Emërimet nepotike të Ministrisë së Jashtme

0
90

Nga respublica.al


Sëmuret Fideli? E zëvendëson i vëllai

Dikush më ka dërguar një listë me emra të punësuar gjatë viteve të fundit në Ministrinë tonë të Punëve të jashtme. Janë emra njerëzish, “merita” e vetme e të cilëve është se janë të afërm të njerëzve me pushtet e me ndikim. Vini re: është një listë me pak emra, që ka lidhje vetëm me diplomacinë. Në dikastere të tjera ka ndodhur e njëjta gjë. Nuk kam një ide të dokumentuar të dukurisë, por ca e ca janë shumë më të infomuar se unë, dhe më thonë se gjetkë kemi të bëjmë me një fluks nepotik ku e ku më të madh. Më duhet të nënvizoj, që në listën e mëposhtme janë vetëm emërimet nepotike; mungojnë emërime të tjera të bëra me logjikë klienteliste e partiake. Ata që janë emëruar në këmbim të kontributit partiak, të militantizmit politik apo të shërbimit klientelist nuk kanë të numëruar.

Që dukuria është e përhapur, këtë e dinë të gjthë. Emërimet në sektorin e diplomacisë janë një pikë ujë në oqeanin e abuzimit të këtij lloji. Njerëzit e pushtetit, nëse duan, mund të na bindin kollaj që është e kundërta. Si? Shumë thjesht. Meqënëse jemi në një moment, kur diskutohet ende krimi shtetëror i 21 janarit, nuk do ishte keq që departamentet e personelit të Policisë e të Gardës së Republikës të publikonin emrat e të gjithë atyre që janë punësuar në radhët e tyre gjatë pesë viteve të fundit, dhe ne do kishim mundësinë të merrnim vesh se ç’janë e se nga vinë këta banditë që qëllojnë mbi mish njeriu. Madje, e dini çfarë? Unë e sfidoj ministrin e rendit, duke i thënë: nëse e publikoni listën që po ju kërkoj (nuk është fare sekret), unë do të votoj për ju tash e tutje; ju jap fjalën për këtë. Hë, ju mjafton kjo dorezë sfide që të na bëni të shohim se kush janë ata që po mbrojnë medemek rendin kushtetues?

Por deri sa ta bëni ju këtë (e di, s’keni për ta bërë kurrë, sepse ka për të dalë në shesh një logjikë e viçidolizuar e rekrutimeve), unë po publikoj listën “time” të Ministrisë së Jashtme; përsëris, është fjala për rekrutime nepotike të bëra kohët e fundit në kundërshtim me ligjin (listën po e publikoj siç më ka ardhur):

1. Lorena Gjana, vajza e Jemin Gjanës, është emëruar në Ambasadën tonë në Prishtinë.

2. Rumina Hajdari, vajza e Azem Hajdarit, është punësuar në Ministrinë e Jashtme, Tiranë.

3. Albjon Bogdani, i vëllai i Gerti Bogdanit, i atij që kish detyrën për të numëruar manifestuesit e djeshëm në sheshin Nënë Tereza e për t’i nxjerrë 300 mijë, është punësuar në Ministrinë e Jashtme në Tiranë.

4. Gjon Çoba, i vëllai i Jozefina Topallit (kam përshtypjen se ky emër do të na fanepset prapë), është emëruar në konsullatën shqiptare në Milano.

5. Nausika Spahia, vajza e Ali Spahisë, është emëruar konsulle e përgjithshme në Milano.

6. Sokol Beja, djali i Fatos Bejës, është emëruar në Ministrinë e Punëve të jashtme, Tiranë.

7. Motra e Aleksandër Frangajt është emëruar në Ambasadën tonë të Vatikanit.

8. Djali i avokatit të Lulzim Bashës është emëruar në ministrinë e Punëve të jashtme, Tiranë.

9. Vajza e kryetares së Gjykatës së Lartë, Shpresa Beçaj, është emëruar në Ambasadën tonë në Austri (këtë e morëm vesh; na e tha Ilir Meta në bisedën e përgjuar me Priftin në zyrën e këtij të fundit).

10. Djali i Neritan Cekës është emëruar në Ambasadën tonë në Vjenë.

11. Dhëndëri i Jozefina Topallit (hë, ju thashë që do ta na fanitet prapë ky emër?) është emëruar në Ambasadën tonë në Paris. Por për këtë gjë është folur e stërfolur. E ka çuar atje që të jetë afër vajzës së saj. E kuptoni? Unë, ti, ju, ne, paguajmë që vajza e Topallit të mos mërzitet në Paris.

12. Gruaja e Bujar Leskajt është emëruar në Ministrinë e Punëve të Jashtme, Tiranë.

13. Vajza e Ismail Kadaresë është emëruar në Ambasadën tonë në Paris.

Kjo është lista që më ka ardhur. Është lista e njerëzve të emëruar pa konkurs, e në kundërshtim me ligjin. Këtë pretendon ai që ma ka dërguar. Nëse ka ndonjë pasaktësi, do ta mirëprisja saktësimin nga ana e të interesuarve dhe do ta publikoja në vend të kryeartikullit të website-it. Do të ishte një mënyrë për të kërkuar falje. Por nuk di pse mendoj, se s’ka për të ardhur asnjë saktësim.

P.S. Në listën e mësipërme kishin përfshirë dhe emrin e Ilda Zhulalit, gruas së Aldo Bumçit dhe vajzës së Safet Zhulalit, por më shumë se një person më ka thënë se ajo është emëruar në Ministrinë e Punëve të Jashtme (në përputhje me ligjin) përpara se të njihte deputetin e PD-së, Aldo Bumçi. Për këtë arsye emrin e saj e hoqa. Dhe i kërkoj ndjesë, që ia përmenda krejt pa vend.