Ekskluzive/ Flet Izet Haxhia: Fijet arabe të Berishës

1
43

Xhevdet Shehu, 8 gusht 2015

Në valën e diskutimeve që ka shkaktuar lajmi i publikuar ditët e fundit se kryeterroristi i botës, Osama Bin Laden, ka qenë në Shqipëri në vitin 1994 dhe është takuar me Sali Berishën, përfshihet edhe ish-truproja i Berishës në ato vite, Izet Haxhia. Nga Turqia ku ai jeton prej vitesh, i ndjek me shumë vëmendje të gjitha zhvillimet dhe, kur e sheh të arsyeshme, ai pranon të prononcohet për gjëra që ai i di shumë mirë, se si kanë ndodhur dhe denoncon mashtrimet që bëhen. Ai nuk e konteston aspak lajmin e publikuar së fundi, ndërsa në këtë intervistë ekskluzive për DITA-n, Haxhia rrëfen lidhjet e Berishës me botën arabe dhe me ata që më pas do të identifikoheshin si terroristë ndërkombëtarë. Kush ishte ndërmjetësi misterioz me origjinë nga Shkodra i këtyre lidhjeve të Berishës me arabët dhe disa fakte të panjohura deri më sot. Si e vizitoi Berisha Kuvajtin me pasaportën e kryeshoqëruesit të tij dhe dhurata super e shtrenjtë, që Sulltani i Bruneit i dha Liri Berishës. Cili ishte roli i Bashkim Gazidedes dhe SHIK-ut në këto lidhje dhe miqësia e ngushtë e Berishës me Abdul Latif Salehun…

– Izet, siç mund të keni lexuar ditët e fundit, raporte të kohës nga agjencitë e inteligjencës, përfshi edhe CIA-n, flasin për një vizitë të Osama Bin Ladenit në Shqipëri në vitin 1994, gjatë së cilës ai është takuar dhe me ish-presidentin Sali Berisha. A kini pasur dijeni për këtë fakt në atë kohë?

– E lexova këtë lajm dhe nuk u çudita aspak. Në radhë të parë unë nuk mund të vë në dyshim vërtetësinë e informacioneve që dalin nga agjenci të tilla inteligjente. Ato nuk mund të diskutohen. Sa për pyetjen që më bëni, me sinqeritet deklaroj: Unë nuk mund të them me saktësi ka qenë apo jo Bin Ladeni në Shqipëri dhe a është takuar me Berishën. Kjo sepse deri më 1998, pas akteve terroriste në Kenia dhe Tanzani, emri i tij ka qenë i panjohur për publikun ndërkombëtar. Ai ka qenë i njohur vetëm nga shërbimet inteligjente të Amerikës e Perëndimit.

– Thuhet se ai ka qenë pjesëtar i një delegacioni të Arabisë Saudite, që ka vizituar Tiranën në atë kohë…

– Kjo mund të jetë e vërtetë. Di të them që delegacionet arabe kanë qenë mysafirë të vazhdueshëm e të preferuarit e Berishës, jo vetëm kur ka qenë president, por edhe në kohën kur ishte kryetar i opozitës. Disa delegacione të tilla kanë ardhur që në vitin ‘91 të përbërë nga sheikë misteriozë…

– Pse i quani misteriozë, Izet? Ata vinin zyrtarisht këtu, me ftesa të rregullta…

– Po, e drejtë që ata vinin zyrtarisht dhe me ftesa nga pala shqiptare. Por mua më kanë bërë përshtypje disa fakte. Për shembull, që ndërmjetësimet për vizitat e këtyre delegacioneve bëheshin nga një shqiptar me origjinë nga Shkodra, që jetonte në Arabinë Saudite.

– Kush ishte?

– Emri nuk më kujtohet, por ka qenë një i afërt me Ferit Hotin, ambasador asokohe. Ky person kishte një influencë të fortë në qarqet saudite dhe ka qenë personi që ka organizuar vizitën e papritur të Berishës në Riad të Arabisë Saudite nga fundi i vitit ‘92, kur Shqipëria papritur, u bë anëtare vëzhguese e Konferencës Islamike.

– Pse e papritur?

Epo, ky anëtarësim ka qenë një vendim personal i vetë Berishës, pa marrë mendimin as të parlamentit e as të qeverisë, një vendim që ka pasur një ndikim mjaft negativ në imazhin e Shqipërisë në perëndim.

– Të kthehemi edhe njëherë tek ai njeriu i afërt i Ferit Hotit. Mos edhe ai ishte një njeri misterioz?

– Po, i tillë ishte. Pse e them këtë. Një person me origjinë nga Shkodra që jetonte në Arabinë Saudite vërtet nuk mund të ishte ndryshe, përveçse misterioz. Kur vinte në Shqipëri, ai vinte i veshur me rrobat karakteristike që veshin sheikët sauditë, ndërsa kur takohej me Berishën në vizitat e këtij të fundit në Perëndim ishte i veshur si një biznesmen perëndimor. Gjithnjë më ka tërhequr vëmendjen fakti se në të gjitha vizitat që ka bërë Berisha jashtë, ku unë kam qenë i pranishëm, është takuar me këtë person qoftë edhe në kalimet tranzite nëpër aeroportet ndërkombëtare.

– A ke asistuar, Izet, në ndonjë takim të Berishës me arabët?

– Për vetë pozicionin tim si një shoqërues, nuk mund të merrja pjesë në këto takime të ngushta apo të dija për brendësinë e bisedimeve të tyre. Berisha ka qenë shumë fanatik në lidhje me këto takime, pra ai bënte kujdes që të diheshin nga sa më pak njerëz. Kështu që nuk mund të them asgjë për përmbajtjen e atyre takimeve, mund të pyesni për këtë ata të SHIK-ut, pasi ata kishin dijeni për gjithçka…

– Pse e ngatërroni SHIK-un në këtë histori?

– Sepse ata ishin më të besuar se unë, kur vinte puna për lidhjet me arabët. Do t’u them diçka që është edhe për të qeshur. Në vizitën e papritur të Berishës në Kuvajt, unë nuk jam marrë nga Berisha në delegacionin që e shoqëronte. Në vendin tim ka shkuar nënkryetari i SHIK-ut të asaj kohe Bujar Rama. Në darkë është vendosur për udhëtimin në Kuvajt dhe me anë të një avioni që kishte dërguar pala kuvajtiane, të nesërmen është bërë udhëtimi… Mirëpo pasaporta ime ishte ngatërruar me atë të Berishës në kasafortën e tij dhe gabimisht ai merr me vete pasaportën time. Me pasaportën time shkoi në Kuvajt. Ju kujtohet të gjithëve besoj se në atë vizitë Berisha ka thënë atë fjalën e famshme: Kur kam qenë i vogël, baba më ka pas fol për Kuvajtin

– Dhe si u zgjidh ajo puna e ngatërresës me pasaportën? Si e lejuan kuvajtianët?

– Mesa më ka treguar shefi i protokollit të Berishës në atë kohë, Vahit Boriçi, që ka qenë pjesë e delegacionit, ngjarjet janë zhvilluar kështu: Pasi kanë hipur në avionin Çarter, që i kishte dërguar sheiku i Kuvajtit, e kanë pikasur që pasaporta ime ishte ngatërruar me atë të Berishës. Pasi kanë bërë sqarimet me autoritetet kuvajtiane për këtë ngatërresë është zgjidhur çështja dhe ata e lejuan. Por është për t’u shënuar që mund të jetë hera e parë dhe e vetme, që presidenti i një vendi shkon për vizitë në një vend të huaj pa pasaportë, ose më saktë me pasaportën e truprojës së tij. Kjo është një nga çudirat shqiptare. Unë për vete nuk shkova dot në Kuvajt, por çova pasaportën me Berishën… Pra zëre se kam qenë edhe unë atje, pasi vula kuvajtiane figuron në pasaportën time!

– Po për vizitën e Berishës në Sulltanatin e Bruneit, si u bë, pasi nuk kishim as marrëdhënie diplomatike me atë vend? Sulltani i Bruneit thonë se i bëri Liri Berishës një dhuratë shumë të shtrenjtë. A është e vërtetë kjo?

– Po, kjo është e vërtetë. Kjo vizitë është kryer me sa më kujtohet në vitin ‘95, pas vizitës në Malajzi. Organizatori i kësaj vizite ka qenë Ferit Hoti, pas shkuarjes së tij në Kuala Lumpur, si ambasadori i parë i Shqipërisë atje. Atëherë Berisha u përpoq që të na paraqiste modelin malajzian, si një model i zhvillimit të ardhshëm të Shqipërisë. Pas vizitës 4-ditore në Malajzi, është kryer vizita, edhe kjo jozyrtare, e Berishës në ishullin e Bruneit, që drejtohej nga një sulltan, që në atë kohë renditej në top-listën e njerëzve më të pasur të botës me një pasuri me vlerë rreth 27 miliardë dollarë. Me sa di, ky sulltan ka pasur rreth 32 gra, numrin e të cilave e freskonte vazhdimisht me femra të tjera. Gjatë kësaj vizite ka qenë e pranishme edhe fırst lady e Shqipërisë, Liri Berisha, e cila ka marrë një dhuratë të çmuar nga ky sulltan. Dhurata ka qenë një unazë me diamante që kapte vlerën e rreth 300 mijë dollarëve. Do thoni se nga e dija unë vlerën e kësaj unaze, që në vitin ‘91 kam njohur bananet e lëre pastaj diamantet, që as në ëndërr nuk i kam parë?

– Po, nga e more vesh?

– Është e vërtetë që unë nuk marr vesh nga diamantet dhe as kam patur ndonjëherë. Por vlerën e kësaj unaze e kam marrë vesh nga fjalët e Genc Pollos, i cili ishte bërë shumë xheloz nga një dhuratë kaq e shtrenjtë.

– Po Gazidede kishte ndonjë rol për këto marrëdhënie dhe vizita misterioze të arabëve në Tiranë dhe të udhëheqësve shqiptarë në vendet arabe?

– Vetë fakti që njeriu numër dy i SHIK-ut dhe bashkëpunëtori më i afërt i Gazidedes, Bujar Rama, shoqëroi Berishën në vizitën në Arabinë Saudite në vendin tim apo të ndonjë shoqëruesi tjetër që duhet ta shoqëronte Berishën, tregon se Gazidede ka qenë i pranishëm dhe ka luajtur një rol aktiv në këto vizita dhe organizimin e tyre. Duhet thënë edhe kjo: Që një pjesë e këtyre delegacioneve që vinin si investitorë, bamirës apo të kamufluar nën emra sheikësh, përpara se të takonin Berishën, shkonin në zyrat e Gazidedes. Nuk mund të them se çfarë kërkonin këta përfaqësues misteriozë në zyrën e Gazidedes, falnin bashkë namazin apo planifikonin krijimin e celulave terroriste, siç doli më vonë në Shqipëri, si dhe përdorimin e Shqipërisë si një bazë të sigurt për të kryer akte terroriste në Perëndim.

– Po për ato fondacionet bamirëse, që gëluan me shumicë në disa qytete kryesore të vendit, a dinte gjë Berisha?

– Po a mund të linte Gazidede pa i treguar Berishës për këto fondacione, që përfaqësuesit e tyre i bënin vizita të herëpashershme të dyve? Dhe është një investim që ka qenë kryer në Vorë dhe mund të thuhet që është investimi i parë në Shqipëri nga të huajt. Ky investim është kryer nga arabët dhe shiritin e ka prerë Berisha me dorën e vet. Nuk e di a ekziston më ai investim, por ka qenë një pllakë e shkruar në hyrje të tij që shkruante se “Falënderojmë Presidentin Saleh Berisha për ndihmën që dha në kryerjen e këtij investimi…”

– Si, kështu ishte shkruar? Mos e ngatërron me emrin e një sheiku arab me emrin Abdul Latif Saleh, që ishte një terrorist…

– Jo, nuk e kam ngatërruar, por ashtu ka qenë e shkruar, si duket nga dashuria, që kanë pasur Berisha me Abdul Latif Saleh. Emrin Sali të Berishës e kishin bërë Saleh. Mund ta bënin edhe Yasin El Kadi, i cili ka qenë një mik i Berishës, por më vonë doli se ishte i lidhur me grupe terroriste të Al Kaedës. Po, në fund të fundit, kjo ishte edhe politika e Berishës. Me të drejtë duhet të themi, që moton e studentëve të Dhjetorit “ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa”, Berisha e ktheu me vepra, që “ta bëjmë Shqipërinë si vendet arabe”.

– Përse thua u dashurua Berisha kaq shumë pas arabëve, kur ai dihet si ishte një komunist ateist?

– Si duket ngaqë ato shtete janë shumë të “ndershëm” e nuk pranojnë apo japin ryshfete, ndërsa evropianët janë të “korruptuar” e “terroristë”. Tjetër shpjegim nuk mund të ketë.