duhet të zhduket nga skena politike pas 23 qershorit.

I pafuqishëm për të mundur opozitën me akuzat e tij prej sharlatani, i pafuqishëm për të mposhtur shumë faktorë opozitarë me dhunën e shtetit, qoftë atë fizike, qoftë dhe atë financiare, dhe mbi të gjithë ai pafuqishëm të përballet me problemet që i krijon vendit qeverisja e Familjes së tij, ai po tenton të ndikoj mbi opozitën duke u hequr si “kujdestar” i saj. Është tamam përfytyrimi që ai ka për opozitën, është ajo çfarë ai ëndërron t’ia arrijë një dite në këtë vend, është ëndrra e tij për ta komanduar partinë e kundërshtarit për të qenë i qetë. Ka dy dekada që ëndërron të komandojë atë parti qysh nga arrestimi i Fatos Nanos 20 vjet më parë e deri më sot. Ka shkëputur prej asaj partie delfinë si Ilir Meta, është investuar të imponojë lidershipin e saj duke vjedhur votat, është përpjekur të shkatërrojë me akuza dhe dhunë verbale financiare e fizike, por nuk ia ka dalë të diktojë dot. Do të ikë nga pushteti dhe nga kjo botë pa e prekur ëndrrën e tij për të drejtuar opozitën. Kjo ëndërr ka shkatërruar 22 vite demokraci në Shqipëri. Mos ia ushqeni më! Lëreni ta marrë me vete si Hugo Chavez-i.