Nga Mero Baze, 1 Maj 2013
Është e vërtetë se Kreshnik Spahiu po shfaqet përditë e më pak në media, pas daljes së tij i vetëm në zgjedhje. Është po ashtu e vërtetë ajo që thotë kolegu im Andi Bushati se opozita po e agreson atë. Por këto dy të vërteta së bashku nuk prodhojnë dot një akuzë reale për median lidhur me rastin Spahiu. Në këtë histori duhen ndarë arsyet e politikës dhe arsyet e medies nga njëra- tjetra, ndryshe jemi para një akuze dhe më të madhe, asaj të mungesës së medies dhe gazetarëve në Shqipëri.
Arsyet e politikës përse po izolojnë AK, janë arsye politike dhe legjitime në një fushatë elektorale. Prej ditës kur Aleanca Kuqezi ka vendosur të garojë e vetme, dhe kundër dy partive të mëdha, është e vërtetë se ajo ka probleme me dy koalicionet e mëdha, për të cilat duhet të jetë i përgatitur t’i përballojë. Ekziston paranoja se AK doli e vetme e sponsorizuar nga Berisha, por unë nuk e pranoj. AK më shumë se sa doli e vetme, mbeti e vetme, pasi nuk i funksionoi projekti i saj për të shantazhuar koalicionin opozitarë për vende të sigurta.
Arsyeja përse Spahiu nuk hyri në koalicionin e opozitës nuk ka të bëjë me përbërjen e koalicionit, as me parime nacionaliste dhe as me parime morale. Ai deri në minutën e fundit negocioi me Ilir Metën, nuk ka pasur gjë kundër pranisë së Dules në koalicion dhe as që i është refuzuar ndonjë ide e programit të tij. Thjesht i janë refuzuar tre emra femrash në listat e PS, të cilat nuk i njeh askush. Dhe në këtë pikë nuk ia vlen të diskutohet fare lufta mes opozitës dhe Spahiut. Ajo është luftë normale politike, ashtu sikundër lufta e Spahiut kundër tyre. Nuk është një palë që bën akuza, por dy, dhe janë të dyja në të drejtën e tyre.
Problemi i dytë, ai i medias shqiptare, nuk është pse nuk ka prezent Spahiun, por pse nuk bën lajme reale rreth Spahiut. Një media reale dhe investiguese mund t’i kishte hyrë me rrënjë historisë së tij, historisë së prishjes të pazareve me koalicionin, çfarë kërkoi dhe çfarë nuk i dhanë, kush janë kandidatët e tij, kush janë femrat që do të fuste në lista, kush janë personat që do të konkurrojnë në listën e tij në emër të parimeve të asaj partie, etj. Kjo është një gjë që media jonë nuk e ka bërë as për Spahiun, as për Ramën dhe as për Berishën, dhe si e tillë, ajo mbetet një media e përciptë dhe propaganduese. Është pikërisht kjo e metë e saj thelbësore, që po merret si vlerë e humbur dhe për Spahiun, pra rënia e nivelit të propagandës për AK, po merret për mungesë profesionalizmi.
Për ta kuptuar më mirë këtë le të marrim mitingun e 1 majit të Aleancës Kuqezi. Po të lexosh deklaratën e Aleancës Kuqezi, flitet për mijëra qytetarë të mbledhur në bulevard kundër Berishës. Media thjesht nuk ka besuar më deklaratën, por ka filmuar mitingun dhe aty kanë qenë disa qindra. Nëse do të vazhdojmë të bëjmë propagandë, do të besojmë deklaratën, për të cilat Spahiu ankohet se nuk po ia japim. Nëse duam të japim informacion, duhet t’i besojmë pamjeve dhe ngjarjes në bulevard dhe t’i krahasojmë ato me premtimet e kreut të AK.
Pra, media nuk duhet ta neglizhojë as AK dhe as Kreshnik Spahiun në këtë fushatë, por ajo duhet t’i referohet aksionit që ata bëjnë dhe ngjarjeve që prodhon realisht dhe jo komunikatave të shtypit.
Problemi i AK nuk është se është një forcë e pavarur politike që kundërshton sistemin, por një forcë, e cila nuk ia doli t’i bënte shantazh sistemit. Si e tillë, ajo ndryshon rrënjësisht nga FRD, e cila qysh në fillim ka qenë kundër dy partive tradicionale dhe ka pretenduar të ketë një profil të sajin.
E fundit në këtë debat është se sa mund të shikohet filxhani i pushtetit të nesërm nga sjelljet e Ramës, Metës dhe Spahiut në këtë fushatë. Ky ishte dhe thelbi i shkrimit të Bushatit, që ka ngjallur aq shumë komente dhe që u rimor dhe nga Spahiu në bulevard.
Të jem i sinqertë, nuk pres ndonjë qeveri të re që do ridimensionojë lirinë tonë apo ligjshmërinë, por pres thjesht të pushojë së funksionuari një makineri vrasëse e lirisë, siç është makineria e pushtetit të Sali Berishës. Ajo që ma pështirosi fare sot ishte fjalimi i Kreshnik Spahiut, që na premtoi ne mediave, që ai nuk do përdorë fadroma kundër nesh, nuk do përdorë banditë dhe gjoba, por do na e falë që nuk po bëjmë propagandë për të. Ky vizion i keqkuptuar i tij për rolin e medies, zbulon në të vërtetë se si ai e përfytyron sjelljen e medias me pushtetin dhe anasjelltas. Unë që i kam provuar këto fadromat, policët, gjobat dhe dhunën nga pushteti, sidomos nga ky i Sali Berishës, më vjen ndot të hyj në këtë debat se kush e ka në dorë të ardhmen time nesër.
Të ardhmen e medies e kanë në dorë gazetarët dhe përgjegjësitë e tyre për të luftuar aq sa mundin për lirinë e tyre dhe të vërtetën. Kjo nuk është një luftë perfekte dhe as një betejë e lavdërueshme, por është e sigurt se nuk varet fare nga ç’do bëjë Kreshnik Spahiu, Edi Rama, apo Ilir Meta me ne. Varet se çfarë do bëjmë ne me ata. Deklarata e Spahiut tregon thjesht keqkuptimin e tij se ka në dorë dhe të hakmerret po të dojë, por ai thjesht nuk do. Ky është një vizion shumë më i shëmtuar nga ai që Bushati pretendon se ekziston në teknologjinë e Ramës dhe Metës për të përdorur mediat.
Politika është legjitime, edhe pse e pamoralshme në përpjekjet e saj për të kontrolluar dhe përdorur mediat. Ajo po e bën këtë shumë mirë. Por e ardhmja jonë nuk varet nga dëshirat e tyre, por nga vendimet tona për të mbrojtur profesionin dhe punën tonë. Kreshniku bën mirë të bëjë politikë, të prodhojë ngjarje që tërheqin vëmendjen e shqiptarëve dhe median do ta ketë aty. Amnistia e tij paraprake për median është një banalitet dhe një dëshmi e mungesës reale të vizionit, si për median, ashtu dhe për pushtetin. Liria e medias është betejë e gazetarëve, jo dhuratë e pushtetarëve. Kush është ndeshur me tigra, thonjtë e maces as që e gudulisin.