Elita politike dhe mitet e rreme

0
52

Nga Afrim Krasniqi

Afrim Krasniqi flet për “mite të rreme” të ngritura gjatë këtyre viteve, të cilat në fakt tregojnë për mungesën reale të elitave politike.

George Orwell ka shkruar vargjet e famshme “kush ka nën kontroll të kaluarën / ka nën kontroll të ardhmen / kush ka nën kontroll të tashmen / ka nën kontroll të kaluarën”. Raste të shumta në historinë e vendeve e provojnë këtë tezë: rasti shqiptar është gjithashtu i tillë. A nuk e zgjodhëm Mbret një prijës lokal dhe më pas, a nuk u botuan dhjetëra libra e shkrime, ku elita krijuese dhe politike thurte lavde për “shpëtimtarin e kombit” duke gjetur në histori lidhje në disa breza me më të famshmin e shqiptarëve, Gjergj Kastriotin? A nuk mësuam përgjatë 46 viteve se diktatori ishte shpëtimi ynë, komandanti i vetëm dhe i madh, udhëheqës e strateg, shpëtimtar dhe hero, fitues mbi të gjithë armiqtë në botë?

U derdhën mijëra tolenala bojë e letër për të deformuar historinë, ngjarjet, kujtimet, faktet dhe gjithçka tjetër, – në funksion të liderit suprem, – sundimtarit të radhës së këtij vendi. A nuk filluam të krijojmë mite të rreme për pasuesin e tij, një emër me rëndësi në kupolë por pa ndonjë meritë elitare, politike dhe as kulturore, – thjesht sepse ishte udhëheqës i radhës dhe thjesht sepse ai drejtonte të gjitha burimet e pushtetit? A nuk e përjetuam ndarjen e sistemit politik më 1990-1992 edhe si zhvendosje mitesh, duke krijuar mitin e ri, – figurën e “njeriut të shpresës”, antikomunistit të madh, demokratit të pashoq, intelektualit model, – vetëm për shkak se ai ishte pasues në hierarkinë e pushtetit, ishte vendimmarrësi politik i kohës? A nuk thurëm mite për intelektualin liberal, reformatorin dhe njeriun e salloneve moderne të parakohshëm për shqiptarët, – dedikuar pasuesit të radhës në pushtet absolut, – shtetarit që më shumë kohë kalonte në lokalet e natës sesa në zyrat e shtetit?

A nuk lejuam të krijojmë mitin e radhës, – atë të reformatorit rilindas, evropianistit modern, artistit që sakrifikoi artin për politikën, talentit e krijuesit të spikatur, – dedikuar njeriut merita e vetme e të cilit është se u ndodh në radhën e pritjes së pushtetit kur më shumë se 1 milion qytetarë dëbuan me votë sundimtarin paraardhës?
Një cikël i mbyllur piedestalesh dhe mitesh që ngrihen dhe bien me pushtetin. Një traditë që nuk e bën krenare një shoqëri, nuk flet për kulturë mendimi e sjellje dhe nuk na lejon të dallojmë të vërtetat nga modelet e sponsorizuara politike, në të cilat mbi të gjitha të vërtetat mungojnë. Edhe këtë 25 vjetor të sistemit pluralist sëmundja jonë shekullore pas mitit, fiktivitetit dhe rishkrimit të historisë shtetërore e kombëtare sipas shijeve personale, rezultoi e njëjtë, e fortë, dominuese.

Kam dëgjuar e lexuar këto ditë të gjithë ata që kanë diçka për të thënë për ngjarjet e vitit 1990, dhe nëse i marr seriozisht, do të isha në dilemë nëse ata flasin e tregojnë për një kohë që ne kemi jetuar, për Shqipërinë që ne njohim, apo për diçka imagjinare, larg nesh, jashtë nesh. Ja për shembull, edhe pas 25 vitesh na ofrohet gënjeshtra e madhe se shumica e elitës politike ishte pro ndryshimit më 1990 e 1991. Të gjithë e thonë, përfshirë zëdhënësit e udhëheqësit të fundit komunist, R.Alia, përfshirë drejtues të PPSH, dhe natyrisht, elitat e emëruara në partitë kryesore politike, në media, në jetën publike e shoqërinë civile. Dhe asnjë nuk është në gjendje të na tregojë sesi në shkurt – mars 1991, pra 3-4 muaj pas pluralizmit, mbi 1.2 milion nënshkrime u mblodhën për Vullnetarët e Enverit dhe po kaq vota fitoi PPSH, partia që krijoi dhe drejtoi diktaturën.

Kam dëgjuar ish kryeministrin të tregojë me pasion sesi projektoi rrëzimin e bustit të Hoxhës, kur arkivi origjinal i vitit 1991, ku gjendet fjala e tij, flet krejt ndryshe, – për gadishmëri për të sakrifikuar studentët me akuza se ata janë përgjegjës, fajtorë dhe autorë të rrezikut të luftës civile. Kam dëgjuar të njëjtin dhe disa që imitiojnë atë, që i bien gjoksit për meritën se kërkuan pluralizëm politik dhe drejtuan dhjetorin 90, – kur gjurmët e tyre (artikuj, intervista, fjalime, kujtime të dëshmitarëve) dhe vetë detajet që ruaj në memorie prej tyre, – janë shumë më të ndryshme.

Kam dëgjuar edhe kryeministrin, – liderin e të majtës që kërkoi të nxirret jashtë ligji më 1991, – të flasë me pasion sesi projektoi gjeopolitikën e rajonit, – nga rënia e Çausheskut dhe deri tek fshati ynë, – sesi i thur lavde vetes dhe ca miqve që dëgjonin muzikë moderne tek Artet dhe sesi nuk thotë asnjë fjalë, absolutisht asnjë fjalë, pra asnjë meritë, për studentët dhe qytetin “Studenti” në leximin e historisë së rënies së sistemit të kaluar dhe vendosjes së të riut. Ai përpara tij kaloi 24 vjet jetë militante në Partinë e Punës dhe po kaq në demokraci, ky i sotmi i jep vetes atributet e radikalit antikomunist edhe pse ishte pjesë e një rrethi dhe brezi të rritur në zemër të sistemit komunist dhe që vetë, aktin e parë politik e shënoi me aventurën qesharake të krijimit të KIS, një parti kristian – islamike!

Për të parë dallimin midis nesh, provincës tonë feudale dhe modeleve demokratike në ish vendet komuniste, – le të shohim sesi vendet e tjera e përkujtuan dhe përcollën 25 vjetorin e tranzicionit. Kudo, çdo vend, shteti dhe elitat imponuan ceremoni dinjitoze nderimi për ngjarjet e vitit 1989-1990, dhe njëherësh, të gjithë i përdoren kujtimet për të bërë bilancin dhe për të reflektuar, – cilat ishin gabimet, cila do kishte qenë rruga më e mirë, cilat gabime janë të ndreqshme dhe cila është rruga më e mirë për tu përballur me të kaluarën dhe të ardhmen. Në Shqipëri ndodhi e kundërta. Shteti nuk bëri asgjë, absolutisht asgjë serioze në kujtim të 25 vjetorit. Politika vendimmarrëse nuk i kushtoi rëndësi ngjarjes më të madhe të më shumë se 7 dekadave të fundit as sa fjala vjen, ditëlindja e një politikani të kupolës korruptive, investimi absurd për natën e bardhë apo koncertet e Pezës apo ndeshjes së radhës së kombëtares.

Pala tjetër e imitoi duke marrë një atribut që nuk e ka dhe nuk mund ta ketë – identifikimin me ata që realisht sollën pluralizmin në Shqipëri. Aktiviteti zyrtar i Presidentit me 8 dhjetor (një nismë serioze) u la në hije nga retorika retushuese e dy liderëve politikë që refuzuan të përshëndeteshin edhe formalisht njëri tjetrin si dhe sidomos nga manifestimi në rrugë i opozitës. Në media ata që kishin pushtet apo që kanë pushtet u kujdesën të ujisin retushimin e fakteve historike duke vendosur veten në mes të gjithçkaje dhe duke identifikuar vetveten me modelin frymëzues të demokracisë! Brezi i ri bëri edhe ca ditë pushim dhe u ftua në miting ose në koncerte rroku, – një traditë fyese dhe pa intelekt, që vijon prej vitesh në Shqipëri.

Duke iu rikthyer Orwell-it dhe paralajmërimit të tij të jetësuar tashmë në Shqipëri: – a mund të kemi një histori pa retushim? A mund të kemi politikanë pa make up dhe legjenda fiktive e mitike? A mund të mësohemi ta shohim të kaluarën, të tashmen e të ardhmen pa asnjë heroike, por si një produkt fatesh dhe rrethanash që burojnë nga mungesa totale e respektit tonë për të vërtetën, nga verdikti i turmës militante dhe servile ndaj liderëve të radhës? Nëse të kaluarën e humbëm, nëse tranzicionin po e humbim, a kemi ne forcë morale dhe vizion, sens përgjegjësie dhe kurajë të mendojmë të shpëtojmë të ardhmen?

Duke e nisur nga gjerat e thjeshta: – duke hequr dorë nga sjellja e turmës që rend pas udhëheqësit të radhës dhe duke i trajtuar vendimmarrësit siç në të vërtetë janë, – si zyrtarë të radhës, si njerëz që do i përzëmë me rotacion nga pushteti sa herë harrojnë se nuk janë të përjetshëm; duke i marrë me rezerva të gjitha kujtimet vet-mburrëse të tyre spekulative e të pavërteta; duke refuzuar oratorinë e tyre denigruese ndaj tjetrit dhe rendjen e tyre drejt kultit të individit; duke pranuar se Shqipëria vuan nga mungesa e elitave dhe sistemi i elitave të emëruara dje e sot është i mangët, antivlerë dhe pa produkt pozitiv për shoqërinë; duke injoruar teorinë e tyre të tokës së djegur dhe duke u kujtuar atyre orë e çast se Orwell në fakt, ia ka dedikuar thënien e tij regjimeve diktatoriale komuniste dhe se aplikimi i të njëjtës praktikë prej tyre nuk bën gjë tjetër veçse mban gjallë kulturën e diktatit, pushtetit, sundimtarit, pashallarit, fiktivitetit mbi të kaluarën, spekulimit me të tashmen dhe paqartësive të mëdha për të ardhmen.

Shkruar për ikub.al