Eksperimentet Milgram dhe Asch

0
57


Eduard Zaloshnja

Në një turmë secili ngjan me secilin
Tri javë pas 21 janarit, një mik i im, i cili ka votuar rregullisht për PD-në deri më sot, më tha se nuk do të votonte më për të. Sipas tij, ai nuk mund të votojë për një parti që ka në krye dikë që urdhëron vrasjen e demonstruesve të ndodhur tej gardhit të Kryeministrisë. Ishte pikërisht frika se mos qëllohej nga plumbat e pushtetit, që e kishte pas ndalur atë të protestonte kundër qeverisë komuniste para vitit 1990. Dhe nuk mund të pranonte ai që një gjë e tillë të ndodhte tani që Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s.

Ndoshta duke ndjerë frikën se si miku im mund të mendonin edhe shumë të tjerë, Berisha deklaroi mbrëmjen e 21 janarit se, sipas të dhënave paraprake që kishte nga nga Spitali Ushtarak, rezultonte se viktimat e asaj dite ishin shkaktuar nga armë të kalibrit të vogël, jo në përdorim të forcave të rendit, të shtëna nga distancë e afërt dhe me silenciator. Dhe menjëherë pas kësaj, njerëzit dhe mediat afër tij filluan fushatën e faturimit të vrasjeve drejt opozitës.

Por kësaj fushate i dha fund gazetari Artan Hoxha i televizionit News 24, i cili transmetoi dhe analizoi pamje filmike që tregonin qartazi se të paktën njëri prej viktimave ishte vrarë drejtpërdrejtë nga një gardist. Gjithashtu, media të tjera treguan, dhe prokuroria konfirmoi, se gardistët kishin shkrehur dhjetra fishekë luftarakë në drejtim të turmës.

Pas rënies së fabulës së vrasjes me silenciator të viktimave nga vetë opozita, Berisha filloi ndërtimin e fabulës së grushtit të shtetit. Për ta bërë sa më të besueshme atë, ai deklaroi nga Kryeministria, si dhe në Komisionin Parlamentar për ngjarjen e 21 janarit, se kishte fakte të pakundërshtueshme që demonstruesit e asaj dite ishin të pajisur me armë speciale si çadra-pistoletë, stilolapsa-pistoletë e thika me helm, ndërkohë që makina të mbushura me kallëpe tritoli e kallashnikovë prisnin në gatishmëri tek restorant Taivani. Një tentativë kaq serioze grushti shteti, sipas Berishës, mund të merrte si përgjigje jo 3 por edhe 30 apo 300 të vrarë.

Qysh kur ky version i ngjarjes së 21 janarit u lançua nga Kryeministri (pa bërë publik asnjë nga “faktet e pakundërshtueshme” që përmendi), njerëzit dhe mediat afër tij nuk kanë pushuar së etiketuari atë ngjarje si grusht shteti. Por a ka funksionuar kjo fushatë mediatike e drejtuar nga Berisha & co?

Ardian Vehbiu, në artikullin “Demokraci përgjysmë”, botuar në respublic.al, ka bërë argumentimin më të mirë që kam lexuar deri më sot për nevojën që pyetjeve të tilla në Shqipëri t’u përgjigjen sondazhet e opinioneve. Duke mos i shtuar a pakësuar asnjë fjalë argumenteve të Vehbiut, këtu do të shpreh vetëm keqardhjen pse kultura e sondazheve periodike akoma nuk ka zënë rrënjë në Shqipëri. Dhe në mungesë të tyre, nuk na mbetet veçse të bëjmë hamendje.

Për të testuar se sa efekt mund të kenë patur te PD-istët broçkullat berishiane mbi çadrat-pistoletë, stilolapsat-pistoletë e thikat me helm, ngacmova për to një të afërmin tim, i cili ka qenë anëtar i PD-së që nga dhjetori i 1990-ës. Pasi nënqeshi me thumbin tim, ai më tha se shumë militantë të PD-së i besojnë ato. Madje ai më tha se të tillë militantë e vlerësojnë së tepërmi faktin që ai burri është i aftë që të marrë informacione të tilla të sofistikuara!!!

Duke mos patur arsye që t’i vë në dyshim fjalët e të afërmit tim (eksperienca më ka treguar se nuk më ka gënjyer ndonjëherë), më alarmoi ideja se ka njerëz që mund t’i besojnë broçkullat berishiane mbi çadrat-pistoletë, stilolapsat-pistoletë e thikat me helm. Të besosh ato do të thotë që mund të besosh symbylltazi çdo gjë që mund të dalë prej gojës së Berishës!

Por si mund të shpiegohet një bindje kaq e verbër ndaj një udhëheqësi? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, Profesori Stanley Milgram zhvilloi një eksperiment në vitin 1961 në Universitetin Yale të SHBA-së. Ai vuri dy njerëz në dhoma të ndryshme, ku ata nuk mund ta shihnin njëri-tjetrin, por mund ta dëgjonin. Në dhomën ku ndejti vetë, Profesori Milgram e udhëzoi personin që t’i bënte një seri pyetjesh personit tjetër, i cili, po të përgjigjej gabim, do të merrte një goditje me elektroshok. Voltazhi do të rritej nga 15 volt pas çdo përgjigje të gabuar, deri sa të arrinte maksimumin 450 volt. Në fakt, personi që ndodhej në dhomën tjetër nuk iu nënshtrua elektroshokut, por britmat dhe përplasjet e tij të krijonin përshtypjen se ai me të vërtetë po goditej nga elektroshoku.

Ky eksperiment u provua me 40 çifte personash dhe, në 65% të rasteve, pjesëmarrësit në eksperiment iu bindën udhëzimit të profesorit për të vazhduar deri në kufirin maksimal 450 volt. Kur pjesëmarrësit hezitonin, profesori u bënte këtë seri ndërhyrjesh standarde: 1- Ju lutem vazhdoni; 2- Rregullat e eksperimentit kërkojnë që të vazhdoni; 3 – Është shumë e rëndësishme që të vazhdoni; 4 – Nuk keni zgjidhje tjetër, duhet të vazhdoni.

Kur ky eksperiment u zhvillua në një ambient jo aq autoritar sa Universiteti Yale dhe me një drejtues jo aq të famshëm sa Profesori Milgram, u konstatua një nivel më i ulët bindjeje nga pjesëmarrësit në eksperiment. Gjithashtu, eksperimenti u zhvillua edhe në shumë vende të tjera të botës (për të testuar efektin e kulturave të ndryshme) dhe u arritën rezultate të ngjashme.

Rezultatet e këtij eksperimenti (i njohur në psikologjinë sociale si eksperimenti Milgram) është përdorur për të shpjeguar sjellje të tilla të përçudnuara si pjesëmarrja masive e nazistëve në shfarosjen e çifutëve, të cilët etiketoheshin nga Hitleri si njerëz që donin të minonin dominimin e racës ariane në Europë. Ndërsa në rastin e Shqipërisë (i cili, duhet theksuar, është shumë më pak ekstrem), ky eksperiment mund të shpjegojë faktin që ka militantë të PD-së që e besojnë versionin berishian të 21 janarit e, për rrjedhojë, e justifikojnë vrasjen e 4, 40, apo 400 demonstruesve.

Por që numri i njerëzve që e besojnë versionin berishian të 21 janarit të jetë sa më i madh, duhet futur në veprim edhe një mekanizëm tjetër psikologjik, ai që në psikologjinë sociale quhet “mentaliteti i kopesë”. Mund të bindesh për një gjë kur ta thotë njeriu më autoritar i partisë tënde, edhe pse mund të duket se ai po ia fut kot. Por gjasat janë më të mëdha të bindesh kur të njëjtën gjë e përsërisin pa pushim e pa pushim shumë njerëz rreth tij e poshtë tij.

Pikërisht për të demonstruar se sa ndikon opinioni i të tjerëve tek individi, Profesori Solomon Asch, në fillim të viteve ’50, zhvilloi një eksperiment të thjeshtë në Universitetin Princeton të SHBA-së. Eksperimenti konsistonte në futjen e tridhjetë studentëve në një dhomë ku u tregoheshin çifte vijash vertikale të cilat ishin dukshëm të ndryshme në gjatësi nga njëra-tjetra, me përjashtim të njërit që kishte vija me gjatësi identike. Secilit pjesëmarrës i kërkohej të jepte opinion se cili ishte çifti i vijave me gjatësi të barabartë, ndërkohë që të gjithë përveç studentit të fundit, i cili ishte në fakt subjekti real i eksperimentit, ishin udhëzuar fshehtazi paraprakisht që të zgjidhnin të njëjtin çift të gabuar.

Dhe pas përsëritjes së këtij eksperimenti me shumë grupe studentësh, Profesori Asch zbuloi se në 33% të rasteve, individët i besuan më tepër opinionit qartësisht të gabuar të njerëzve përreth se sa syve të tyre. Ai e përsëriti këtë eksperiment me numra të ndryshëm bashkëpuntorësh (që jepnin përgjigje kastile të gabuara) dhe vuri re se, duke filluar nga një grup prej 3 bashkëpuntorësh, fillonte të ndihej efekti i “mentalitetit të kopesë”. Gjithashtu ai provoi rastin kur jo të gjithë bashkëpuntorët jepnin përgjigjen e gabuar dhe vuri re një rënie të ndjeshme të efektit.

Ky rezultat spektakolar përdoret shpesh në psikologjinë sociale për të shpieguar fenomene të tipit ortek në fushën e investimeve, në politkë, në modën e veshjeve, etj., të cilat nuk i kanë munguar as historisë botërore dhe as asaj shqiptare. Disa shëmbuj: histeria spekulative e blerjes së fidanave të zambakëve në Hollandën e shekullit XVIII; blerja masive e aksioneve në bursën amerikane në vitin 1929; përhapja si vetëtimë e modës së pantallonave me fund të gjerë në ‘1970; ethet e investimit në skemat piramidale shqiptare në 1996.

Duke u kthyer në Shqipërinë e ditëve të sotme, parashikoj që fjala puçist do të jetë refreni i pandarë i kujtdo zyrtari apo kandidati të PD-së në fushatën e ardhshme zgjedhore. Kjo, me shpresë se sa më shumë njerëz ta përdorin atë e sa më shpesh të përsëritet, aq më shumë votues të PD-së do ta besojnë. Dhe rezultatet e eksperimentit Asch na sugjerojnë se kjo strategji mund të ketë sukses. Si rezultat, hamendësoj se votues të PD-së që do të bëjnë atë që ka vendosur të bëjë miku im, i cituar në fillim të këtij shkrimi, ndoshta do të jenë të paktë…