Ardian Klosi
Në një shkrim të gjatë të pardjeshëm, z. Rami Memushaj thotë se paraqet pozicionet e ndryshme që ekzistojnë sot lidhur me drejtshkrimin e shqipes dhe çështjen që a duhet të ndryshojë ky drejtshkrim ose jo, duhet të ndryshojë pak ose duhet të ndryshojë shumë. Pastaj ai thotë se në debat dallohen tri palë. Më pas vijon se debati për gjuhën standarde është përplasje midis elitave dhe kundërelitave; elitat mbështesin standardizimin e gjuhës, kurse kundërelitat, të cilat dikur përfaqësoheshin nga intelektualë të emigracionit [apo siç i quanin para vitit 1991 armiq të pushtetit popullor, shënimi im A.K.] sot intelektualë në dy pjesët kryesore të vendit përpiqen të shkëputin periferitë nga qendra [kupto, të përçajnë gjuhën shqipe, A.K.], njësoj siç përpiqen të çmitizojnë heronjtë kombëtarë, godasin simbolet e përbashkëta, gjuhën standarde, prejardhjen ilire të shqiptarëve dhe luftërat e tyre për liri.
Pastaj z. Memushaj thotë (mëton) se jep pikëpamjet më ngushtësisht gjuhësore të palëve të ndryshme, p.sh., lidhur me drejtshkrimin e ë-së patheksore.
Në paragrafin e para-parafundit ai kujton se si dështoi përpjekja çeke për të reformuar drejtshkrimin në vitin 1993 [por nuk e përmend se si në vende të tjera p.sh., në Gjermani përpjekje të ngjashme kanë pasur sukses, A.K.]. Pak para se t’i afrohet fundit, pasi ka hedhur poshtë edhe mundësinë që këshilli ndërakademik të arrijë ndonjë gjë, thotë se, meqë asnjë ndryshim nuk mund të bëhet në gjuhën standarde/drejtshkrim, duhet thirrur një diskutim i gjerë mbarëpopullor, nga poshtë-lart me pjesëmarrjen e të gjithëve [kur, si, kush do ta bëjë këtë punë? D.m.th., puna s’ka për t’u bërë kurrë ndonjëherë, A.K.]. Në fund fare autori thotë se të gjitha propozimet duhet të mblidhen rreth Fjalorit Drejtshkrimor, botim i vitit 2011 [i cili ka për bashkautor Rami Memushajn, shënimi im A.K.].
Edhe më shkurt mund të ishte përmbledhur shkrimi i pardjeshëm, me një fjali të vetme, p.sh: Drejtshkrimi i vitit 1972 është i paprekshëm, ose edhe më saktë: Kush kërkon të prekë drejtshkrimin e vitit 1972 kërkon të prekë origjinën ilire dhe identitetin e shqiptarëve.
Nuk mund të ketë ndonjë vlerë më shumë se këto dy pohime, kur ky shkrim bën gabimin e madh që fut në një diskutim gjuhësor debate ideologjike. Bën edhe gabimin tjetër që citon fjalët dhe pikëpamjet e profesionistëve të fushës sipas dëshirës së tij, pa ua përmendur emrat, duke e ditur, me shumë gjasa, se po shtrembëron shtjellimet e tyre. Me një fjalë në stilin e keq të propagandës së vjetër, e cila kurrë nuk na i jepte bie fjala autorët e quajtur dekadentë me tekstet e tyre origjinale; po kështu vepronte edhe e ashtuquajtura “gjuhësi marksiste” në vitet 70 me Saussure-in, Sapirin, Bloomfieldin etj., në Fakultetin Filologjik, në kohën kur isha aty student dhe autori mësues i drejtshkrimit.
Për çudi e kam më shumë në kujtesë si komandant të rreptë aksionesh dhe zboresh, siç dhe vetja nga ai fakultet më fanepset përherë me rrobe ushtarake.