Intervistë me eksperten amerikane të Drejtësisë Znj. Kathleen Imholz, me një përvojë të gjatë në sistemin zgjedhor shqiptar dhe në atë të vendit të saj, SHBA-së. Këtu, ajo, flet për debatin e fundit të zgjedhjeve në Shqipëri, për klasifikimin e votave, sjelljen e KQZ-së, idenë e rivotimit në Tiranë…
Nga: Ben Andoni, MAPO
Kathleen Imholz është gjithnjë atje. Ku? Kurdo dhe kudo që Shqipëria ka jetuar tollovitë e saj, ekspertja e njohur, i ka ndjekur me kujdes duke dhënë madje edhe asistencën e saj. Kohë më parë, në një aktivitet të madh për Lustracionin në Ballkan të zhvilluar në Beograd, ajo përfaqësonte Shqipërinë dhe përshkimi tejet profesional që i bëri sistemit shqiptar, i la të mahnitur kolegët “e saj ballkanikë”. Kathleen në gjithë këto 20 vjet jo thjesht ka afruar asistencën e saj, por më shumë akoma ka ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet zgjedhore dhe ato të fushave të tjera. Si të gjithë profesionistët e shkallës së saj ruan ekuilibrat e duhur dhe është edhe ngushëlluese, kur thotë se edhe në vendin e saj, me një demokraci gati 200 vjeçare ndodhin të tilla gjëra. Ka një mendim të pastër dhe të thjeshtë për zgjedhjet e fundit, që “Rregullat nuk duhet të ndryshohen në fund të lojës”. Në këtë intervistë të gjerë për MAPO lexuesi i gjerë mund të informohet edhe për të gjithë kleçkat e sistemit zgjedhor shqiptar
Si juriste e vjetër në profesion, si e shikoni procesin vazhdimisht të përfolur të zgjedhjeve shqiptare? Cilat janë instrumentet që e bëjnë atë kaq të brishtë?
“Para së gjithash, më lini t’ju sqaroj se unë vij nga qyteti i Nju Jorkut dhe procesi ynë i zgjedhjeve atje, gjithashtu përflitet vazhdimisht. Unë kam qenë anëtare e komisionit të Shoqatës së Avokatëve të Qytetit të Nju Jorkut për përmirësimin e ligjit zgjedhor dhe e di mirë se çfarë problemesh serioze kemi pasur në SHBA dhe jo vetëm në Nju Jork apo në Florida, e cila u bë famëkeqe në kohën e numërimit të zgjedhjeve presidenciale Bush/Gore të vitit 2000, por gjithashtu edhe në shumë shtete të tjera. Dhe, të mendosh, kjo ndodh edhe pas plot dyqind viteve të zhvillimeve demokratike tek ne. Kështu që, si një vëzhguese e shumë prej zgjedhjeve të zhvilluara në Shqipëri – që datojnë pas prej vitit 1992, them se kam një pikëpamje realiste në lidhje me problemin.
Kodi zgjedhor shqiptar, të cilin e njoh më mirë, është ai që u adoptua në muajin maj të vitit 2000, kur unë punoja për OSBE-në. Në Kushtetutën e vitit 1998, për herë të parë është parashikuar si organ kushtetues Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Nëse do të lexoni debatet që zunë vend përpara Kushtetutës së vitit 1998, të përmbledhura në dy volume dhe të botuara kohët e fundit nga OSBE-ja me titullin “Debati kushtetues”, do të shikoni se anëtarët e komisionit për hartimin e kësaj Kushtetute kishin dyshime se një KQZ e cili në të vërtetë do të ishte e pavarur mund të ekzistonte realisht në Shqipëri. Historia e KQZ-së, përfshirë prishjen e saj më 2008 si organ kushtetues, kanë treguar se dyshimet e tyre ishin vërtetë të bazuara.
Kur Kodi i vitit 2000 ishte në hartim e sipër gjatë viteve 1999-2000, disa nga njerëzit që e përgatitën atë, shpresonin jo vetëm të promovonin pavarësinë e një KQZ-je të re të konstitucionalizuar por gjithashtu edhe t’i bënin komisionet zgjedhore të niveleve më të ulëta profesionale dhe jo politike. Por, ata shpejt e kuptuan se në një vend që është i vogël dhe tejet i polarizuar politikisht, komisionet e niveleve të ulëta nuk mund t’i largoheshin politikës.
Megjithëkëtë, ka rrugë për të inkurajuar profesionalizmin e komisionereve. Për shembull, mund të ndryshohet dispozita që gjendet në kodet e fundit zgjedhorë, përfshirë këtë të sotmin, sipas së cilës çdo subjekt politik mund t’i ndryshojë komisionerët apo anëtarët e grupeve të numërimit në çdo kohë dhe për çfarëdo arsye. Me masat aktuale, njerëz pa asnjë përgatitje mund të hidhen në proces, madje edhe në ditën e votimit dhe të tillë njerëz janë më të ndikuar për të marrë vendime politike në vend të atyre që janë profesionalistë në sensin administrativ dhe teknik. Besoj se kjo është një nga pikat që edhe ODHIR-i e ka ngritur në raportet e tyre post-zgjedhore”.
Si e shikoni debatin e fundit në lidhje me votat e hedhura gabim, si të vlefshëm apo të pavlefshëm?
“Kodi Zgjedhor që është në fuqi, ashtu si gjithë kodet zgjedhorë kudo në botë, është një dokument kompleks, por në disa aspekte ka qartësi. Neni 117, “Llojet e votave dhe kriteret për vlerësimin e votës”, shpjegon se votat janë të ndara në të vlefshme dhe të pavlefshme dhe në pikën 3, ai liston kushtet që e bëjnë votën të pavlefshme (duke dhënë tetë kategori). Neni 118, “Vlerësimi i votave”, përshkruan qartë sesi ekipet e numërimit duhet të vlerësojnë çdo votë. Nëse ata nuk bihen dakord që një votë e caktuar është e vlefshme apo e pavlefshme, pika 2 e nenit 118 thotë se ata e vendosin fletën në një vend të ndarë të dedikuar për fletët e votimit të kontestuara dhe vazhdojnë me fletët e tjera. Në fund, mbështetur në nenin 118/4, grupi i numërimit i rivlerëson fletët e kontestuara; nëse ata sërish nuk bihen dakord, atëherë KZAZ merr vendim për secilën nga këto vota, vendim i cili mund të ankimohet në një rrugë normale, ashtu si vendimet e tjera të KZAZ-së. Fletë-votimet e kontestuara identifikohen në mënyrë të ndarë në procesverbalin final të numërimit. Duhet të theksohet gjithashtu se, sipas nenit 118/5, arsyet e kontestimit duhet të shënohen qartësisht në pjesën e prapme të secilës prej fletëve të kontestuara. Kjo procedurë është, ashtu siç thashë, e qartë dhe e arsyeshme.
Mund të argumentohet se sipas nenit 117/3, fletët e hedhura në kutinë e gabuar janë të pavlefshme (për shembull, sepse ato janë me ngjyrë të ndryshme nga votat e tjera në këtë kuti – shiko nenin 117/3a). Është raportuar gjithashtu gjerësisht se praktika e vazhdueshme e administrimit të zgjedhjeve në zgjedhjet e mëparshme, dhe në këtë të fundit deri në përfundimin e numërimit në Tiranë, ka qenë konsiderimi i këtyre fletë votimi si të pavlefshme. Nuk kam njohuri drejtpërdrejtë për këtë, por ajo që më duket e rëndësishme është se që ekziston një procedurë e qartë për të kontestuar pavlefshmërinë e votave dhe subjekti që mendon se fletë-votimet e hedhura në kutinë e gabuar duhet të konsiderohen të vlefshme, kishte mundësi, që nga fillimi i votimit, për ta përdorur procedurën ekzistuese për ti kontestuar ato. Kjo nuk është bërë.
Kështu që, unë e gjej veten në mirëkuptim me shumë komentatorë, shqiptarë dhe të huaj, që mbajnë qëndrimin se rregullat nuk duhet të ndryshohen në fund të lojës. Fakti që rezultati i votimit në Tiranë ishte aq i ngushtë nuk ka efekt mbi këtë çështje legale”.
A duhej që KQZ të parashikonte që më parë këtë situatë dhe të vendoste rregulla të pastra për aktorët?
“Është e lehtë të thuash, pasi ndodh, që problemet të cilat janë shfaqur në implementimin e ligjit mund të shmangeshin duke hartuar rregulla të qarta në fillim. Kjo situatë s’është e re (që fletët e votimit ndonjëherë hidhen në kutitë e gabuara). Ashtu si shpjegova më sipër, sërish, mënyra e caktuar për të zgjidhur këtë problem në nenet 117 dhe 118 të Kodit Zgjedhor më duket e arsyeshme. Nga ana tjetër, mendoj se përvoja e këtyre zgjedhjeve do të jetë një ndihmë shumë e madhe për hartuesit shqiptarë të Kodit të ardhshëm Zgjedhor apo të ndryshimeve të këtij ekzistues.
Do doja të shtoja se kam qenë e përfshirë me hartimin legjislativ në Shqipëri për një kohë të gjatë, dhe jo vetëm në Kodin Zgjedhor të vitit 2000, por edhe në shumë ligje të tjera dhe veçanërisht që nga viti 2005 deri më 2010, punova si “eksperte ndërkombëtare mbi hartimin e ligjeve dhe përafrimin ligjor” për një projekt të BE-së që asistonte sistemin e drejtësisë shqiptare. Kam respekt të madh për juristët dhe hartuesit shqiptarë, me të cilët jam njohur në punë gjatë këtyre 20 viteve. Megjithatë, si Kodi në fuqi, si dhe ligje të mëparshme zgjedhore, dhe shumë ligje të tjera shqiptare, kanë vuajtur për arsye të njërës apo tjetrës krizë politike. Siç dihet, përpara zgjedhjeve të 8 majit, ishte e pamundur që të bëhej ndonjë ndryshim në këtë Kod Zgjedhor, që u miratua gjatë një krize tjetër politike në fund të vitit 2008, pas grevës së urisë së LSI-së dhe disa partive të tjera të vogla. Unë me gjithë zemër nxis që në të ardhmen, juristëve dhe hartuesve shqiptarë t’u jepet koha dhe lehtësirat e mjaftueshme që të rishikojnë të gjithë historinë e mëparshme zgjedhore në mënyrë që të prodhojnë përpara zgjedhjeve të radhës, një kod zgjedhor sa më profesional të jetë e mundur për Shqipërinë në këtë kohë”.
Si e shikoni në rastin konkret sjelljen e KQZ-së për problemin e numërimit të votave për Bashkinë e madhe të Tiranës?
“Jam juriste dhe po ashtu e huaj, dhe mendoj se nuk është e përshtatshme për mua të komentoj në lidhje me ndonjë sjellje të veçantë të KQZ-së. Mund të përsëris vetëm si juriste, se Kodi ekzistues ka procedura të përcaktuara qartë për numërimin e votave. Kam përmendur më sipër problemet që janë paraparë nga anëtarët e komisionit të vitit 1997-1998 për hartimin e Kushtetutës në lidhje me krijimin e një komisioni të pavarur qendror të zgjedhjeve në Shqipëri. Ndoshta, nëse do të ketë vullnet të mirë dhe kohë të mjaftueshme kushtuar procesit, disa rregullime mund të bëhen në përmirësimet e ardhshme të Kodit Zgjedhor që do të zvogëlojnë mundësinë e konflikteve të tilla si ky i tanishmi”.
A mendoni se Kolegji Zgjedhor do të përballojë trysninë politike në rastin e Tiranës?
“Kam besim në mirëkuptimin dhe maturinë e të gjithë popullit shqiptar të cilët i kam parë të demonstruar vazhdimisht. Kam mësuar gjithashtu, me kalimin e shumë viteve në Shqipëri, për rastet e presionit politik dhe llojet e tjera të presioneve mbi gjykatës dhe persona të tjerë dhe për institucione që janë në teori të pavarura. Në disa nga këto raste presionesh, krejt ndershmërisht, persona inteligjentë kanë treguar maturi dhe vetëpërmbajtje për të arritur rezultate të drejta. Se si do të ndodhë me çështjen tani, natyrisht, që nuk mund ta parashikoj”.
Ju duket se procesi i zgjedhjeve në Shqipëri është i pamundur të shkojë në rrjedha normale në të gjithë elementet e tij?
“Është gjithnjë e vështirë për një proces kaq kompleks sa procesi elektoral që të shkojë normalisht në të gjithë elementet e tij, madje edhe në vende shumë të zhvilluara si SHBA-ja, siç e theksova më sipër. Por nuk besoj se është e pamundur për Shqipërinë të bëj më të mirën dhe të arrijë rezultate më normale. Hapi i parë është që të zgjidhet kriza ekzistuese, ndërsa hapi tjetër është për të vlerësuar ‘mësimet e mësuara’ nga kriza. Pas kësaj, është e rëndësishme për t’ia kushtuar kohën e nevojshme përmirësimit të Kodit Zgjedhor (dhe mundësisht dhe vetë Kushtetutës). Ky është një proces që duhet të drejtohet nga shqiptarët, sepse vetëm i zoti e di ku i pikon çatia”.
Si i shikoni shtabet e partive dhe gjuhën e përdorur nga ato në fushatat elektorale?
“Jam juriste dhe jo politologe ose komentatore, dhe nuk mund të gjykoj sjelljet e veçanta të liderëve të partive apo stafeve të tyre. Dua të them megjithatë dy gjëra në këtë kontekst: Së pari, jam mësuar me stilin e fushatave politike në Shtetet e Bashkuara dhe jo të gjitha ato janë bërë në mënyrë të qytetëruar. Kështu që, situata e përgjithshme e fushatës së zgjedhjeve, që kam këqyrur si dëshmitare në Shqipëri, nuk më është dukur aq e keqe. Por në përgjithësi, me sa duket, do të ishte më e mirë për Shqipërinë nëse gjuha që përdorej kudo – qoftë në artikujt e gazetave, në televizion, madje edhe në Parlament të ishte më e qytetëruar. Ky është një aspekt i rëndësishëm për integrimin e vërtetë Euro-Atlantik: jo të ndalohen kritikat, jo të ndalohet debati, por të bëhet ai në një mënyrë xhentëlmenësh, duke vlerësuar pikat e mira të kundërshtarit dhe duke shmangur gjuhën e fyerjes”.
Ka disa alternativa, që po fliten aktualisht dhe ndër këto është ideja e një kompromisi politik për të shmangur fitoren në tavolinë. Personalisht si e konsideroni juve idenë e një rivotimi apo rinumërimi në kushtet aktuale?
“E marrë në anën pozitive, është mirë që një situatë e tillë vërtetë e vështirë do e bëjë popullin të mendojë më gjatë dhe më fort për alternativat e zgjidhjes, dhe jo vetëm zgjidhjen e krizës së tanishme por për një zgjidhje afatgjatë, duke përfshirë këtu dhe përmirësimet e Kodit Zgjedhor. Por më lejoni t’ju them diçka në lidhje me “Kompromisin politik” që, si juriste, mendoj se është i rëndësishëm. Kur arrihen kompromise politike, hapi tjetër është për t’i vendosur ato në një akt ligjor të detyrueshëm, duke e ndryshuar ligjin ekzistues po të jetë nevoja, dhe jo thjesht duke e injoruar atë. Kam parë se shpesh në Shqipëri ndiqet një përqasje e gabuar, dhe një shembull që ka lidhje me KQZ-në më shkon ndërmend në lidhje me këtë. Kur Kodi Zgjedhor i vitit 2000 pësoi ndryshime të mëdha para zgjedhjeve lokale të vitit 2003, partitë arritën një marrëveshje rreth përbërjes së KQZ-së dhe u mendua se kjo do të “bindte” Këshillin e Lartë të Drejtësisë, i cili sipas kodit ekzistues kishte të drejtën dhe detyrimin që të zgjidhte anëtarin e radhës së KQZ-së. Por kur KLD zgjodhi një anëtar krejt ndryshe nga pritshmëria e njërës prej subjekteve zgjedhore, u krijua një krizë politike e panevojshme – dhe efektet e saj shihen dhe sot e kësaj dite.
Ky problem mund të zgjidhej lehtë me anë të një dispozite kalimtare, e cila mishëronte marrëveshjen politike (d.m.th., që anëtari tjetër i KQZ-së të vinte nga një subjekt zgjedhor i caktuar). Nëse forcat politike do të arrijnë një zgjidhje kompromisi për situatën e krizës ekzistuese dhe nëse zgjidhja është e papajtueshme me Kodin Zgjedhor ekzistues (që siguron, për shembull, që të bëhet rivotimi vetëm nën kushte shumë të kufizuara), është thelbësore që ligji zgjedhor të ndryshohet ashtu si duhet dhe jo të shpërfillet. Kjo duhet bërë jo vetëm me qëllimin për të shmangur konfuzionin, por gjithashtu kjo do të theksojë edhe angazhimin e Shqipërisë për sundimin së drejtës”.





