Eksporti i fatkeqësive

0
26


Nga Mero Baze

Shqipëria është lakuar dy ditët e fundit në rajon për dy zhvillime shumë të papritura. Zhvillimi i parë kishte të bënte me arrogancën me të cilën “shteti amë” ndërhyri “për të rrahur qysh këlysh” shtetin e ri të Kosovës, për shkak se kishte guxuar t’i kontrollonte bagazhet e dyshimta në makinën e motrës së deputetes Albana Vokshi dhe zhvillimi i dytë ka të bëj me alarmin që po përhapet në Kroaci, destinacionin më të mirë turistik të bregut lindor të Adriatikut, i cili është mbushur befas me plehra të shkuara nga Shqipëria. Mes fotografive shokuese që boton shtypi kroat, shquan ambalazhet tona si uji “Bureto” apo qese plastike të EHVV.

Të dyja këto fenomene të eksportuara në rajon, me arrogancë dhe papërgjegjësi, në të vërtetë vizatojnë realisht identitetin e pushtetit të sotëm në Shqipëri. E para, që ka të bëjë me Albana Vokshin, një femër e familjes në pushtet, është ndoshta gjëja më e keqe që ky vend ka eksportuar ndonjë herë jashtë kufijve, pas financimit të grupeve marksiste në vitet 70-të. Shteti i ri i Kosovës, me rregulla dhe mentalitet të ri, u thye fatkeqësisht në përballjen me arrogancën e Sali Berishës, duke i dhënë qytetarëve të Kosovës një leksion të egër të mosndëshkimit të njerëzve me pushtet politik.

Vendi, i cili ka mbetur i izoluar nga Evropa për shkak të mosbesimit që kanë ende tek institucionet e tij, do ta kishte një medalje të shkëlqyer në gjoksin e vet sjelljen korrekte të policisë dhe Gjykatës së Prizrenit ndaj një njeriu të pushtetshëm të Shqipërisë, që synon të shkelë ligjet kudo që i shkel këmba. Fatkeqësisht, Kosova pranoi të marrë eksportin e kulturës sonë politike, atë që Bashkimi Evropian e ka konsideruar në raportet e tij të tri viteve të fundit, fenomeni i “pandëshkueshmërisë”.

Me gjithë rezistencën fillestare dhe vendimet korrekte të gjykatave, presioni verbal i Sali Berishës mbi Hashim Thaçin bëri të vetën. Nuk dua të hyj fare në detajet e sjelljes prej avdalle të Albana Vokshit, pasi e njoh aq mirë sa më duket se kam qenë atje kur e ka bërë atë idiotësi. Ajo që do të ngrinte imazhin e shtetit të ri të Kosovës dhe mungesës së varësisë së tij dhe nga veset e Tiranës, do të ishte pikërisht distanca që duhet të mbante kryeministri i Kosovës nga puna e institucioneve të tij.

Por ai e humbi këtë provim. Hakërrimat e Sali Berishës se këtë punë e ka bërë Tan Lepuri, që është mik me Hashim Thaçin dhe presioni verbal i tij ndaj gjithë shtetit të Kosovës, ishte një test i humbur për shtetin e ri të Kosovës. Ata dëshmuan jo vetëm që ndjehen të përulur para autoritetit të pushtetit të Tiranës, por kam frikë se kanë dhe adhurim për mënyrën se si Sali Berisha nënshtron në Shqipëri gjyqësorin apo gjithë strukturat e shtetit. Por, për fatin e keq të pushtetit në Kosovë, aty ka dhe sy dhe veshë perëndimorë, është mes të tjerash EULEX dhe prezenca ndërkombëtare, e cila do të raportojë me dëshpërim për këtë gjest.

Edhe pse krahasimi nuk vlen simbolikisht, dëshmimi i një varësie të tillë ndaj Tiranës zyrtare e bën shumë të pafuqishëm Hashim Thaçin dhe këdo tjetër që do të qeverisë Kosovën për t’u treguar kufirin serbëve në Veri, apo arrogancës së tyre për të mos e konsideruar kufirin Kosovë- Serbi. Dhe kur mendon se e gjithë kjo vjen nga presioni dhe arroganca që Sali Berisha do të eksportojë në Kosovë, ndjehesh keq që Shqipëria bëhet aleatja dhe avokatja më e mirë e Serbisë në mënyrën se si ajo sillet me Kosovën.

Paternalizmi arrogant i Sali Berishës e vë Kosovën në pozita të vështirë, pasi ajo e ka tani edhe më të vështirë të justifikojë qoftë dhe formalisht ndalimin e zyrtarëve serb në kufi, apo kontrollin e bagazheve të tyre. E gjendur mes një shteti që nuk e njeh Kosovën për shkak të historisë dhe mentalitetit kolonialist të saj dhe një shteti që e njeh, por e do si domen të zgjatur të pushtetit të saj, Kosova duhet të dëshmojë se ka historinë e saj, që nuk lidhet as me pushtetin serb në Beograd dhe me as pushtetin e Sali Berishës në Tiranë.

Zhvillimi i dytë negativ që ka të bëjë me eksportet e Shqipërisë në këto kohë është eksporti i plehrave drejt Kroacisë. Në ditën që Shqipëria deklaroi se do të heqë doganat për importin e plehrave dhe do të favorizojë ardhjen e tyre për përpunim në Shqipëri, si me dorë të Zotit, i dëshmoi gjithë rajonit se është nj vend i papërgjegjshëm, një territor i pamenaxhueshëm dhe një qeveri gënjeshtare. Derrat e mbytur në Lezhë nga përmbytja dhe mijëra tonelata materiale plastike me gjithë markat e ujërave dhe plasmasëve të Shqipërisë kanë mbushur bregdetin e Dubrovnikut duke tmerruar vendin më turistik të rajonit. Sikur një mijë spote të kishe porositur kundër gënjeshtrave të Sali Berishës, asgjë nuk është më shokuese dhe bindëse se kjo që ka ndodhur.

Në këto kohë krize, kur Shqipëria është vend konsumator dhe aktualisht si lëndë të parë konsumon vetëm gënjeshtrat e qeverisë, dy gjërat e vetme që eksportoi këtë fundjavë janë të dyja helmuese për rajonin. E para është asfiksuese për demokracinë e re në Kosovë dhe shtetin ligjor atje, e dyta për turizmin dhe imazhin e Shqipërisë në një vend, i cili është duke hyrë në BE, dhe të parët mysafirë pa viza nga Shqipëria u bënë plehrat e saj.