Elvira Dones, 22.02.2010
Zoti Kryeministër,
Ju falenderoj, me kthjelltësi, për fjalët që thatë ndaj personit tim, jo përpara një kafeje apo qoke mes ortakësh, por në studion e një programi televiziv shumë të ndjekur nga publiku para disa ditësh, pra në “Opinion”, drejtuar nga kolegu Blendi Fevziu.
Sikur ta kishit lëshuar sulmin tuaj diku privatisht, nuk do të kisha denjuar ta komentoja atë qoftë edhe me një rrokje. Por ju sulmuat në mënyrë publike, duke e bërë kështu të domosdoshme një refleksion, një saktësim për publikun. Sepse janë njerëzit që na ndjekin të cilëve u detyrohemi, shqiptarëve që na shohin e lexojnë e kërkojnë të kuptojnë se ç’bëhet rreth tyre, që u detyrohemi: ju në radhë të parë si Kryeministër i Shqipërisë e unë si një njeri i letrave e i mediave.
Ndoshta ju harroni, zotëri, se duke ju dhënë votën, ajo pjesë e popullit shqiptar i cili u ka besuar udhëheqjen e ekzekutivit, nuk ju ka dhënë bashkë me votën të drejtën absolute të papërgjegjësisë.
Por ju njoh një gjë zoti Kryeministër: stilin! Prej vitesh ju keni zhvilluar, me një koherencë admiruese – sikur të mos ishte e frikshme për ecjen demokratike të vendit – sulmin personal. Në mungesë të argumenteve ndaj pyetjeve apo kritikave që ju bëhen, ju hapni “librat e familjeve”. Këtë bëtë edhe me mua në programin “Opinion” rreth “çështjes Berluskoni”. Mëkat veçse, sepse hapet “një libër” të cilin unë vetë e pata hapur tash e katërmbëdhjetë vjet më parë. Por kësaj do t’i kthehem pak më vonë.
Ju pashë online, pashë emisionin. Mbeta pa fjalë përpara logjikës “së hekurt” të një Kryeministri. “Zonja Dones la të birin. E trishtoi fëmijën…” Etj… Gazetari u përpoq t’ju thoshte se kjo ishte diçka personale e individit që ju po komentonit: Elvira Donesit; dhe përgjigja juaj ishte diçka e tipit: kush merret me çështjet personale të dikujt tjetër, duhet ta presë që të tjerët të merren me gjërat private të saj/tij. ???
Ju ose jeni i painformuar, ose dashakeqës, zoti Berisha. Apo më shumë, jeni të dyja bashkë.
Është puna juaj, nëse keni kaq për zemër “dhimbjet” personale të Kavalier Berluskonit, në vend të dhimbjeve të njerëzve që miku juaj fyeu në praninë tuaj në mënyrë aq të përbuzshme. (Jo gjithçka është gallatë e pafajshme. Sidomos jo në sallat e politikës, por natyrisht ju do të qëndroni në istikamin tuaj.)
Unë nuk jam marrë as edhe një çast të vetëm me çështjet vetjake të homologut e mikut tuaj, zoti Kryeministër.
Dhe nuk ekziston e dokumentuar një presje, një fjalë e imja e shkruar apo e shqiptuar, që të çojë në atë drejtim. Ndaj, ose prodhoni prova për të kundërtën, ose ju më detyroheni një apologji publike…
Zoti Berisha,
duke pandehur me shkurtpamësi habitëse të më keni “asgjësuar”, “zvogëluar”, “treguar vendin”, keni bërë këtë radhë një rrëshkitje AQ të pahijshme, sa në vendin tim keni dëmtuar atë pjesë të moderuar e inteligjente të kahut tuaj politik e cila – jam e bindur – edhe nëse nuk ua thotë në sy, ndihet e paqetë ndaj aktit tuaj.
Kthehem tani, tek “libri i familjes” hapur nga ju në “Opinion” rreth jetës sime, sepse nuk i frigohem asgjëje: dhimbjen e hapit që bëra vite më parë; historinë e ikjes sime dhe të pasojave, të cilat – im bir, familja ime, miqtë e mi dhe unë vetë – pësuan për shkakun tim, e kam vënë në një libër, të vetmin autobiografik që kam shkruar, tash e nëntë libra të shkuar. Titullohet “Dashuri e Huaj” – dhe i dedikohet pikërisht tim biri. Pra ju nuk po i thoni publikut shqiptar asgjë të re, që ai nuk di, që nuk e ka lexuar. Me fjalët tuaja ju keni trishtuar vetëm veten e askënd tjetër. Para syve të çdo shqiptari që lexon, nëpërmjet atij libri/konfesion, kam pasur mirënjohjen e respektin e çdo lexuesi.
E meqë “Dashuri e huaj” do të ribotohet pas pak muajsh në shqip, ju po më bëni një publicitet që nuk e prisja, edhe ata njerëz që nuk e kanë lexuar do të kenë mundësi ta lexojnë në ribotim.
Por me shumë dëshirë do të lexoja librin tuaj autobiografik, zoti Berisha, mbi të kaluarën tuaj. Ndoshta injoroj faktin, e ju ndërkohë këtë libër e keni shkruar e botuar me shumë sukses. Por nëse kështu nuk është: shkruajeni. E na rrëfeni!
Së fundi, nëse mendoni se me këto metoda do të më frigoni, nëse me stilin alla Berlusconi (i cili me miratimin tuaj po kthen Shqipërinë në një kosh plehrash të Italisë nëpërmjet centraleve bërthamore), do të më bëni të hesht e të mos merrem me Shqipërinë, ju garantoj, po shihni ëndrra me sy hapur.
Argëtohuni, zoti Kryeministër, nëse ia dilni mbanë, dhe nëse populli shqiptar jua lejon.
Me respekt ndaj lexuesve!
e.dones
Los Angeles – California
******
Edhe Elvira Dones në gojën e Berishës: ‘Ajo ka braktisur fëmijën e vet..’
Ka rënë edhe Elvira Dones në gojën e kreut të ekzekutivit. Autorja e një letre të hapur për Berluskonin në gazetën italiane “La Republica” dhe e një opinioni të dytë reagues dje në “Shekulli”, ka pasur radhën për të dëgjuar “historinë e familjes” nga Sali Berisha.
Deklaratat erdhën, pasi S. Berisha u pyet nga moderatori i emisionit Opinion, për reagimin mediatik ndaj batutave banale të Berluskonit dhe shtesave po kaq banale të Berishës ca ditë më vonë. Kur janë përmendur shkrimet e znj. Dones në “La Republica” dhe “Shekulli”, Berisha ka thënë se znj. Dones ka braktisur djalin e saj.
“Trishtoi djalin. I tha djalit lamtumirë… Ka qyteti një memorie për këtë, – tha kreu i qeverisë. Ky ishte komenti i tij ndaj atyre që ka shkruar znj. Dones.
Dhe për ta çuar deri në fund banalitetin e radhës, kësaj here me një kontradiktë të fortë brenda pak sekondash në deklarim, Berisha shtoi në mbrojtje të Berluskonit “Nuk mund t’i hysh tjetrit në çështje personale…” (?!).
Disa ditë më parë gjatë konferencës për shtyp Berisha-Berluskoni në Romë, ky i fundit ndërpreu një kumtim të S. Berishës mbi trafikun e klandestinëve në Otranto, duke deklaruar që do bëhej përjashtim vetëm për ata që sjellin vajza të bukura shqiptare.
Batuta që është komentuar si skandaloze nga gjithë mediat e Europës, u gjet me vend nga kryeministri shqiptar që deklaroi një ditë më pas në Tiranë se Berluskoni foli ashtu pasi përpara tij ishin tre gazetare plot hire dhe plot sharm nga Shqipëria(!).
Batuta rreth “vajzave të bukura shqiptare” – si edhe indinjata e mijëra italianëve e shqiptarëve ndaj saj janë përcjellë dje në Britaninë e madhe nga “Daily Telegraph”, në Francë nga “Le Figaro”, në Gjermani nga “Tagesspiegel” e Berlinit, etj. Një agjenci shtypi zvicerane e konsideroi deklaratën: “për të ardhur për të vjellë” dhe vijoi duke thënë: “Nuk është hera e parë që Kavalieri del me profka shkatërruese e mosrespektuese, por po bëhet, çdo herë që shkon, më i vështirë pranimi i një sjellje të tillë.”
*****
KRONIKA E BATUTES FYESE NE ROME
Berluskoni: Pranojmë vetëm vajza të bukura…
“Ne do të bëjë një përjashtim për ata që sjellin vajza të bukura”. Kështu tha Kryeministri Silvio Berlusconi, në përfundim të konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin shqiptar, Sali Berisha.
K/ministri shqiptar, sapo i kishte premtuar se deri në fundit të qeverisjes së tij nuk do të hiqej ligji i moratoriumit të skafeve.
“Unë nuk dua që trafikantët të mbysin shqiptarët në det”, tha Berisha. Tallet Berlusconi: “Mund të bëjmë një përjashtim, lejohen vetëm ata që sjellin vajza të bukura”.
Pak me pas, gjatë fotos zyrtare të shtërngimit të duarve mes dy homologëve, Berisha është shprehur se “kjo është fotoja më e bukur e ditës së sotme”- “E pra nëse do të ishte edhe ata ….”, shton Berluskoni, duke treguar me kokë nga rreshti i gazetareve shqiptare. Një tjetër mundësi fotoje, dhe Berluskoni nuk i le shakatë “ju e dini se unë jam beqar…”.
(Në video: Batuta e S.Berluskonit)
****
Faqe në Facebook: Berluskoni, kërko falje! Mijëra anëtarë brenda pak orësh
Një faqe në Facebook e titulluar “Berluskoni t’u kërkojë falje grave shqiptare” (Berlusconi chieda scusa alle donne albanesi) ka mbledhur brenda pak orësh mijëra anëtarë, shqiptarë dhe italianë, kryesisht femra, të cilët i janë bashkuar nismës dhe kanë vendosur aty komentet e tyre reaguese.
Faqja është klikuar në mënyrë të veçantë pas reagimit të kryeministrit S. Berisha në Tiranë, i cili batutat e Berluskonit, i ka cilësuar si vlerësime për vajzat plot sharm e plot hire.
Në forum ka edhe shtetase italiane. Një prej tyre, Enrica Sergi shkruan për kryeministrin e vet: “…Stupido nano! Indecente, maleducato e disumano…che schifo..” (Xhuxhmaxhuxh idiot, i paedukatë dhe jonjerëzor… Ndjej neveri…”.
*****
Reagon Berisha: Tre gazetaret tona spikasnin me hiret e tyre
TIRANË – Kryeministri Sali Berisha ka shfajësuar homologun e tij italian, Silvio Berluskoni.
“Gjatë konferencës së shtypit, tek po informoja për Moratoriumin e skafeve, përballë nesh ishin tre gazetare shqiptare, të themi të vërtetën ishin të pashme, të cilave Kryeministri Berluskoni u bëri një kompliment që padrejtësisht ka ngjallur një keqkuptim. Në rast se Silvio Berluskoni bëri kompliment në drejtim të tyre, aty në tërësi audienca ishte mashkullore, nuk mund të them se këto të tria nuk binin në sy, aq sa unë i ftova të tria që të bënin një foto bashkërisht. Cila ishte përgjegjësia e tij në qoftë se këto tri zonja spikasnin me sharmin dhe me hiret e tyre? Ky ishte historiku dhe kishte lidhje direkt me faktin se para nesh ishin tre gazetare shqiptare që spikasnin me sharmin e tyre,” tha Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
*****
Protesta e Levizjes MJAFT: Një ‘blow doll’ për Berishën e Berluskonin
Aktivistë të Lëvizjes Mjaft! organizuan një aksion para kryeministrisë, ku kërkuan t’i dorëzonin Kryeministrit Sali Berisha një dhuratë për homologun dhe mikun e tij, Silvio Berluskoni, në përgjigje të dëshirës së shprehur të këtij të fundit për “vajza të bukura” shqiptare. Aktivistët mbanin një baner ku shkurhej: Dhuratë për “forcimin” e marrëdhënieve Sali-Silvio, duke ekspozuar para tij një kukull që fryhet (blow doll), nga ato disponueshme në sex-shops.
“Ne nuk kemi vajza të bukura për t’i dhënë Z. Berluskoni, ndaj i kërkojmë Kryeministrit tonë që bashkë me homologun e tij italian të ndajnë bashkë këtë dhuratë domethënëse, e cila i shkon më së miri për shtat shijeve të kryeministrit fqinj”, tha Aldo Merkoçi i MJAFT.
****
Gazetarë dhe artistë, letër të hapur Kryeministrit Berluskoni
Edhe pse Kryeministri italian spikat per deklaratat e tij fatkeqe, vleresojme se ajo ç’ka ka deklaruar ai, eshte nje deklarate ofenduese, ne adrese te grave shqiptare, qe jetojne dhe punojne ndershmerisht ne Itali dhe Shqiperi, si dhe nje tallje me nje nga plaget me te renda sociale, te tranzicionit demokratik shqiptar: trafiku i qenieve njerezore.
Kryeministri italian duhet te jete ne dijeni se tashme ka kush i çon ne Itali “vajzat e bukura shqiptare” dhe i vendos ne pune si mish i fresket ne rruget e Italise, ose ne qendrat e rreme estetike, ku te kamurit e Italise, i perdorin ato per t’u çliruar nga pesha e rende e punes dhe pergjegjesise.
Lendon edhe ato familje shqiptare te prekura nga drama e nje vajze te rrembyer, dhunuar, izoluara, ndonjehere e humbur pergjithmone.
Jemi thellesisht te keqardhur dhe te hidheruar qe Kryeministri i vendit ku jetojme dhe aspirojme per t’u bere nenshtetas, te shfaqe nje qendrim tejmase ofendues, ne adrese te vendit tone te origjines dhe jep nje imazh kaq te prapambetur te Italise.
*****
Elvira Dones i shkruan Berluskonit: Pjese nga letra: “Në emër të vajzave të bukura”
I nderuar Zoti Kryeministër,
Në kohën që kryeministri i vendit tim të origjinës, S. Berisha, konfirmonte angazhimin e qeverisë së tij në luftën kundër kontrabandistëve, ju vutë në dukje se “mund të bëjmë një përjashtim për ata që sjellin vajza të bukura.”
Ato “vajza të bukura” unë i kam takuar. Kam takuar me dhjetra syresh, natën dhe ditën, fshehtas tutorëve të tyre, i kam ndjekur nga Garbanjate Milaneze gjer në Siçili. Ato vajza më kanë rrëfyer copa nga jetët e tyre të përçudnuara, të abuzuara, të shkatërruara. “Stelës” padronët e saj i patën gdhendur mbi stomak një fjalë: kurvë. Ishte e bukur, Stela, shumë e bukur, por kish vetëm një “të metë”: e rrëmbyer në Shqipëri dhe e prurë në Itali, kundërshtonte të dilte në trotuar. Pas një muaji përdhunimesh kolektive nga ponçot shqiptarë dhe ortakët e tyre italianë, iu desh të thyhej. Ajo vajzë njohu trotuaret e Piemontes, Lacios, Ligurias e kështu me radhë. Dhe vetëm më pas – tre vjet më vonë – vendosën t’ia skalitnin zanatin mbi lëkurë: thjesht për argëtim, thjesht për tekë.
Asokohe ishte aq e bukur ajo jetë e re, një hyjni. Sot është veç një nga të përhumburit, të shtyrët në cepat e njerëzimit. “Stela” nuk do të dashurojë më kurrë, e askurrë do të bëhet nënë e gjyshe. Fjala “kurvë” mbi bark i ka shuar çdo dritëz shprese dhe besimi tek njeriu, kërdia e klientëve dhe e tutorëve i kanë shkatërruar mitrën.
Mbi “vajzat e bukura” kam shkruar një roman, botuar në Itali me titullin “Sole bruciato”, në gjuhën time ka titullin “Yjet nuk vishen kështu”. Vite më pas, xhirova një dokumentar për televizionin zviceran: u vura në gjurmët e një tjetre vajze të bukur, Brunilda quhej, i ati më qe përgjëruar mes lotësh të hetoja për të. Ishte një baba si shumë baballarë shqiptarë vajzat e të cilëve ishin zhdukur, rrëmbyer, sakatuar dhe varur me kokë poshtë në thertore jashtë përdorimi sepse guxonin të rebeloheshin. Ai burrë ishte baba si ju, z. Kryeministër, vetëm se i pafat. Dhe ende nuk e gëlltit dot faktin që vajzën e ka humbur përgjithmonë, se ndoshta gjendet e fundosur në det ose e ekzekutuar në ndonjë skutë periferie. Ai këmbëngul të shpresojë, ëndërron mrekullinë. Histori e gjatë kjo, z. Kryeministër…
Nuk mund të mos jua shkruaja këtë letër të hapur: në emër të Stelave, Biankave, Brunildave dhe në emër të familjeve të tyre. Përgjatë njëzet vitesh tranzicioni të vështirë, Shqipëria i ka shkaktuar vetes shumë vuajte e plagë, por në popull po rritet e forcohet shpresa e vullneti që më në fund të eci drejt, me kokën lart. Dhe më lejoni t’jua bëj të qartë: Shqipëria nuk ka më durim, e asfare dëshirë, që t’i gëlltisë poshtërimet falas.