Flamur Vezaj / Denis Dedej
TIRANË – Ekspertët e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI) kanë identifikuar pistoletën që ka vrarë demonstruesin nga Lezha më 21 Janar 2011, babanë e dy fëmijëve Aleks Nika. Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, sipas të cilëve, raporti i përpiluar nga ekspertët e FBI-së që tashmë ka mbërritur me valixhe diplomatike po përkthehet në zyrat e këtij institucioni. Sipas të dhënave paraprake, por konfidenciale, mësohet se specialistët e balistikës pranë FBI-së, nga krahasimi i predhës së gjetur në kokën e viktimës Nika dhe njërës nga dy pistoletat e dërguar për ekspertim, ka konstatuar se njëra prej tyre është arma nga ka dalë plumbi vdekjeprurës i babait të dy vajzave nga Lezha.
“Raporti ndodhet në zyrat e përkthimit. Por, paraprakisht, kemi mësuar se njëra nga pistoletat e dërguar në SHBA, ka rezultuar se është arma nga e cila ka ardhur plagosja me pasoj vdekjen e shtetasit Aleks Nika. Identifikimi, është bërë pas krahasimit balistik të tytës dhe gjilpërës së njërës prej pistoletave me predhën e gjetur në kokën e viktimës Nika dhe gëzhojat e gjetura në oborrin e Këshillit të Ministrave, konkretisht pranë hyrjes së ministrave pranë kësaj ndërtese”,- thuhet nga burimet e “Shekullit”. Këto burime, nuk saktësojnë emrin e përdoruesit të kësaj pistolete ditën e demonstratës së 21 Janarit, edhe pse grupi hetimor i prokurorisë së kryeqytetit është në dijeni të autorit nga dora e të cilit ka gjetur vrasjen Nika.
Gjithashtu, këto burime saktësuan se dy pistoletat, 14 gëzhojat dhe predhat që ekspertët e Laboratorit të Policisë Shkencore pranë Ministrisë së Brendshme i cilësuan si të dëmtuara dhe pa vlera identifikuese, janë dërguar në fund të muajt qershor drejt SHBA-së me valixhe diplomatike. Këtë valixhe mendohet se e ka bartur vetë prokurori amerikan i ardhur nga SHBA-ja për ndihmë dhe këshillim pranë grupit hetimore të prokurorisë së Tiranës drejt zyrave të FBI-së. Pas mbarimit të ekspertimit, mendohet se ishte po i njëjti prokurori, i cili po me valixhe diplomatike i ktheu armët, gëzhojat dhe predhat së bashku me raportin përfundimtar të ekspertëve të FBI-së drejt zyrës së Prokurores së Përgjithshme. Përkthimi zyrtar i raportit pritet që të sjellë një valë arrestimesh nga në radhët e zyrtarëve të Gardës, por edhe të disa strukturave të tjera.
Ende mister për autorët e vrasjes së Myrtajt dhe Dedës
Edhe vrasja e Faik Myrtajt mendohet se është kryer nga e njëjta armë që ka vrarë lezhjani Nika, por kjo nuk konfirmohet nga burimet zyrtare të organit të akuzës. Burimet e prokurorisë në lidhje me këtë çështje thanë: “Presim të zbardhet i gjithë raporti për të parë se çfarë konkluzioni kanë arritur ekspertët e FBI-së për predhën e gjetur në trupin e viktimës Faik Myrtaj. Ne dyshojmë se është e njëjta armë që ka vrarë edhe Myrtajn, pasi distanca larg viktimës Aleks Nika ka qenë shumë e afërt. Dyshojmë se të dy plumbat janë qitur nga e njëjta armë plumbat që i sollën vdekjen dy demonstruesve më datë 21 Janar 2011”.
Deri tani hetuesit nuk kanë të dhëna vetëm për vrasjen e shtetasit Hekuran Deda, i cili ka qenë në një distancë jo të largët me viktimën tjetër Ziver Veizi, vrasje për të cilën është arrestuar Agim Llupo. Edhe vrasja e Dedës, mund të ketë ndodhur nga armët e llojit “MP-5” që kishin në përdorim ditën e demonstratës efektivët e Gardës të njohur si “grupi i zjarrit”, të dyshuarit Agim Llupo, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Agron Malaj.
Fshirja e kamerave, priten arrestime në kryeministri
Grupi hetimor i prokurorisë së kryeqytetit që po heton pasojat e demonstratës së 21 Janarit pritet që të lëshojë urdhër-arreste për punonjës të Këshillit të Ministrisë, të cilët kanë kopjuar dhe fshirë pamjet filmike të demonstratës së 21 Janarit të zhvilluar para ndërtesës së kryeministrisë. Sipas të dhënave që “Shekulli” ka mësuar, ekspertët e FBI-së përveç krahasimit balistik të predhave me gëzhojat dhe pistoletat e ekzaminuara, ka ekspertuar edhe serverin e kamerave të sigurisë të kryeministrisë. Ky raport, tashmë është dorëzuar në Prokurorinë e Përgjithshme dhe pritet që me përkthimin e saj të dalin edhe emrat konkret, të cilët do t’i nënshtrohen arrestimit. “Shekulli” pak ditë më parë ka publikuar detaje nga raporti i ekspertëve të FBI-së, ku është konstatuar se ka qenë ora 01:00 pas mesnatës së 21 Janarit kur janë kopjuar dhe fshirë pamjet filmike të regjistruar nga kamerat e sigurisë. Ky veprim, sipas raporti, është bërë nga një person përgjegjës dhe që ka njohur në elektronik, çka mendohet se mund të jetë ndonjëri nga IT-it e Këshillit të Ministrave.
Ina Rama mbledh prokurorët shqiptarë dhe amerikanë
Prokuroria e Përgjithshme Ina Rama ka pritur në një takim pune paraditen e djeshme drejtuesin e prokurorisë së Tiranës, Sokol Malaj dhe prokurorin amerikanë i ardhur për ndihmë hetuesve të pasojave të 21 Janarit. Mësohet se prokurori amerikan shoqërohej edhe nga zv/ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, ku për disa minuta kanë pasur një takim kokë më kokë. Nuk mësohet arsyeja e takimi dhe çfarë është biseduar, por, dyshohet se është folur për raportet që FBI-ja ka përfunduar për armët, gëzhojat, predhat dhe serverin e kamerave të sigurisë të dërguar për ekspertim.
Opozita: Çfarë do të bëjmë në 21 janar
Opozita do të përkujtojë katër viktimat e 21 janarit përmes një ceremonie homazh që do të zhvillohet ditën e shtunë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Detajet e kësaj ceremonie janë përcaktuar në mbledhjen e djeshme të përfaqësuesve të opozitës, të cilët kanë vendosur që në orën 11:00 të marshojnë drejt vendeve ku mbetën të vrarë demonstruesit dhe për të vendosur atje tufa me lule. Takimi i krerëve të opozitës është zhvilluar në zyrën e kryesocialistit, i cili përreth një orë ka diskutuar për homazhet që do të zhvillohen ditën e nesërme. Burime nga ky takim bëjnë të ditur për “Shekullin” se kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka shpjeguar se për të përkujtuar viktimat e 21 janarit do të organizohen dy ceremoni të ndryshme. Fillimisht, pas koordinimit që është bërë me familjarët e viktimave është rënë dakord që paraditen e 21 janarit të zhvillohet ceremonia përkujtimore. Gjatë homazheve do të jenë të pranishëm dhe të afërmit e viktimave.
Një tjetër ceremoni përkujtimore do të zhvillohet nga opozita për të vrarët e demonstratës në fillim të vitit të shkuar. Kreu i koalicionit të opozitës u ka sqaruar aleatëve se do të zhvillohet dhe një takim pasditen e 21 janarit në sallën “Black Box” në Akademinë e Arteve. Në këtë takim që do të zhvillohet për viktimat e demonstratës do të jenë të pranishëm dhe të afërmit, të cilët, së bashku me drejtues të opozitës do të kujtojnë atë ditë të demonstratës. Krahas informimit për axhendën që do të ndiqet nga e majta ditën e shtunë, kreu i Partisë Socialiste mësohet t’u ketë kërkuar aleatëve që të mbledhin të gjithë njerëzit e tyre kudo që ndodhen për t’iu bashkuar ceremonisë homazh që do të nisë nga qendra dhe do të marshojnë drejt kryeministrisë. Të gjithë mbështetësit e kësaj nisme do të mblidhen në orën 10:30 në qendër të kryeqytetit.
Në përfundim të mbledhjes Preç Zogaj u ka bërë apel shqiptarëve që t’i bashkohen homazheve. “Partitë e Opozitës së Bashkuar u mblodhën për 21 janarin. Do të organizojmë një homazh ditën e shtunë për të kujtuar 4 protestuesit e vrarë një vit më parë Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikën. Ftojmë qytetarët e Tiranës dhe të Shqipërisë që të marrin pjesë në këtë homazh në mënyrë që me praninë e tyre të mbështesin dhe të nxisin zbardhjen e kësaj tragjedie nga ana e Prokurorisë, vendosjen e drejtësisë, shlyerjen e kësaj njolle historike në trupin e demokracisë shqiptare”,- tha dje Zogaj. Përfaqësuesi i koalicionit të opozitës duke sjellë në vëmendje qëndrimin e SHBA, BE dhe OSBE për çështjen e 21 janarit kërkoi drejtësi për këtë ngjarje ku mbetën të vrarë katër demonstrues. “Në emër të partive të opozitës dëshiroj të përshëndes edhe njëherë qëndrimin e djeshëm të trojkës së ambasadorëve, të cilët i quajtën të pafalshme vrasjet e 4 qytetarëve. Dhe ashtu është, të pafalshme qenë dhe presim me padurim që drejtësia të thotë fjalën e saj për këto vrasje tragjike”,- u shpreh Zogaj.
Drejtuesit e PS, vizitë ngushëllimi në familjen Deda
Drejtues të Partisë Socialiste kanë vizituar dje familjen e një prej të vrarëve në demonstratën e 21 janarit, Hekuran Deda. Kreu i PS, Edi Rama, deputetët Namik Dokle, Arta Dade, Sadri Abazi, Vasilika Hysi dhe kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi. Krahas tyre, në ceremoninë përkujtimore të organizuar nga familja me rastin e një vjetorit të humbjes së të afërmit të tyre ishin të pranishëm dhe kreu i rrethit të PS në Tiranë, Pjerin Ndreu dhe ish-kandidati socialist për Bashkinë e Kamzës, Rakip Suli. “Isha për drekë tek shtëpia e Hekuran Dedës, njeriu që erdhi në proteste me dy mijë lekë të vjetra, që nuk ishte anëtar partie, madje ishte votues i rregullt i PD, që erdhi për arsye të gjendjes së mjeruar ekonomike dhe la jetën i pafajshëm pa prek as një gur me dorë e pa qenë kontingjent krimi kurrë. Dhimbje e lot për ikjen e tij nga kjo botë nga regjimi Gadafist i Saliut”,- deklaroi Pjerin Ndreu.
Britania: Drejtësia për 21-janarin nuk duhet të vonohet
Pas qëndrimit të tre ambasadorëve për hetimet e ngjarjes së 21 janarit ku mbetën të vrarë katër demonstrues, dje ishte radha e Britanisë që të kërkojë hetimin e çështjes dhe zbardhjen e së vërtetës. Ambasadorja britanike, Fiona Mekuillam, tha se “në prag të përvjetorit të protestës së 21 janarit, mendimet e Mbretërisë së Bashkuar janë me familjet e atyre që u vranë”. Ajo nënvizoi se fillimi i vitit të kaluar ishte një moment shumë i trishtuar për Shqipërinë dhe për demokracinë në Shqipëri dhe për këtë arsye është shumë e rëndësishme, sidomos për familjet, që të jepet drejtësi. “Janarin e kaluar, ministri ynë për Europën, David Lidington, bëri thirrje për një hetim penal të plotë të pavarur të ngjarjeve në Tiranë. Ky hetim vazhdon. Një proces i besueshëm do të marrë kohë, por ai nuk duhet – me të vërtetë -, nuk duhet të vonohet. Ne i bëjmë thirrje të gjitha autoriteteve shqiptare për të bashkëpunuar plotësisht me prokurorët për hetimin”,- apeloi Fiona Mekuillam.
Për këtë çështje kaq të rëndësishme dhe të diskutuar në opinion publik shqiptar dhe atë ndërkombëtar, diplomatja britanike solli në vëmendje eksperiencën e vendit të saj. Ajo shpjegoi se në Mbretërinë e Bashkuar drejtësia kërkon institucione profesionale të paanshme, të cilat besohen nga publiku se po veprojnë me paanshmëri, dhe ndiqen me kujdes nga media për t’u siguruar se janë të drejtë. Krahas eksperiencës së vendit të saj, përfaqësuesja angleze në Shqipërisë kujtoi për opinionin publik se vetëm disa javë më parë në Britani, dënimi i dy burrave pas 19-vjetësh për vrasjen raciste të një nxënësi, vërtetoi përsëri rolin thelbësor që luajnë presioni publik dhe presioni mediatik në shtyrjen përpara të reformave dhe për të siguruar se asnjë nuk qëndron mbi ligjin. “Shqipëria ka tani një mundësi të ndërmarrë hapat e duhur drejt dhënies së drejtësisë për të gjithë dhe për të luftuar çdo sens mosndëshkimi. Ne shpresojmë se autoritetet shqiptare do ta shfrytëzojnë këtë mundësi”,- shprehu besimin Fiona Mekuillam.
Gardisti Skeja kërkon 500 mijë lekë nga familja Deda
Dy ditë pasi Halim Deda babai i Hekuran Dedës në një intervistë për “Shekulli”-n deklaroi se familjes iu ofruan para dhe fotografia e gardistit vrasës të Hekuranit në këmbim të një takimi me kryeministrin Berisha, vëllai i këtij të fundit, ka dhënë një dëshmi të dytë mbi këtë ngjarje të rëndë, në emisionin Xhungël të gazetarit Artan Hoxha. Në këtë dëshmi Sabit Deda thotë se njeriu që i ka shkuar në shtëpi duke i ofruar para dhe foton e vrasësit në këmbim të takimit me Berishën është Fatos Skeja, gardist, ish-pjesëtar i grupit të shoqërimit të kryeministrit. Dje Fatos Skeja ka reaguar për këtë deklaratë duke depozituar një padi civile në Gjykatën e rrethit Tiranë ku kërkon 500 mijë lekë nga Sabit Deda. Objekti i padisë është: Detyrimi i të paditurit të më shpërblejë për dëmin e shkaktuar në shumën 500 000 lekë; detyrimi i të paditurit të publikojë një përgënjeshtrim të intervistës së dhënë në televizion dhe në tre nga gazetat me shpërndarjen më të madhe në vend”. Gjyqtari i kësaj çështjeje do të jetë Arben Mullaj.
Dëshmia e Dedës
“Pas tre ditësh (pas ngjarjeve të 21 janarit 2011) ka ardhë dikush në 12 të natës, na tha se dinte kush e ka vrarë Hekuranin. Na thanë të pranojmë Salinë të vijë nesër. Ne do ta gjejmë njeriun që e ka vrarë Hekuranin. Do ta sjellim foton dhe do ta shifni sa ndihmë ka me ju dhënë (Berisha)… Tha unë kam ardhë që të pranoni Sali Berishën të pijë kafe këtu se unë do t’jua gjej me fotografi personin, do t’ju ndihmoj nga gjendja ekonomike, do t’ju gjej vrasësin… Personin ta gjejmë ne, më tha, kur të pranoni Sali Berishën në shtëpi. A e vret Sali Berisha, a e dënon Sali Berisha, do të merret ai me atë punë. Ka me e vra ai. Po s’e vrau ai, e vras unë. Ki kur erdh këtu folëm, pimë kafen, tha jam Fatos Skeja. Unë e njifsha se është i zonës tonë… Më tha vetëm pranoni Saliun me ardh me pi kafe këtu dhe të gjitha gjanat kam me i rregullu un”,- është një pjesë e dëshmisë së Sabit Dedës.
Berisha: E vërteta dihet, por le të vazhdojë hetimi
Në një intervistë për Janush Bugajskin në televizionin “AS”, Berisha është pyetur edhe për 21 janarin. Ai i është kthyer versionit të vrasjes së protestuesve me plumba të Gardës, por, sipas tij, ishin plumba rikoshetë. Sipas tij, “ka prova si kristali” dhe “kjo është e vërteta për këtë çështje”, por, prapë sipas tij “le të vazhdojë hetimi”. Më poshtë përgjigja e Berishës për këtë pyetje:
“…Më 21 janar, ndërtesa e Këshillit të Ministrave u rrethua në sytë e të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë botës nga një grup njerëzish, të cilët s’kishin aspak lidhje me protestuesit. Ata sulmuan ndërtesën në shumë mënyra, ndërkohë që kryeministri ishte në një ditë të zakonshme pune. Përballë tij, lideri i opozitës ngriti shtabin e tij. Ai priste për një fjalim nga ballkoni i zyrës sime. Kjo është e vërteta, dhe e gjithë bota e pa këtë. Nëse ishte apo jo një përpjekje e organizuar, do ta vendosë një hetim i detajuar mbi këtë çështje, pasi të jenë qartësuar të gjitha detajet. Por diçka është e sigurt, ata nuk sollën lule në zyrën time. Pavarësisht kësaj, unë s’do të largohesha kurrë nga zyra. Këto ishin rrethanat… Pati 4 viktima, dhe asnjë prej tyre nuk u shkaktua nga policia. Jo! Kjo është një provë e pastër si kristal. Ka mundësi të kenë qenë plumbat rikoshet të Gardës Kombëtare, e cila ka përdorur armë në kushte të ligjshme mjaft strikte. Kjo është e vërteta për këtë çështje. Le të vazhdojë hetimi…”
Berisha në Lushnje në 21 janar
Kryeministri Sali Berisha nuk do të jetë në Tiranë në datën 21 janar, por do të jetë në qytetin e Lushnjes, për të marrë pjesë në ceremonitë e festimeve që organizon bashkia e këtij qyteti, në kuadër të 92 vjetorit të Kongresit të Lushnjes. Lajmi konfirmohet nga kryetari i bashkisë së Lushnjes Fatos Tushe. Që prej një jave në qytetin e Lushnjes kanë nisur shumë organizime, sidomos me nxënës të shkollave 9-vjeçare dhe të mesme në qytet, por edhe aktivitete të tjera kulturore. Lajmi për vizitën e kryeministrit Sali Berisha në qytetin e Lushnjes konfirmohet edhe nga zyra e shtypit në Këshillin e Ministrave. Disa ditë më parë Berisha deklaroi se ai njihte vetëm një 21 janar dhe ky është sipas tij Kongresi i Lushnjes. Akademia e Shkencave thotë se Kongresi i Lushnjes është mbajtur në 28 janar. Ndërkohë në Tiranë, opozita do të ketë homazhe për 1 vjetorin e vrasjes së katër protestuesve, në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.