Ekzistojmë me të vrarët tanë

0
46

Preç Zogaj

Revista prestigjoze “Time” shpalli në muajin dhjetor Neriun e Vitit për dymijë e njëmbëdhjetën. Ndryshe nga herët e tjera, kësaj radhe Njeriu i Vitit nuk u përzgjodh një individ, por një bashkësi qindramilionëshe njerëzish me emrin “Protestuesi”, një zgjedhje e beftë në raport me traditën, por e qëlluar dhe e drejtë në raport me protagonizmin e forcave që i dhanë tonin vitit 2011.

Ky ishte viti i marshimeve, protestave dhe demostratave pa precedent në pikpamje të shtrirjes së tyre në kohë dhe në hapësirë. Gjithë viti u mbush me to. Pothuajse gjithë globi u përfshi. Si një Leviathan i kohës moderne, “Protestuesi “ zbriti në skenën e historisw dhe lajmëroi disa nga lëngatat më të thella të planetit, duke kërkuar e diktuar rrugëdaljet. Protestat e fuqishme popullore në Tunizi, Egjipt dhe Libi nënshkruan fundin e regjimeve autokratike-diktatoriale, duke i dhënë jetë pranverës së lavdishme arabe, domethënë fillimit të erës së lirisë dhe demokracisë atje. Populli i vjetër arab u vra dhe vazhdon të vritet për lirinë. “Protestuesi” atje ka fituar shumë beteja, por nuk e ka fituar ende luftën.

Viti 2011 thirri ndërkaq në skenë kortezhet e gjata të protestuesve meksikanë , amerikanë, spanjollë, grekë, rusë, shqiptarë, e tjerë e tjerë. Sekush për një kauzë sa vendore, aq edhe universale. Meksikanët kundër krimit të organizuar, amerikanët kundër trajtave perverse të pabarazisë, europianët kundër krizës ekonomike, pasojë e një mashtrimi dhe fallciteti të ngritur në sistem nga elitat politike jashtë kontrollit, rusët dhe shqiptarët kundër autokracisë së korruptuar që manipulon zgjedhjet për të mbajtur pushtetin dhe mban pushtetin për t’u pasuruar për vete.

Thirrja urdhërore dhe gjëmëmadhe “mjaft” pushtoi horizontin e vitit 2011 për të kaluar mes fishekzjarreve të shpresës në horizontin e vitit 2012. Njerëzit në gjithë botën po pyesin, po kundërshtojnë, po denoncojnë, po përballen, po kërkojnë zgjidhje të reja. Koha e diktaturave dhe kastave të përjetshme po perëndon njeherë e përgjithmonë në planetin tonë. Por diçka thelbësore nuk po funksionon as në vendet që kanë përqafuar prej dekadash e shekujsh demokracinë.

Ka krisje, pasiguri, lëvizje tektonike. Diçka ka ngecur në mekanizmin “magjik” të votimit të fshehtë. Autokratët e rinj ia kanë gjetur anën ta driblojnë dhe të qëndrojnë në krye edhe kur nuk kanë mbështetjen e mjaftueshme të qytetarëve. Njerëzit e kanë kuptuar se votimi i fshehtë nuk është më i mjaftueshëm për të ndëshkuar papërgjegjshmërinë dhe promovuar përgjegjshmërinë. Duhet protestuar, duhet demostruar. Protestat po ravizojnë trajtat e një botë të re.

Revista “Time” ka parë një ide demokracie në të gjitha llojet e protestave të vitit 2011, pavarësisht veçorive të tyre. Ajo ia kishte kushtuar numrin e saj të dhjetorit pikërisht “Protestuesit”, duke përmendur shumicën e vendeve ku kanë vluar e vlojnë ende protestat popullore. Shkrimet dhe intervistat e këtij numri special shoqëroheshin me foto të protestuesve të ndryshëm nga Lindja e Mesme, Afrika, Europa, Amerika , Rusia…Deri edhe një qen i famshëm që e kemi parë sa e sa herë në demostratat e qytetarëve grekë kishte vendin e vet, pse jo të merituar, në polifoton e madhe të “Protestuesit”.

Kurse Shqipëria nuk permendet. Shqipëria duhet të ngushëllohet me një vend të supozuar në fjalën “e tjerë”! Keqardhja e mospërmendjes është e dy- tre fishtë, së pari sepse “Protestuesi” shqiptar e miraton nga fillimi në fund atë që ka berë “Time”. Së dyti, Shqipëria është i vetmi vend në Europë ku protestat e opozitës u goditën me armë armë zjarri nga regjimi në fuqi. Në demostratën e madhe të 21 janarit në Shqipëri u vranë katër qytetarë dhe u plagosen dhjetra të tjerë. “Protestuesi” shqiptar është i vetmi në Europë me shenja gjaku në ballë dhe në trup.

Është harruar Shqipëria ? Është skualifikuar? Është lënë jashtë me qëllim? Nuk mund të themi është lënë jashtë më qëllim. “Time” është një prej mediave të njohura europiane që ka shkruar mjaftueshëm dhe me objektivitet për të vrarët dhe të plagosurit në demostratën shqiptare të 21 janarit 2011. Nuk mund të themi është skualifikuar. Një media kaq serjoze nuk mund të vendosë foton e një qeni dhe të injorojë ata që kanë dhënë jetën. Ka shumë mundësi pra që Shqipëria të jetë lënë jashtë nga nënvlerësimi, shpërfillja, harresa. Nuk është hera e parë. Nuk është hera e parë që Shqipërisë i duhet të kërkojë ngushëllim në vogëlsinë e saj. Por nuk është e lehtë kur ka jetë të këputura në mes. Replika e parë që të shkon në mendje me një media të respektuar angleze dhe me një botë gjithnjë e më të shurdhër ndaj fatit të të vegjëlve është se ne ekzistojmë. Ekzistojmë me të vrarët tanë.

Me Hekuran Dedën, me Ziver Veizin, me Faik Myrtaj dhe Aleks Nikën. Ata ishin katër demostrues paqësorë që u vranë me armë zjarri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” nga forcat e Gardës së Republikës. Kryeministrit i vendit Sali Berisha kishte mundësi t’i shikonte nga xhamat e zyrës së tij këto vrasje dhe plagosjen e shumë të tjerëve që ishin mbedhur atje poshtë t’i kërkonin punë, ligj, drejtësi, zgjedhje pa vjedhje. Të vrarët ishin që të katër baballarë dhe kishin secili nga dy fëmijë të moshave të ndryshme, gjithsej tetë jetimë, që pas pak muajsh mbeten shtatë, pasi djali i madh i Faiku Myrtajt, Bardhoshi, vrau veten në rrethimin e pikpyetjeve dhe dëshpërimit për vrasjen e të jatit nga shteti.

Një vit më pas krimi që lindi i zbardhur para kamerave nuk është zbardhur ende në letra. Në mungesë të drejtësisë që po vonon, ndoshta gratë e veja dhe nënat kërcure të të vrarëve luten që të vonojë po aq edhe rritja e të vegjëlve, që të mos përfundojnë, pa dalë e drejta, në rrethimin e dëshpërimit që vrau më të madhin e jetimëve, Bardhoshin.

Aleksi, Hekurani, Faiku dhe Ziveri nuk do të ishin vrarë ashtu në SHBA, në Spanjë, në Greqi. Madje as në Rusinë e Putinit. Kurrën e kurrës. Zbardhja e krimit dhe çuarja e fajtorëve në bankën e drejtësisë nuk do të ishin penguar e vonuar kështu në SHBA, në Spanjë, në Greqi, madje as në Rusi. Kurrën e kurrës. Po të qëndroninfortamerikanëtdhe europianët në parimet e tyre edhe në Shqipëri, Berisha nuk do ta çonte nepër mend të përdorte armët e zjarrit në demostratën e 21 janarit. Ka diçka të rëndë në këtë lloj oportunizmi dhe indiference që vret njerëz dhe shpresa. Deri dje ia kemi lënë fajin mbylljes dhe izolimit për shpërfilljen që na ra për hise dhe për drejtuesit paranojakë e mizorë që kemi patur mbi krye.

Shpërfillja në kushtet e hapjes lëndon më shumë sepse na vë përballë me mallkimin fatal të vendit të vogël. E dimë se civilizimi nuk ka në qendër madhësinë dhe numrin e banorëve të një vendi. Ka individin, njeriun e lirë. Në këtë kuptim çdo individ është një botë dhe çdo vend është po aq i rendësishëm. Shqipëria është e vogël edhe sepse i duhet të luftojë me kufizimet e të mëdhenjve për këtë çështje. Asaj i duhet të klithë dhjetë herë me shumë që të dëgjohet. Ky nuk është problemi i një pale që proteston dhe i një pale që mbrohet. Rolet do të ndërrohen nesër. Nga shpërfillja humbim të gjithë. Prandaj “Time”, duke harruar “Protestuesin” shqiptar, ka harruar Shqipërinë.